Nipi sjell në atdhe eshtrat e Dëshmorit Shahin Toçi pas 72 vitesh

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 4680
BURREL – Më në fund, eshtrat e dëshmorit Shahin Toçi do të prehen në atdhe. Nipi i tij ka gjetur vendvarrimin në Itali pas shtatë dekadash dhe ka bërë të mundur rivarrimin në Varrezat e Dëshmorëve, Mat. Deri në vitet ’90-të, nuk mund të bëhej fjalë për një ndërmarrje të tillë, pa çka se autoritetet e kohës e kishin shpallur atë Dëshmor. Në vitin 1993, Shahin Toçi, nipi që trashëgoi emrin e xhaxhait, shtegtoi në Itali, me synimin e vetëm të gjente vendvarrimin e xhaxhait të vrarë në vitin ‘39. I ndihmuar nga vëllezërit, Osmani e Samiu si dhe kushërinjtë Hamit e Asllan Toçi, nisi kërkimet për gjetjen e varrit të Shahinit të parë. Në vitin 1993 ai kontakton me specialistët e një varreze myslimane në Verona të Italisë. Hyn në bisedime me ta dhe kërkon gjetjen e eshtrave të Shahin Toçit, vrarë në vitin 1939 në rrethana misterioze. Kanë kaluar disa vite për gjetjen e varrit. Ndërkohë, rreth vitit 2000, i riu nga Urxalla e Matit identifikoi varrin e xhaxhait dhe çdo përvjetor vendoste atje lule, duke u përulur me respekt mbi “strehën” e fundit të tij. Para disa ditësh, bëri të mundur rikthimi e eshtrave të xhaxhait në vendlindjen e tij të dashur. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, nipi i Shahin Toçit të vrarë në vitin 1939, sepse nuk pranoi të betohej para flamurit italian, Shahin Toçi i ri, zbardh rrethanat e martirizimit të dëshmorit të atdheut dhe përpjekjet e tij për gjetjen e vëndëvarrimit në Itali pas shtatë dekadash…

A ndjeheni i emocionuar në këto momente, kur keni sjellë në atdhe eshtrat e xhaxhait tuaj ?
Kurrë në jetën time nuk kam pasur gëzim më të madh. Emigrova pas viteve 1990 në Itali, vetëm me qëllimin e vetëm që të gjeja eshtrat e xhaxhait. U kisha thënë njerëzve të mi se do të lodhesha shumë për gjetjen e varrit të xhaxhait, por do ta realizoja synimin tim.

Kur e zbuluat varrin e Shahin Toçit ?
Kam trokitur në shumë zyra të shtetit italian dhe kam pyetur shumë njerëz. Pas viteve 2000, kam arritur të gjej në një varrezë myslimane në Verona varrin e xhaxhit tim. Drejtoresha e kësaj varreze, Mariela Longo, ishte e para që më dha lajmin e mirë ku ndodheshin eshtrat e xhaxhait. Së bashku me specialistët e varrezave, ajo gjeti sende që faktonin se këto eshtra i përkisnin Shahin Toçit.

Si vepruat më pas?
Fillimisht njoftova vëllezërit dhe njerëzit e tjerë të afërm. Ua kisha premtuar një gjë të tillë dhe e bëra realitet. Vit pas viti kam bërë homazhe dhe kam vendosur lule mbi varrin e Shahin Toçit. Kërkova të gjej rrugë që këto eshtra të preheshin në Shqipëri. Iu drejtuam me letra dhe kontaktuam me shumë zyrtarë të shtetit shqiptar dhe atij italian, por, deri para disa muajve, kjo gjë dukej e parealizueshme.

Kush ju ndihmoi që ëndrra juaj të realizohej ?
Së pari, më duhet të falenderoj Presidentin e Republikës, Bamir Topin, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, Qemal Minxhozin e Fatmir Toçin, ambasadorin e Shqipërisë në Itali, Llesh Kolën dhe  autoritetet italiane që më mbështetën në këtë nismë të vështirë.

Longa: Hera e parë që përjetoj emocione të tilla

Bashkë me Shahin Toçin, emigrantin nga Mati dhe specialistë të varrezave të Veronas, ka mbërritur në qytetin e Burrelit edhe drejtoresha e këtyre varrezave, drejtoresha Mariela Longa. “Ndiehem e emocionuar nga pritja që na u bë. Është hera e parë që vij në Shqipëri. Jam njohur me Shahin Toçin vite më parë. Ai erdhi pranë varrezave të Veronas dhe kërkoi të interesoheshim për varrin e Shahin Toçit, i cili ishte varrosur në vitin 1939. Në bëmë hapjen e disa varreve të atyre viteve dhe një ditë gjetëm eshtrat e Shahin Toçit. Është e para herë që gjejmë eshtrat e një njeriu pas kaq vitesh. Pashë gëzimin e familjarëve kur eshtrat mbërritën në Shqipëri dhe bashkë me ta u gëzova edhe unë”-nënvizoi Longa.

Ceremoni në qytetin e Burrelit për dëshmorin Shahin Toçi

Ceremoni festive në qytetin e Burrelit për kthimin e eshtrave të Dëshmorit të Atdheut Shahin Toçi në vendlindje. Në respekt të veprës dhe kontributit të tij kishin ardhur për të marrë pjesë ministri i Mbrojtjes Arben Imami, deputetët  e Kuvendit të Shqipërisë, Qemal Minxhozi, Fatmir Toçi dhe Bedri Hoxha, ambasadori i Shqipërisë në Romë, Llesh Kola, drejtues të pushtetit lokal etj. Pas homazheve në hollin e bashkisë,  eshtrat e dëshmorit Shahin Toçi u vendosën në Varrezat e Dëshmorëve të Matit. Në tubimin e zhvilluar në  Pallatin e Kulturës së qytetit, inxhinieri Italian, Veronas Dario Bunano, tha se kishte mbetur i mrekulluar kur kishte takuar për herë të parë Shahin Toçin, djalin nga Shqipëria që kërkonte me këmbëngulje të gjente eshtrat e xhaxhait që mbante të njëtin emër. Ndërkohë, nipi i Shahin Toçit ka falënderuar gjithë autoritetet dhe institucionet shqiptare e italiane për ndihmën e dhënë. Në fjalën e tij, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, tha se Shahin Toçi është krenaria e djalërisë dhe ushtrisë shqiptare. Në përfundim, nipi i dëshmorit Shahin Toçi mori “Medaljen e Artë të Shqiponjës”, me të cilën Presidenti Topi nderonte dëshmorin e atdheut, pas vdekjes.

Historia e Shahin Toçit-Studenti që u vra në mes të Romës për flamurin kombëtar

Ishte pasditja e 26 majit 1939 kur u gjend i vrarë në rrugën “Trastevere” në Romë, studenti shqiptar, Shahin Toçi, i cili pak ditë më parë kishte refuzuar të bënte betimin fashist në Akademinë Ushtarake. Vdekja misterioze e një të riu që guxoi të sfidojë autoritetet italiane pak ditë pas pushtimit të vendit tone, bëri jo pak jehonë në rrethet e shqiptarëve që jetonin në vendin fqinj. Shumë hipoteza do të hidheshin për shkakun e vdekjes, shumë pikëpyetje qëndronin rreth shkakut të saj, por e vërteta mbeti e pazbuluar. Shteti italian e arshivoi dosjen Toçi, ndoshta për të fshehur atë që kishte ndodhur realisht e që kishte lidhje me aktin e madh patriotik të këtij shqiptari nga Mati. Dy javë para se të gjendej i vrarë, Shahin Toçi kreu një gjest, i cili sot, në distancën e 70 vjetëve, rrezaton patriotizëm dhe burrëri të spikatur. Është pikërisht ai qëndrim i fortë prej shqiptari patriot, i cili ndoshta i kushtoi jetën, në mesin e një Italie të pushtuar nga ethet e fashizmit dhe të dominuar nga këmishat e zeza. Djaloshi Shahin Toçi ishte student në Romë, kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste. I rreshtuar, edhe për shkak të prejardhjes, në krah të Mbretit Zog, Shahin Toçi do të provonte një dilemë të fortë të brendshme, në ditët kur Italia do të pushtonte vendin tonë dhe kur i gjithë sistemi shqiptar i vlerave tradicionale do të hynte në krizë. Ishte i bindur se mes propagandës fashiste dhe në një largësi aq të madhe nga vendi, ngjarjet, faktet dhe e vërteta e pushtimit vinin të shtrembëruara, emotive dhe subjektive. Shahin Toçi do të shihte gjithë dëshpërim momentin kur kurora mbretërore shqiptare do të dorëzohej në Romë nga garda kombëtare, çka do të përjetohej nga ai si një tragjedi e brendshme. Megjithatë, Shahin Toçi diti të qëndrojë si një shqiptar i fortë edhe në ato ditë të vështira, edhe larg vendit të tij. Më fillim të majit 1939, studentët shqiptarë në Akademinë Ushtarake i mbledhin në një sallë të madhe, për të bërë betimin. Komandanti i Akademisë u foli studentëve për lidhjet e reja mes Italisë dhe Shqipërisë, i ftoi ata që të bënin betimin fashist, ku angazhoheshin se do të ishin në shërbim të plotë të Romës.

Sipas programit, betimi do të bëhej në një nga sheshet e kryeqytetit italian, në datën 13 maj 1939. Ditën e betimit, në një ceremoni të blinduar nga trupat italiane, ku merrte pjesë dhe nënsekretari i luftës, Pariani, studenti Shahin Toçi u paraqit me një shirit kuq e zi, mbi uniformën ushtarake italiane. Ky simbol krijoi pështjellim të dukshëm tek oficerët e lartë që ishin prezent në ceremoni, të cilët i kërkuan të riut nga Shqipëria të hiqte menjëherë shiritin kuq e zi. Ishte Gjeneral Pariani, ai që u habit më shumë nga ky gjest. “Ç’vlerë ka kjo uniformë, mbreti juaj ka rënë”, iu drejtua ai Toçit. “Edhe mbretërit mund të bien”, u përgjigj Shahin Toçi, “edhe uniformat mund të ndërrohen, por ky shirit mbetet”. Dëshmitarët e atij momenti tensioni thonë se Gjenerali italian heshti pas replikës së të riut. Në të kundërt, studentëve shqiptarë iu kërkua që të nesërmen të rreshtoheshin sërish për të recituar formulën e betimit fashist. Kur oficeri nisi të lexonte me zë të lartë tekstin, ajo që pasoi ishte një heshtje e thellë. U kujtua se studentët nuk kuptonin shqip, por në atë çast, Shahin Toçi doli nga rreshti dhe foli me zë të lartë: Zoti Gjeneral, ne jemi shqiptarë dhe betohemi vetëm para flamurit tonë kuq e zi!  Është e tepërt të thuhet se ceremonia u prish për herë të dytë. Aq sa të nesërmen, studentëve iu kërkua të paraqiteshin para një komisioni në Ministrinë e Luftës, për të firmosur (dhe jo thënë me zë të lartë), tekstin e betimit ushtarak fashist. Një dorë e kujdesshme e mbajti larg me forcë studentin Shahin Toçi tek dera e hyrjes: E dimë qëndrimin tuaj arrogant, ju nuk pranoheni këtu, iu tha atij në portat e Ministrisë së Luftës. Në këto kushte, studenti kurajoz kishte vetëm një ide fikse në kokë; të kthehej sa më parë në Shqipëri. Por nuk do ta realizonte dot dëshirën e tij. Një dorë e padukshme i mori jetën një natë të fund-majit 1939, në bujtinën ku banonte në rrugën “Trastevere”. Është pak ta quash një vdekje të dyshimtë, për nga mënyra sesi u konsumua dhe për nga mesazhi frikësues që mban brenda. Gjithsesi, humbja e Shahin Toçit ato ditë të para pas pushtimit fashist, shënon një ngjarje deri dje pak të njohur, e cila na tregon sesa shumëformëshe dhe komplekse ka qenë rezistenca e shqiptarëve ndaj pushtimit të vendit. Shahin Toçi është shpallur dëshmor i atdheut në vitin 2004 dhe ka marrë “Urdhërin e Flamurit” të klasit të parë në vitin 1994.
Hasan Pasha/Panorama

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 29/03/2011. Filed under Patriotët. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

One Response to Nipi sjell në atdhe eshtrat e Dëshmorit Shahin Toçi pas 72 vitesh

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.