- Home
- Shqipëria
- Bota
- Politika
- Mafia
- Shke-Tek
- Italiano
- Ekonomi
- Biografi
- Automobili
Lexuar 4311Fushata elektorale e zgjedhjeve të 8 majit ka tërhequr më shumë se sa pritej vëmendjen e opinionit por edhe institucioneve brenda dhe jashtë vendit për shkak të përballjeve përtej rregullave politike që po mbart ky proces zgjedhor. Çdo garë elektorale është në thelb përballja e të kundërtave apo të ndryshmeve por kësaj radhe kontrasti vjen i theksuar bardh e zi pothuaj në të gjitha aspektet e një zhvillimi normal politik siç janë zgjedhjet lokale. Duket se palët i janë drejtuar suksesit elektoral me forma, filozofi, platforma e sidomos synime tejet të ndryshme gjë që ka rritur artificialisht e më shpejt se zakonisht temperaturën politike megjithëse kushtet politike e shoqërore të vendit pritej te stimulonin të kundërtën .
Ende pa filluar mirë fushata shihet qarte se strategjitë e dy partive apo koalicioneve kryesore ne vend kanë strategji e synime krejt të ndryshme implementimi i të cilave ka dhënë efektet e para në terren. Për rreth dy javë janë shënuar të paktën tre incidente të armatosura ku palët kanë qenë qartësisht të pozicionuara në llogoret e strategjitë e tyre elektorale. Tre kandidate te mazhorancës së z. Berisha në Dibër, Tiranë e Lezhë janë sulmuar me armë zjarri nga kundërshtarët e tyre politikë të opozitës së Edi Ramës duke i dhënë startit ngjyrime të denja për në Kabul apo Bagdat se sa në një vend të qytetëruar anëtar të NATOS dhe kandidat për në BE. Nuk besoj se kjo klimë konfliktuale e shprehur në mënyrën më ekstreme në tre rastet që përmenda më lartë të mos ketë lidhje me atë çka reflektojnë politikat respektive të drejtuesve qendror në Tiranë. Perceptimi dhe zbatimi që kampet respektive i bëjnë politikave dhe strategjive qendrore në terren është pa tjetër shprehje në aksion e planeve dhe synimeve të pëgatitura nëselitë qendrore në Tiranë. Ne vijmë në këto zgjedhje pas përpjekjeve të dështuara të opozitës se majtë për të marrë me dhunë selinë e qeverisë në Tiranë në 21 janar gjë që përveç dëmtimit ndërkombëtar të imazhit të vendit rriti ndjeshëm tensionin e brendshëm politik e shoqëror si një parathënie e fushatës së dhunshme që duket se ka planifikuar e po e vë në zbatim opozita. Duket se z. Rama po i përgatit falangat e tij politike e elektorale që në fund të zgjedhjeve të jenë të përgatitura për të pranuar vetëm një mundësi, fitoren e zgjedhjeve. Duket se ky objektiv më shumë se politik i opozitës po përkthehet në bazë si urdhër për sigurimin me çdo kusht e mjet të fitores pavarësisht legjitimitetit apo jo të tyre. Ideator e frymëzues për ketë strategji politike nuk duket se është vetëm Rama por edhe të tjerë të konsideruar si më të përgjegjshëm në drejtimin e PS-së. Si shumë shqiptarë besoj, u habita kur ish kryeministri Pandeli Majko gjatë një dalje publike në TV e kishte gati përgjigjen se çfarë do të bëhej në se PS-ja fitonte zgjedhjet ndërkohë që as nuk e mendonte një përgjigje nëse do të ndodhte e kundërta, humbja. Më shumë se habi apo qeshje kjo sjellje apo situatë prej shejtan – budallai e z. Majko është pa dyshim një sinjal ogurzi për atë se çfarë ka menduar apo planifikuar të bëjë opozita e z.Rama në rastin e pritshëm të humbjes së zgjedhjeve.
Loja jashtë rregullave politike një strategji e zbatuar nga z. Rama që pas humbjes prej tij të zgjedhjeve parlamentare në qershor të 2009-ës ka sjellë ngërç dhe shqetësim të vazhdueshëm jo vetëm për shoqërinë e shtetin shqiptar por edhe për aleatët ndërkombëtarë të vendit . Nuk besoj se do të ketë periudhë që nga viti 1912 ku ndërkombëtarët të jenë marrë kaq shumë e kaq seriozisht me Shqipërinë dhe sidomos me politikën e saj. Nuk dua të numëroj vizitat, takimet dhe vendimet e panumërta që BE , SHBA, dhe KiE , angazhime e kosto që këto vende e organizma mike kanë ndërmarrë për Shqipërinë, por për të kuptuar përkeqësimin e mundshëm të situatës dua të biem dakord se ardhja tre herë në Shqipëri që nga 21 janari e një zyrtari të lartë të SHBA-ve siç është z. Kantrimen tregon se gjërat nuk janë aq shumë në terezi. Kërcënimi më i madh që opozita e z. Rama po i bën vendit, përveç aksioneve te dhunshme në terren , është pa dyshim kërcënimi prej tij i sistemit politik e juridik të vendit. Politika e bojkotit e realizuar në kuvend është transmetuar në institucione të tjera ku është prania e përfaqësuesve të opozitës si KQZ-ja dhe KZAZ-të, mosfunksionimi i të cilave përbën një sabotim direkt të procesit zgjedhor. Ky kërcënim me sistemin e z. Rama ka alarmuar dukshëm përfaqësuesit e organizatave dhe vendeve partnere që janë pozicionuar hapur dhe fort në mbrojtje të zhvillimit normal e ligjor të zgjedhjeve gjë që i ka vënë edhe në shënjestër të sulmeve dhe akuzave nga me të paprecedenta, retorika dhe tonet e të cilave të kujtojnë qëndrimet e politike dhe retorikën e diktaturës komuniste ndaj tyre. Pa dyshim që falë informacioneve të shërbimeve te tjera inteligjente vendet dhe organizatat partnere kanë informacione të mjaftueshme për atë çka ndodh apo është planifikuar të ndodhë në këtë vend prandaj edhe qëndrimet e tyre shpesh herë janë më të qarta e më të sakta se sa institucionet e faktorët politik e publik shqiptar.
Vetë parulla ( slogani ) elektoral i PS-së në këto zgjedhje: ” E vetmja rrugë” paralajmëron mungesën e tolerancës dhe mospranimit të mundshëm të humbjes së zgjedhjeve nga opozita dhe nuk ka ndonjë ndryshim me parullën e kryeministrit me të egër komunist Mehmet Shehu: “O me ne, o me ata (armiqtë), rrugë të mesme nuk ka “. Në mungesë të një alternative e projekti elektoral si dhe në praninë e dukshme të një frymë elektorale që favorizon qartësisht kundërshtarin i tij në Tiranë, Lulzim Basha, kërcënimi me destabilizim ndaj shqiptarëve por edhe ndaj strukturave te PS-së duket se është e vetmja rrugë e lidershipit socialist. Mirëpo nuk është se fitorja që po kërkon me çdo kusht z. Rama ofrohet si zgjedhje përfundimtare nga opozita. Sipas tij dhe bashkëpunëtorëve të tij fitorja e zgjedhjeve lokale do të përdoret nga lidershipi socialist si bazë apo pretekstit politik për të shkuar drejt synimit final, rrëzimin e qeverisë dhe kalimit në zgjedhje te reja që do të thotë edhe një periudhë tjetër konfliktimi e destabilizimi, pasojat e të cilës bien pa tjetër mbi njerëzit e thjeshtë të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë. Ky moment sinqeriteti nuk besoj se i ka shpëtuar vëmendjes se elektoratit i cili ftohet të votojë Ramën jo për ti zgjidhur hallet me pushtetin vendor por të legjitimuar vazhdimin e “intifadës” së tij në luftën për postin e kryeministrit.
Mirëpo nëse ky është vetëm plani dhe projekti i Ramës për këto zgjedhje sa do të jenë te gatshëm elektorati , kundërshtarët politik , institucionet shtetërore dhe partnerët ndërkombëtarë ta tolerojnë këtë logjikë daibolike politike e elektorale të tij. “Që këto zgjedhje të mos përfundojnë në luftën finale”, jepte alarmin në një shkrim për zgjedhjet një prej ideologëve të së majtës shqiptare, duke paralajmëruar rrezikun që mund të vijë nga kjo sjellje politike e Ramës gjatë këtyre zgjedhjeve. Janë të gjitha gjasat por edhe të dhënat që Rama të mos synojë fare fitoren e zgjedhjeve por në mos imponimin në tavolinë të rezultatit, prishjen apo mosnjohjen rezultatit të tyre. Kjo duket qartë tek ideja dhe tymnajat politiko-mediatike që po krijojnë dishepujt e tij me sherret para kamerave në zyra të pushtetit vendor për “manipulimin e listave” . Mosfirmosja e një marrëveshje të ofruar nga qeveria për zgjedhjet lokale në fund te javës la të kuptohej edhe institucionalisht se opozita nuk është e interesuar për mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Por jo vetëm kaq por ky refuzim u bë bash në kohën kur për këto shqetësime ishte në Tiranë i dërguari amerikan Kantrimen një karshillëk ky i hapur me partnerët ndërkombëtar dhe aleatët strategjikë të Shqipërisë. Mirëpo në se kërcitja e dhëmbëve të Ramës ka kohë që dëgjohet në këtë vend ka përgjegjësinë e saj edhe toleranca apo keqfuksionimi i institucioneve shtetërore por edhe faktorëve të tjerë politikë e publikë që në të shumtën e rasteve nuk e kanë marrë seriozisht apo e kanë toleruar kërcënimin që vjen prej tij. Mendoj se një reagim më i fortë, që kur ky politikan nisi rrugën jo ligjore të kërkimit të pushtetit, do të kishte qenë shumë më efikas gjë që mund të kishte shmangur kërcënimin e sistemit që ai po e ofron si alternativë elektorale në këto zgjedhje.
Në kushtet kur është vënë kundër të gjithë faktorëve dhe aktorëve, brenda dhe jashtë vendit , që nuk miratojnë strategjinë e tij të të bërit politikë jashtë sistemit, as ai vetë nuk duket se beson më tek mundësia e fitores gjë që natyrshëm ia ka përqendruar vëmendjen tek mundësia e prishjes se zgjedhjeve ose justifikimi i humbjes. Prandaj mendoj se e gjithë vëmendja duhet të përqendrohet tek bllokimi projekteve të mundshme të prishjes së zgjedhjeve dhe zhvleftësimi publik i justifikimit duke i parandaluar çdo alibi për të rinisur politikën destabilizimit nëpërmjet rrugës, gjëra që duhen bërë përpara se të mbërrijmë në momentin e “luftës finale”. Me gjithë përgjegjësinë që ka për standardin e zgjedhjeve qeveria nuk mund të tolerojë anashkalimin e ligjit dhe dhunimin qoftë edhe verbal të votuesve. Theksoj si të domosdoshëm garantimin nga lidershipi i maxhorancës i rendit publik dhe ligjit gjë dhe pas zgjedhjeve si një kusht ky i rëndësishëm i lirisë së votimit. Besoj se janë të gjitha kushtet që vendi të arrijë standardin e kërkuar të zgjedhjeve që është i kërcënuar sa nga tolerimi i kërcënimit si mjet elektoral i Edi Ramës aq edhe nga mundësia apo tendenca e paralajmëruar e prishjes se krejt procesit zgjedhor.
Nebil Çika/Gazeta Metropol