- Home
- Shqipëria
- Bota
- Politika
- Mafia
- Shke-Tek
- Italiano
- Ekonomi
- Biografi
- Automobili
Lexuar 15706Vështrim historik rreth kësaj vepre të lartë atdhetare, që më 13 qershor 1920 fshiu nga faqja e dheut Esat pashë Toptanin, nën dritën e opinioneve të Eqrem bej Vlorës, Mustafa Krujës, Sejfulla Malëshovës, Reshat Këlliçit, Esat Dishnicës dhe studiuesit Jusuf Alibali.
“Një djalosh i quajtur Avni Rustemi, një nga studentët më të pasuksesshëm,të cilët tentojnë të shfryjnë me heroizma politike dëshirën e tyre për hakmarrje …me anë të një vrasjeje të pabesë i dha një fund të beftë jetës aventurore të Esatit. Ky djalosh, që me këtë vrasje donte të bënte emër në Shqipëri, nuk ishte veçse një vegël në duart e kundërshtarëve të Esat pashës.”
Kështu shkruan Eqrem bej Vlora, veprimtari dhe diplomati i njohur shqiptar, (1885-1964) në veprën e tij “Kujtime”, (Tiranë, 2004, faqe 106). Dhe shkruan me përçmim për aktin e Avni Rustemit, sido që koha ka treguar me fakte se nuk ka pasur asnjëherë të drejtë.
Sigurisht, një ditë mund të ndodhë që dikush, duke zhbiruar nëpër arkiva, të bëjë zbulime sensacionale, që të vërtetojë të kundërtën e shumë fakteve historike që i njohim si të vërteta. Por duke u mbështetur në të dhënat e deritanishme, atentati i Avni Rustemit mbetet jo vetëm një vepër e madhe atdhetare, por në të njëjtën kohë një ndër atentatet më të bujshme dhe më të rralla në botë për mënyrën si u krye, por për enigmat që bart dhe për të cilat do të flasim më poshtë. Për këtë qëllim do tu drejtohemi opinioneve, qoftë edhe kundërtore të Eqrem bej Vlorës, që përmendëm më sipër; Mustafa Krujës, Sejfulla Malëshovës, Reshat Këlliçit, Esat Dishnicës dhe së funditë pr. Jusuf Alibalit.
Mustafa Kruja, (1887-1958), veprimtar politik, studiues, në një letërkëmbim me at Paulin Markgjokajn, duke iu referuar këtij fakti, nënvizon shkruan kështu për Avni Rustemin:
“Ishte student në magistero të Romës, por si epej jo me studime, por as me hangër e as pimë si gjithkush, kur ka vendosun me vramë Esatin”. (Revista “Albanica”,faqe 91, nr. 72, 2010).
Më shkurt të 1956, student i vitit të dytë të fakultetit histori-filologji të Institutit të Lartë Pedagogjik në Tiranë, (që një vit më vonë, si institutet e tjera të larta, do të përfshihej në Universitetin e Tiranës), kam pasur rast të marr pjesë në biseda që xhaxhai im, Reshat Këlliçi, zhvillonte me mikun e tij më të ngushtë, Sejfulla Malëshova. Së bashku me Avni Rustemin, Llazar Fundon, Tajar Zavalanin kishin qenë shokë, anëtarë të shoqërisë “Bashkimi”, të themeluar nga i pari në vitin 1921. Madje Reshati kishte qenë së bashku me Avniun në çastin kur Isuf Reci, vegël e Zogut, më 17 prill të vitit 1924 kishte shtënë pas shpine dhe kishte plagosur për vdekje Avniun, që do të vdiste pas disa ditësh në spitalin e Tiranës. Pastaj, pa Avniun, të katër të mësipërmit kishin shkuar me anëtarë të tjerë të Shoqërisë “Bashkimi” në Rusinë sovjetike, pas ngjarjeve të dhjetorit të vitit 1924, që sollën Zogun në fuqi, së pari president e pastaj mbret, dhe ishin kthyer të zhgënjyer nga atdheu i parë komunist në botë, siç kam shkruar në një dosier tjetër, të botuar në faqet e kësaj gazete.
Mbaj mend se jo rrallë Sejfullau vinte në shtëpinë e xhaxhait tim, ku në biseda midis tyre kujtonin ngjarje që më tërhiqnin edhe mua, i ri 18-vjeçar.
“Është e habitshme, – pohonin të dy midis të tjerash, kur kujtonin atentatin e Avni Rustemit në Paris, – se si ai disa ditë përpara se të nisej për në Romë nuk na tha kurrë se çfarë vendimi të guximshëm kishte marrë.”
Ishte koha kur pas formimit të qeverisë së Tiranës në janar të vitit 1920, pas Kongresit të Lushnjës, shumë qytete dhe krahina shqiptare kishin njohur këtë qeveri, ndërsa vise të tjera të vendit ndodheshin ende nën pushtimin e huaj, Korça dhe Pogradeci nën francezët, Shkodra nën serbët, Vlora në italianët, kurse bandat e Esat pashë Toptanit, që ndodhej në Paris, me urdhrin e tij kërkonin ta rrëzonin atë qeveri dhe të mundësonin kështu kthimin e Esatit në krye të Shqipërisë.”
Në maj të vitit 1974, kur po hulumtoja në Arkivin e Shtetit në Tiranë dokumente që do të më vlenin për të shkruar romanin “Atentat në Paris”, kam pasur rast të bisedoj me Esat Dishnicën, i cili më 1920 studionte së bashku me Avniun në Universitetin e Romës.
“E pata takuar Avniun ato ditë maji të vitit 1920, kur sapo erdhi nga Tirana dhe mbeta i habitur kur më tha se po shkonte në Paris. Përse? – e pyeta me habi. Për të studiuar në disa kurse që atje janë më të mira se këtu në Romë”, mu përgjigj. Dhe mua as që më shkoi ndër mend se çvlonte në mendjen e tij.”
Ky pohim shkon në kundërshtim me thënien e Mustafa Krujës, që shpjegon në letrën e mësipërme se Avniut “…si jepej jo me studime, por as me hangër as me pimë si gjithkush, kur ka vendosun me vramë Esatin”.
Pra, Avniu nuk ia ka rrëfyer askujt, duke përfshirë këtu edhe studentë shqiptarë në Romë, midis të cilëve ishte edhe Esat Dishnica, i cili në bisedën që pata bërë me të pati shtuar: “Gjashtë muaj pas këtij takimi në Romë, pra në ditët e para të dhjetorit të vitit 1920, pasi Avniu doli i pafajshëm në gjyqin që iu bë në Paris, duke u kthyer për në Shqipëri, ai u ndal përsëri në Romë, ku ne studentët e tjerë e pritëm me brohori. Sa i fshehtë paske qenë! – i thashë duke e përqafuar. – Po si nuk më the se për çqëllim shkoje në Paris?
Ishte vërtet punë e fshehtë dhe me zarar, – mu përgjigj.
Dhe kishte të drejtë.”
Nga këto të dhëna të parashtruara nga Sejfulla Malëshova, Reshat Këlliçi dhe Esat Dishnica, del qartë se Avni Rustemi nuk i ka treguar askujt se cili ishte qëllimi i tij i vërtetë udhëtimit të tij në Paris.
“Krejt Shqipnia e Mesme kishte hymë kryekëput nën influencën e esadistëve, – vazhdon Mustafa Kruja në letërkëmbimin e tij me at Paulin Margjokajn. – Qeveria e Tiranës me Sulejman Delvinën kryeministër dhe Ahmet Zogun ministër të Brendshëm, kishte mbetun e pafuqishme kundrejt çetave esadiste që bridhshin lirisht deri te muret e kryeqytetit”. (“Albanica” nr. 72, faqe 91, 2010)
Kur lexova këto radhë, solla ndër mend një bisedë që pata zhvilluar shumë vite më parë me akademikun Kristo Frashëri. “Ato ditë fundmaji të vitit 1920, – më rrëfente ai, – Mytesin Këlliçi, kryemyftiu i Tiranës, që gëzonte respekt midis tiranasve, shkoi në kodrat jugore të Tiranës, aty ku sot shtrihet liqeni artificial dhe u takua me kaçakët e Osman Balit, që vërtiteshin si çakej dhe pritnin një urdhër të Esatit që ti suleshin Tiranës.
Kjo qeveri mezi mbahet e ka për të rënë vetvetiu, -i shpjegoi Mytesin Këlliçi Osman Balit dhe larove të tij. – Kështu mos krijoni vllavrasje. Dhe ata, si besimtarë fanatikë, e dëgjuan fjalën e kryemyftiut. Pas pak ditësh, më 4 qershor ia behu në Tiranë Bajram Curri me trimat e tij, që shpartalluan forcat esadiste dhe dogjën kullat e Toptanasve. Disa ditë më pas dhe Avni Rustemi vrau në Paris Esatin.”
Që Mytesin Këlliçi duke shkuar enkas të takojë Osman Balin dhe duke i bindur ata të mos i sulen Tiranës, i ka dhënë kohë Bajram Currit dhe trimave të tij të vijnë atje, ashtu siç kishte kërkuar qeveria e Tiranës, kjo është e logjikshme. Të mos harrojnë se kryemyftiu i Tiranës, atdhetar i njohur, në janar të vitit 1920 kishte hapur punimet e Kongresit të Lushnjës dhe ishte zgjedhur ndër 37 anëtarët e Këshillit të lartë të tij, nga ku kishte dalë qeveria e kryesuar prej Sulejman Delvinës.
Por problemi është se ai ishte atentati i Avniut kundër Esat pashës, i bashkërenditur me ultimatumin që Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare më 3 qershor i dërgoi gjeneral Piacentinit, në të cilin thuhej se “…Populli shqiptar nuk mund të pranojë ndarjen e Shqipërisë sipas Traktatit të fshehtë të Londrës të vitit 1915…” dhe caktohej mbrëmja e 4 qershorit si afati maksimal që i jepej komandës italiane për të plotësuar kërkesat e tij, (Jusuf Alibali, “Avni Rustemi para organeve hetimore franceze, faqe 216”, “Studime historike”, nr. 4 1964). Pra, sipas këtij ultimatumi ushtritë italiane duhej të largoheshin nga krahinat e Vlorës, Tepelenës dhe Himarës.
E vërteta është se pas ultimatumit të Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare dhe sulmit të forcave të Bajram Currit, që shpartalluan bandat e Osman Balit, të cilat kërcënonin Tiranën, më 5 qershor, kryengritësit shqiptarë filluan luftimet kundër forcave pushtuese italiane në Tepelenë, Llogora e Kotë.
Dhe ja, si pasojë e këtyre veprimeve, më 13 qershor të vitit 1920, Avni Rustemi kreu atentatin e tij të bujshëm që rrëzoi të vdekur përdhe Esat pashën. Të mbetura pa kokë, bandat esatiste, që përbënin rrezik të madh për pavarësinë e Shqipërisë, u asgjësuan plotësisht.
Nga sa shihet, në të gjitha këto veprime, duke përfshirë edhe atentatin e Avni Rustemit, duhet të ketë pasur dorë qeveria e Tiranës. Këtë e dëshmon edhe Mustafa Kruja, që në letrën e mësipërme nënvizon:
“Avniu donte me shkue në Paris e kishte damë me vet veti. Por ishte i papasun e skishte pare a shpenzime rruge as për banim etj., derisa të vinte ora e gjestit që kishte damë me krye. Shpresonte se nji shoq mund ti ndihmonte. Por as ky spaska pasun, a për arsye tjetër, se di, edhe paska vojt e ia ka kallzue punën mikut të vet politik në kohë, ministrit të Brendshëm, Ahmet Zogut. Ky pa tjetër epka aty për Avniun 4000, sdi a lira taliane a franga France.”
Në këto radhë ka pasaktësi, sidomos kur shkruhet se Avniu ka shpresuar që “…nji shoq mund ti ndihmonte”. Pastaj, duket pak e habitshme që ai ti shfaqte hapur qëllimin e vet Ahmet Zogut, me të cilin vështirë të këtë pasur miqësi, sepse vështirë të kenë pasur takime midis tyre më 1920. Por të mos harrojmë se Zogu ishte ministër i Brendshëm i një qeverie atdhetare, që përpiqej të ruante dhe forconte pavarësinë dhe qëndrueshmërinë e Shqipërisë. Kështu, ai ishte i interesuar që Esat pashë Toptani, armiku i pavarësisë së Shqipërisë, ndonëse e kishte dajë, të eliminohej në Paris, atje ku ndodhej që më 1918 dhe në krye të delegacionit kërkonte që Fuqitë e Mëdha, fituese të Luftës së Parë Botërore, që atëherë quhej Lufta e Madhe, me të cilat kishte qenë aleat, ta njihnin si kryetar të shtetit shqiptar. Si pasojë, edhe mund tia ketë dhënë Avniut shumën e parave që i duhej për të kryer këtë akt shumë të guximshëm.
Që Ahmet Zogu të ishte nismëtar i vrasjes së Esat pashës, këtë e dëshmon edhe Eqrem Vlora, që në kujtimet e tij, kur thekson se i interesuar për eliminimin e pashait të toptanasve “…në radhë të parë ishte edhe Ahmet Zogolli. (“Kujtime”, faqe 166).
Është tjetër problem, pastaj, se kur gjatë viteve 1921-1923 Zogu do të zgjidhej kryeministër, në parlamentin shqiptar do të shpërthenin debate të ashpra midis opozitës së kryesuar nga Fan Noli, ku krahas Luigj Gurakuqit, Stavro Vinjut, Hasan Prishtinës etj., bënte pjesë edhe Avni Rustemi dhe në anën tjetër Zogu dhe grupimi i tij politik. Kjo do të sillte si pasojë që ata të ndaheshin deri në atë pikë, sa Zogu në prill të vitit 1924 të vriste po me atentat Anvi Rustemin.
Për saktësi, vë në dukje se kur arriti në Paris, pas udhëtimit nga Tirana në Romë, Avniu kishte me vete rreth 10 mijë franga franceze, shumë tepër e madhe për një student. (Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi “Avni Rustemi”, dosje nr. 2, procesverbal hetimor pas atentatit, mbajtur në zyrat e hetuesisë së burgut Santé në Paris, të cilit do ti referohemi herë pas here).
Ka mundësi që kjo shumë ti jetë dorëzuar Avniut nga Zogu në lira italiane, që në atë kohë ishte monedhë shumë dhe në Romë ai ti ketë këmbyer këto para në franga franceze.
“Çështjen e shumës së madhe të të hollave që kishte në përdorim, – shkruan Jusuf Alibali në artikullin e tij Avni Rustemi para organeve hetimore franceze, (“Studime historike”, nr. 2 1964, faqe 215), të cilën akuza e përdorte si element fajësie, ai e shpjegon kështu: Me rastin e nisjes për studime dhe duke marrë parasysh vështirësitë e transportit dhe vonesat e postës, ai ka mundur të merrej vesh me qeverinë që bursa ti jepej për gjashtë muaj menjëherë… Pjesën tjetër të të hollave, – thotë Avniu, e ka marrë nga vëllai, Fejzoja, i cili qe kthyer nga Amerika në mars të vitit 1920. Avniu ka vajtur në Napoli për ta takuar dhe ka kërkuar ta ndihmonte për udhëtimin e tij në Paris. Hetuesit francezë, të cilët shikonin edhe në shumën e tij “një corpus delicti”, ishin të shtrënguar të ngrinin supet.” (Po aty).
Përse një shumë kaq e madhe, po të marrim parasysh se për të blerë një kostum në rrobaqepësinë “Ribulet Puasonie”, meqë ai që mbante ishte i vjetër, Avniu ka përdorur 375 franga dhe ka parapaguar 210 franga për një muaj një dhomë në Hotel de Tuileri, nga ku mund të vëzhgonte lëvizjet e Esat pashës, që ishte strehuar në hotelin “Kontinental”, në rrugën “Kastilione” (dhe jo në hotel “Ritz”, siç dëshmon gabimisht Mustafa Kruja në letrën e tij). Kjo shumë e madhe iu dha Avniut, sepse çasti kur do të kryente atentatin nuk varej prej tij, por nga rrethanat që do të krijoheshin, të cilat për fat të mirë, falë edhe zgjuarsisë dhe trimërisë së tij, u krijuan në jo më shumë se dy javë nga çasti i arritjes së tij në Paris.
Po të kthehemi përsëri te letra e Mustafa Krujës drejtuar at Paulin Markgjokajt.
“Me këto pare, – shkruan ai, – niset Avniu prej Tirane në Romë, ku ndalet pak ditë dhe ku i bien në erë punës edhe 3-4 nacionalistë e mandej shkon në Paris…”
Por Esat Dishnica, siç e përmenda më sipër, pohon të kundërtën.
Kështu pohon edhe Reshat Këlliçi:
“Atë mbrëmje dhjetori të vitit 1920, kur Avniu kishte ardhur nga Vlora, ku ishte pritur si hero nga vlonjatët, – më thoshte xhaxhai një ditë të vitit 1963, kur po përfundonte librin e tij me kujtime Me djemtë e Bashkimit, – plot shokë e takuam Avniun në një hotel përballë Sahatit të madh të Tiranës, ku ai do të bujtte. E përqafuam dhe e përshëndetëm edhe ne si hero. Isha njohur me të që në bankat e kolegjit italo- arbëresh të Shën Mitër Koronës në Kalabri, ku kishim kaluar katër vjet së bashku me Sejfulla Malëshovën e shokë të tjerë e kishim ngrënë siç i thonë fjalës një thes me kripë. Por as përpara atentatit, as gjatë atij takimit dhe as më pas, Avniu nuk foli as edhe një llaf se si u përgatit dhe kush e ndihmoi që të kryente bëmën e tij historike.”
Në vazhdim të letrës së tij Mustafa Kruja e përshkruan kështu atentatin e Avni Rustemit kundër Esat pashë Toptanit:
“I avitet Esatit me anë të sekretarit të tij Stavri sdij kushit prej Kavaje, kinse për një bursë studimi natë kryeqytet. Kështu nxuni banimin e viktimës së tij, (hotel “Ritz”, në mos gabofsha) dhe vojt e e priti poshtë në holl e kur Esat pasha duel jashtë tue iu hudhë automobilit, e ndoq prapa e briti: Ndal, tradhtar i atdheut!. Atëherë edhe qiti mbi të nuk dij sa herë revolverin a pistolën që kishte pas ble, nuk dij në Romë apo në Paris.
Kto janë fakte që di mbi vrasjen e Esat pashë Toptanit.” (“Albanica” nr. 72, faqe 92, 2010).
Pjesa e dytë
Duhet të vëmë në dukje se Mustafa Kruja ka qenë më 1919 sekretar i delegacionit shqiptar të qeverisë së Durrësit në Konferencën e Paqes në Versajë, (“Fjalori enciklopedik shqiptar”, 2008, faqe 1362), që pas janarit të vitit 1920 u zëvendësua me qeverinë e dalë, siç shkruam më sipër me qeverinë e Sulejman Delvinës të dalë nga Kongresi i Lushnjës. Pra, ai nuk ka është dëshmitar pamor i atentatit të Avni Rustemit, që u bë më 13 qershor të një viti më vonë. Sidoqoftë, në përgjithësi, të dhënat e letrës së tij rreth atentatit në fjalë, të cilat ai i ka dëgjuar nga të tjerë, janë pjesërisht të vërteta, jo se në të ka shtrembërime të tyre, por të mveshura me një patos admirimi për Avni Rustemin.
Siç duket, të dy janë njohur më 1921, kur u zgjodhën deputetë të Kosovës, (kështu quhej krahina e Hasit) në zgjedhjet e para parlamentare. Më pas kjo miqësi duhet të jetë bërë në e ngushtë kur Mustafa Kruja bëhet anëtar i federatës “Atdheu”, që drejtohej nga Avniu. Dhe, ndonëse kaq të njohur, duket qartë se as atij, ashtu si tërë shokëve të tij, Avni Rustemi nuk i është shprehur rreth atentatit, për të cilin gjatë procesit hetimor dëshmon kështu:
“Kalova nja dy herë para portës së hotelit në rrugën Kastilione, kur pashë se po dilte Esat pasha, që e njihja mirë, pasi e kisha takuar shpesh në Shqipëri dhe pikërisht në Durrës. Esat pasha ecte ngadalë dhe tërë krenari. Me ta parë atë, tërë historia e Shqipërisë mu ngjall në shpirtin tim. Një turbullirë e madhe më pushtoi. Atëherë rrëmbeva nga xhepi i djathtë revolen me gjashtë fishekë që mbaja me vete dhe qëllova shumë, pa ditur sa herë mbi Esat pashën, që ishte dy hapa larg meje. Esat pasha ra menjëherë dhe unë hodha armën time për tokë. Unë pohoj se veprimi im ka qenë krejt spontan dhe nuk e kam paramenduar.” (Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi “Avni Rustemi”, dosja 2, faqe 73).
Sekretari, për të cilin shkruan Mustafa Kruja në letrën tij, nuk quhej Stavri, por Gjergj Goga dhe ishte nga Durrësi, ku kishte punuar si drejtori PTT-së më 1919. Avniu merr informata për të nga Mithat Frashëri, pjesëtar i delegacionit shqiptar, që tashmë përfaqësonte qeverinë e Tiranës në Konferencën e Versajës. Aty Mithat Frashëri e porositi Avniun “…të shkojë në një ekspozitë shqiptare në Paris, ku mund të takojë ndonjë shqiptar, i cili mund ta ndihmonte të gjente adresa shkollash, ku ai të perfeksiononte dijet e tij”. (“Avni Rustemi para organeve hetimore dhe gjyqësore franceze”, Jusuf Alibali, “Studime historike” nr. 2, 1964, faqe 216).
“Kështu Avni Rustemi gjeti rast të shkojë në këtë ekspozitë, të njihet me Gjergj Gogën,të mësojë prej tij se ishte sekretar i Esat pashës dhe se banonte së bashku me të në hotelin “Kontiental”, në rrugën “Kastilione”, ( po aty).
Nuk po zgjatem në hollësi të tjera të këtij atentati, sepse vitet e fundit, përveç romanit “Atentat në Paris” për të kam shkruar gjatë dhe mbi motivet e këtij romani, po për këtë akt është shfaqur edhe një dramë. Por ka rëndësi të veçantë ky fakt: Avni Rustemi, si gjatë procesit hetimor ashtu edhe gjyqësor, i përmbahet tezës së vrasjes së Esat Toptanit pa paramendim, vrasje e kryer nga ai vetë pa asnjë shtytje tjetër, sidomos nga qeveria e Tiranës, e cila, nga sa pamë, ishte e interesuar që të eliminohej fizikisht ky tradhtar tepër të rrezikshëm për fatet e Shqipërisë në atë periudhë.
Jo më kot një ditë pas atentatit, pra më 14 qershor, kur jo vetëm shtypi francez, por edhe ai botëror shkruanin për këtë atentat, duke e cilësuar gabimisht Esat pashën kryeministër të Shqipërisë, në gazetën “Ymanite” botohej ky njoftim:
“Zyra e shtypit shqiptar është e autorizuar të deklarojë se Esat Toptani nuk kishte ndonjë funksion zyrtar, për më tepër kurrë nuk ka qenë kryetar i shtetit shqiptar ose kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes, siç e kanë quajtur gazetat franceze. Të drejtat e popullit shqiptar i mbron delegacioni i qeverisë së ligjshme, i zgjedhur nga Kongresi i Lushnjës, i cili prej kohësh ndodhet në Paris”.
Por të kthehemi përsëri te procesi gjyqësor kundër Avni Rustemit, që u zhvillua në Paris në fund të nëntorit dhe fillimit të dhjetorit të vitit 1920, ashtu siç e përshkruan Eqrem bej Vlora në librin e tij “Kujtime”, ku ai shpreh habinë se si . “…Drejtësia franceze me një manipulim të habitshëm të ligjit e nxori të pafajshëm Avni Rustemin dhe se qeveria shqiptare e shpalli hero dhe e bëri deputet, kur ky vrasës i pabesë pra, kapardisej në Tiranë dhe brohoritej si ndonjë shpëtimtar i atdheut. Ky shembull u tregonte gjithë djemve shqiptarë se si me anë të një plumbi të shkrehur nga prapa shpinës si burracakët, mund të bëhesh njeri i madh” (faqe 215).
Është për të ardhur keq se si Eqrem Vlora, personalitet i madh, “pinjolli i një prej familjeve më të mëdha të Shqipërisë e të Perandorisë Otomane, kushëri i afërt i Ismalil Qemalit, dëshmitar-protagonist i disa dekadave tepër të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, një nga njerëzit më të kulturuar të kohës”, siç shkruan publicisti i njohur Pirro Misha në parathënien e librit “ të bëjë një gabim kaq të rëndë kur nënvizon fjalën manipulim të ligjit nga drejtësia franceze”.
Por edhe më dërmuese ndaj pohimeve shumë të gabuara të Eqrem bej Vlorës është një dorëshkrim që ruhet në Arkivin Qendror Historik të Shqipërisë, ku nënvizohet:
“Verdikti i pafajësisë që u dha është dëshmi e drejtësisë që i bëhet çështjes shqiptare, të njohur keq deri tani, si dhe një përgjigje e mirë e thirrjes së një populli që lufton me dëshpërim për lirinë dhe pavarësinë e vet”. “AQSH, Fondi “Avni Rustemi”, dosja 19, faqe 2-4.)
Në qoftë se edhe nga argumentet e paraqitura në këtë artikull studimor nuk mund të vërtetohet ende se kush e porositi Avniun të shkonte në Paris dhe të vriste Esat pashë Toptanin, qeveria e Tiranës ose një grup atdhetarësh, sepse nga goja e tij kurrë nuk doli një pohim i tillë, në qoftë se nuk dimë me saktësi se kush ia dha shumën e madhe të parave që i shërbyen për të udhëtuar nga Tirana në Paris dhe për të qëndruar dy javë atje, derisa në emër të popullit ti qëronte një herë e mirë hesapet me Esat pashë Toptanin, një nga pjellat më të neveritshme të tradhtisë, askush nuk ka të drejtë që të vërë në dyshim këtë akt të lartë që e vë Avni Rustemin në piedestalin më të lartë të trimave shqiptarë.
Siç e pamë më sipër, Mustafa Kruja shkruan: “Avniu duke shkue në Paris, e kishte damë me vet veti, por ishte i papasun e skishte pare a shpenzime rruge, as për banim etj., derisa të vinte ora e gjestit që kishte damë me krye.” Dhe i kishin dhënë 400 franga franceze.
Për saktësi, vë në dukje se Avniu kur arriti në Paris, pas udhëtimit nga Tirana në Romë, kishte me vete një shumë prej 8500 frangash franceze, tepër e madhe për një student. (AQSH, Fondi “Avni Rustemi”, dosje nr. 2, procesverbali hetimor pas atentatit mbajtur në zyrat e hetuesisë së burgut “Santé” në Paris, të cilit do ti referohemi herë pas here).
Lind pyetja: “Të jetë i vërtetë ky pohim i Mustafa Krujës?Po edhe jo. Po, sepse si ministër i Brendshëm i qeverisë së Tiranës, e para qeveri shqiptare pas qeverisë së krijuar nga Ismail Qemali më 28 nëntor 1912, Ahmet Zogu, siç është theksuar më sipër, ishte i interesuar që Esat pasha të vritej, sepse kështu i hapej rruga, ashtu siç ndodhi në të vërtetë, që të bëhej ai i parë në Shqipëri, pavarësisht se Esat pashën e kishte dajë. Por nga ana tjetër, dihet se në luftën parlamentare që shpërtheu në Shqipëri pas vitit 1920 ishte Zogu dhe përfaqësues të tjerë që iu kundërvunë forcave demokratike kundërfeudale, që përfaqësohej nga Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Stavro Vinjau, midis të cilëve vend nderi zinte edhe Avni Rustemi, të cilin Zogu do ta vriste në prill të vitit 1924 me një plumb pas shpine të shtëna nga vegla e tij, Isuf Reçi.
“Çështjen e shumës së madhe të të hollave që kishte në përdorim, – shkruan Jusuf Alibali në artikullin e tij Avni Rustemi para organeve hetimore franceze, (“Studime historike”, nr. 2, 1964), të cilën akuza e përdorte si element fajësie, ai e shpjegon kështu: “Me rastin e nisjes për studime dhe duke marrë parasysh vështirësitë e transportit dhe vonesat e postës, ai ka mundur të merrej vesh me qeverinë që bursa ti jepej për gjashtë muaj menjëherë…Pjesën tjetër të të hollave, thotë Avniu, e ka marrë nga vëllai, Fejzoja, i cili qe kthyer nga Amerika në mars të vitit 1920. Avniu ka vajtur në Napoli për të takuar dhe kërkuar ta ndihmonte për udhëtimin e tij në Paris. Hetuesit francezë, të cilët shikonin edhe në shumën e tij një corpus delicti”, ishin të shtrënguar të ngrinin supet.”(Po aty).
Atëherë lind më të drejtë pyetja: Kush ia dha Avniut këtë shumë të madhe që i shërbeu gjatë atyre dy javëve të qëndrimit në Paris, deri më 13 qershor të vitit 1920, kur vrau Esat pashën?
Jo vetëm më 1956, kur shkëmbente mendime me Sejfulla Malëshovën, por edhe më pas, kur xhaxhai im, Reshati, po shkruante librin me kujtime “Me djemtë e Bashkimit”, ku ka përshirë edhe kujtime për Avni Rustemin, ai më pohonte se ndoshta kjo shumë mund ti ishte dhënë edhe nga qeveria e Tiranës, e cila ishte e shumë e interesuar për arsyet e shpjeguara më lart që Esat pasha të zhdukej fizikisht.
Nga bashkëkohës të tjerë është hedhur mendimi se mbase edhe qarqet italiane synonin që Esat pasha, i lidhur me interesat serbe, të vritej, që kështu më pas të hapej rruga që ndikimi italian të rritej në Shqipëri, kur Vlora mbetej ende e pushtuar nga Italia.
Po të kthehemi përsëri te letra e Mustafa Krujës drejtuar at Paulin Markgjokajt.
“Me këto pare niset Avniu prej Tirane në Romë, ku ndalet pak ditë dhe ku i bien në erë punës edhe 3-4 nacionalistë e mandej çan në Paris…”
Por Esat Dishnica, siç përmenda më sipër, gjatë takimit që kam pasur me të më pati pohuar të kundërtën:
“Ne, studentët në Romë, kur morën vesh bëmën e Aviut, të cilën e përshkruan tërë gazetat franceze dhe italiane, mbetëm të habitur. Ndaj, kur ai pas gjashtë muajve të kaluara në burgun “Sante” të Parisit, ku i rrinte mbi kokë aktakuza për vrasje me paramendim, që do të thoshte se do ti pritej koka në gijotinë, u kthye në Romë e që andej në Tiranë, ne e pyetëm: Mirë që ti, Avni, nuk na the as edhe një llaf se çakt do të kryeje në Paris, por edhe neve nuk na shkoi ndër mend se për çfarë po përgatiteshe.”
Po kështu, siç kujtonin Sejfulla Malëshova dhe Reshat Këlliçi, e kishin pyetur edhe ata Avniun kur ishin takuar me të në Tiranë.
“Në një nga bisedat tona, – më thoshte xhaxhai, kur po përfundonte librin e tij “Me djemtë e Bashkimit”, – së bashku më Sejfullain e kemi takuar shpesh Avniun. Jemi njohur me të në bankat e kolegjit italo-arbëresh të Shën Mitër Koronës në Kalabri, ku kemi kaluar katër vjet së bashku me shokë të tjerë. Ai kurrë nuk ka folur me hollësi rreth këtij atentati dhe as për gjashtë muajt e kaluar në burg…”
Ja si e përshkruan Mustafa Kruja atentatin e Avni Rustemit kundër Esat pashë Toptanit:
“I avitet Esatit me anë të sekretarit të tij Stavri sdij kushit prej Kavaje, kinse për një bursë studimi natë kryeqytet, kështu nxuni banimin e viktimës së tij (hotel “Ritz” në mos gabofsha) dhe vojt e e priti poshtë në holl e kur Esat pasha duel jashtë tue iu hudhë automobilit, e ndoq prapa e briti: Ndal, tradhtar i atdheut!, atëherë edhe qiti mbi të nuk dij sa herë revolverin, a pistolën që kishte pas ble, nuk dij në Romë, apo në Paris.
Kto janë fakte që në di mbi vrasës të Esat pashë Toptanit.”
Në përgjithësi, të dhënat e kësaj letre janë pjesërisht të vërteta, jo se në të ka shtrembërime të tyre, por më duket se autori me kalimin e viteve ka harruar detaje të rëndësishme që saktësojnë pamjen e plotë të atentatit të Avni Rustemit.
Le të shohim se si e përshkruan vetë Avni Rustemi aktin e tij gjatë procesit hetimor të mbajtur fill pas atentatit, e diel, më 13 qershor 1920:
“Kalova një dy herë para portës së hotelit në rrugën Kastilione, kur pashë se po dilte Esat pasha, që e njihja mirë, pasi e isha takuar shpesh në Shqipëri dhe pikërisht në Durrës. Esat pasha ecte ngadalë dhe tërë krenari. Me ta parë atë, tërë historia e Shqipërisë mu ngjall në shpirtin tim. Një turbullirë e madhe më pushtoi. Atëherë unë nxora nga xhepi i djathtë revolen me gjashtë fishekë që mbaja me vete dhe qëllova shumë, pa ditur sa herë mbi Esat pashën, që ishte dy hapa larg meje. Esat pasha ra menjëherë dhe unë hodha armën time për tokë. Unë pohoj se veprimi im ka qenë krejt spontan dhe nuk e kam paramenduar.” (Arkivi ASH, fondi “Avni Rustemi”, dosja 2, faqe 73).
Nuk po zgjatem në hollësi të tjera të këtij atentati, sepse për të është shkruar gjatë. Por një fakt ka rëndësi: Avni Rustemi i përmbahet tezës së vrasjes pa paramendim, të kryer nga ai vetë pa asnjë shtytje tjetër, sepse nuk donte në asnjë mënyrë që autoritetet hetimore e pastaj gjyqësore franceze të dyshonin se mos ai ka qenë i shtyrë dhe financuar prej qeverisë së Tiranës, fakt i cili mund të jetë i vërtetë, po ti referohemi letrës së Mustafa Krujës, ku, siç e pamë, ai shkruan se paratë për të shkuar në Paris ia ka dhënë Ahmet Zogu, pra ministri i Brendshëm i qeverisë së Tiranës, që kishte dalë nga Kongresi i Lushnjës, në janar të vitit 1920, pra gjashtë muaj para veprës heroike të Avni Rustemit.
Tjetër gjë pastaj se një vit më pas, kur Avniu ishte tashmë deputet i parlamentit shqiptar, ai u rreshtua përkrah Fan Nolit, Luigj Gurakuqit, Stavro Vinjaut, Hasan Prishtinës, hoxhë Kadriut etj., të cilët iu kundërvunë Ahmet Zogut dhe synimeve të tij që një ditë ai të bëhej i parë në Shqipëri, siç ndodhi në të vërtetë.
(Siç dihet, kjo luftë politike solli si pasojë që më 23 dhjetor të viti 1923 Zogut ti bëhej atentati i njohur në hyrje të sallës së Parlamentit, nga i cili ai vetëm u plagos lehtë. Atentatori ishte Beqir Valteri, një i ri opozitar, i cili gjatë Luftës Nacionalçlirimtare u bashkua me forcat gjermane dhe përfundoi i vrarë nga partizanët, ashtu si dhe Isuf Reçi, vrasësi i Avni Rustemit.)
Dihet se Avni Rustemi u akuzua nga organet hetimore dhe gjyqësore franceze për vrasje me paramendim dhe si pasojë prokurori Blosh Larok, në emër të akuzës kërkoi që i pandehuri, bazuar në nenet përkatëse të Kodit Penal francez, të dënohej me vdekje. Por ishte juria që, siç dihet, përbëhet nga njerëz të profesioneve të ndryshme, të cilët e gjykuan aktin e Avni Rustemit si shprehje të dëshirës dhe vullnetit të shqiptarëve të mbështetur në dhjetëra e dhjetëra telegrame drejtuar Ministrisë së Drejtësisë dhe qeverisë franceze, si dhe opinionet e një sërë personaliteteve franceze dhe evropiane, e cila vendosi që Avni Rustemi të lihej i lirë dhe të kthehej ngadhënjyes në atdhe, ku u prit me madhështi nga shqiptarët.
Sidoqoftë, disa nga enigmat për të cilat u shkrua më sipër mbeten, sidomos enigma më e madhe:
Kush e mbështeti Avni Rustemin të shkonte në Paris për të vrarë Esat pashë Toptanin dhe cili, ose cilët qenë ata që i dhanë shumën e parave që do ti duhej për të qëndruar në Paris, deri ditën që do të kryente këtë vepër të madhe atdhetare?…
Si i kaloi Avni Rustemi gjashtë muajt e burgimit, sidomos pas datës 10 shtator 1920, kur atij iu dorëzua në qeli aktakuza e vrasjes së Esat pashës prej tij me paramendim? Cilët ishin shqiptarët që morën pjesë në procesin gjyqësor kundër Avni Rustemit, në ditët fundit të nëntorit dhe fillimit të dhjetorit të vitit 1920? A u takua Avniu me shqiptarë pasi u lirua nga burgu? A u shoqërua me ta ato ditë?
Çfarë itinerari zgjodhi ai për tu kthyer nga Parisi në Shqipëri? Udhëtoi vetëm apo me ndonjë shok? A ia ka treguar këto ngjarje dikujt? Dhe ky dikush, a i ka shkruar dëshmitë e Avniut? Po të jetë kështu, kur do të bëhet e mundur që ky dorëshkrim të zbulohet?
Ku përfundoi revolveri “Smith&Uesën”, që përdori Avni Rustemi për të vrarë Esat pashë Toptanin dhe që shërbeu si “corpus delicti” gjatë procesit gjyqësor?
Thuhet se e ka poseduar nipi i avokatit dë Monzi, që mbrojti Avni Rustemin në këtë proces. A janë bërë përpjekje nga ish-punonjësit e ambasadës sonë në Paris që nga viti 1945 për ta gjetur atë?
A mund të bëhen sot përpjekje nga ambasada që kjo armë të gjendet, të sillet në Shqipëri dhe të vendoset në një stendë të Muzeut Historik Kombëtar?
Sa shumë enigma e mbështjellin atentatin e Avni Rustemit më 13 qershor të vitit 1920!…
Skifter Këlliçi/Gazeta Metropol
One Response to Avni Rustemi – Atentati i tij në Paris dhe enigma e tij…