- Home
- Shqipëria
- Bota
- Politika
- Mafia
- Shke-Tek
- Italiano
- Ekonomi
- Biografi
- Automobili
Lexuar 3512Në vitet e ardhshme, Shqipëria rrezikon të ketë një rritje dramatike të personave të prekur nga kanceri i gjirit. Ndaj strukturat administrative dhe profesionale duhet të përgatiten për ta përballuar. Deklarata është bërë nga onkologu i njohur Shahin Kadare, dje gjatë një takimi “Media-Doktor” të organizuar nga klubi i gazetarëve të Shëndetësisë. Sipas tij, shkak për këtë rritje drastike të të prekurve është rritja e popullsisë në moshë, ndërkohë që specialisti i shëndetit publik Alban Ylli ka deklaruar se duhen të ndërmerren programe kombëtare depistimi, për të minimizuar numrin e vdekjeve nga ky lloj tumori.
Alarmi
Sipas specialistëve të shëndetësisë, duke filluar që nga viti 1980 numri i të prekurve nga kanceri i gjirit është trefish më i lartë. Kështu, sipas Shahin Kadaresë, nëse në vitin 1986 në vendin tonë ishin raportuar 169 raste me kancer gjiri, në vitin 2008 ky numër është plot 408 raste. Sipas onkologut Kadare, rezultatet e mjekimit në vendin tonë nuk janë efektive, pasi në shumicën e rasteve pacientëve vijnë në fazat e fundit të sëmundjes kur është e pamundur të parandalohet. “Kanceri të gjirit i duhen rreth 6 vjet që të shkojë deri në 3 milimetra, ndërsa i duhen edhe 4 vjet të tjerë që të bëhet rreth 1 centimetër. Dhe nëse mjekimi fillohet përpara se të bëhet 1 cm, mundësitë për t’i shpëtuar atij janë shumë të mëdha. Kjo tregon se gratë në vendin tonë kanë afërsisht 5-10 vjet kohë për të kuptuar se janë prekur nga ky lloj tumori, por nuk i nënshtrohen ekzaminimeve speciale. Në të ardhmen vendi ynë do të përballet me një rritje dramatike të këtij tumori, ndaj administrata duhet të marrë masat për ta përballuar”, – ka shpjeguar onkologu Kadare në aktivitetin kushtuar luftës kundër kancerit të gjirit.
Ndërkohë që, specialisti i Shëndetit Publik Alban Ylli ka kërkuar që institucionet të nisin punën për hartimin e programeve kombëtare për depistim, në mënyrë që të shmanget numri i madh i vdekjeve nga ky tumor. “programet e depistimit të hershëm, apo dhe mamografia mund të shmangin 1/3 e të gjitha vdekjeve që shkaktohen nga ky lloj tumori”, – ka shpjeguar Alban Ylli. Sipas tij, të dhënat kanë treguar se kur kanceri i gjirit kapet në fazat e hershme, në vendet jo shumë të zhvilluara, 60-80 për qind e tyre arrijnë të mbijetojnë, ndërsa në vendet me ekonomi të zhvilluar kjo përqindje është mbi 85 %. Alban Ylli ka shpjeguar se sipas GLOBOCAN vlerësohet se duhet të kemi rreth 890 raste të reja në vit me kancer gjiri dhe rreth 320 vdekje në vit nga kanceri i gjirit, ndërkohë që pranë shërbimit onkologjik identifikohen më pak se 500 raste të reja në vit. Sipas tyre shkaku kryesor mbetet mosha gjithnjë e në rritje e popullsisë si dhe ndryshimi i profilit demografik. Në këtë takim referuan edhe dr. Majlinda Buba, mbi rolin e anatomisë patologjike në kancerin e gjirit dhe Dr.sk. Dhurata Tarifa për principet e trajtimit të kancerit të gjirit.
Esmeralda Keta/Gazeta Shqiptare