- Home
- Shqipëria
- Bota
- Politika
- Mafia
- Shke-Tek
- Italiano
- Ekonomi
- Biografi
- Automobili
Lexuar 3174Gjinushi akuzon Ramën: Nga oreksi për karrige na lë pa bashki. Zonat, kreu i PSD-së: Asnjë bashki dhe komunë, vetëm këshilla bashkiakë.
Pas zyrtarizimit të kandidaturave nga Kryesia e PS-së për kryetarë bashkish dhe komunash, në kuadër të zgjedhjeve vendore të 8 majit, aleatët e saj në koalicion, sidomos ata më tradicionalët, kanë ngelur mjaft të pakënaqur nga kjo përzgjedhje. Sipas tyre, një përzgjedhje e tillë, e ndikuar nga kryesocialisti Edi Rama, është bërë mbi baza preferenciale dhe aspak në respekt të marrëveshjeve të bëra më parë me ta. Kështu, kreu i PSD-së,
Skënder Gjinushi, pas shpalljes së kandidatëve zyrtarë për garën e zgjedhjeve vendore nga kryesia socialiste, deklaroi dje se një përzgjedhje e tillë nuk ishte pjesë e marrëveshjes së bërë më parë me socialistët dhe kreun Rama, pasi, sipas tij, tashmë me vendimet e marra, partia që ai drejton, duhet të konkurrojë në këtë garë vetëm për këshilltarë bashkish dhe komunash. Në fjalën e tij, Gjinushi akuzoi drejtpërsëdrejti kryetarin socialist Edi Rama për një ndarje preferenciale të njësive elektorale, një ndarje që sipas kryesocialdemokratit mbështetet vetëm në interesat e liderit opozitar dhe partisë që ai drejton dhe jo në kërkesat e bërë më parë nga vetë aleatët. “Gjithnjë partitë e mëdha kanë tendencën të tërheqin nga vetja. Megjithatë, ne nuk e kemi pasur këtë qëllim në vetvete dhe meqë kryetarët lidhen më drejtpërdrejt me karrigen dhe populli thotë që partitë luftojnë për karrige, atëherë ne këtë radhë po luftojmë më shumë për këshilltarë, të cilët i kanë karriget në seri, jo kështu, personale”, – tha Gjinushi.
Pas kësaj akuze dhe disa të tjerave të mëparshme nga aleatë të hershëm, si kreu i PDS-së, Milo, duket se marrëdhëniet e kreut të socialistëve, Edi Rama, me aleatët e tij nuk janë nga më të mirat, por përkundrazi kanë lindur pakënaqësi të mëdha të cilat më vonë mund të kthehen në një përçarje të madhe brenda koalicionit të opozitës. Por kreu i PSD-së, duke mos dashur të jetë vetëm konfliktual ndaj socialistëve dhe kreut të tyre, theksoi në fjalën e tij se një ndarje e tillë zonash për këtë herë do të tolerohet nga partia që ai drejton, vetëm nga fakti se zgjedhjet e ardhshme vendore shihen nga Gjinushi si një mundësi reale për të arritur në zgjedhje të parakohshme. “Kështu u vendos. Ne do bëjmë lojën tonë, do bëjmë fushatën tonë për të rritur përfaqësimin e PSD-së, sepse zgjedhjet lokale këtë radhë kanë një konotacion të qartë politik. Janë preludi për të kaluar në zgjedhje të parakohshme.
PSD zgjedhjet lokale i shikon vetëm si një trampolinë për të kaluar në zgjedhje të parakohshme, sepse as pushteti lokal, as ai qendror nuk mund të funksionojnë me këtë qeveri. Meqë kemi këtë qëndrim, u kemi hapur rrugë orekseve të PS-së për kryetarë komunash dhe bashkish”, – u shpreh Gjinushi. Megjithatë, në fund të fjalës së tij, sërish kryesocialdemokrati theksoi faktin se ndarja e zonave elektorale nga Kryesia e PS-së nuk ishte e drejtë dhe se në të dominoi preferenca e liderit opozitar Rama në përzgjedhjen e kandidaturave për kryetarë bashkish apo komunash. Përzgjedhja e bërë nga kryesia socialiste dhe kreu i saj Edi Rama për kandidatët zyrtarë për kryetarë bashkish apo komunash nuk është pritur mirë jo vetëm nga baza socialiste, e cila detyroi kryesocialistin të shtynte dy herë mbledhjen e kryesisë për zyrtarizimin e emrave, por edhe nga vetë aleatët më tradicionalë të selisë rozë. Kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, akuzoi kryesocialistin Rama dhe PS-në për një përzgjedhje kandidatësh në mënyrë tepër preferenciale dhe në mungesë të plotë të zbatimit të një sërë marrëveshjesh që ishin përfolur më parë me aleatët në lidhje me zonat të cilat mund të mbulonin kandidatët e tyre në këto zgjedhje vendore.
Gazeta Standard