Rroli i Aleancës Panortodokse Ballkanike në Copëtimin e Shqipërisë post-Osmane

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 4776
– Divorci nga Shteti Osman.
Fati i Perandorisë multietnike Osmane u vendos në ditët kur ky shtet arriti ditët e shekullit të XIX. Me ardhjen e Sulltan Abdulhamidit II shteti  Osman përjetoi humbjen me Rusinë në luftën Ruso – Turke të 1877 – 1878, që e çoi këtë Perandori përfundimisht në rrugën e shkatërrimit. Nën sulmet imperialiste Rusopanortodokse, Angleze, Franceze dhe me pas Italiane, shtetet dhe etnitë e ndryshme Muslimane që jetuan nën këtë Perandori ndër shekuj, filluan që ta gjejnë veten e tyre nën zgjedhen koloniale, që Evropa e krishterë po impononte mbi mbeturinat e Perandorisë së sakatuar. Megjithë rëniet që shteti Osman përjetoi pas luftës Ruso Turke, që çuan në zmadhimin e Serbisë dhe Malit të Zi me toka Shqiptare, zmadhimin gradual të Bullgarisë, pamvarësisë së Rumanisë, pushtimit të Bosnje Hercegovinës nga Austro-Hungaria, të Qipros nga Britanikët, e me pas me kolonizimin e Egjiptit nga Britanikët, Tunizisë nga Francezët etj.

Sulltan Abdulhamiti II arriti që ti sjellë njëfarë stabiliteti të brendshëm ankthit të shtetit Osman.Duke përqendruar pushtetin shtetëror në duart e tija dhe duke përdorur mobilizimin panislamist si armë frikësuese ndaj fuqive grabitqare Evropjane, dhe si armë mobilizuese për popujt Islamik të Perandorisë1, Sulltan Abdulhamiti II arriti që të mobilizojë në mbrojte të Perandorisë së tij pothuajse të gjitha rracat e saj. Ashtu si me Arabet, Kurdet e Boshnjakët, edhe Shqiptarët si komb Musliman që ishin, i qëndruan në përgjithësi besnik pushtetit Hamidian dhe i shërbyen atij me të gjitha mundësitë. Në fakt Abdulhamidi, në ditët e fundme të ekzistencës së tij si Sulltan, duket që ti ketë dhënë shumë përparësi elementit Shqiptar në kornizat e shtetit Osman.

Sipas Prof. J. Landau në librin “Politika e Pan-Islamit” (Oksford, 1990, Fq. 48  – 49) Lidhja Shqiptare e Prizrenit që u krijua nga paria Shqiptare me 1878, ishte një nga organizmat e parë të mobilizimit Panislamik që Sulltan Abdulhamidi u mundua të krijojë në shtetin e tij kundër agresionit Evropjan. Lidhja Shqiptare e Prizrenit, që u formua në shenjë proteste nga populli Shqiptar kundër agresionit panortodoks që Kongresi i Berlinit legjitimoi në trevat Shqiptare, përveç kërkesave Shqiptare për ruajtje territoriale nuk harroi që të vej në dukje karakterin Islamik Shqiptar, duke vënë në dukje dëshirën e Shqiptarëve për besnikëri ndaj Sulltanit Osman dhe ligjeve të Sheriatit2.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit qëndroi në komunikim të gjatë me Portën e Lartë të Stambollit, dhe një gjenerate me vonë, gjatë kohës së agresionit Italian në Libi, me 1911, demonstrata pro-Sulltaniste u shfaqen nëpër Shqipëri në mbështetje të Sulltanit – Kalif, duke shprehur gadishmërinë Shqiptare për të luftuar “të pafetë” (Italian) që pushtuan Libinë3. Një kooperim të gjërë të elementit Shqiptar nën suazat Hamidiane ne e shohim edhe te rojet(bodigardet) e Sulltan Abdulhamidit, që ishin malësorë Shqiptare, me ne krye Isa Buletinin. Sekretarë të tij u bënë shumë Shqiptar si Ismail Qemal Bej Vlora e Marshall Rexhep Pasha. Kushëriri i Ismail Qemalit, Ferid Pashë Vlora që ishte edhe President i Shoqërisë Shqiptare të Stambollit, u bë kryeministër i shtetit Osman nga Abdulhamiti me 19034 Shemsedin Sami Bej Frashëri përveç themelimit të gazetës “Sabah”,  “Turxhiman i Shark”, botimit të “Kamus Al-Alam”  etj, u inkuadrua nga Sulltan Abdulhamidi gjithashtu në politikën Osmane, si anëtar i Bordit te Inspektoriatit të Ushtrisë Osmane5.

*          *         *





Fuqizimi i lëvizjes  Zhon Turke në shtetin Osman i mbështetur fuqishëm nga qarqet që kërkonin reforma në Perandori duke përfshirë këtu edhe shume grupe Shqiptare, dhe sponsorizimi masiv që Donmet6 Selanikase i dhanë agjentëve anti-Hamidiane7, çoi pushtetin e Sulltan Abdulhamidit të vij në një fund në pranverë të vitit 1909.  Në 13 Prill të 1909, pas revoltës që rojet(bodigardet) Shqiptare të Sulltan Abdulhamidit kryen në mbështetje të tij në Stamboll, çuan që forcat Zhon Turke të ardhura nga Selaniku të shtypin këte revoltë pro-Hamidiane dhe të rrëzojnë Abdulhamitin duke përdorur Shqiptarin Esad Pashë Toptanin si njoftues për këtë rrëzim ndaj tij8.

Rënia e pushtetit Hamidian në shtetin Osman, dhe dalja e Zhon Turqve në skenat e  Devletit nuk sollën rezultate të mira për minoritetet Osmane. Edhe pse lëvizja  Zhon Turke pati si liderë të saj Shqiptar si Ibrahim Temo dhe Ahmet Njaziu, pas rënies së Abdulhamidit ajo u mundua që të ‘Ottomanizojë’ të gjithë subjektet e këtij shteti multietnik. Megjithëse  Zhon Turqit nuk i ndaluan aktivitetet e klubeve nacionaliste në fillim të udhëheqjes së tyre në shtetin Osman, ata filluan propagandën e tyre për pan-Ottomanizëm, gjë që çoi liderët nacionalistë Shqiptar që ti përgjigjen kësaj ideje me atë të nacionalizmit Shqiptar.

Aktiviteti i Ismail Qemalit nëpër Stamboll si përfaqësues i interesave Shqiptare, bashkëpunimi i tij me Unionin Liberal dhe revolta e ushtarëve Shqiptarë kundër masave Zhon Turkiste në ditët e Abdulhamidit, krijuan keqkuptime mes Zhon Turqve në lidhje me Shqiptarët9. Për më tepër reformat që Zhon Turqit sollën në shtetin  Osman më pas, duke ndaluar krijimin e shoqërive nacionale, mbajtjes së armëve, “bandave” e lirive të tjera të cilat Shqiptarët i patën poseduar ndër shekuj, çuan që Shqiptarët të revoltohen10. Për më tepër inatet personale që  Zhon Turqit duhet të kenë patur me shumë ish-mbështetës malësorë të Abdulhamidit, kryengritjeve që Isa Buletini organizoi kundër pushtetit  Zhon Turk (në shumë raste i shtyrë nga Serbët) dhe masakrave që Sheqfet dhe Xhavit Pasha morën kundër malësorëve Shqiptare, çuan Shqiptarët drejt  divorcit përfundimtar me Osmanet dhe Devletit në të cilin ata shërbyen dhe punuan për pesë shekuj.

 

– Rroli i Aleancës Panortodokse në Copëtimin e Shqipërisë

Në të njëjtën kohë kur marrëdhëniet Shqiptaro – Turke po acaroheshin në kulm, fuqitë grabitqare panortodokse Ballkanike i shihnin me ankth e me deshirë këto përplasje. Pas rënies së kryengritjes Shqiptare të vitit 1910 dhe arratisjeve të shumë kryengritësve Shqiptar në Mal të Zi, Malazezët u munduan që përplasjet Osmane – Shqiptare ti përdorin në të mirën e tyre. Për këtë, në pranverë të 1911 Krajl Nikolla i Malit të Zi, i shtyu malësorët Shqiptarë që të hidhen në rrebelim të ri kundër Turqve duke patur synim që ta perdorte këtë kryengritje në shërbim të interesave të tija ekspansioniste në Shqipëri11. Mali i Zi duke përdorur bajraktarë si Sokol Baci që ishin nën shërbimin Malazez, synonte që të organizonte rrebelim katolik në Malësitë e Veriut, rrebelim i cili pasi që kaloi në fanatizëm, i çoi muslimanët e Shkodres që të kundërveprojnë mbi këto veprimtari. Duke shfrytëzuar fanatizmat fetare forcat Malazeze arritën që të kishin bashkëpunim të plotë me rrebelet katolike Shqiptarë, dhe në shtator të 1912 repartet Malazeze së bashku me malësorët katolik u përplasen në luftë kundër forcave shtetërore Osmane12 dhe Shqiptare. Shumë malësorë katolik, të cilët morën pjesë përkrah Malazezëve në luftrat kundër popullsisë Muslimane Shqiptare, e bënin këtë pjesërisht për të marrë hak kundër Muslimaneve Shqiptar që kishin ndihmuar Bedri Beun në shtypjen e revoltave të tyre përpara një viti. Lufta e tyre në shumë raste pati karakter primitiv lufte mes fisesh13 duke “larë” me këtë rast haqet e vjetra.

Fillimi i Luftes Italo – Turke, dhe situata në Shqipërinë e Veriut nuk la jashtë dore as Greqinë dhe Bullgarinë, të cilat filluan që të afrohen me njëra-tjetrën për të vepruar në ngjarjet që ato po përjetonin me rrëzimin e shtetit Osman. Lufta Italo – Turke që filloi në Shtator të 1911 ju tregoj forcave panortodokse në Ballkan se Devleti Osman nuk kishte fuqi që t’iu bënte balle sulmeve të tyre të organizuara. Greqia, në të njëjtën mënyrë si Mali i Zi, e mbështeti fuqishëm revoltën Shqiptare në Malësitë e Veriut. Për këtë Greqia dërgoi Ioannis Gryparin, ministrin e jashtëm Grek që ta mbeshtesi luftën e Malësorëve në Veri nëpërmjet agjenturës së tij, dhe në të njëjtën kohë duke ushtruar kujdes që kjo kryengritje të mos kalonte në Shqipërinë e Jugut. Greket besonin se nacionalistët Shqiptarë kishin plane që kryengritjen e tyre anti-Osmane ta çonin edhe në Epir dhe në sanxhakun e Korçës, në mënyrë që ta fusnin Greqinë në luftë me Turqinë dhe ta deklaronin Epirin tokë Shqiptare14, duke minuar Megali Idenë(idenë e madhe-term grek i përdorur për Greqinë e madhe) Greke për atë zonë.

Në këto kohë kur Shqipëria e Veriut ishte në revolta, qeveria Austriake ishte mbështetëse e idesë së krijimit të një Shqipërie të Madhe Autonome, e cila do të balanconte fuqinë Serbe e Bullgare në Ballkan. Austriakët besonin se një Shqipëri e Madhe autonome, me Selanikun te cilin ata e shihnin si nje qytet që duhej ti përkiste Turqisë, do te kishin rrugë të lirë për në lindje. Për këtë Austria gjatë gjithë kësaj periudhe punoi me agjenturen e saj që në Ballkan medoemos të krijohej një shtet Shqiptar i fuqishëm, që do të minonte Serbinë në Adriatik dhe në gadishull. Jo me kot Faik Konica pati thënë se: “Te mos ishte Austria, sllavet dhe grekët do ta merrnin për 24 orë Shqipërinë… Frika e Austrisë i mban armiqtë tanë; ata qe s’e kuptojne këtë janë gomerë.”15.

Por ideja e  Shqipërisë së Madhe u rrefuzonte fuqishëm nga Greqia, Bullgaria e Serbia. Për këtë arsye, në Tetor të 1911, kryeministri Bullgar Geshov dhe ai serb Millovanoviç filluan bisedat e planet e tyre për ta minuar këtë akt. Në bisedat që Geshovi pati me kryeministrin Serb Millovanoviç, i fundit ia bëri të qartë Geshovit së zgjidhja më i mirë për interesat Serbe në Ballkan do të ishte pushtimi i Shqipërisë së Veriut dhe sigurimi i një rruge detare për në Adriatik,dhe pushtimi i Shqipërisë së Jugut nga Greqia16.

Në bisedimet që rrodhën, Serbia me Bullgarinë ranë dakort që Serbia do të kishte të drejtë të plotë mbi vilajetin e Shkodres dhe të Kosovës që ndodhej në veri të Bjeshkëve të Sharrit, ndërsa Bullgaria do të kishte të drejta mbi vilajetin e Adrianopojës17.

Me këto traktate të fshehta panortodokse në Ballkan planet Austriake për një Shqipëri Etnike u shkelmuan nga Bullgaria dhe Serbia, të cilat duke rënë dakort mbi të ardhmen e territoreve Shqiptare, nën udhëzimet Ruse, ishin udhëzuar nga qendrat panortodokse të Rusisë që pas kësaj të gjenin gjuhën e përbashkët me Malin e Zi dhe Greqinë18. Kështu që nën komandën Ruse, me 12 Mars te 1912, aleanca e parë panortodokse e Ballkanit u përfundua ndërmjet Serbisë dhe Bullgarisë. Të dy vendet pasi që ranë dakort për luftë të përbashkët kundër Turqisë dhe posedimeve Turke në Ballkan, ranë dakort  se në rast fitoreje, Serbia do te njihte të drejtën e Bullgarisë për marrjen e territoreve në Lindje të maleve Rodope dhe lumit Struma. Kurse Bullgaria ia njohu të drejtën Serbisë që të shtrijë sundimin e saj deri në perëndim dhe veri të maleve të Sharrit, duke përfshirë këtu të gjithë Kosoven. Kurse për zonën që ngelej ndërmjet maleve të Sharrit, Lumit Struma dhe Liqenit te Ohrit, një shtet autonom duhej të formohej. Por nëse më vonë do të vendosej që ky territor të ndahej mes tyre, atëherë Serbia do të merrte një rrip të territorit në Maqedoninë veriore, kurse Bullgaria do te merrte viset përreth Ohrit. Një zonë e lirë që do të lihej në të dy anët e lumit Vardar të sipërm do te ishte nën arbitrimin e Car Nikolles II të Rusisë19.

Gjate vazhdimit të luftës Italo – Turke të 1911 në Libi pushteti Osman u gjend i zënë mes dy zjarresh. Nga njëra anë ata duhej që të mbronin Libinë nga agresioni Italian, dhe në anën tjetër ata duhej që të merreshin me kryengritjet në Ballkan që u sponsorizonin nga Serbia, Mali i Zi, Greqia dhe Italia. Megjithatë pushteti Osman dërgoi në Libi disa përforcime të vogla nën komandën e Mustafa Qemal Beut (Ataturkut) dhe Enver Beut që ti rrezistonin agresionit Italian. Edhe pse Italianët deklaruan zyrtarisht4 në  Nëntor pushtimin e Libisë, rrezistenca Osmane (dhe Libiane) vazhdoi në formë guerrile në vend. Italia, duke dashur që ta dobësojë pushtetin Osman sa më shumë që të mundte, filloi dërgimin masiv të armëve dhe të ngrejë acarimet anti-Osmane në Shqipëri dhe Mal te Zi 20, nëpërmjet spiunazhit dhe agjenturës së saj. Ky fakt ishte vënë re që me parë dhe spiunazhi Serb pati vënë re se përveç agjentures Austriake, agjentët Italian po punonin intensivisht në Shqipëri dhe parashikohej që një revolte e madhe do të nxitej nga ata në pranverë të 1912(21).

Patriotët Shqiptare duke përfituar nga kaosi që shteti Osman po përjetonte u munduan që ta luajnë këtë situatë në interes të tyre. Shqiptarët Arbëreshë tëItalisë në bashkëpunim me spiunazhin Italian në këto kohe kaluan në krah të Italisë, përkundër planeve Austro – Hungareze apo shteteve sllave ndaj Shqipërisë 22. Duke parë rrjedhojen e ngjarjeve në Perandori, deputet Shqiptarë në parlamentin Osman i kërkuan qeverisë që të garantonte reforma politike, ekonomike dhe kulturore për Shqipërinë. Për këtë Hasan Prishtina e paralajmëroi Portën e Lartë se nëse këto dëshira nuk përmbusheshin, Shqipëria do të revoltohej 23. Në të njëjtën kohë Hasan Prishtina shkoi në Shkup ku u mundua që të hynte në bashkëpunim me Organizatën e Brendshme Maqedone, që të organizonte një revoltë në Maqedoni. Por ky bashkëpunim nuk u arrit me Maqedonët, pasi që qeveria Bullgare iua ndaloi atyre që të hynin në ndonjë negociatë me Shqiptarët. Por Serbia vepronte ndryshe. Ajo i furnizoi Shqiptarët me armë dhe mezi priste shpërthimin e luftës që do te prishte status quone e Ballkanit ku Shqiptarët do tu vrisnin me Osmanët. Pasi që te dyja palët t’u dobësonin, fituese do të ishte Serbia dhe liga panortodokse Ballkanike 24. Për këtë Serbia dërgoi mjaft agjentë të saj mes Shqiptarëve, dhe në veçanti të Isa Boletini, për ti bindur ata për të luftuar kundër rregjimit Zhon Turk. Dragutin Dimitrijeviç Apis, kryetari i organizates Serbe Cerna – Ruka (Dora e Zezë) ishte një nga agjentët më të suksesshëm Serb që arriti ta bindë Isa Boletinin së Serbët e Shqiptarët duhet që ta çlironin tokën e tyre nga Turqit25.

Në Maj te 1912 një aleancë tjetër panortodokse ngrehu telat e saja për uzurpimin e trojeve Shqiptare në Ballkan. Ajo ishte aleanca Greko  – Bullgare. Marrëveshja Greko – Bullgare ishte një marrëveshje e fshehtë, defensive, e vlefshme për 3 vjetë, që synonte mbrojtjen dhe luftën e përbashkët Greko – Bullgare kundër Turqisë. Sipas marrëveshjes në fjalë, në rast se një nga shtetet në fjalë sulmohej nga Turqia, ateherë shteti tjetër duhej që të deklaronte luftë, dhe në këtë luftë të dy shtetet do të vepronin si një trup i vetëm kundër Turqisë dhe Fuqive të Mëdha. Në këtë aleancë, Greqia me Bullgarinë futen si pjesë të traktatit të tyre, përveç ambicjeve të tyre kundër Turqisë kontinentale, edhe interesat grabitqare Greke ndaj Qiprios 26. Edhe pse Greqia me Bullgarine kishin mosmarrëveshje të tyre në lidhje me çështjen Maqedone, ata i lanë mënjanë këto zenka dhe marrëveshjen në fjale e kthyen në një marrëveshje plotësisht antiturke. Megjithatë marrëdheniet Greko – Bullgare edhe pas kësaj marrëveshje qëndruan në dyshime të mëdha, ku secila palë kishte dyshime dhe frikë rreth ndonjë marrëveshje të fshehtë që Greqia, apo Bullgaria mund të bënte me Shqiptarët. Në të njëjtën kohë, Greqia dhe Bullgaria ishin në tension të madh  në lidhje me revoltat në Shqipëri, ku secila palë kishte frikë se mos revoltat Shqiptare kalonin në Maqedoni dhe Epir, gjë që do te sillte minimin e planeve të tyre ogurzeza mbi zonat në fjalë 27, duke mobilizuar Shqiptarët si zotër të tokave të tyre. Por suksesi i Shqiptarëve në 9 Gusht të 1912, kur ata arritën që ti impononin qeverisë Turke kërkesat e tyre për autonomi, reforma dhe kontroll nga Shqiptarët e Vilajeteve të Kosovës, Janinës, Manastirit dhe Shkodres, çuan fuqitë panortodokse Ballkanike që të shpërthejnë në amok të egër antishqiptar. Greqia në veçanti kaloi në një amok të paparë kur Hasan Tahsin Pasha u bë Vali i Janinës 28 ,kapitalit të Çamërisë. Austria që kishte interesa në krijimin e Shqipërisë, duke parandjerë rrezikun panortodoks në Ballkan, çoi ministrin e jashtëm Kontin Leopold Berchtold që t’iu kërkojë fuqive të mëdha që të inkurajojnë Turqinë që të decentralizojë administratën e saj. Por ndërhyrjet Austriake dhe koncensionet Turke ndaj Shqiptarëve në 18 Gusht çuan Greqinë, Serbinë dhe Bullgarinë të frikësohen ndaj krijimit të shtetit Shqiptar. Ndaj këtij fakti që po kryhej, Greqia ndërmori hapin e parë të kryqëzatës antishqiptare. Me 18 Gusht kur Turqia ra dakort ndaj kërkesave Shqiptare, Greqia iu kërkoi Bullgarisë, Serbisë dhe Malit te Zi që të formonin një aleance katërpalëshe kundër Shqiptarëve, që të kthenin koncensionet Osmane që u propozuan nga Austria ne ‘favor’ të kristjanëve Sllav dhe Grek (në tokat Shqiptare). Për këtë arsye Greqia protestoi ashpër kundër Portës së Lartë 29 ,megjithatë Turqit e injoruan këtë proteste. Me rrefuzimin e kërkesës Greke nga Turqit, ministri i Jashtëm Grek Llambro Koromilla i kërkoi shteteve ortdokse të Ballkanit që nëse Turqia nuk bënte ‘përmirësimin’ e menjëhershëm të gjendjes së krishterëve në shtetin Osman ata duhet që të hidheshin në luftë. Me shpalljen e autonomisë së Shqipërisë, Mali i Zi ashtu si Greqia kaloi në amok. Edhe pse malësorëve katolik iu dërgua Ipeshkëvi i Shkodres, Imzot Serreqi30, që t’iu shpjegonte rreth autonomisë dhe amnistisë që ata morën, ata kësaj nisme nuk iu përgjigjen pozitivisht të shtyrë nga Malazezët. Për këtë ata i kërkuan malësorëve që të vazhdojnë luftën e tyre deri në fund, për pavarësi. Mali i Zi iu afroi malësorëve Shqiptare armë e municione që të vazhdonin luftën. Urrejtja e katolikëve për Turqit i bëri ata që të verbohen e mos të kuptojnë hipokrizinë Malazeze. Në  Shtator, disa udhëheqës malësorë morën udhëzime nga Cetinja dhe revolta u ndez përsëri. Austro – Hungaria duke i kuptuar lojrat Malazeze rrefuzoi që t’iu vijë në ndihmë malësorëve katolike.  Por malësoret sulmuan Plenicën. Fisi i Kelmendeve nën udhëheqjen e Dedë Sokolit avancuan në bregun e Matit, për t’iu prerë rrugën përforcimeve që po vinin në ndihmë të Shkodres nga Tirana dhe rrethet.

Në 8 Tetor, Malazezët hyjnë në lojë, duke i deklaruar kryqëzatë (luftë të Shenjtë) Turqisë dhe nisen pushtimin e tokave Shqiptare 31. Me përmirësimin e gjendjes së Shqiptarëve në Ballkan dhe formimit të shtetit autonom Shqiptar, fuqitë panortodokse të Ballkanit nuk patën zgjidhje tjetër përveçse luftës. Kështu që me 26 Gusht 1912, Bullgaria vendosi që të shkojë drejt luftës kundër Turqisë. Në 5 Shtator 1912, qeveria Bullgare e njoftoi Greqinë se Serbia dhe Bullgaria kishin vendosur për të shkuar në luftë kundër Turqisë dhe për  këtë donin mbështetjen Greke 32.  Kryeministri Grek Elefterios Venizelos, i gjetur përballë kësaj kryqëzate antishqiptare nuk qëndroi pasiv por e çoi Greqinë në luftë kundër Turqisë; si dënim ngaqë ajo garantoi autonomi për Shqiptarët. Me 13 Tetor Greqia, Bullgaria dhe Serbia i çuan ultimatum Portës së lartë që të “rrespektonte të krishterët” e shtetit të saj. E gjendur përballë terrorizmit panortodoks Ballkanik, me 17 Tetor, Turqia u detyrua që ti përgjigjet ftesës panortodokse me deklarim lufte ndaj Bullgarisë  dhe Serbisë. Në 18 Tetor Greqia iu bashkangjit ligës panortodokse dhe i deklaroi luftë Turqisë 33, që çoi në hapin final të luftës së parë Ballkanike.

Me pushtimin që ushtritë panortodokse Ballkanike i bënë trevave(autonome) Shqiptare, çështja e të ardhmes  së kombit tonë ishte në pikëpyetje. Malazezët që me 22 Shtator përkrah malësorëve katolik të Dedë Sokolit, kishin filluar pushtimin e Veriut të Shqipërisë 34. Me 8 Tetor ata i shpallën lufte Turqisë, për të rrethuar Shkodren me 28 Tetor. Me 10 Nëntor Greket rrethuan Janinën, pasi kishin pushtuar Selanikun. Me pas ata pushtuan Sazanin dhe Himarën 35. Në Himarë që me 5 Nëntor kolona e pestë e grekofilit Spiro Spiro Milos ishte çuar në revoltë duke luftuar vullnetarët Shqiptarë dhe trupat Turke.

Korça u pushtua  në 20 Nëntor nën komandën e gjeneralit Damianos36. Serbët pushtuan Kosoven me 23 Tetor dhe së bashku me Malazezët iu drejtuan Prishtinës dhe Novipazarit (Jenipazarit) pasi thyen forcat Osmano – Shqiptare ne Kumanovë 37, Ismail Bej Qemali që në këtë kohë po shkonte për në Stamboll për të biseduar për gjendjen me kabinetin Osman, iu kerkua rrugës që të takohej me Princin Malazez Mirko, në Trieste. Mirkoja i kërkoi Ismailit që ai të deklaronte pamvarësinë e Shqipërisë, duke e bërë Ismailin Mbret, dhe duke njohur posedimet Malazeze në Veri të Shqipërisë. Në të njëjtën kohë veziri Qemal Pasha i kërkoi Ismailit që të bënte durim dhe të merrte një post ministror në qeverinë Turke. Por Ismail Qemali rrefuzoi. Pas kësaj ai u kthye në Shqipëri, ku në Durrës kërkoi që të shpallë pavarësi për tokat Shqiptare që nuk kishin rënë akoma nën pushtimin panortodoks. Por popullsia e Durrësit e pa Ismail Qemalin dhe shokët e tij si “agjentë dhe provokator”. Për këtë Ismail Qemali me aktivistet e tij u detyruan të largohen nga Durrësi për në Vlorë, ku me 28 Nëntor 1912 ai deklaroi pamvarësinë e Shqipërisë 38, së sakatuar nga kryqëzata panortodokse e  Ballkanit. Italia dhe Austria e pranuan këtë pamvarësi menjëherë për hirë të interesave të tyre në Ballkan dhe nga frika e avancime të mëtejshme panortodokse.

Në konferencën e Ambasadorëve në Londër fuqitë Evropjane “vendosen” për kufijtë e Shqipërisë,duke lënë kështu vetëm Italinë me Austrinë në sherr mbi “Princin” e mundshëm që duhej të udhëhiqte Shqipërinë Londineze 39. Status quo-ja Ballkanike ishte prishur. Për Shqiptarët nuk kishte më kthim në Shqiperinë e 9 Gushtit te 1912. Nga katër vilajetet ata arritën që të sigurojnë vetëm një e gjysëm.

Lojrat e fuqive të mëdha, shkatërrimi i fuqisë Osmane, aleanca panortodokse Bullgaro – Greko – Malazezo – Serbe nën udhëheqjen Ruse, dhe përçarja e brendshme Shqiptare, çuan në shkatërrimin e ëndrrës Shqiptare për një shtet etnik në Ballkan. Në këtë mënyrë agonia e tragjedisë Shqiptare e shekullit të XX-të do të njihte lindjen e saj tragjike; me aleancën panortodokse Ballkanike gjithnjë vigjilente mbi ndodhitë dhe hapat e Shqipërisë Londineze përgjatë shekullit të përgjakshëm të XX-të.

Burimet:
1 C.E. Farah, Reasesing Sultan Abdulhamid II’s Islamic Policies, Archivum Ottomanicum, Nr. 14, 1995 / 96, Fq. 192.
2 S. Ballvora, ‘La “Ligue de Prizrend” et la question de l’autonomie de l’Albanie’ Fq. 503 Turkei no. 198, vol. 7, German Consul Gerhard von Mutius to Reichskanzler Bethman Hollweg, Selanik, 8 Tetor 1911.4 J. Swire, Albania: The Rise of a Kingdom, Fq. 785 S. Shaw, History of the Ottoman Empire and Modern Turkey, Vol II, Fq. 2546 Çifutëria e konvertuar në Islam në shtetin Osman njihej si donme.7 S. Shaw, History of the Ottoman Empire and Modern Turkey, Vol II, Fq. 2658 Ibid, Fq 90.
9 Ibid, Fq. 28810 Ibid11 Historia e Shqipërisë, vëllimi II, 1984, Fq. 45012 Ibid. Fq. 488.
13 J. Swire, Albania: The Rise of a Kingdom, Fq. 14214 Letër e Ministrisë së Jashtme Greke ndaj Konsullatave në Shqipëri dhe Epir. Athinë, 25 Prill 1911, Nr. 1019315 Sh. Delvina, Pa Pavarësi Fetare, Nuk Ka Pavarësi Kombëtare. 1998, Fq. 10216 I. E. Geshov, The Balkan League, London, Fq. 1517 Historia e Shqipërisë, vëllimi II, 1984, Fq. 486.
18 Ernst Helmreich, The Diplomacy of the Balkan Wars 1912 – 1913 Fq 32 – 3319 I. E. Geshov, The Balkan League, London, Fq. 53 – 55 20 S. Shaw, History of the Ottoman Empire and Modern Turkey, Vol II, Fq. 29021 BD., Vol IX, pjesa I, No 540, Barclay to Grey, Beograd, 16 Janar 191222 Historia e Shqipërisë, vëllimi II, 1984, Fq. 32923 Ibid. Fq. 465.
24 Ibid. Fq. 46725 J. Swire, Albania: The Rise of a Kingdom, Fq. 12826 I. E. Geshov, The Balkan League, London, Fq. 13327 B. Kondis, Greece and Albania, Fq. 72 – 74.28 J. Swire, Albania: The Rise of a Kingdom, Fq. 124.
29 Athine 20 Gusht 1912, letër ndaj ambasadës në Stamboll30 T. Zavalani, Histori e Shqipnis, Fq. 21531 J. Swire, Albania: The Rise of a Kingdom, Fq. 134 – 13532 Panasi ndaj Koromiliasit, Sofia, 5 Shtator 1912.33 J. Swire, Albania: The Rise of a Kingdom, Fq. 134.
34 Ibid. Fq. 13335 Historia e Shqipërisë, vëllimi II, 1984, Fq. 49336 P. Ruches, Albania’s Captives, Fq. 6637 S. Shaw, History of the Ottoman Empire and Modern Turkey, Vol II, Fq. 29438 J. Swire, Albania: The Rise of a Kingdom, Fq. 13739 S. Shaw, History of the Ottoman Empire and Modern Turkey, Vol II, Fq. 297.

Përgatiti: Proletari.Com

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 04/04/2011. Filed under Shekulli jonë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

3 Responses to Rroli i Aleancës Panortodokse Ballkanike në Copëtimin e Shqipërisë post-Osmane

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.