- Home
- Shqipëria
- Bota
- Politika
- Mafia
- Shke-Tek
- Italiano
- Ekonomi
- Biografi
- Automobili
Lexuar 3800Debatet e plota në Asamblenë e PS-së për statutin e ri dhe programin. Pëllumbi, Majko, Braçe kritika për organizimin e ri të PS-së në bazë dhe braktisjen e modelit të vjetër. Ndryshimet e paraqitura në Statut dhe projekt-programin politik, të hartuar nga dy grupet e punës të ngritura për këtë qëllim, janë bërë objekt i një debati të gjerë dje në Asamblenë Kombëtare, ku figura të njohura dhe me peshë në këtë forcë politike kanë qenë kritikë jo vetëm për pika të veçanta që përmbajnë këto dy dokumente, por edhe në përgjithësi për mënyrën sesi po vepron PS me to.
Ai që ka shfaqur hapur vërejtjet e tij për risitë që sjellin kryesisht ndryshimet në statut ka qenë ish-kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi, i cili duke iu referuar mënyrës së organizimit të PS-së në bazë, nuk ka ngurruar ta konsiderojë atë jo si një forcë e mirëfilltë politike, por si një OJF. Ndërkohë që kritik ka qenë edhe ish-kryeministri Majko, për të cilin PD ka fituar në zgjedhje se ka kopjuar strukturat e PS-së, e cila për vete ka ikur nga organizimi i saj tradicional në bazë. Kritika dhe propozime të shumta ka patur edhe për projekt-programin politik, i cili si pasojë është konsideruar një dokument i hapur, i cili do të diskutohet pas Kongresit dhe gjatë një turi në bazë.
Statuti
I pari që ka hapur debatin mësohet se ka qenë deputeti Braçe, i cili duke iu referuar përvojës së dy garave të fundit elektorale ka vlerësuar si tepër të domosdoshme që për të forcuar strukturën e partisë së rrethit, përveç kryetarit ajo të kishte dhe një kryesi të sajën. Kjo ka hapur një debat të gjerë në sallë ku janë përfshirë edhe figura të tilla si Pëllumbi, Majko, Fino apo Klosi. Kështu, mësohet se Pëllumbi, duke iu referuar ndryshimeve të bëra dhe më parë, por edhe atyre të paraqitura së fundi, ka ngritur shqetësimin se partia, nga ndryshimi i herëpashershëm në statut, po humbet identitetin për shkak se nuk bazohet në struktura stabël. Kjo, sipas tij, ka bërë që partia gjithnjë e më shumë t’ ngjajë një OJF sesa një force politike që kërkon të fitojë zgjedhjet dhe të qeverisë vendin. “Me këto ndryshime që po bëni në statut po e ktheni partinë në një OJQ. Partia ka struktura tradicionale, ndaj quhet parti dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm kur i prekim ato, ndërsa OJQ s’ka struktura”, – mësohet të jetë shprehur Pëllumbi. Por akoma më i ashpër për këto ndryshime dhe më i vendosur në nevojën për të forcuar më tej strukturën e partisë në bazë rrethi, ka qenë ish-kryeministri Majko, i cili ka theksuar se PS ka gabuar duke iu larguar strukturave tradicionale, ndaj dhe është dobësuar në organizimin e saj në bazë. Çka, sipas tij, nuk ka ndodhur me kundërshtarin politik, i cili, sipas Majkos, kopjoi mënyrën e organizimit të mëparshëm të PS-së dhe arriti të fitojë zgjedhjet. “PD i bëri strukturat si ne dhe rezultoi fituese. Ndërsa ne e shkatërruam atë model që ishte fitues dhe sot jemi këtu ku jemi”, – mësohet të jetë shprehur Majko në fjalën e tij në mbledhjen me dyer të mbyllura. Por këta kanë qenë zërat e paktë që kanë kërkuar forcimin e kësaj strukture me krijimin e kryesisë së rrethit, pasi pjesa tjetër e diskutantëve e kanë vlerësuar këtë gjë të panevojshme.
Programi
Por ai që ka shkaktuar më shumë diskutime, për rrjedhojë edhe më shumë propozime, ka qenë projekt-programi politik. Ka patur nga ato kritika dhe sugjerime që preknin si çështje të veçanta, por edhe krejt programin, nëse ai duhet të jetë kaq i detajuar sa është paraqitur në këtë draft, apo duhet të jetë më i përgjithshëm. Kështu, mësohet se në sallë ka patur mendime që programi politik nuk duhet të jap zgjidhje të detajuara për çështje të ndryshme, por ai duhet të sjellë shtyllat kryesore të filozofisë politike të një partie. Ndërkohë që diskutime të gjata ka shkaktuar pikërisht kapitulli që ka të bëjë me sistemin e drejtësisë, ku shumica e anëtarëve të asamblesë janë shprehur skeptikë për trajtimin që i është bërë kësaj fushe. Por ka qenë kreu i partisë, Edi Rama, ai që ka qetësuar diskutantët, duke theksuar se ky do të mbetet një dokument i hapur për t’u përmirësuar qoftë në Kongres, ashtu edhe më pas gjatë prezantimit të tij në bazë.
Debatet me dyer të mbyllura në Asamble.
Majko: PD kopjoi strukturattona dhe fitoi, ne po i shkatërrojmë.
Ermelinda Meksi: Dua të përqendrohem te proceset integruese që trajtohen në projekt-program, dhe vëmendja që i është kushtuar atyre në këtë projekt. Unë do të propozoja që t’u referohemi dhe konventave europiane, pra ta cilësojmë në program.
Erion Braçe: Nga veprimtaria e përditshme politike në bazë mendoj se janë vënë re probleme të konsiderueshme, sidomos kur bëhet fjalë për periudhat zgjedhore. Në këtë kuptim, mendoj se duhet të rikthehet Kryesia në rreth, për të forcuar rolin e PS-së në bazë.
Bashkim Fino: Unë kam qenë një nga anëtarët e grupit të punës që kam qenë kundër organizimit të partisë në bazë rrethi, por gjatë diskutimeve unë jam bindur se kjo strukturë duhet të jetë, dhe zgjidhja që ofrohet besoj se është e mirë. Nuk jam dakord që të krijohen struktura të tjera siç është edhe Kryesia, prandaj ta miratojmë siç edhe ka ardhur.
Pandeli Majko: Jam dakord me Erionin, dhe them se duhet të forcohet roli i strukturave të PS-së së rrethit. Madje, unë jam i mendimit që duhet të mbështetet edhe me pagesë, pra një pagë të caktuar. Me pak fjalë, mendoj se duhet t’i kthehemi modelit të vjetër. PD i bëri strukturat si ne dhe rezultoi fituese. Ndërsa ne e shkatërruam atë model që ishte fitues dhe sot jemi këtu ku jemi.
Blendi Klosi: Ne e kemi diskutuar këtë çështje në grupin e punës dhe për hir të së vërtetës kemi patur goxha debate, por në fund vlerësuam se kjo zgjidhje është më e mira, pasi strukturat e partisë në rreth janë të mira dhe me këto ndryshime që i bëjmë ne i forcojmë dhe më tej ato. Ndaj nuk është e nevojshme që të ketë një Kryesi të posaçme, ata që do jenë anëtarë kryesie sërish aty janë.
Servet Pellumbi: Me këto ndryshime që po bëni në statut, po e ktheni partinë në një OJQ. Partia ka struktura tradicionale, ndaj quhet parti dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm kur i prekim ato, ndërsa OJQ s’ka struktura. Nuk mund të luajmë me këto struktura në këtë mënyrë dhe këtu kam parasysh që nga bërthama më e vogël, që është organizata dhe për të shkuar te të gjitha me radhë. Statuti nuk ndryshohet sa herë që ka një ide të re. Ndaj them se nuk duhen shkatërruar strukturat, ne kështu kemi krijuar vakum në zgjedhje, dhe ja, po ta marrim si shembull, roli i kryetarit të PS-së së rrethit është thjesht honorifik, nuk ka fuqi reale dhe rrethet nuk kanë Kryesi.
Rama përpiqet të shtensionojë situatën dhe qesh.
Majko: Edi, merre seriozisht këtë që po them unë për ndryshimet në statut, se kështu duhet. Nëse duhet të vijmë në pushtet, të paktën, ne duhet të kemi strukturën e kundërshtarin tonë politik që i ka gati. Edhe ti ke patur status tjetër më parë, ndërsa tani ke status tjetër. Pra, më parë ishe beqar tani je i martuar.
Arta Dade: Ne duhet të përcaktojmë më qartë marrëdhëniet tona me Internacionalen Socialiste dhe PES. Vërtet në projekt-program thuhet që në fillim, por kam përshtypjen se marrëdhëniet me to duhet të trajtohen më thellësisht dhe në brendësi, pikërisht aty ku flitet për proceset integruese apo BE-në.
Arben Malaj: Drafti i paraqitur për miratim nuk bën një ndarje të saktë nëse kemi të bëjmë më një program partie apo qeverisje. Ndërkohë që projekti mbi integrimin do të donte një shtjellim më të detajuar të asaj se çfarë ofron PS.
Damian Gjiknuri: Vendosja si prioritet, se PS kur të jetë nesër në qeverisje, do të anulojë koncesionet e dhëna padrejtësisht, apo ligje të tjera, nuk më duket e drejtë, pasi nuk mund të vendoset paraprakisht një gjë e tillë. Ky është një program politik dhe duhet të flasë vetëm për parimet.
Vasilika Hysi: Unë nuk jam dakord që se do çojmë drejtësinë përpara, se lëmë të kuptojmë që do ndërhyjmë politikisht në institucionet dhe sistemin e drejtësisë. Por ne duhet të mbështesim politikat për përmirësim të sistemit dhe jo të ndërhyjmë në të.
Edi Rama: Dua t’ju bëj të ditur të gjithëve se sugjerimet dhe diskutimet tuaja janë shumë të rëndësishme për përmirësimin e këtyre dokumenteve, por të paktën për programin dua të siguroj se ai do të mbetet një dokument i hapur që do të diskutohet dhe me bazën, ku do ta prezantojmë.
Paulin Sterkaj: Zoti Kryetar, me kaq shumë kritika sa dolën sot në drejtim të dy materialeve të paraqitura për miratim, del se nuk ke përzgjedhur njerëzit e duhur për këtë punë.
Fejzi Braushi/MAPO