- Home
- Shqipëria
- Bota
- Politika
- Mafia
- Shke-Tek
- Italiano
- Ekonomi
- Biografi
- Automobili
Lexuar 8353Shqiptarët ndahen në dy grupe të shquara Gegë dhe Toskë, të cilët thuajse i ndan lumi Shkumbin që shkon në mes të Shqipërisë. Gegët, që kapin thuajse afërsisht gjysmën e popullsisë, jetonin thuajse të izoluar deri tani vonë. Terreni malor ku ata jetonin u dha mundësi të ruanin mënyrën e jetesës tradicionale deri në Luftën e Dytë Botërore. Toskët që jetonin në zona jo aq të thyera të Shqipërisë së Jugut, iu nënshtruan ndikimeve të huaja më shumë se Gegët. Që nga viti 1945, megjithatë, të dy pjesët pësuan ndryshime të thella në jetën e tyre për shkak të regjimit të ri. Një nga ndryshimet më të theksuara ka qenë rritja e shkëmbimeve midis jugut dhe veriut, e cila ndihmoi të zbuteshin ndryshimet midis tyre.
Ky ndryshim reflektohet në gjuhë. Shqipja është gjuhë indoeuropiane që nuk ka lidhje të afërta me ndonjë gjuhë tjetër në këtë grup. Folësit e të dy dialekteve kryesore Gegë e Toskë janë në gjendje ta kuptojnë njëri tjetrin. Secili nga dialektet ka shërbyer në kohë të ndryshme si bazë për standardizimin e gjuhës së shkruar. Tani gjuha e njësuar letrare përmban elementë nga të dy dialektet e përdorur, por dialekti Tosk ka më shumë peshë se ai Geg.
Më 1967 llogaritej se 73 për qind e popullsisë qe myslimane, 17 për qind Ortodoksë të ritit lindor dhe 10 për qind katolikë. Thuajse të gjithë shqiptarët në Jugosllavi janë myslimanë dhe ashtu si Gegët në Shqipëri, shumica i përket sektit Suni. Në të kaluarën fanatizmi fetar Islam zotëronte në mënyrën e tyre të jetesës. Një minoritet i vogël i gegëve në Shqipëri (10 për qind) janë Katolikë. Midis Toskëve ndjenjat fetare janë më të përmbajtura. Rreth 70 për qind janë Myslimanë, të ndarë nëpërmjet sekteve Suni dhe Bektashi; kusuri janë Ortodoksë. Më 1967 qeveria shqiptare i nxori fetë jashtë ligjit, duke e bërë vendin të parin shtet ateist në botë.
Shqiptarët janë pasardhës të Ilirëve, që banonin në gadishullin Ballkanik qysh në mijëvjeçarin II, Para Krishtit. Gjatë dy mijë vjetëve të kaluar, Shqipëria u pushtua me radhë nga Romakët, Bullgarët, Serbët, Venecianët, Bizanti dhe nga Turqit Otomanë. Kohë pas kohe feudalët vendas ngritën krye, më i famshmi i të cilëve, heroi kombëtar Skenderbeu (Gjergj Kastrioti [George Castriota]; 1405-1468), i cili në mesin e shek 15të i rezistoi me sukses sundimit Otoman Turk . Në shekujt që vazhduan më pas, shumë shqiptarë hynë në burokracinë ushtarake të Perandorisë Otomane dhe disa prej tyre u ngritën në pozita të larta shtetërore. Gjatë dekadës së fundit të shekullit 19të u zhvillua një lëvizje kombëtare (kryesisht nga shqiptarët që jetonin jashtë atdheut), dhe pas disa revoltave kundër Turqve Otomanë, Shqipëria deklaroi pavarësinë e saj më 1912. Pas një viti, fuqitë Evropiane perëndimore njohën shtetin e ri brenda kufijve, të cilat janë të njëjtat edhe sot. Gjatë Luftës Parë Botërore vendi u okupua nga forcat e huaja dhe më 1939 u aneksua nga Italia. Gueriljet lokale të udhëhequra nga komunisti Enver Hoxha, e shpallën Shqipërinë Republikë Socialiste më 1946. Regjimi i ngurtë ortodoks Marksist shqiptar u bë aleat së pari me Jugosllavinë, pastaj me radhë me Bashkimin Sovjetik dhe me Republikën Popullore të Kinës. Që nga 1978, megjithatë, ajo ka qëndruar mënjanë nga të gjithë ish aleatët komunistë.
MBËRRITJA, VENDOSJA DHE JETA EKONOMIKE
I pari shqiptar që besohet të ketë ardhur në Shtetet e Bashkuara, qe Kole Kristofori (Nicholas Christopher), i cili u vendos në Boston më 1880 dhe ende kujtohet nga Shqiptaro-Amerikanët si pionier i grupit të tyre etnik. Por megjithatë, duhet pritur dhjetëvjeçari i parë i shekullit 20të kur shqiptarët filluan të vijnë në shifra të konsiderueshme. Pothuajse të gjithë ata qenë të krishterë ortodoksë toskë nga jugu – kryesisht beqarë, ose edhe të martuar, që kërkonin të fitonin diçka për të mbajtur familjet e tyre që kishin lënë në vendlindje. Ata nuk kishin qëllim të nguleshin përfundimisht dhe pas Luftës Parë Botërore, gati 10.000 prej tyre u kthyen në Shqipëri. Një grup tjetër Tosk erdhi pas Luftës Parë Botërore; mjaft prej këtyre emigrantëve synonin të rrinin këtu dhe disa sollën edhe familjet e tyre, ose u martuan pas vendosjes në Botën e Re. Një grup tjetër shqiptarësh, ndryshe nga të parët, erdhi pas Luftës Dytë Botërore. Shumica qenë refugjatë politikë të ikur nga Shqipëria komuniste ose Jugosllavia, kryesisht Gegë, për më tepër myslimanë ose katolikë nga Shqipëria.
Nuk është e mundur të njihet me saktësi numri ekzakt i shqiptarëve të ardhur në SHBA, sepse emigrantët e parë shpesh nuk e identifikonin veten si shqiptarë. Më 1920 rreth 6,000 njerëz raportuan se shqipja qe gjuha e tyre, – gjuha që kishin folur ndër shtëpitë e tyre ndërsa u rritën. Më 1970 numri qe 17,382. Duke zbritur ato familje që e kishin braktisur gjuhën e tyre amtare, është e arsyeshme të pohojmë se afërsisht 70,000 emigrantë shqiptarë dhe pasardhësit e tyre jetojnë sot në ShBA.
Të ardhurit e parë u vendosën në Boston dhe prej andej u shpërndanë në pjesët e tjera të New England-it: Worcester, Natick, dhe Southbridge, Mass. Manchester, H.H.; Bideford-Saco, Me.; Bridegeport and Waterbury, Conn. Të tjerë shkuan të jetonin në New York City, (veçanërisht në Bronx), po ashtu në Jamestown dhe Rochester, N.Y.; Philadelphia, Pittsburg, Cleveland, Detroit dhe Chicago – dhe akoma më larg në perëndim, sikurse në Saint Luis. Më vonë emigrantët e ardhur shkuan në të njëjtët qytete pas të afërmve të tyre, rezultat i të cilit qe se edhe tani shpërndarja gjeografike e shqiptaro-amerikanëve ka mbetur kryesisht po ashtu siç qe në fillim të këtij shekulli.
Emigrantët e parë shqiptarë qenë kryesisht fshatarë. Shumë prej tyre qenë analfabetë, për shkak se shkollimi në gjuhën shqipe qe rreptësisht i ndaluar nga qeveria turke. Përfundimisht shumë prej tyre mësuan të lexonin e të shkruanin anglisht dhe shqip nga miqtë e shokët e tyre që e dinin këtë gjuhë dhe nga shtypi i emigrantëve. Si bujq tradicionalë, ata s’kishin kurrfarë përvoje të punonin në sektorin industrial dhe qenë detyruar të pranonin punë të rëndomta në industrinë tekstile ose të këpucëve, nëpër sharra, fonderi dhe porte detare, ose të kryenin punë shërbimi në restorante dhe hotele. Pak prej tyre qenë çikrimtarë, shitës rrugësh me karro e tezga.
Të ardhurit e parë punonin rëndë dhe jetonin në kushte spartane, të vështira. Argëtimet dhe shfaqjet sportive i konsideronin pa vlerë dhe po ashtu qëndronin larg si ndaj shoqërisë amerikane, ashtu ndaj grupeve të tjera etnike. Për të kursyer të holla, grupoheshin nëpër banesa 10 deri 15 veta, në një apartament të vetëm, të cilin e quanin konak. Jetesa në konak qe e zymtë, sidomos për fshatarët që ishin mësuar të punonin jashtë në natyrë. Shtëpinë e mbanin duke u kujdesur me radhë për pastrimin dhe gatimin, për larjen e teshave dhe për arnimin e këpucëve të tyre. Ata e duronin mungesën e jetës personale në Amerikë duke u zvarritur nëpër qendrat industriale, sepse këtë e shihnin si rrugën më të mirë të bënin para dhe t’i shpëtonin ciklit të varfërisë ku ishin zhytur përfundimisht.
Emigrantët shqiptarë e lehtësuan disi mjerimin e tyre duke u organizuar në institucione shoqërore; në Boston–i cili gjithmonë qe kryeqyteti i shqiptarëve në Amerikë–qe Kafene Vatra dhe hotel Skënderbeu, i emërtuar pas kryetrimit Skenderbeg. Shoqëritë po ashtu ishin formuar për të ndihmuar fshatrat e tyre në vendlindje duke u dërguar të holla për ndërtim shkollash, rrugësh e disa herë edhe për të pajisur me pajë vajzat e varfra. Disa nga këto shoqëri vazhdojnë të jetojnë edhe tani: Në hapësirën Greater Boston janë Shoqëria Katundi dhe Shoqëria Panariti, të emërtuara sipas fshatrave nga e kishin origjinën anëtarët, të cilët edhe tani organizojnë takime kohë pas kohe dhe njëherë në vit mblidhen për banketin tradicional.
Statusi socioekonomik i bashkësisë shqiptare me kohë pësoi ndryshime. Disa nga të emigruarit ngritën biznese të vogla, dërguan fëmijët nëpër shkolla dhe nisën t’i përshtaten mënyrës së jetesës të amerikanit të mesëm. Emigrantët e pasluftës kishin mes tyre edhe një numër intelektualësh, nëpunës qeverie, udhëheqës politikë dhe profesionistë të ndryshëm, të cilët i sollën larmi të theksuar komunitetit. Shumica dërmuese e shqiptarëve vazhdon të jetojë nëpër qytete duke punuar në industri, biznes, punë shteti dhe në arsim; pak prej tyre janë të pasur. Një numër i konsiderueshëm kanë biznese të vogla, kryesisht restorante, dhe po ashtu tregtore, rrobaqepësi, dyqane lulesh e kështu me radhë. Mjaft nga emigrantët e tanishëm janë punësuar në shërbime dytësore, si portierë, roje nate, larës dritaresh dhe punë artizanale, sidomos në Bronks ku ndodhen rreth 12,000 shqiptarë që përbëjnë komunitetin më të ri etnik në New York.
JETA SHOQËRORE DHE FAMILJARE
Jeta shoqërore dhe familjare e Shqiptaro-Amerikanëve është një fuzion – disa herë konfuzion – i dy sistemeve me vlerë; i vjetri, i lidhur fort pas traditës ku dominojnë meshkujt, është njëri; dhe i riu, më elastik me ndikime nga jeta amerikane. Në pajtim me traditat shqiptare, burri vazhdon të jetë kreu i familjes, megjithëse tani nuk ushtron më autoritetin absolut që kishte dikur. Vendi i gruas vazhdon të jetë brenda shtëpisë, sepse konsiderohet poshtëruese të punojë jashtë saj; por tashti kjo traditë është thyer, veçanërisht ndërmjet brezit të dytë dhe gjeneratave të më pastajme.
Deri më 1950, asgjë tjetër nuk lëndonte më shumë prindërit, se sa kur djali a vajza martohej me një jo shqiptar, por kur ndodhte, pavarësisht nga protestat e tyre të forta, atëherë zakonisht pajtoheshin me ndryshimin. Prindërit shqiptarë zakonisht mendonin se për vajzat kryerja e shkollës së mesme ishte e mjaftueshme, se kështu nuk u cënohej pastërtia morale dhe forca e karakterit nga shkollimi i mëtejshëm. Tani në vitet e fundit, edhe ky qëndrim ka ndryshuar, me përjashtim të komuniteteve të emigrantëve që kanë ardhur pas luftës, ku boshti moral i kodit shqiptar të maleve është akoma i gjallë. Ndaj duhen përpjekjet e kishës dhe organizatave shoqërore që vajzat ta vazhdojnë shkollimin edhe pasi mbushin moshën 13 vjet.
Shqiptarët mbajnë kontakte të ngushta me të afërmit e tyre dhe vazhdojnë t’i ruajnë përshëndetjet dhe ritet tradicionale kur bëjnë vizita ose takohen me njëri-tjetrin. Atyre u pëlqen të gatuajnë gjellë shqiptare dhe janë krenarë veçanërisht për byrekët me barishte. Në festat e ndryshme kombëtare, ose në të kremtet fetare ata këndojnë këngë shqiptare, vallëzojnë valle shqiptare, shpesh me kostumet e vendlindjes. Pikniket i tërheqin nga hapësirat e mëdha të qyteteve – disa herë u duhet të udhëtojnë qindra milje për të arritur te vendi i piknikut – ku mblidhen familjet, që nga gjyshet e moshuara, te fëmijët e vegjël. Dikur shqiptarët në Manchester, N.H. kishin tokën e tyre për piknik, ku mblidheshin e hanin ullinj e djathë, pula dhe qengj të pjekur, lakror me spinaq, presh ose kungull dhe ëmbëlsira si kurabie, brushtull, dhe bakllava. Disa herë ata akoma vazhdojnë të festojnë ditën e emrit, jo ditëlindjen; po ashtu festojnë shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë; Ortodoksët festën më të madhe fetare kanë Pashkën; ndërsa Myslimanët Bajramin dhe festat e tjera fetare.
Shqiptarët në pjesën më të madhe janë qytetarë që i respektojnë ligjet. Përjashtime vihen re kryesisht te Gegët që erdhën pas lufte, të cilët sollën me vete gjakmarrjen në Shtetet e Bashkuara – kryesisht në Bronx, por po ashtu edhe në Detroit dhe Los Angeles, ku një komunitet prej qindra shqiptarësh zuri rrënjë në vitet 1970. Në Bronx shumë shqiptarë u vendosën krahas italianëve në Fordham Road, (ka të ngjarë me që mësuan italisht në kampet e refugjatëve para se të vinin në Amerikë; po ashtu sepse i përkasin të njëjtës fe, besimit Katolik Roman). Incidentet për hakmarrje kanë qenë të rralla, për shkak se të riardhurit mësuan t’i renditin idetë e nderit personal, drejtësisë dhe krenarisë fisnore në harmoni me ligjet amerikane dhe t’i zgjidhin mosmarrëveshjet me ndërmjetës, në vend të armëve.
BESIMI FETAR
Jeta e Shqiptaro-Amerikanëve mbështillet rreth institucione shqiptare: për shqiptarët, njëlloj si në vende të tjera të Evropës Lindore, feja dhe identiteti etnik janë koklavitur pazgjidhshmërisht. Shumë nga emigrantët e parë qenë Ortodoksë nga krahina e Korçës në jug të Shqipërisë, qendra kryesore e kulturës Toske. Komuniteti i tyre Ortodoks qe nën juridiksionin e Kishës Greke Ortodokse, e cila që nga selia e saj në kryeqytetin e Turqisë, Stamboll, përpiqej të ushtronte kontroll të fortë mbi besimtarët në Shqipëri dhe po ashtu edhe mbi ata që largoheshin nga vendi. Në Shtetet e Bashkuara, ku rregullat e atjeshme nuk vlenin, shqiptarët u rebeluan, në fillim të viteve 1900, kur një prift ortodoks grek në Hudson, Mass., refuzoi t’i kryente shërbime funerale një të riu shqiptar, me arsyetimin se qe nacionalit dhe ishte çkishëruar. Shqiptarët e Massachusetts u mblodhën dhe vendosën të kishin priftin e tyre. Ata ftuan Fan Nolin (1882-1965), i cili u dorëzua prift nga Kryepeshkopi Ortodoks Rus i New Yorkut më 8 mars, 1908. Kjo datë shënon fillimin e Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, e para e këtij lloji në mbarë botën. Në fillim qe nën juridiksionin e Kishës Ortodokse Ruse, ndërsa më 1919 u riorganizua si dioqezë e pavarur.
Suksesi i Kishës Ortodokse Shqiptare i dedikohet në radhë të parë Fan Nolit, shkrimtar që kreu studimet në Harvard, kompozitor dhe politikan që erdhi në Shtetet e Bashkuara më 1906, me synimin të organizonte emigrantët të punonin për çështjen kombëtare. Noli i njohu shqiptarët me liturgjinë kishtare dhe pasi u kthye nga Evropa më 1932, shërbeu si Metropolitan i Arkidioqezës Shqiptare në Amerikë deri sa vdiq më 1965. Sot Arkidioqeza, me kishën mëmë në Boston, ka 13 kisha dhe është pjesë e Kishave Ortodokse të Amerikës.
Dioqeza Ortodokse Shqiptare e Amerikës, e kryesuar nga viti 1949 nga Peshkopi Mark Lipa, është një organizatë ashkël, vetëm me dy kisha, njëra në Boston dhe tjetra në Çikago. Kjo dioqezë u formua gjatë luftës së ftohtë, kur Peshkop Lipa dhe pasuesit e tij e akuzuan Peshkop Nolin se ishte simpatizant i komunistëve dhe pra i papërshtatshëm të kryesonte Kishën Shqiptare. Përkrahësit e Nolit në anën tjetër, e cilësuan Lipën se ishte agjent i Patrikanës Ortodokse Greke të Stambollit, i dërguar në Shtetet e Bashkuara të zbatonte synimet e nacionalistëve grekë. Konflikti vazhdoi disa vjet, ndërkohë që Peshkop Lipa nuk mundi të minonte kishën e Peshkop Nolit, arritjet e së cilës vazhdonin të respektoheshin nga shumica Ortodokse e komunitetit.
Myslimanët shqiptarë themeluan shoqërinë e tyre të parë më 1915 në Biddeford, Me. Më 1946 Imam Vehbi Ismaili organizoi Shoqërinë Myslimane Shqiptare-Amerikane në Detroit. Që prej asaj kohe shoqëri të tjera fetare myslimane u ngritën në Waterbury, Chicago dhe në Brooklyn, N.Y. Qendra e New Yorkut, (formuar më 1972) njihet si Qendra Islamike Shqiptaro-Amerikane për shtetet e New Yorkut dhe të New Jerseyt dhe është më aktivja nga të katërtat. Sekti i Bektashinjve Myslimanë, që është mistik nga karakteri dhe priret drejt panteizmit, ka teqenë (manastirin) e tij në Detroit, themeluar më 1954 nën kryesinë e Baba Rexhepit (1901-1995). Bektashinjtë luajtën rol të shquar në jetën kombëtare shqiptare dhe nga viti 1925 qendra botërore e sektit ka qenë në Shqipëri. Në teqenë e tyre në Detroit bektashinjtë rikrijuan disi botën e vjetër agrare të jetës së teqeve duke mbjellë perime e duke mbajtur pulari.
Katolikët shqiptarë janë të ardhurit më të rinj dhe si konsekuencë edhe të fundit në organizimin e jetës fetare. Tani ka famulli katolike në Bronx dhe në Detroit. Famullia e Bronksit, Zonja e Këshillit të Mirë (themeluar më 1962), udhëhiqet nga Monsignor Zef Oroshi (1916 – ). Qysh nga viti 1969 Qendra Katolike Shqiptare, u shërben rreth 3,500 shqiptarëve katolikë të gjeneratës së parë në atë pjesë që quhet Greater New York.
JETA POLITIKE
Shqiptarët nuk kanë luajtur ndonjë rol aktiv në jetën politike amerikane; për ta politika shpesh nënkuptonte vetëm shqetësimet për fatin e atdheut. Lufta e shqiptarëve për pavarësi gjatë dekadës së parë të shekullit XX, koincidoi me një shkallë emigrimi të madh në Shtetet e Bashkuara. Në një mjedis të lirë nga presionet politike të Turqisë dhe nga presionet fetare të Greqisë, udhëheqësit shqiptarë, kryesisht Fan Noli, Faik Konica (1876-1942), Christo Dako dhe Constantin Chekrezi 91892-1959), ishin të aftë të ndihmonin pavarësinë e Shqipërisë. Në prill të 1912 ata formuan Federatën Panshqiptare në Amerikë, e njohur në mënyrë popullore si Vatra, me qendër në Boston. Në kulmin e saj Vatra arriti të kishte 72 degë anembanë Shteteve të Bashkuara. Publikimet e saj futën te emigrantët ndjenjën e synimeve kombëtare, ndërsa udhëheqësit e saj tërhoqën vëmendjen e shteteve perëndimore për çështjen shqiptare. Si rezultat u arrit të njihej pavarësia e Shqipërisë, (edhe pse pa Kosovën dhe tokat e tjera etnike shqiptare) nga Konferenca e Londrës më 1913. Kur pavarësia shqiptare u rrezikua nga forcat okupuese të huaja gjatë Luftës I Botërore, Vatra mblodhi 150,000 dollarë më 1917 dhe nisi të publikojë një revistë mujore anglisht, Adriatic Review, (Boston, 1918-1919). Nëpërmjet Fan Nolit mori një premtim nga Presidenti Woodrow Wilson të mbronte interesat e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Versajë. Edhe pasi u sigurua pavarësia e vendit, shqiptarët e Amerikës vazhduan të luanin rol në politikën e saj. Peshkop Noli u kthye në Shqipëri pas Luftës Parë Botërore ku u bë primat i Kishës Autoqefale Ortodokse të sapo formuar dhe udhëheqës i grupit liberal të politikanëve me orientim perëndimor për modernizimin e vendit. Noli u caktua Ministër i Punëve të Jashtme më 1922; pastaj ai udhëhoqi me sukses revoltën e Qershorit të 1924 dhe u bë kryeministër. Pas gjashtë muajsh u detyrua të largohej dhe më 1932 u kthye në Shtetet e Bashkuara. Kryeministër u bë çifligari konservator Ahmet Zogu (1895-1961), i cili më vonë e shpalli veten mbret. Një tjetër aktivist Shqiptaro-Amerikan, Faik Konica, i shërbeu monarkisë si Ministër i Plotfuqishëm në Washington, D.C.
Një çarje serioze ndodhi midis forcave të Nolit dhe Konicës brenda Vatrës në mesin e viteve 1920, kur Konica e ndërroi qëndrimin e tij politik duke e braktisur platformën antizogiste të Vatrës e duke mbështetur hapur Zogun. Si rezultat, shoqata u dobësua dhe një boshllëk u ndje në jetën politike të Shqiptaro-Amerikanëve.
Por pushtimi i Shqipërisë nga Italia gjatë Luftës Dytë Botërore solli ndryshime të befta në aktivitetin politik. Constantin Chekrezi, një nga themeluesit e Vatrës, formoi një organizatë rivale, Shqipëria e Lirë (Free Albanian Organization), në South Boston më 1941. Ai mblodhi bashkë nacionalistët, anti-monarkistët, anti-fashistët, radikalët dhe anëtarët e deziluzionuar të Vatrës dhe shpejt krijoi degë në një numër qytetesh të Amerikës.
Pas Luftës Dytë Botërore të dyja, si anëtarët e Vatrës dhe të organizatës Shqipëria e Lirë, u përpoqën të adoptonin një platformë realiste. Në thelb kjo donte të thoshte adoptimin e një qëndrimi simpatizant ndaj sunduesve komunistë të atdheut. Për këtë shkak, refugjatët politikë antikomunistë nuk u pranuan në radhët e këtyre dy organizatave. Vetëm pas 1957 Vatra nisi ta ndryshonte qëndrimin ndaj komunistëve të Shqipërisë dhe pranoi anëtarë të saj emigrantët politikë, e si rezultat u rigjallërua. Që nga viti 1960 Vatra ka organizuar mjaft seminare për studime shqiptare; dhe me fondin e saj të studentëve u dha bursa studimi disa dhjetëra studentëve të kolegjeve me prejardhje shqiptare.
Edhe pse Vatra e ndryshoi politikën e saj, shumë nga emigrantët e pasluftës vazhduan t’u qëndronin besnike një dyzine partish politike shqiptare që u rikrijuan ose u themeluan në Perëndim. Midis tyre, më me ndikim janë partia Agrare-Demokratike, trashëgimtare e Ballit Kombëtar, që ndjek platformën e republikanëve të shtresave të mesme. Organizata Kombëtare Lëvizja e Legalitetit, është parti konservatore që ndjek politikën e të ndjerit Mbret Zog; Blloku Kombëtar Indipendent, parti Katolike që ka mbledhur njerëzit e pakënaqur nga politika e Luftës Dytë Botërore tashmë parti historike si Balli Kombëtar dhe Legaliteti; dhe Bashkimi Demokrat Shqiptar, një grup anti-komunist që rropatet të bashkojë partitë ekzistuese, intelektualët dhe elementë të tjerë. Një pjesë e mirë e shqiptarëve që banonin në rajonet e Jugosllavisë janë rreth organizatës Lidhja Kosovare, një organizatë militante me mbështetje të gjerë në Michigan, Illinois dhe në New York që kërkon krijimin e “Shqipërisë etnike demokratike,” e cila do të përmblidhte Kosovën dhe pjesët e tjera me popullsi shqiptare në Jugosllavinë e sotshme. Një numër i mirë e këtyre organizatave dhe grupimeve mban takime periodike dhe boton gazeta ose buletine, por asnjëra prej tyre s’duket të ketë ndonjë ndikim në politikën Amerikane.
Si kundërveprim ndaj fraksionimit dhe të mosaktivitetit të përgjithshëm, më 1946, një grup të rinjsh shqiptaro-amerikanë themeluan në New York Organizatën Kombëtare Shqiptaro Amerikane (AANO – Albanian-American National Organization) për të ndihmuar anëtarët e saj të azhurnohen me realitetin e jetës amerikane. AANO ka patur një farë suksesi; ashtu si Vatra ajo u akordon bursa studimi studentëve me orgjinë shqiptare.
JETA KULTURORE
Shtypi ka luajtur rol të rëndësishëm informativ dhe edukativ qysh në ditët e hershme të komunitetit Shqiptaro-Amerikan. Duke ardhur nga një provincë turke ku mësimi i shqipes qe i ndaluar, shumë emigrantë mësuan të lexonin në gjuhën e tyre amtare vetëm në Shtetet e Bashkuara. E para gazetë shqiptare qe Kombi (The Nation, Boston, 1906-1909). Ajo gazetë u pasua nga Dielli (The Sun, Boston,) që u themelua më 1909 nga shoqëria Besa-Besën dhe më 1912 u bë organi zyrtar i Vatrës. Gazeta me ndikimin më të madh në Shtetet e Bashkuara, Dielli, u botua nga viti 1944 deri më 1963 nga G. M. Panarity -Qerim Panariti- (1892-1976). Dielli po ashtu botoi tekste shkolle që u përdorën si në atdhe e po ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara.
Ka pasur gjithashtu edhe mjaft revista jetë-shkurtra politike dhe edukative, si revista mujore Albanian Era (Denver, Colorado, 1915-1916, dyjavorja Illyria (Boston, 1916) dhe mujorja Ylli i Mëngjezit (The Morning Star), Boston 1917-1919; gazeta liberale Republika (Boston 1930-32), gazeta Lajmëtari Shqiptar, që dilte dy herë në javë (The Albanian Messenger, Worcester, Mass., 1934-1937), dhe gazeta radikale majtiste Demokratia (Democracy, Boston 1938). Shërbestari (The Serviceman; New York, 1950-1961 organ i Rinisë Demokratike Agrare dhe Shqiptari i Lirë (The Free Albanian) New York, 1957) i Komitetit Shqipëria e Lirë që nisi të botohej pas Luftës Dytë Botërore.
Më e suksesshme qe Liria /Liberty (South Boston, themeluar më1941), organ javor i Organizatës Shqipëria e Lirë, nisur nga nismëtari i grupit Constantin Chekrezi, dhe botuar gjatë tri dekadave të tjera nga Dhimitri R. Nikolla. Në vitet e fundit çdo komunitet fetar ka organin e tij periodik: Myslimanët Jeta Muslimane Shqiptare (Albanian Muslim Life, 1953-1961) dhe Përpjekja e Jonë (Our Effort; New York, them. 1974); Bektashinjtë Zëri i Bektashizmës (The Voice of Bektashism; Taylor, Mich., themeluar më 1954; Ortodoksët Drita e vërtetë (The True Light; Jamaica Plain, Mass., themeluar më 1958; dhe Katolikët Jeta Katholike Shqiptare (Catholic Albanian Life; Bronx, N.Y. them. më 1966. Qarkullimi vjetor i gazetave dhe revistave periodike shqip dhe Shqip-Anglisht arrin afërsisht shifrën 10.000 kopje.
Gjuha dhe kultura shqipe transmetohen nëpërmjet shkollave, po ashtu edhe shtypit. Kristo Dako nisi mësimin e shqipes në Natick, Mass., më 1908. Që atëherë janë bërë përpjekje të ndryshme, zakonisht nga kishat, për t’u mësuar gjuhën të rinjve Shqiptaro-Amerikanë. Rezultatet nuk kanë qenë fort inkurajuese, sepse shumë pak prej tyre – nga gjenerata e tretë ose e katërt e kuptojnë, – ndërsa më pak akoma e flasin. Megjithatë përpjekjet vazhdojnë. Gjatë viteve 1960 Vatra sponsori publikimin e një teksti për mësimin e shqipes nga Fehime Pipa dhe Qendra Islamike Shqiptaro-Amerikane në New York hapi një program për mësimin e shqipes në Manhattan. Klasa për shqipe u ofruan në Brooklyn, në Bronx dhe Worcester. Radioja dha ndihmesën e saj për të mbajtur gjuhën shqipe në Shtetet e Bashkuara. Më i hershmi i këtyre programeve është Zëri i Shqipërisë që nisi në Boston më 1938; Radio programe emetohen edhe në New York, Detroit dhe Worcester.
Edhe pse nuk ka qendra për studime shqiptare në nivel universitetesh, gjuha është mësuar në disa universitete. Janë dhënë kurse gjatë viteve 1950 dhe 1960 në Indiana University, Columbia University dhe në Universitetin e Kalifornisë në Berkley. Në fund të viteve 1970 shqipja mësohej vetëm në Universitetin e Çikagos.
Instituti i Gjuhës i Forcave Ushtarake (The U.S. Army Defence Institute) në Monterey, Calif., ka mbajtur programin gjuhësor më aktiv. Nelo Drizari (1902-1978) autor i fjalorëve Shqip-Anglisht, i gramatikave dhe teksteve ndihmëse, organizoi programin e gjuhës shqipe për institutin.
Shqiptarët qenë më aktivë përsa i përket jetës kulturore në vitet e para, se sa tani. Grupet teatrale qenë veçanërisht popullore. Në Boston amatorët vunë në skenë vepra të autorëve shqiptarë si Sami Frashëri, Foqion Postoli, Kristo Floqi dhe Mihal Grameno dhe shfaqjet qenë thuajse të zakonshme. Jeta muzikore Shqiptaro-Amerikane dominohej nga Thoma Nassi (1892-1964). Më 1915 ai organizoi në Boston Klubin e Mandolinatës dhe Orkestrën Shqiptare të Telave (String Orchestra) dhe vitin tjetër formoi bandën e Vatrës, e cila pas Luftës Parë Botërore bëri një turne në Shqipëri dhe më pas qëndroi atje si Banda Mbretërore e Mbretit Zog. Më vonë Thoma Nassi ai u rikthye në Massachusetts si konduktor i Shoqërisë Filarmonike të Cape Cod.
Gazetat Shqiptaro-Amerikane shpesh botonin vepra letrare nga autorët emigrantë. Shkrimtari më i shquar Shqiptaro-Amerikan qe mjeshtri i prozës toske, Faik Konica, i cili po ashtu kishte themeluar revistës Albania (Bruksel dhe Londër, 1897-1909), që stimuloi zjarrin e nacionalizmit dhe shërbeu si arkiv për folklorin shqiptar, për historinë dhe letërsinë. Poezia Shqiptaro-Amerikane u pasurua nga Fan Noli dhe tani së fundi edhe nga Arshi Pipa. Secili prej tyre ka botuar disa vëllime.
Shqiptaro Amerikanët e kanë njohur prej kohësh nevojën të përgatitin vepra studimi serioze për të ruajtur kulturën e vendit të tyre dhe po ashtu për t’ia prezantuar publikut të gjerë Amerikan. Dijetari prijës qe peshkop Fan Noli, i cili veç poezisë tij, muzikologjisë, studimeve fetare dhe përkthimit të Shekspirit në shqip dhe të klasikëve të tjerë, shkroi një biografi (1947) për heroin kombëtar Skënderbeun.
Shqiptarët kanë emër të mirë si trima, besnikë, mikpritës, krenarë dhe si njerëz tepër të pavarur – dhe po ashtu luftarakë, kokëfortë dhe grindavecë. Shqiptaro Amerikanët ruajnë trashëgimin kulturor të të parëve të tyre të ashpër. Ata e kanë mbajtur traditën e mikpritjes; ata krenohen me zakonet e tyre, mënyrat e sjelljes dhe parimet morale, pavarësisht se fëmijët dhe nipat e tyre i vënë në pikëpyetje vlerat e tyre. Dhe ata kanë një lloj prirje për kundërshtim dhe fraksionim brenda komunitetit të tyre, sikur ato të ishin përbërës dhe shprehës, që i japin vrull dhe produktivitet jetës së komunitetit.
Dekadat e jetesës në Shtetet e Bashkuara kanë ndikuar si në grupet, ashtu edhe në individët. Komuniteti po shndërrohet me shpejtësi. Botëkuptimet klanore dhe grindavece janë dobësuar e ndofta edhe janë shuar. Ndeshjet me armë nuk nevojiten më për të mbrojtur grupet, nderin personal ose të familjes, ato ia kanë lëshuar vendin interesave dhe qëllimeve më praktike, sikurse përparimi në biznes: të fitosh të holla, të shtosh pasurinë dhe zotërimet dhe të fitosh famë shoqërore. Shkurt ata janë pjesë e ëndrrës Amerikane.
Bibliografi
Vepra më me baza për shqiptarët në Shtetet e Bashkuar është The Albanian Struggle in the Old World and New (Boston, 1939) e përgatitur nga Federal Writers’ Project of Massachusetts. Mbresa personale për emigrantët e parë gjenden në libërthin e Constantine A. Demo, The Albanians in America: The First Arrivals; (Boston 1960). Për historinë e Ortodoksisë Shqiptare, shih Fan S. Noli, Fiftieth Anniversary Book of the Albanian Orthodox in America 1908-1958 (Boston 1960). Aktiviteti i organizatës Vatra dhe i gazetës së saj Dielli është trajtuar në shumë ese te Seminari Ndërkombetar i Federatës Panshqiptare “Vatra,” botuar nga H.H. Oruçi, (Rome, 1971).
Si hyrje për vetë Shqipërinë, shih Stavro Skendi, bot. Albania (New York 1956) dhe Stavro Skendi, The Albanian National Awakening 1872-1912 (Princeton, N.J. 1967). Shih gjithashtu A. Logoreci The Albanians: Europe’s Forgotten Survivors (London, 1977), dhe R. Marmullaku, Albania and the Albanians (London, 1975). Zhvillimet më të fundit i trajton Peter Prifti te Socialist Albania Since 1944 (Cambridge, Mass., 1978), dhe Nicholas C. Pano, The People’s Republic of Albania (Baltimore, 1968).
Vendi më i pasur me materiale arkivore për Shqiptaro Amerikanët është biblioteka e Fan Nolit në Saint George Albanian Orthodox Cathedral në South Boston. Veç shkrimeve nga udhëheqësit e komunitetit, biblioteka përmban një sasi gazetash Shqiptaro-Amerikane dhe botime të tjera.
Arshi Pipa & Peter Prifti – Botuar te Harvard Encyclopedia of American Ethnic Groups, pa emrat e autorëve, në faqet 23-28. The Belknap Press of HARVARD UNIVERSITY PRESS, Cambridge, Mass., and London, England 1980./Gazeta Dielli
One Response to Histori e shkurtër e shqiptarëve në Amerikë