- Home
- Shqipëria
- Bota
- Politika
- Mafia
- Shke-Tek
- Italiano
- Ekonomi
- Biografi
- Automobili
Lexuar 1753Pakënaqësia e serbëve me qeverinë e tyre po shtohet. Dhjetëra mijëra vetë dolën për këtë arsye sërish në rrugë. Ata e akuzojnë qeverinë për korrupsion. Ekonomia është e dobët, papunësia në rritje.
“Serbia nuk e duron më regjimin e hajdutëve, që vjedh të gjithë vendin“ – kjo ishte thirrja e Aleksandar Vucicit nga Partia Nacionaliste e Përparimit. Dhjetëra mijëra vetë nga i gjithë vendi kishin ardhur në Beograd të shtunën (16.04.2011), për të demonstruar kundër qeverisë. Në protestat në „ditën e ndryshimit“ vlerësohet se morën pjesë 70.000 vetë. Ata kërkojnë zgjedhje të reja më 18 dhjetor.
Por qeveria nën drejtimin e presidentit Boris Tadic deri tani nuk ka lëshuar pe. Zgjedhjet e rregullta duhet të zhvillohen në Serbi në vitin 2012. Tadic pranon mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, pasi BE të ketë vendosur për pranimin e Serbisë në Union, por kjo nuk ka gjasa të ndodhë para fundit të vitit.
Opozita nuk dorëzohet
Ky nuk ishte demonstrimi i parë masiv me të cilin opozita synon të arrijë ndryshimin. Në muajin shkurt dhjetëra mijëra aktivistë dhe opozitarë dolën në rrugë për të protestuar. Ata kërkonin të shfrytëzonin për arritjen e objektivave të tyre atmosferën e revolucionit që krijuan ndryshimet politike në Tunizi dhe Egjipt, por deri tani pa sukses.
Lideri i opozitës serbe Tomislav Nikolic iu drejtua edhe mjeteve të tjera për të shtuar trysninë ndaj Tadicit dhe kabinetit të tij: ai ka hyrë në grevë urie. Nikolic ka thënë se do të ndërpresë grevën vetëm nëse merret vendimi për zgjedhje të reja. Duke iu drejtuar presidentit, politikani opozitar tha: „nëse mua më ndodh diçka e ekqe, ai duhet të shpallë zgjedhje të reja.“ Edhe protestat paqësore do të vazhdojnë.
Në sondazhe partia SNS ndodhet para Partisë Demokratike në pushtet të Boris Tadicit. Kjo e fundit demonstroi forcën e saj me një prani të madhe policësh dhe njësish antiterror gjatë demonstrimit. Por mbështetja në popullsi po ulet vazhdimisht. Përballë papunësisë në rritje, tashmë në nivelin 27%, dhe pagave në rënie, shumë serbë e akuzojnë qeverinë se nuk bën asgjë.
Quo vadis Serbi?
Ashtu si shumë vende të Evropës edhe Serbia është goditur rëndë nga kriza ekonomike mbarëbotërore. Por ekspertët nuk i shohin problemet e vendit vetëm tek kriza ekonomike. Edhe ekonomia ilegale dhe korrupsioni lulëzojnë, para së gjithash në politikë. Organizata joqeveritare Transparency International e radhiti Serbinë në vendin e 78 nga 178 vende në indeksin ndërkombëtar të korrupsionit 2010. Ajo flet për korrupsion sistematik, pasi zyrtarët kanë hapësirë të madhe në interpretimin e ligjeve dhe rregullave. Kjo favorizon abuzimet.
Presidenti Tadic synon ta fusë Serbinë në BE. Qeveria serbe paraqiti një kërkesë për anëtarësim në dhjetor 2009. Por njohësit e BE-së mendojnë se rruga e Serbisë deri në anëtarësim do të jetë e gjatë, dhe jo vetëm për shkak të krizës ekonomike. Beogradi nuk e njeh ende Kosovën shtet. Edhe bashkëpunimi me gjykatën ndërkombëtare për krime lufte në ish-Jugosllavi nuk është optimal: përpjekjet për dorëzimin e ish-kriminelëve të luftës nga koha e luftës në vitet ’90, si Ratko Mladic, duket se kanë ngecur në vend.
Autor: Nicole Scherschun (afp, dpa, dapd) / E.Xhani
Redaktoi: Elert Ajazaj/DW