- Home
- Shqipëria
- Bota
- Politika
- Mafia
- Shke-Tek
- Italiano
- Ekonomi
- Biografi
- Automobili
Lexuar 2633Një nga detyrat parësore që i caktoi vetes kasta e vjetër e diktaturës, me në krye Ramizin e Nexhmijen, ishte që periudha e pasdiktaturës të karakterizohej nga një amulli e përgjithshme, e cila do t’i kushtonte shtrenjtë popullit shqiptar të keqtrajtuar e të lodhur nga diktatura. Dihet se anarshia totale është më e padurueshme nga vetë diktatura. Ky objektiv strategjik i kastës diktatoriale synonte që t’i thyente shpirtërisht e moralisht shqiptarët, duke i detyruar të pranonin se “ishim më mirë në kohën e Enverit.” Ata ia arritën deridiku qëllimit, mbasi pasuesit e tyre, Sala e Tosi, i respektuan pikë për pikë udhëzimet e Ramizit që ua dorëzoi pushtetin me marrëveshje të përgatitur me kujdes.
Gjithsesi është për të ardhur keq që mentaliteti vlerësues për diktaturën ekziston ende tek një pjesë jo e vogël e shqiptarëve. Është e kuptueshme që kasta sunduese në diktaturë, ku hyn edhe ish-Sigurimi i Shtetit, të kenë nostalgji për “kohën e artë” të tyre, kur Shqipërinë e kishin çiflig të vetin dhe shqiptarët skllevër të tyre. Por për asnjë lloj motivi, ky mentalitet nuk duhet të manifestohet tek shumica dërrmuese e shqiptarëve. Si në planin kombëtar ashtu edhe në atë shoqëror, diktatura e E. Hoxhës ka qenë shkatërrimtare për shqiptarët në të dyja anët e kufirit. Në shkëmbim të karrierës së tij politike, E. Hoxha ua fali Kosovën jugosllavëve sipas udhëzimeve të këshillëtarëve të tij titistë: Miladinit, Dushanit, Tempos etj. Madje, pë të mposhtur rezistencën kosovare ndaj jugosllavëve, brigadat partizane që u futën në Jugosllavi organizuan me urdhër të Enverit masakrën e tmerrshme të Tivarit, ku u vranë në mënyrën më çnjerëzore disa mijëra djem e vajza kosovare, të cilët iu dorëzuan “vëllezërve shqiptarë”. “Gazeta Shqiptare” botoi para ca kohësh një letër të Titos dërguar Enverit në vitin 1973 me anë të Likë Sehitaj (ndërlidhës i besuar i tyre, sekretar ambasade në Beograd), ku i propozonte që ta shpallte Kosovën Republikë. Enveri i përgjigjej se nuk ishte dakord për Kosovën Republikë, por vetëm të shpallej “Krahinë Autonome”, gjë që ndodhi një vit më pas, më 1974. Krijimi i dy shteteve shqiptarë në Ballkan, me kalimin e kohës, do ta vinte në vështirësi serioze diktaturën e Hoxhës. Për këtë problem, “Gazeta Shqiptare” botoi të nesërmen edhe një intervistë të Pandeli Majkos, i cili e dënonte pa rezerva këtë veprim të Enverit si tradhti kombëtare dhe bënte thirrje të ndriçohej më mirë ajo pjesë e historisë së diktaturës. Pra, politika proserbe që ndjek Tirana zyrtare sot është pjesë e testamentit politik të diktatorit Hoxha, ashtu siç është edhe politika progreke. Gjatë gjithë kohës së diktaturës, fshatrat e minoritetit grek jetonin shumë më mirë se kooperativistët shqiptarë, të cilët e hanin bukën e misrit me racion, ndërsa minoritarët grekë hanin vetëm bukë gruri dhe shkollat e tyre ishin shumë më të pajisura se ato të krahinave të tjera të Shqipërisë. Lidhur me Greqinë, Enveri u la trashëgimtarëve të politikës së tij librin-testament “Dy popuj miq”, ndërkohë që e dinte mirë se sa “miq” ishin grekët që masakruan popullsinë çame dhe ua mohojnë pronat e ligjshme edhe sot e kësaj dite. Pra, edhe politika e sotme progreke e Tiranës zyrtare është vazhdimësi e politikës kapitulluese të Enverit, por në kushte të reja, më të hapura e më të dukshme, mbasi ka ardhur dita e vënies në zbatim e planeve të kahershme antishqiptare të tradhtarit Hoxha.
Në planin shoqëror janë të njohura efektet shkatërrimtare të diktaturës enveriane ndaj gjithë popullit, përfshi edhe ish-bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, po aq kriminelë sa vetë diktatori. Është mungesë ndërgjegjeje dhe papërgjegjshmëri morale që shqiptarët e shumëvuajtur ta vlerësojnë diktaturën më të egër të Evropës Lindore si “gjellë më e shijshme” nga pseudodemokracia e sotme. Dihet se ndryshimet politike në Shqipëri në vitet ’90 erdhën si pasojë e përmbysjes së komunizmit në kontinentin evropian dhe jo si dëshirë “bamirësie” e Ramizit dhe Nexhmijes, apo emisarëve të tyre besnikë Salës, Tosit & Co. Përkundrazi, këta të fundit e kanë sabotuar e po e sabotojnë sistematikisht instalimin e demokracisë së vërtetë në Shqipëri: këtë mision u caktuan ata që ua dorëzuan pushtetin. Megjithatë, atë që sjell koha me evoluimin e saj nuk e sabotojnë dot plotësisht mercenarët e politikës antishqiptare në pushtet. Do të ishte marrëzi të pretendonim se gjendja social-politike sot në Shqipëri është më e rrezikshme se në kohën e kooperativave bujqësore, kur diktatura të burgoste për një fjalë goje (apo për biografi, pa folur fare), ose të vriste po t’i afroheshe kufirit. Vetë fakti që ne kemi mundësi ta kritikojmë hapur neokomunizmin e sotëm, apo ta kalojmë kufirin pa u trembur se mos na vrasin, flet shumë për atë që ka sjellë koha e jo dashamirësia e politikanëve tanë antishqiptarë.
“Nevojitet pak liri që të mundësh të luftosh për lirinë”, thoshte shkrimtari e filozofi francez Zhan Pol Sartër. Ne si popull e kemi përjetuar këtë situatë: A mund të luftoje dot për lirnë nën diktaturën gjakatare të E. Hoxhës, që të vriste pa bërë gjë, thjesht për terror? As që mund të bëhej fjalë. Ndërsa sot e kemi fituar atë pak liri që Sartri e vlerëson si kusht të domosdoshëm për të luftuar për liri. Atë pak liri neve na i solli koha dhe jo politikanët dashakeqës që duan të na i cungojnë sa më shumë. Por a dimë ne shqiptarët të luftojmë për lirinë? Kjo pyetje e vendos gishtin mbi plagën tonë të përhershme: paaftësinë tonë për tu organizuar e për të luftuar (jo thjesht me armë, të cilat nuk përjashtohen) për të drejtat tona të shkelura me këmbë nga mafia politike. Duke mos qenë të zotë të bëjmë atë që kanë bërë historikisht gjithë popujt e tjerë për lirinë e tyre (afrikanët po e bëjnë sot), ne dimë vetëm ta shajmë kastën politike të korruptuar, por jo t’i kundërvihemi asaj. Dhe kulmi i dobësisë sonë arrin kur rrëzohemi aq poshtë logjikisht e moralisht si popull, sa të kemi kurajon e pacipë të lavdërojmë diktaturën enveriane, të cilësuar prej historianëve të huaj si një nga më të egrat e shekullit XX. Ndonëse jo gjithë shqiptarët mendojnë kështu, mjafton fakti që ka endé një përqindje të mirë të popullit tonë që e vlerëson pozitivisht atë diktaturë mizore që ne të na skuqet faqja para kontinentit evropian (në qoftë se na ka mbetur akoma ndonjë cep faqeje i paskuqur). Kjo të kujton një aforizëm të vërtetuar nga koha: “Qeveritë u përshtaten popujve si kapelja kokës.”
Klodeta Telegrafi/FB
One Response to Shqiptarët : të gatshëm për të shfajësuar diktaturën, për shkak të telasheve të pseudodemokracisë