Kolonitë dhe enklavat greke në Epir

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 7272
Termi koloni është i dykuptimshëm. Kolonitë janë entitete që marrin forma të ndryshme, sipas konditave të vendit. Të tri tipet e kolonive janë: koloni e qeverisur (governed colony), koloni e banuar (settlement colony) dhe koloni e komunitetit (community colony). Në koloninë e qeverisur, e gjithë popullsia vendase kontrollohet e qeveriset drejtpërsëdrejti nga një pushtet i huaj, me nëpunës dhe me garnizone të shtetit qeverisës, që banojnë në koloni. Kolonia e banuar themelohet dhe stabilizohet nga një grup imigrantësh dhe/ose vetëqeveriset, ose qeveriset nga shteti kolonial, prej nga kanë ardhur kolonët. Në koloninë e komunitetit, një element i ndjeshëm i popullsisë përbëhet nga imigrantët dhe qendra e banimit (kolonia) administrohet nga popullsia vendase. Duke folur në përgjithësi (by and large në angl.), kolonitë greke, duke futur këtu Akrotirin, Phylakopin dhe Ayia Irinin, bien në klasën e kolonive të komunitetit. Kolonitë greke në Epir janë “xhepa” të vegjël në bregdetin epirot, kurse brendia e gjerë e Epirit dëshmon vetëm për një përhapje të kufizuar kulturore.

Koloni greke është dhe ajo e Kerkyrëz (Korfuzit). Këtë mund ta provojmë dhe me një citim të gjatë të historianit të vjetër grek, Tukididit, i cili hedh poshtë opinionin e gabuar mbi raportet mes kerkyrasve (epirotë) dhe grekëve korinthiotë, që kanë formuar koloni në Kerkyrë. Citimi mund të gjendet në librin “Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë”, të botuar nga Akademia e Shkencave e R. Shqipërisë në Tiranë:

“Korinthasit …mendonin se kolonia (Kerkyra) ishte po aq e tyre, sa e kerkyrasve (korfuziotëve), ashtu edhe për shkak të urrejtjes që kishin kundër kerkyrasve, sepse këta nuk i përfillnin, megjithëse ishin kolonistë të tyre. Kështu… kerkyrasit në përgjithësi silleshin ndaj korinthasve me përbuzje. Nga gjendja ekonomike, kerkyrasit ishin në një radhë me helenët më të pasur të kohës; nga përgatitja ushtarake ishin më të fortë se ata. Ata mburreshin nganjëherë me epërsinë e madhe të flotës së tyre, sepse dikur në Kerkyrë kanë banuar fajakët e përmendur si detarë. Ja sepse ata ishin shumë të fuqishëm; në fillim të luftës ata kishin njëqind e njëzet anije me tri sërë lopatash” (Tukididi, I, 25, 4).

Në këtë citim duket qartë se sipas Tukididit, banorët vendas të Kerkyrës nuk kanë qenë grekë dhe si banorë në trojet e tyre gjendej një koloni greke; e ndienin veten superiorë ndaj kolonëve grekë, ndaj të cilëve silleshin me përbuzje. Pra, kolonia greke në Korfuz ka qenë “koloni greke e komunitetit” epirot.

Vendasit epirotë, siç dëshmon Tukididi, kanë mbajtur ndaj kolonëve grekë qëndrim indiferent dhe përbuzës. Epirotët, njësoj si fiset e tjera ilire, kanë pranuar koloni greke në trojet e tyre, sepse kanë pasur përfitime ekonomike. Kryesorja, sipas Tukididit, në pikëpamje ushtarake epirotët vendas kanë qenë superiorë ndaj grekëve.

Edhe autorët e tjerë të Greqisë së vjetër, kush më shumë e kush më pak, shprehin të njëjtat pikëpamje mbi këtë çështje. Asnjëri prej tyre nuk u njeh grekëve të vjetër atë rol që në kohët moderne disa historianë filogrekë u atribuojnë grekëve të vjetër. Madje dhe N. G. L. Hammondi, që dallohet për prirje grekofilie, thotë “me sa duket, mbretërit e parë të Maqedonisë janë me prejardhje nga Shqipëria e mesme dhe nga Epiri; sipas mendimit të shumë autorëve, Epiri ka qenë njëri nga vendet, prej ku kanë filluar pushtimet, që duke filluar nga lufta e Trojës deri në fund të sh. XII, tronditën Peloponezin dhe shkatërruan qytetërimin mikenas”.

Këtu ia vlen të shtohet mendimi objektiv i historianit të madh Moses I. Finley mbi kolonizimin grek. Ky historian anglo-sakson parashtron se “kolonizimi”, kjo etiketë konvencionale që historianët e përdorin për të përshkruar ato që kanë ndodhur, është mashtrues (gënjeshtar) në masën që gabohemi kur mendojmë për komunitetet (e evropianëve) në Amerikën e Veriut, në sh. XVI, XVII e XVIII, ose në Australi, në sh. XIX.

Kjo frazë e këtij historiani të mirënjohur mund të përkthehet kështu në shqip: kolonitë greke në Epir kanë qenë si kolonitë shqiptare të sh. XIX në Stamboll, Misir, Rumani, Amerikë etj.

Studimi rrënjësor i mitologjisë, i traditës letrare e historike dhe i arkeologjisë së Epirit e Greqisë së Vjetër, krijon mundësinë për të formuar një ide të qartë mbi raportet midis epirotëve e ilirëve nga njëra anë dhe grekëve nga ana tjetër. Disa qytete bregdetare të Epirit nuk i kanë ngritur grekët. Butrinti p.sh., siç thuhet në traditën e vjetër letrare e historike greke, është themeluar prej Elenit të Trojës (sh. XIII-XII para e. s.). Po kështu, N. G. L. Hammondi (1967, p. 474), që ende vlerësohet aq shumë në Shqipëri, shpreh bindjen se “nuk ka ndonjë traditë për themelimin e ndonjë kolonie greke këtu”. Diku tjetër, ky historian nënvizon se Buthroto është një emër i vjetër, i epokës së bronzit”. Këto dy të dhëna mjaftojnë besoj për të provuar që grekët nuk e kanë themeluar këtë koloni.

Në fakt, lidhjet midis Trojës dhe Epirit, madje midis Trojës dhe brigjeve të Adriatikut e të Jonit, janë të forta. J.-L. Lamboleyi, duke iu referuar lutjes së Eneas (Virgjili, Enea, III, v. 502), në çastin që ai niset nga Epiri për të kaluar detin Jon, i konsideron Trojën, Epirin dhe Italinë si “të bashkuar në përfytyrimin virgjilian dhe augustian” .

Një pjesë e trojanëve që zbarkuan në Epir, pasi qëndruan ca kohë, shkuan në Itali, ku themeluan Romën. Kolonistët trojanë që shkuan në Itali ishin ilirë të fisit të shquar të dardanëve. Prandaj historiani dhe gjuhëtari i njohur gjerman Hans Krahe shkruan: “Pa ilirë nuk do të kishte Romë, nuk do të kishte romakë” (Ohne die Illyrier kein Rome und Römerstrum).

Vënia në thonjëza nga profesor Shaban Demiraj e termave “koloni” e “kolonistë” grekë në Epir më duket e vlerësuar drejt. Por ai studiues vijon se në Epirin e Vjetër “nuk kanë munguar edhe enklava greqishtfolësish në vise të banuara nga fise jogreke në Epir, ashtu edhe në treva të tjera bregdetare të Jonit dhe të Adriatikut”. Madje, studiuesit shqiptarë flasin për indoevropianizimin e Evropës nga fiset greke, “aty nga fillimi i mijëvjeçarit të dytë para e.s., me ardhjen e tribuve të para greke…”. Së pari, ai nuk e përcakton kohën për të cilën bëhet fjalë në këtë citim, sepse prania e enklavave të atilla greqishtfolësish në Epir, në ditët tona, nuk do të thotë që ato enklava të jenë ngritur në lashtësi. Është e vërtetë se ka pasur në lashtësi fise joilire në Epir, në Maqedoni e në Iliri. Në radhë të parë, kanë qenë banorët joindoevropianë autoktonë, për të cilët nuk mund të thuhet se deri kur kanë mbijetuar si të atillë pa u ilirizuar. Përveç atyre, në Epir ka pasur dhe fise, nënfise e grupime të tjera indoevropiane, si: trakë, frygë, më vonë (relativisht) keltë etj. Por nga të gjithë popujt indoevropianë, të formuar si etni në Evropë, ose të ardhur më vonë në këtë kontinent, greqishtfolësit mund të përjashtohen më me lehtësi. Në asnjë burim mitologjik, letrar e historik, duke përfshirë këtu të dhënat arkeologjike të dhjetëvjeçarëve të fundit, nuk zihet ngoje ndonjë shtegtim i danajve, ose i helenëve, ose i grekëve nga Evropa Qendrore në Greqi. As Mihal Sakellariou (Athinë) nuk thotë se grekët kanë ardhur nga Evropa qendrore, ashtu siç shprehet për popujt e tjerë të Ballkanit, pellazgët, ilirët, trakët, frygët, keltët, etj. Sipas atij dijetari, grekët, të formuar si etni në Lindje, kanë kaluar nëpër Bullgari e Maqedoni, përgjatë bregdetit, dhe kanë zënë vend në Greqi.

Në lashtësi, grekë nuk do të kenë migruar as nga Greqia në Epir e më në veri. Grekë ka pasur në koloni, por jo në brendi të vendit, së paku deri në epokën klasike. Në pikëpamje demografike, me gjithë helenizimin e një pjese të pellazgëve, që banonin në Greqi, grekët kanë qenë të pakët numerikisht, në vendin e tyre; ata asnjëherë nuk kanë qenë aq të shumtë sa për të populluar Epirin. Vërtet, siç vë re F. d’Andria, në sh. VIII para e.s., grekët dëshmohen në Epir, në luginën e Thyamit, në Vitsa dhe në Arta. Por ai historian i njohur flet për një prani eubease me karakter “empirik” e parakolonial në bregdetin epirot dhe më në veri. Ai shton se “vendasit” e rrethinave të Orikumit “janë veçanërisht kundër shkëmbimeve tregtare me elementin grek”. Po kështu, siç nënvizon M.-F. Baslez (shih autori, 1996, p. 392), në sh. IV para e.s., princesha grekofobe Olimbi, e ëma e Lekës së Madh, “denoncon” një aspekt subversiv të athinasve, që “ka prekur traditën lokale” epirote. Prandaj, mund të thuhet se është e diskutueshme dhe fraza e autorit shqiptar “nën ndikimin e atyre kolonive… greqishtja i kishte të gjitha mundësitë që të bëhej e njohur dhe të përvetësohej dalëngadalë nga një pjesë e mirë e popullsisë…”

Siç thotë dhe Herodoti, deri vonë “grekët kanë qenë të dobët”. Fise, nënfise ose grupime greke, të kishin migruar në Epir, nuk dihet se si do të kishin përfunduar. Mirë thotë K. Patsch: “Me jetesë luftarake e ândjeje, qi shkojshin ilirët, nuk kishin as ândje as kohë me u marrë me bujqsi. Për këto punë të rânda kishin robt e luftavet, e numri i tyne do të ketë qenë i madh, mbassi edhe zotnijtë ishin të shumtë” (përkth. në shkodranisht nga Karl Gurakuqi).

Enklavat greke në Epir do të jenë formuar më vonë, në kohë të perandorisë bizantine, kur grekët gëzonin përkrahjen e mbrojtjen e shtetit dhe të Kishës Ortodokse Greke.

Gjatë dy mijëvjeçarëve të parë para erës sonë, vetëm një numër i vogël grekësh të ishte përzënë nga Epiri në Greqi, ose të ishte detyruar të shqiptarizohej, do ta kishte marrë vesh e gjithë bota.

Sa i përket ndikimit grek, sidomos përhapjes së greqishtes në Epir, një rol i rëndësishëm u njihet kolonive dhe enklavave greke në Epir.

Në historinë e themelimit të kolonive greke, në takimet e para midis vendasve e të ardhurve për kolonizim, nuk figurojnë përkthyes nga greqishtja në ilirisht dhe anasjelltas. Mendoj se në këtë mes nuk mund të përjashtohet mundësia që eubeasit dhe korinthiotët, ose së paku disa prej tyre, të kenë qenë pellazgë ose ilirë.

Nga mezi i sh. VIII para e. s., në kushtet e shthurjes së organizimit fisnor të epirotëve, tregtia paraqiste interes më shumë se më parë. Prandaj gjatë kësaj kohe krijohen kushtet që e favorizojnë kolonizimin grek në bregdetin epirot.

Autorë grekë, të vjetër e modernë, dhe autorë të huaj modernë, duke përfshirë këtu dhe ata që dallohen si filohelenë, flasin për kolonizimin grek në bregdetin epirot siç flitet për një kolonizim në vend ku banon një popullsi jo greke. P. Cabanes-i nënvizon se “Kolonizimi (grek) bëhet vetëm ndër barbarë, pra jo në Beoti, Atikë ose Lakoni (Greqi): kolonia është ishull grek, ose më saktë ishull të një toke të helenizuar në një vend barbar…”.

Pra, meqë kolonitë greke në Epir qenkan “ishuj grekë, ose më saktë ishuj të një toke të helenizuar” në dhe të huaj, epirotët nuk mund të jenë helenë. Përveç kësaj historianët e paanshëm shprehin bindjen se kolonitë nuk kanë qenë as “ishuj grekë, as “ishuj të një toke të helenizuar”.

Për Epirin do të ishte më e saktë të thuhej se kolonia greke në këtë vend përbëhet nga një grup tregtarësh grekë, të cilët ngrihen prej vendit të tyre për të bërë tregti në dhé të huaj.

Sipas traditës më të vjetër greke, eubeasit themeluan kolonitë greke të Kerkyrës (Korkyrës) dhe Orikut. Straboni ((VII, 5, 8 ) thotë se Oriku kontrollon portin e Panormos, që sot quhet Porto-Palermo. Ky port ndodhet në bregdetin Jon, në jug të Himarës. Më poshtë Straboni (VII, 7, 5) shton se Panormo ndodhet në jug të kepit, që gjendet aty ku mbarojnë malet Akrokeraune. Hekateu i Miletit, me sa thotë Stefani i Bizantit, e quan Orikun thjesht port. Të njëjtin term përdor dhe Herodoti (IX, 93). Madje Apollodori e quan Orikun poleis, qytet-shtet.

Plutarku (Quaestiones graecae, 11, 293 ab) dëshmon se prania e eubeasve në Kerkyrë (Korkyrë) ka zgjatur për një kohë të shkurtër. Straboni (VI, 269, 2-3) shton se Kersikrati, kur shkeli në Kerkyrë, gjeti liburnë (kolonizues), çka provon se ilirë të tjerë kanë qenë të pranishëm në ishull para eubeasve. Stefani i Bizantit (s.v. Amantia) na kujton se Amantia është themeluar prej abantëve të Eubesë. Këta të fundit, kur u kthyen nga lufta e Trojës, i ranë përqark Greqisë dhe u vendosën në bregdetin epirot, pastaj me kohë amantët themeluan qytetin Amantia. Sipas një skolie të Apollonit të Rodit (IV, 1175), amantët e Eubesë dhe amantët, të vendosur me kohë në bregdetin epirot, do të kenë pasur lidhje etnike mes tyre.

Këtu lind pyetja: cilës etni i përkasin ata që themeluan qytetin Amantia, asaj të grekëve apo etnisë ilire? Siç e kemi parë më lart, amantët, qofshin ata të Eubesë apo të Epirit, janë ilirë. Që amantët janë ilirë, e pranon dhe N.G.L. Hammond-i. Ky i fundit mendon se kolonia më e vjetër greke është ngritur më 737 para e. s. në ishullin e Kerkyrës, ku banonin taulantë. Këta ilirë u kërkuan ndihmë eubeasve për t’i bërë ballë fisit të liburnëve, që po pushtonte ishullin. Pra, vazhdon N. G. L. Hammond-i, në fillim kolonia e Kerkyrës ka qenë “një koloni e përbashkët grekësh dhe ilirësh” .

N.G.L. Hammond shpreh mendimin se kolonitë greke të Epirit janë themeluar në kohë të Nostoi-ve, pra në kohën kur kthehen në Greqi heronjtë e luftës së Trojës: Byllisi është themeluar prej Neoptolemit, Oriku prej Elpenorit, Buthroti prej Elenit dhe Argus Amphilokikumi prej Argusit.

Vihet re se N. G. L. Hammond në të gjitha shkrimet që ka lënë vlerëson shumë praninë e ilirëve në Greqi dhe rolin e rëndësishëm që kanë luajtur atje. Ai pranon gjithashtu se trojanët janë dardanë, pra jo grekë. Po kur vjen rasti për të cilësuar karakterin etnik të heronjve trojanë, që sipas gjithë traditës mitologjike dhe letrare të autorëve të Greqisë së vjetër janë ilirë të fisit të dardanëve, sikur është i detyruar të thotë se kolonitë greke në Epir janë themeluar nga grekët! Kjo është arsyeja që ky autor konsiderohet si historian i kapërcyer, të cilit i referohem shpesh vetëm prejse vlerësohet ende në Shqipërinë shtetërore.

Meqë ra fjala për autorin e Eneidës, le të kujtojmë se karakteri etnik i heronjve të Trojës dhe i epirotëve është zgjidhur edhe nga Virgjili (III, vargjet 502 sq.). Ky poet i madh romak thotë se Enea në çastin që niset nga brigjet e Epirit për në qytetin e Otrantos citon këtë lutje sublime: “Dua që këto qytete aleate e këta popuj kushërinj, Epiri dhe Hesperia, që kanë të njëjtin themelues, Dardanin, të kenë në zemër vetëm një Trojë.”

Pra, sipas Virgjilit, epirotët dhe trojanët janë “popuj kushërinj” prejse janë ilirë (Sf. Autori, 2006).

Ndryshe nga N. G. L. Hammond-i, idetë e të cilit kanë zënë të vjetrohen, historianë të tjerë të ditëve tona dashje pa dashje janë të detyruar të pranojnë të vërtetën. P. Cabanes, duke rënë përsëri në kundërshtim me vetveten, pranon se të gjitha qytetet epirote nuk duhet të konsiderohen si koloni të dikurshme greke. Shumë nga këto qytete, vazhdon ai, zhvillohen që në krye të herës në kuadrin indigjen (vendas), për lehtësimin e shkëmbimeve tregtare, organizimin e jetës administrative e fetare, sigurimin e mbrojtjes dhe strehimin e popullsisë së ardhur nga fshatrat përreth. Çdo ethnos i madh ndërton një qytet: Byllisi, që bëhet sa dyfishi i qytetit të afërt të Klosit (qytet më i vjetër, i cili nuk kishte vend të lirë rreth e qark për t’u zgjeruar), Amantia, Phoinike e Antigonea në Kaoni, Gitana (Goumani) në Thesproti; po kështu Lisos, fortifikimet e të cilit tregojnë qartë se janë bërë nga vendasit, të cilët merrnin masa për t’u mbrojtur nga ndonjë armik, që mund të vinte nga deti. Kështu, qyteti përbën një element të rëndësishëm të evoluimit të shoqërisë ilire dhe epirote.

Sigurisht, kolonitë greke në Epir u zhvilluan në kushte të marrëdhënieve të mira me epirotët. Kolonët bashkëpunuan me këta “të huaj” (ose indigjenë) epirotë për t’u shkëputur ekonomikisht dhe politikisht nga metropolet. Por këto koloni nuk kanë qenë të shkëputura politikisht nga mbretëritë e Epirit. Aq më tepër me mbretër si Pirroja mund të merret me mend se kolonitë kanë qenë plotësisht të përfshira brenda mbretërisë, ose të riorganizuara në komuna administrative dhe ushtarake, sipas sistemit politik epirot në fuqi. Me kalimin e kohës edhe tregtia në kolonitë greke kalon nga rrethi i kufizuar i aristokratëve grekë në duart aristokratëve, skllavopronarëve dhe tregtarëve epirotë.

Duke filluar nga sh. III para e. s., kolonitë greke humbasin karakterin tipik të kolonive, sepse në pjesën më të madhe popullsia e tyre përbëhet nga epirotë. Emrat ilirë të prytanëve dhe magjistratëve monetarë, që gjenden në drahme dhe në bronze, tregojnë se epirotët kanë fituar prej kohësh të drejtën e qytetarisë, duke përfshirë këtu dhe të drejtën për të zënë postet më të larta në jetën komunale.

Historianët shqiptarë janë thelluar shumë në studimin e jetës urbane në Epir dhe në mbarë Ilirinë. Ata evokojnë me të drejtë një periudhë protourbane, që i paraprin formimit te qyteteve në Epir. Në këtë krahinë premisat ekonomike dhe shoqërore, që ndikojnë në formimin e qyteteve, duken që në epokën e bronzit të vonë. Ndërtimi i murit mbrojtës dhe formimi i një sheshi të caktuar për qëllime kultuale e ekonomike, janë tiparet kryesore të këtyre aglomeracioneve fisnore të sh. X-VIII para e. s., që shënojnë fillimet e formimit të qyteteve epirote. Arkeologët shqiptarë zbulojnë aglomeracionet e fortifikuara protourbane të Belshit, Selcës, Klosit, Treportit, Olympit etj., si dhe një tip të ri fshatrash me vendbanime të vogla. Identiteti i këtyre aglomeracioneve duket në karakteristikat e përbashkëta të kulturës materiale. Në fund të sh. V dhe në gjysmën e dytë të sh. IV para e. s. lindin qytetet e para epirote: Dodona, Kasope, Passaron dhe Kastrica. Në Kaoni formohen qytetet Butrot, Foinike etj. Në gjysmën e dytë të sh. IV dhe në gjysmën e parë të sh. III para e. s., urbanizimi në Epir zhvillohet më tej. Gjatë kësaj kohe formohen qytetet Elina, Gitana, Antigonea, Himera dhe Nepravishta, emri i lashtë i të cilit nuk është identifikuar ende. N. Ceka shton se në kapërcyell të erës sonë “kishte ende një dallim midis qyteteve dhe limaneve të tyre, sepse Butroti kishte liman Pelodin, ndërsa Foinike-Onkezmin”.

Përveç qyteteve të përmendura më lart, Stefan Bizantini (Mbi qytetet dhe popujt) rendit dhe qytetet Argyrin, Baiake, Berenikai, Bayanion, Lynkos, Myon e Nikopoli.

Procesi i lindjes së qyteteve, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës dhe i jetesës urbane ndjek të njëjtën rrugë zhvillimi në Epir dhe në Iliri. Në këto dy vende strukturat urbanistike duken qartë në ndarjen e akropolit prej qytetit. Në agoratë e qyteteve epirote dhe ilire adoptohet i njëjti sistem gjeometrik, i bazuar në planimetri. Vihet re gjithashtu njëjtësia e arkitekturës në ndërtesat me karakter shoqëror, si teatri dhe stoa. Përveç kësaj forma të elementeve arkitektonike, si: kubeja, qemeri, kolonat drejtkëndëshe etj., janë të njëjta si Epir, ashtu dhe në Ilirinë e Jugut. Edhe linjat që vihen re në qeramikën epirote kanë të njëjtën fizionomi të veçantë qytetare ilire…

Historiani i njohur Jan Bouzek nënvizon se duke filluar nga bronzi i hershëm, ilirët zotërojnë detin Adriatik dhe detin Jon. Epërsia (supremacia në tekst) detare ilire është e padiskutueshme. Po kështu historiani tjetër i njohur F. D’Andria vë re se në fund të shek. VI para e. s., në Epir “formohen elita aristokratike të vendit, tashmë protagoniste në rolin delikat e të ndërlikuar të ndërmjetësimit, që këto vende luajnë në raportet mes Greqisë dhe botës italike”.

Vetëm ky citim do të mjaftonte për të na bindur se epirotët përbëjnë popullsi jo greke dhe se në kolonitë greke në Epir zotër shtëpie kanë qenë ilirët epirotë. Me fjalë të tjera, kolonistët grekë në Epir kanë qenë në vartësi të vendasve, por kanë ndenjur në Epir sepse edhe ata kanë pasur përfitime.

Si përfundim, kolonitë greke në Epir, ndryshe nga kolonitë e tjera greke në brigjet e Mesdheut, kanë qenë koloni (greke) që përfshihen në klasën e kolonive të komunitetit (epirot).
Arsim Spahiu/Gazeta Metropol

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 10/04/2011. Filed under Historia Botërore. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.