- Home
- Shqipëria
- Bota
- Politika
- Mafia
- Shke-Tek
- Italiano
- Ekonomi
- Biografi
- Automobili
Lexuar 4139Xhelozia për pushtet i ka bërë të dyja partitë (PD e PS) që të harrojnë në praktikë çështjen çame, duke u thyer para trysnisë greke.
PD, kur ishte në pushtet, nuk zgjidhi asgjë për çështjen çame, ndërsa kur vjen në opozitë merr përsipër detyra që nuk mund t’i zgjidhë për Çamërinë pa një aktivitet mbarëshqiptar…
Le të mburret PD-ja sa të dojë për zgjidhjen e çështjes çame, jo me atë që ka në program, por me atë që ka bërë deri në fund të shekullit XX me vepër.
Fjalët, siç dihet, janë për elektorat, ndërsa veprat i respekton historia.
Çështja çame është një bulevard kombëtar, ku duhet të vijnë përpjekjet e të gjitha partive shqiptare, të merret i gjithë Kuvendi dhe mbarë diaspora shqiptare për t’i bërë ballë ndeshjes demokratike në institucionet e së drejtës ndërkombëtare me Greqinë nga gjumi letargjik që e ka futur Çamërinë deri në fillim të shekullit XXI.
Po të kishte një të djathtë të vërtetë, me pronarë investues të mirëfilltë shqiptarë, me intelektualë të një botëkuptimi progresiv, me ideal kombëtar, nuk do të ndodhte që kjo e djathtë, kur ishte në pushtet, të firmoste traktatin e miqësisë shqiptaro-greke, pa hequr ligjin e luftës; nuk do të miratonte rikthimin e Janullatosit në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare dhe as nuk do t’i lejonte të bëheshin pronarë të tokave minoritarët grekë. Prandaj e djathta ka nevojë të kalojë një test veprimesh që e përfaqësojnë realisht dhe jo formalisht si të tillë.
Edhe Enveri, në vitet 1944-1947 e trajtoi problemin çam politikisht, ndërsa në praktikë, në kancelaritë evropiane nuk depozitoi asnjë kërkesë juridike për të drejtat e tyre, madje as në Kuvendin Popullor nuk u shtrua asnjëherë kjo çështje. Po gjatë viteve 1990-2000, cila parti e ka bërë kur ka qenë në pushtet?!
Në plan të parë kanë qenë armiqësia PD-PS, duke lënë mënjanë, ose trajtuar sa për të larë gojën, sidomos gjatë fushatave elektorale, zgjidhjen e çështjeve të tilla kombëtare, aq sa edhe mendësitë e huaja janë bllokuar me këtë “evoluim” homogjeniteti të “genit” shqiptar.
U bashkua në një komb SHBA, që ka farën e qindra geneve, lobi grek apo çifut u bashkuan dhe punuan për kombin e tyre, po ne shqiptarët çfarë po bashkojmë? Partinë e të Drejtave të Njeriut, gjithë multietnikësh?!
Kur të jenë bërë “telef” PD me PS, atëherë kombet e tjera të Lindjes kanë shkuar në Perëndim me objektivat e tyre kombëtare, kurse pasardhësit tanë të vonuar nga injoranca jonë politike do të na ironizojnë me këto diversitete të shëmtuara.
Së treti, a duhet të futet çështja çame nëpër labirintet e politikës pragmatiste?
Pertef Myftari, ish-pilot i shquar i aviacionit, tashmë një i moshuar e fisnik në pamje, i pafjalë e mjaft i kulturuar, edhe pse ka një të kaluar mjaft të ndershme e aftësi profesionale, nuk dëshironte të shkruaja për të, jo thjesht për modesti të shtirur, por sepse jeta e ka zhgënjyer mjaft dhe i pëlqen ta pijë atë kafenë pa zhurmë e në qetësi midis miqsh.
Megjithatë, nuk mund të rrijë pa përmendur një episod nga të shumtat që ai ka…
“Ka qenë ndër studentët e parë të aviacionit shqiptar, nga të sapodalët nga Lufta Nacionalçlirimtare, – më tregon Çobo Skënderi (ish-pilot i Klasit të parë) me çiltërsinë e tij dashamirëse… – E shikon ashtu Pertefin, tashmë të plakur, por të merrte gjak në vetull si gjatë luftës, dhe po ta prekje pak në dinjitet. I ati i Pertefit në kohën e Zogut, ka qenë prefekt edhe në Përmetin tënd. Kur erdhi koha e Luftës Nacionalçlirimtare, u hodh në radhët e saj pa e pyetur as babanë e vet, ndonëse edhe tani i ka vath në vesh fjalët e tij…
Kur Pertefi u regjistrua në shkollën e Aviacionit në Beograd, gjatë viteve të para të çlirimit, kur marrëdhëniet me sllavët e Jugut ishin tejet “vëllazërore”, një oficer serb, në bisedë e sipër i thotë Pertefit se “S’ka Shqipëri! Ka vetëm Jugosllavi!”. Pertefi, pa hezituar, ia këput me grusht duke e shtrirë përtokë oficerin serb. Menjëherë filluan masat nga pala shqiptaro-jugosllave, duke e përjashtuar nga partia dhe nga shkolla.
Vetëm një oficer madhor malazez ndërhyri duke u thënë: “Ndaluni, këtë e kam studentin më të mirë”. Pas shumë peripecish, Pertefi mbaroi shkollën për pilot. Ai ishte një nga më të mirët. Mirëpo dardha e ka bishtin prapa, thotë populli, sepse hija e serbit e ndoqi prapa edhe në Shqipëri, pasojat e shoqëruan në kohën e marrëdhënieve me sllavët, që ai të spostohej me trajtesa që i kushtuan në jetën e tij.
Këtu e ndala z. Çobo për vazhdimin e jetës së z. Pertef, sepse doja që këtë episod të vogël ta vë në dukje, për moralin e shqiptarit të thjeshtë në vendet e huaja, kurse disa shqiptarë të rëndomtë na e ulin atë.
Edhe kur flasim sot për një politikë të integrimit paqësor në Evropë, rruga jonë do të kalojë nëpërmjet vlerave kombëtare, jo të na përbuzin, siç bëjnë fqinjët tanë.
Kur e pyeta një ish-studentin tim oficer, që pas reformave në ushtri kishte shkuar për punë në Athinë me gjithë familjen, m’u përgjigj: “Shpirti ma di, na shajnë dhe na poshtërojnë për çdo gjë. Sapo kërkoj një shtëpi me qira më thonë: ‘Po, po, palo arvanitas! Jashtë shqiptarët nga qyteti’. Pa folur për punët e rëndomta apo pagesën që na bëjnë”.
Më erdhi rëndë të pyesja më tej, por u trishtova mjaft kur më tha se çdo të keqe që e bëjnë të huajt e tjerë, rusë, rumunë apo vetë grekët, na e veshin neve shqiptarëve. Unë e njihja mirë këtë oficer, për ndershmërinë, aftësitë e tij dhe besova që ky ishte qëndrim grek ndaj shqiptarëve në përgjithësi.
Mendova në ato çaste… Greqia ka në ushtrinë e saj raketa, ndërsa ne arritëm të na shkrijnë edhe pistoletat, pa na kanë sjellë edhe një kompani të tyre në mes të Tiranës, na punësojnë dhe shfrytëzojnë oficerët tanë të shkëlqyer për të lyer shtëpitë e afendikonjve. Të vjen plasje! E pse? E dimë që reformat janë të dhimbshme, por jo antikombëtare. Kur Zogu shpalli se do të bënte reformë agrare, menjëherë Vërlacët u hodhën kundër tij dhe përkrahën Fan Nolin, të cilin e braktisën po kështu, sepse ky do të bënte një reformë agrare më të thellë sesa Zogu.
Kuptohet që reformat prekin interesat jetësore, po ato që bëri PD dhe PS në ushtri kanë qenë nga më të politizuarat, nga më të pastudiuarat, për të cilat kam shkruar veças më parë.
Politikanët e çdo spektri që të jenë, kur bëhet fjalë për reforma në ushtri, të kenë parasysh platformën kombëtare dhe jo spekulime partiake.
Më 1947 S. Zaharjadhi, edhe pse ishte në krye të PK Greke, internacionalist etj., në një miting të Athinës, në stadium, u shpreh: “Në qoftë se partitë e djathta janë dakord për Vorio-Epirin, partia jonë nuk do ta kundërshtojë”. Pra, edhe ky i quajtur komunist grek, nuk vuri asgjë përpara platformës së tij kombëtare, ndonëse ishte shovene.
Te ne partitë devijojnë nga rruga kombëtare, po të jetë se ato i presin rrugën për në pushtet, ose kur nuk duan të bëjnë lëshime reciproke, dialogë, mirëkuptime për çështje më madhore.
Si mundet që në Televizionin e djathtë ATN1, më 6 tetor 2000, për hir të politikës opozitare, të mbrohet PDNJ në Himarë? Pse PD më tepër ta gëzojë fitorja e minoritetit grek sesa e PS-së? Pse të intervistohet në ATN1 shqiptarja e greqizuar nga Dhërmiu, si dëshmitare e manipulimit të votave nga PS-ja dhe po kjo “dëshmitare” vajti edhe në Këshillin e Evropës, duke u bërë palë me opozitën greke në atë parlament? Përse duhet të shkruhej nga z. Jozefina Topalli, me cilësinë e nënkryetares së Kuvendit Popullor, në letrën e saj drejtuar Parlamentit të Evropës, për manipulime të votave të PS ndaj PDNJ në Himarë, apo në Vaun e Dejës?!
Kësaj i thonë për inat të sime vjehrre vete e fle me mullixhinë. Kjo është edhe për PS-në, të cilët lejojnë që multietnikët e PDNJ të na bëjnë ligjin në disa zona. Kur të vijë koha, kjo parti ka si mision të forcohet, aq sa një ditë do ta vendosë edhe “fatin” në pushtet të PD-së ose të PS-së, sepse atëherë do të ketë në duar çelësat e ekuilibrit ose të disekuilibrit tonë kombëtar.
Sfida e Himarës ishte tejet e rrezikshme, sepse, pasi të forcohej ekonomikisht, si e përkëdhelura greke, do të vijonte në Nartë e ndoshta në Tiranë. Ku ju çon mushka or, politikanë?! Më pëlqeu kur lexova një intervistë të Mimoza Ahmetit në gazetën “Shekulli”, më 8 tetor 2000, ku me sa bonsens demokratik analizon këtë kontradiktë politikash në Shqipëri. Ajo është shprehur se “Jusuf Vrioni ka të drejtën morale e materiale t’ju tregojë vendin këtyre përfituesve të rinj, që ecin duke sharë njëri-tjetrin dhe ata që dëmtojnë çështjen tonë kombëtare”. Prandaj dhe vëzhguesit ndërkombëtarë luajnë me dinjitetin tonë shqiptar, sepse nuk ua kemi vënë kufijtë për çështjet tona të brendshme, por rrëfehemi si te prifti, apo bëjmë si foshnjë dhjetëvjeçare e demokracisë.
Kaluan vitet e mbylljes së shekullit XX në emër të demokracisë, që në fakt ishin kaotikë, iluzione të reminishencave të metodave komuniste për të mbajtur apo ardhur në pushtet. Shembja e sistemit komunist ishte vetëm në drejtim të përfitimit vijues nga dështimi i mirëqenies artificiale të programuar, por që la prapa një psikologji të sëmurë deri në faza çmendurie. Terapia që na bënë të huajt është më tepër simulante sesa kurative.
Të gjitha mësimet m-l filozofike, ideologjike, sociologjike kishin droguar shoqërinë tonë, duke mos përjashtuar edhe ata politikanë që morën përsipër të bënin kthesën historike të demokracisë.
Si pasojë, mbas 50 vjet izolim u gjetëm të befasuar në njohjen, zhvillimin e zbatimin e vlerave të demokracisë së vërtetë. Mjaft personalitete politike, apo njerëz të shquar të Shqipërisë, pas viteve ’90 nuk ishin gjë tjetër veçse pjellë e atij sistemi të dështuar që i kishte bashkautorë të konsolidimit të së kaluarës dhe pas kësaj ishin shpërblyer me tituj e privilegje. Ndryshe ndodhi në Poloni, Gjermani, Çeki, Bullgari etj. ku fillesat demokratike i morën në dorë disidentët e vërtetë ndaj ndërgjegjes komuniste.
Njerëzit e shquar, disidentët e vërtetë ishin ndalur që në vitet 1944-1945 në Shqipëri, ndërsa ata që u quajtën të persekutuar politikë ishin të atrofizuar nga informacionet e kohës komuniste. Kështu që në vitet 1990-2000 një marrëveshje po të bëhej mbarëshqiptare për të pleqëruar, jo eksperimentuar, ardhmërinë shqiptare, do të sillte jo vazhdimin e luftës së klasave, por një ecuri dialogimi e tolerancash reciproke…
Militantët e PD-së e treguan paaftësinë e tyre në administrimin e pushtetit, diaspora shqiptare, tepër e përçarë dhe pa vizion kombëtar, të përndjekurit apo të arratisurit politikë u kënaqën me kërkesa ekonomike si shpërblim, pronat e ligjshme u çoroditën nga ligji për tokën i tipit ramizist.
Këto e mjaft të tjera që po jetojmë na sollën këtë varfëri ekonomike, që e lamë në vitin 1945. Në këtë suazë shqiptare, kur po bisedoja me një shokun tim të fëmijërisë, mbas shumë vjetësh, kuptova që ishte bërë qind për qind grek (nënën dhe babanë nga Dropulli) kur më tha: “E ke kot që shkruan për Çamërinë. Është utopike zgjidhja e çështjes çame në Greqi. Unë shkoj çdo javë për biznes në Athinë dhe ata e quajnë të harruar, bile edhe arvanitët nuk po e pranojnë gjenezën e tyre shqiptare…” “Po, pse, – i thashë i revoltuar, këtij hibridi grek, – çështja çame qenka utopi, ndërsa minoritarët në Shqipëri janë realitet?” M’u përgjigj: “Tani fjalën e ka ekonomia, sepse Greqia është aq e fortë ekonomikisht, sa e dobët është Shqipëria dhe, si e tillë, nuk fiton dot asnjë çështje të saj kombëtare”.
Kishte parasysh dhe gjendjen politike të brendshme në Shqipëri, luftën PD-PS etj. për të cilat nuk ia vlente të ndalesha, por një gjë i thashë: “Greqia i ka borxh Shqipërisë Çamërinë, gjakun dhe miliardat e dollarëve, që ajo i ka shfrytëzuar asaj prej vitit 1913 apo të paktën prej vitit 1944…” Me këtë synim i shkrova këto shqetësime, për të kuptuar sa dëme i sjell çështjes çame kjo politikë partiake shqiptare dhe çfarë gëzimi ndiejnë misionarët e Greqisë për të na parë gjithmonë të përçarë politikisht dhe të varfër ekonomikisht.
Së katërti, hershmëria e historisë shqiptare fle nën tokë.
Dëgjoja një mbrëmje të tetorit 2000, profesorin e arkeologjisë shqiptare, Myzafer Korkurti, kur fliste në TVSH me pasion për studimet në fushën e tij.
Të them të drejtën, ndonëse është punuar diçka në këtë fushë, përsëri jemi të vonuar për atë çka ka nevojë të armatoset historia e popullit shqiptar nga sulmet heleno-sllave që nuk reshtin asnjëherë me keqdashjen e tyre.
Me ekipet miks shqiptaro-britanike në Butrint, me francezët në Apoloni dhe Bylis, me amerikanët etj. shkenca e arkeologjisë më në fund ka gjetur vetveten. Trojën nuk e zbuloi ndonjë arkeolog grek, por gjerman, ndërsa ato zbulime të Ugolinit apo Gjeçovit nuk u thelluan sa duhet për kulturën e Komanit, Trenit, Maliqit etj., nga investimet tepër të pakta që u bënë në fund të shekullit XX.
Dëgjoj me kënaqësi për Sovjanin e Korçës me hershmëri arkeologjike 2000 vjet para lindjes së Krishtit, për vendbanimet e para në Ballkan të epokës së bronzit “Palafit” në Maliq e Dunavec. Ka tri vendbanime në Shqipëri që janë të rralla në Evropë dhe këtë e miratojnë edhe arkeologët francezë të pranishëm. Flasin për zbulimet e Apolonisë dhe Bylysit arkeologët amerikanë. Harta e qytetit të Apolonisë me 140 ha. Përfshin në këtë zonë 6 vende paleotike… Një numër i madh zbulimesh nga të huajt kanë histori më të hershme në krahasim me vendet e tjera ballkanike.
Dalim në konkluzione paraprake: treva e Shqipërisë ka vlera përtej kufijve ballkanikë… Ajo zbulon vlera historike 20 000 – 30 000 vjet para lindjes së Krishtit, deri në themelitë e hershmërisë paleotike.
Kuptohet që të rejat arkeologjike në Shqipëri, ndonëse vijnë me ngadalë, janë të provuara me metodat shkencore të kohës për të argumentuar tezat teorike për hershmërinë e vendbanimeve tona.
Ato kanë për gjykim pjesëmarrësit më shkencorë nga shtetet më të zhvilluara, si: SHBA, Angli, Francë dhe që nuk të falin në këtë drejtim. Në Butrint buzë liqenit zbulojmë të dhënat e kohës se paleolitit… Në Xarë, Konispol, lashtësia del hapur në 40 000 – 30 000 vjet para lindjes së Krishtit. Pra, jo më si deri tani, Butrinti, Apolonia, Dyrrahu etj. e morën zhvillimin si koloni helene dhe na mbart vetëm një kulturë të tillë edhe më parë…
Etapa gjeologjike në liqenin e Butrintit është shtresëzuar në këto kërkime në vende diapolitet me dy pamje: pallati, banja, mozaikë shumë të mëdhenj, me vlera arkitektonike, sisteme ngrohje dhe vazhdimësinë e tyre në vitet 6-7 të erës sonë (Perandoria Bizantine).
Shkenca e arkeologjisë po fillon të flasë në Shqipëri dhe s’do kalojë shumë kohë që do të lënë gojëhapur botën e kulturuar, kur gadishulli i Ballkanit do të flasë ilirisht. Kështu në trasenë e vijës së korridorit VIII (Elbasan) janë zbuluar këto këmbë ure (M. Korkuti tregon foton e saj), të cilat janë 20 metra të larta, të ndërtuara 2000 vjet para vijës Egnatia. Sot konkurron për nga cilësia. Njëkohësisht shpreh një zgjidhje të përsosur inxhnierike të urës (beton romak), që është në të vërtetë objekt studimi.
Ndërsa në rrugën Kakavi-Gjirokastër-Tiranë ruajnë të dhëna lashtësie. Monumenti më i madh është ujësjellësi që furnizonte Dropullin.
Të vjen keq që një varr i zbuluar në Rrogozhinë është dëmtuar rëndë, i cili është i shekullit I-II të erës sonë. Edhe në Kosovë janë zbuluar mbi dhjetë pika të reja arkeologjike, që flasin për kohën e neolitit, 6000 vjet para epokës sonë (epoka e bronzit).
Janë zbuluar dhjetë tuma në Drinin e Zi, Pejë etj., që flasin për Dardaninë e hershme. Këto zbulime janë bërë në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Universitetin e Prishtinës.
Të vjen keq që pushtuesit sllavë fshehën ndër shekuj këtë kulturë shqiptare të Dardanisë shqiptare, sepse do të ishte, në fakt, vdekja e gjenezës së tyre ardhacake.
Për Çamërinë është i njëjti fat, zbulohet helenizmi dhe groposet pa dalë në dritë çdo vlerë arkeologjike që flet shqip. Megjithatë, nëntoka shqiptare, edhe pse e virgjër nga zbulimet e bëra në arkeologji, s’do të jetë e largët dita që kultura botërore do të ketë nevojë ta bëjë atë pronë të gjithë njerëzimit. Kur? Le të shpresojmë se shekulli XXI do t’ i japë zgjidhje duelit historik për hershmërinë midis kulturës helene dhe asaj ilire, kur të vërtetat e nëntokës do të flasin si këto të mësipërmet, që kanë filluar në vitin 2000.
Së pesti, historia fillon me fenë.
Kaq u desh, që të ngacmohej një diskutim midis miqsh, duke sjellë mjaft probleme për vetë rolin e besimit fetar në Shqipëri.
Ajo që ka rëndësi, është se fetë në Shqipëri e kanë zanafillën nga paganizmi, prandaj dhe rrënjët e tyre nuk lëshojnë dot fundamentalizëm të njëanshëm.
Natyrisht, ato mbretëri apo perandori që e kanë pushtuar Shqipërinë, e kanë mbështetur fenë e tyre duke dhënë privilegje për ata që e kanë përkrahur. Për këtë flet historia në periudhat përkatëse dhe argumentet janë bindëse, por çështja është se feja do njohur dhe interpretuar drejt dhe kjo në interes të kombit. Pse?
Feja nuk është thjesht spirituale (shpirtërore), por edhe një evoluim në përputhje me mirëqenien materiale. Ato, tashmë, në kohët moderne po interpretohen në dy komponentet e zhvillimit: të botës shpirtërore dhe të asaj materiale. Prandaj dhe njohja e teologjisë e ndihmon historinë, që të lexojë e të kuptojë librat e shenjtë, prej të cilave nxirren edhe dije me vlera shkencore (historianët enverianë, për 50 vjet u shkëputën nga kjo madhështi e lashtësisë).
Sot në Shqipëri po kërkojnë terren të ri edhe mjaft besime fetare të panjohura më parë, si për shembull “Dëshmitarët e Jehovait” apo “Bahaj”. Predikimet e tyre mundohen të vishen me argumente bindëse shpirtërore dhe shkencore. Bahaj, sipas tyre, është uniteti i të gjithë faktorëve të jetës njerëzore, uniteti i botës njerëzore në anën shpirtërore, sociale, ekonomike etj. Kështu arrihet paqja në botë, dashuria midis njerëzve, shmanget fundamentalizmi, jepet liria e individit etj. virtyte të njeriut. Koncepti unikal i saj është këndvështrimi shpirtëror dhe ekonomik i të gjitha feve të mëparshme duke mbërritur në kohët moderne të parimeve biblike të Bahajt.
Zoti është i panjohur dhe hyjnor. Asnjë nuk mund të perceptojë dhe ta përshkruajë të gjithëfuqishmin, që është vetëm një. Lexojmë në biblat e shenjta, të cilat japin si në një kurbë, që ka origjinën nga lindja e jetës mbi tokë me ngritjet dhe uljet e saj, po me tendencën e zhvillimit deri më sot.
Origjina njerëzore, sipas Biblës, nis me Adamin dhe Evën, vijon me Moisiun dhe shkrimet e shenjta të tij (që ndriçojnë ardhmërinë), pastaj Davidi etj. ku, pas një zhvillimi mijëravjeçar në tokë të njerëzimit, Zoti dërgon Krishtin për të drejtuar shpirtin njerëzor më përpara duke marrë përsipër mëkatet e deriatëhershme… Këtu fillon historia pas lindjes së Krishtit, ku zhvillimi i botës ecën midis luftërave dhe paqes. Vijmë në një periudhë historike më të zhvilluar, që arrin kulmin me Muhamedin dhe… pa u zgjatur, sot publikohet edhe Bahaj.
Krishti solli në dy mijëvjeçarët tanë profetët dhe zëdhënësit e tyre te njerëzit, që janë gjenitë. Asnjëherë zhvillimi shpirtëror nuk është ndarë nga ai ekonomik.
Sot zhvillimi i mbarë botës ekonomike kërkon edhe një zhvillim njerëzor të vetëm. Historianët i kanë përcaktuar zhvillimet në kohë, kanë përshkruar edhe pushtetin e fesë.
Në Greqi, pushteti i fesë ortodokse identifikohet me fundamentalizmin. Pse? Ka bërë vrasje në emër të saj. Nuk ka ndjekur rrugën e jetës, paqes dhe dashurisë midis njerëzve, siç shkruan Ungjilli.
Prova e zjarrit të Ferrit dhe Purgatorit (Dante Aligieri) është zbatuar në emër të Kishës Ortodokse për Çamërinë.
Në Iran u vranë 20 000 kundërshtarë të fesë së saj, si rezultat i së cilës lindi “Bahaj”, përballë fundamentalizmit islam. “Federexhioni”, besimi u trajtua si pushtet fetar i kishës.
Në Itali katolicizmi dogji në turrën e druve Xhordano Brunon. Nga Spanja dhe Anglia u nisën kryqëzata për në Lindjen e Mesme në emër të Kishës së Vatikanit, duke vrarë besimtarët myslimanë. Viti 2000 e gjen njerëzimin me një evoluim fetar, ku Papa Vojtila është bërë sintezë e paqes dhe e demokracisë në botë. Dënoi luftën ndaj kosovarëve dhe mbështeti të drejtat e Çamërisë për vatrën e tyre amtare.
Bahaj, në anën tjetër, është kundër pushtetit fetar, kundër dogmave.
Prandaj historianët kanë nevojë të njohin teologjinë, spiritualizmin, librat e shenjta, që mbushin arkivat e Vatikanit, Stambollit, etj, nëpërmjet reflektimit mbi këtë literaturë, që është nga më të vjetrat e historisë njerëzore.
Në Shqipëri sekti i bektashinjve i ka dhënë jetë shpirtit kombëtar dhe vlera të një patriotizmi të vërtetë. Po të lexosh dëshmitarët e saj në librin “Misticizma Islame dhe Bektashizma” e Baba Rexhepit (1995), ata janë bërë therorë nën moton “Për fe e për Atdhe”.
Nuk janë të paktë klerikët ortodoksë, myslimanë a katolikë në Shqipëri, që i janë kundërvënë pushtetit të fesë, kur ka ardhur puna te çështja kombëtare. E këta populli ynë i ka vënë në piedestalin kombëtar.
Më 28 tetor 2000, në qendrën kulturore në Tiranë u përurua libri për jetën dhe veprën e Haki Sharofit, një poliglot dhe atdhetar i shquar. Tezat e të nderuarit Haki kanë të bëjnë me çrrënjosjen e fanatizmit në Shqipëri; misionarët e fesë për të vërtetën, që feja islame të transmetohej në shqip e jo në arabisht etj. Çdo kombi feja duhet t’i flitet (predikohet) në gjuhën e vet. Pra, feja të vishet me rrobën kombëtare. Ishte kjo arsyeja që Ataturku këmbënguli që libri i fesë të ishte në turqisht, jo në arabisht (Kurani). Kjo nuk do të thotë që reformatorët ishin të pafe, por që të ecet në rrugën kombëtare, jo si një trashëgimi nga një komb në tjetrin. Kjo argumentohet se çdo vepër që nuk kuptohet, nuk ka vlerë, sepse e pohon me gojë, por kur nuk ia di kuptimin në gjuhën e kombit tënd, nuk i shërben dot atij.
“Zoti nuk di vetëm arabisht apo greqisht, ai di çdo gjuhë të botës”. Mbi bazën e këtyre koncepteve, këmbëngulte edhe Haki Sharofi, duke përkëdhelur ndjenjën kombëtare me anën fetare.
Atëherë, përse historianët të mos zbulojnë te fetë në Shqipëri ata misionarë që i kanë shërbyer kombit edhe me anën e predikimeve fetare, por të ndodh e kundërta, na marrin edhe përkatësitë fetare që i besojmë?! Feja nuk është si puna e partive; ajo ka një Zot të përbashkët në qiell dhe një ideal në si puna e partive; ajo ka një Zot të përbashkët në qiell dhe një ideal në tokë: atdheun, kombin.
Gazeta Metropol