Të përndjekurit: Zbulohet drafti me ndryshimet në ligj

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 3284
Qeveria ndryshon ligjin për të përndjekurit politikë duke rritur numrin e përfituesve. Do të jenë rreth një mijë persona që kanë vuajtur krimet e regjimit komunist dhe nuk përfitonin deri tani për shkak të përcaktimeve të mëparshme në ligj.Ashtu siç ishte paralajmëruar, në aktin e miratuar dje nga Këshilli i Ministrave është shtuar edhe një nen, sipas të cilit, të gjithë personat që janë mbi 85 vjeç, do të dëmshpërblehen menjëherë. “Përjashtimisht nga rregullat e përgjithshme, për ish-të dënuarit politikë, të mbetur gjallë, me moshë mbi 85 vjeç, dëmshpërblimi do t’i shpërndahet vetëm një herë, në vlerën e plotë”, thuhet në amendimet e miratuara dje dhe që do të kalojnë në Parlament për shqyrtim.

Dëmshpërblimi
Në nenin 6 të ligjit ekzistues është përcaktuar që për personat që kanë vuajtur internim në kamp me rrethim me tela me gjemba deri në vitin 1954, masa e dëmshpërblimit është 1000 lekë në ditë. Por, sipas këtij ligji, të përndjekurit duhet të paraqesin dokumente të para viteve ‘90 për të vërtetuar faktin që kanë vuajtur nga krimet e regjimit komunist. Ndërkohë që për të internuarit në kampe me tela me gjemba në vitin 1991, me vendim të Këshillit të Ministrave është ngritur një Komision trepalësh. Në draftin e miratuar dje është shtuar fakti që të përndjekurit në internim duhet të paraqesin aktin e lëshuar nga ky komision. “Përjashtimisht për ish-të dënuarit politikë që kanë vuajtur internim në kamp me rrethim me tela me gjemba deri në vitin 1954, masa e dëmshpërblimit do të përcaktohet në bazë të aktit administrativ të lëshuar nga Komisioni trepalësh që ka funksionuar për njohjen e kësaj periudhe”, thuhet në amendimin e ligjit.

Aplikimi
Pas shqetësimit të ardhur nga Shoqata e ish-të Përndjekurve, qeveria ka shtyrë afatin për paraqitjen e dosjeve në Ministrinë e Drejtësisë. Fillimisht, afati i fundit për këta persona ishte 1 korriku i vitit 2009, ndërkohë që ky afat tani është shtyrë deri më 31 dhjetor 2011. “Brenda datës 31.12.2011, ish-të dënuarit politikë, drejtpërdrejt apo nëpërmjet kujdestarit ligjor, si dhe familjarët e viktimave të ekzekutuara, që plotësojnë kriteret e neneve 4 e 5 të këtij ligji, paraqesin në Ministrinë e Drejtësisë kërkesën me shkrim për përfitimin e dëmshpërblimit financiar, për dënimin penal të padrejtë, sipas formularit të paraqitur në aneksin ‘A’, që i bashkëlidhet këtij ligji”, thuhet në ndryshimet e miratuara dje në Këshillin e Ministrave. Me propozim të ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi, është përcaktuar gjithashtu që në listën e veprave penale për të cilat do të jepet dëmshpërblimi, përfshihet edhe vepra penale “veprat terroriste”. Gjithashtu, ligji përcakton si përfitues të vlerës së dëmshpërblimit, në rast se i përndjekuri ka vdekur, fëmijën e tij biologjik që është birësuar. “Në kuptim të këtij ligji, me familjarë nënkuptohen, pavarësisht nga rregullime të tjera ligjore, paraardhësit, bashkëshortja, pasardhësit, vëllezërit dhe motrat e ish-të dënuarit politik, si dhe fëmija/fëmijët e vëllezërve dhe motrave, fëmijët biologjikë që janë dhënë për birësim, para, gjatë dhe pas periudhës së vuajtjes së dënimit të padrejtë”, përcaktohet në ligj.

Ligji për të përndjekurit

Neni 1 ishte
Objekt i këtij ligji është edhe dëmshpërblimi i familjarëve të viktimave, të ekzekutuara apo të pushkatuara padrejtësisht për motive politike, me vendime penale të formës së prerë të gjykatave të zakonshme apo speciale, ose me urdhra të organeve të hetuesisë, gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 1.10.1991, si dhe dëmshpërblimi financiar për personat e internuar ose të dëbuar, me kusht që humbja e jetës apo periudha e vuajtjes së internimit ose dëbimit të vërtetohen me dokument, të krijuar si burim arkivor para datës 1.10.1991.
Neni 1 bëhet (duke u diskutuar)
Objekt i këtij ligji është edhe dëmshpërblimi i familjarëve të viktimave, të ekzekutuara apo të pushkatuara padrejtësisht për motive politike, me vendime penale të formës së prerë të gjykatave të zakonshme apo speciale, ose me urdhra të organeve të hetuesisë, gjatë periudhës 25.10.1944 deri më 1.10.1991, si dhe dëmshpërblimi financiar për personat e internuar ose të dëbuar, me kusht që humbja e jetës apo periudha e vuajtjes së internimit ose dëbimit të vërtetohen me dokument, të krijuar si burim arkivor para datës 1.10.1991.
Shtohet neni
Përjashtimisht për ish-të dënuarit politikë që kanë vuajtur internim në kamp me rrethim me tela me gjemba, deri në vitin 1954, masa e dëmshpërblimit do të përcaktohet në bazë të aktit administrativ të lëshuar nga Komisioni trepalësh që ka funksionuar për njohjen e kësaj periudhe.
Neni 5 shtohet pika f
Vepra penale politike, në kuptim të këtij ligji, vlerësohen vetëm veprat penale të parashikuara në njërën nga dispozitat ligjore të mëposhtme:
f) Veprat terroriste
Neni 8 ishte
Në kuptim të këtij ligji, me familjarë nënkuptohen, pavarësisht nga rregullime të tjera ligjore, paraardhësit, bashkëshortja, pasardhësit, vëllezërit dhe motrat e ish-të dënuarit politik, si dhe fëmija/fëmijët e vëllezërve dhe motrave.
Neni 8 bëhet
Në kuptim të këtij ligji, me familjarë nënkuptohen, pavarësisht nga rregullime të tjera ligjore, paraardhësit, bashkëshortja, pasardhësit, vëllezërit dhe motrat e ish-të dënuarit politik, si dhe fëmija/fëmijët e vëllezërve dhe motrave, fëmijët biologjikë, që janë dhënë për birësim, para, gjatë dhe pas periudhës së vuajtjes së dënimit të padrejtë.
Shtohet neni
Përjashtimisht nga rregullat e përgjithshme për ish-të dënuarit politikë, të mbetur gjallë, me moshë mbi 85 vjeç, dëmshpërblimi do t’i shpërndahet vetëm një herë, në vlerën e plotë.
Neni 19 ishte
Brenda datës 01.07.2009, ish-të dënuarit politikë, drejtpërdrejt apo nëpërmjet kujdestarit ligjor, si dhe familjarët e viktimave të ekzekutuara, që plotësojnë kriteret e neneve 4 e 5 të këtij ligji, paraqesin në Ministrinë e Drejtësisë kërkesën me shkrim për përfitimin e dëmshpërblimit financiar, për dënimin penal të padrejtë, sipas formularit të paraqitur në aneksin “A”, që i bashkëlidhet këtij ligji.
Neni 19 bëhet
Brenda datës 31.12.2011, ish-të dënuarit politikë, drejtpërdrejt apo nëpërmjet kujdestarit ligjor, si dhe familjarët e viktimave të ekzekutuara, që plotësojnë kriteret e neneve 4 e 5 të këtij ligji, paraqesin në Ministrinë e Drejtësisë kërkesën me shkrim për përfitimin e dëmshpërblimit financiar, për dënimin penal të padrejtë, sipas formularit të paraqitur në aneksin “A”, që i bashkëlidhet këtij ligji.

Mbi 85 vjeç janë 400 të përndjekur

I kontaktuar nga gazeta “Panorama”, drejtori i Institutit për ish-të Përndjekurit Politikë, Simon Miraka, tha se personat mbi 85 vjeç që janë ende gjallë janë rreth 400. Ai shton se dhënia e masës së shpërblimit me një këst të vetëm për këta persona ka qenë një nga kërkesat e bëra në takimin me Kryeministrin Berisha. Në të njëjtën kohë bëhet e ditur se nga 23 mijë dosje që janë paraqitur në Ministrinë e Drejtësisë për të përfituar nga dëmshpërblimi, sipas ligjit të miratuar nga Këshilli i Ministrave, 3200 persona janë ende gjallë. Kërkesa e të përndjekurve ka qenë që ata që janë ende gjallë të marrin sa më parë këstin e dytë të dëmshpërblimit. Sipas një vendimi të qeverisë, të miratuar vjet, kjo kategori do të ketë përparësi në dhënien e dëmshpërblimit.

Miraka: Nga ndryshimet në ligj përfitojnë 1 mijë persona

Drejtori i Institutit për ish-të Përndjekurit Politikë, Simon Miraka, i vlerësoi pozitivisht ndryshimet në ligjin për të përndjekurit. Sipas tij, këto ndryshime vijnë pas takimit që kjo shoqatë zhvilloi me Kryeministrin Sali Berisha. “Të gjitha problemet e evidentuara deri tani ne i shtruam në takimin me Kryeministrin. Nga ana e saj, Ministria e Drejtësisë bëri gati projektligjin, i cili më pas do të kalojë në Parlament. Nga këto ndryshime do të përfitojnë rreth një mijë të përndjekur, të cilët deri tani nuk mund të merrnin dëmshpërblimin”, thotë Miraka. Ai shton më tej se deri tani kanë aplikuar për të përfituar nga dëmshpërblimi rreth 23 mijë persona, nga të cilët kanë marrë këstin e parë 11 mijë. Sipas Mirakës, kërkesa e kësaj shoqate ndaj qeverisë është që të gjithë ata që kanë mbetur gjallë, që janë rreth 3200, të marrin sa më shpejt këstin e dytë.
Adi Shkëmbi/Panorama

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 02/09/2011. Filed under Ligji. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

One Response to Të përndjekurit: Zbulohet drafti me ndryshimet në ligj

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.