Në Kujtim të Faik Konices – 15 MARS 1875

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 12024
Me rastin e 136 vjetorit të lindjes të Faik Konicës, përfaqësuesit më të shquar të lëvizjes politike dhe kulturore shqiptare, publicist, kritik letrar, diplomat  dhe veprimtar politik.
< strong>Faik Konica, përfaqësuesi i shquar i lëvizjes politike dhe kulturore.

Faik Konica, në 136-vjetorin e lindjes së tij (15 Mars 1875) përkujtohet si një nga përfaqësuesit më të shquar të lëvizjes politike dhe kulturore shqiptare. Publicist, kritik letrar dhe veprimtar politik, ai gjatë të gjithë veprimtarisë së tij, la gjurmë të gjithanshme e të thella në lëvizjen kombëtare, politike, ideore dhe kulturore shqiptare.

Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publiçist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar. Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, F.Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike. I lindur në Konicë, më 15 mars 1875 në një familje të vjetër feudale mësimet e para ai i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe dhe greke. Më vonë hyri në liceun perandorak francez të Stambollit për të kryer pastaj shkollën e mesme në Francë. Ndoqi studimet për filozofi në Dizhon dhe Paris. Fitoi disa konkurse, duke u nderuar me çmime për aftësitë e tij intelektuale jo të zakonta. Më 1912 u diplomua për letërsi në universitetin e Harvardit të SH.B.A. Faik Konica qysh i ri e lidhi jetën me veprën e tij dhe me lëvizjen kombëtare shqiptare. Pasi boton broshurën “Shqipëria dhe turqit” (1895) në Paris ai vendoset në Bruksel (Belgjikë), ku nxjerr revistën “Albania”, kjo revistë politiko-kulturore dhe letrare u bë organi më i rëndësishëm e më me autoritet i Rilindjes sonë. E botuar në gjuhën shqipe, frënge dhe pjesërisht turke, si një enciklopedi e vërtetë, ajo propogandoi për vite me radhë (1897-1909) programin e lëvizjes kombëtare shqiptare, historinë dhe kulturën e popullit tonë. Më 1909 F.Konica, si u mbyll revista “Albania” në Londër, i ftuar nga atdhetarët shkon në SH.B.A. ku drejton gazetën “Dielli” edhe më pas gazetën “Trumpeta e Krujës”.

Me themelimin e Federatës “Vatra”, më 1912 ai zgjidhet sekretar i përgjithshëm i saj. Faik Konica dhe Fan Noli, duke qenë udhëheqësit kryesorë të lëvizjes kombëtare shqiptare në SH.B.A., do të shkojnë në Londër për mbrojtjen e çështjes kombëtare në Konferencën e Ambasadorëve. Në kongresin shqiptar të Triestes (1913), që u mblodh për të kundërshtuar copëtimin e Shqipërisë nga armiqtë e saj, Konica u zgjodh kryetar. Gjatë Luftës së Parë Botërore dhe më pas, ai zhvilloi veprimtari të dendur diplomatike në dobi të atdheut, në Austri, Zvicër, Itali e gjetkë. Në 1921 u kthye në SH.B.A., ku u zgjodh kryetar i Federatës “Vatra”, po ndërkaq në vitet 20 u lidh dhe ndikoi në lëvizjen demokratike që zhvillohej në Shqipëri. Këtë do ta bënte nëpërmjet gazetës “Dielli” dhe “Shqiptari i Amerikës”. Me dështimin e Revolucionit Demokratik, me ardhjen e A.Zogut në fuqi, Konica u emërua ministër fuqiplotë i Shqipërisë në SH.B.A. Vdiq në Uashington në 14 dhjetor 1942. Sipas As. Prof. Fatmira Rama, njohja e veprës shumëplanëshe të Konicës, i ngjan një ajzbergu, të cilit mund t’i shohim vetem majën, pa ditur se çfarë fshihet nën ujë. Gjatë viteve 1925-1939, Konica shpalosi një publicistikë pjellore dhe ekspresive, duke iu kushtuar kryesisht kritikës politike dhe shoqërore. Me veprimtarinë e tij, Ai iu përkushtua sa lëvizjes kombëtare po aq dhe lëvizjes demokratike për një qytetërim perëndimor të Shqipërisë. Si i tillë, Konica mund të kuptohej dhe interpretohej drejt vetëm në klimën e një shoqërie pluraliste. Eshtë edhe kjo një nga arsyet e interesimit të thellë që ka ngjallur vepra e Konicës në ditët e sotme.

Idetë dhe veprimtaria e Konicës

Pas dështimit të Revolucionit të Qershorit të vitit 1924, ku Faik Konica dha kontributin e tij, ai do të paraqiste një alternativë të caktuar të zhvillimeve të ardhshme demokratike në vend. Kështu, Konica rrugën e zhvillimit demokratik e pa në alternativën e shndërrimeve, të reformave të njëpasnjëshme, në kuadrin e rritjes së pjekurisë politike të popullit shqiptar dhe të klasës drejtuese të tij. Ai ishte i bindur se, reformat duhej të ishin në kufirin e liberalizmës, se i vetmi shpëtim i kombit tonë ishte zhvillimi i tij, “për më tepër kuptim politik, më tepër dashuri për punë e rregull, më tepër butësi e bashkim”.

Duke shpalosur domosdoshmërinë e shkëmbimeve të mendimeve midis palëve kundërshtare, Konica lëshoi thirrjen: “Janë ca raste historike kur zëri i partive dhe i kundërshtimeve duhet të pushojë përpara një interesi më të lartë”.

Konica si ministër i shtetit shqiptar në SHBA ruajti autoritetin e këtij shteti, por asnjëherë nuk hoqi dorë nga shikimi kritik i realitetit të vendit të viteve 1925-1939. Ai goditi metodat për vendosjen e kontrollit të regjimit zogist në vend, burokracinë aq të dukshme, spekullimet e nëpunësve, gazetarët dhe redaktorët që i shërbenin parasës dhe jo idealeve demokratike. Një kritikë e tillë gjen vend në shkrimin “Shqipëria si m’u duk”, botuar tek “Dielli” 1929.

Veprimtaria e Konicës

Roli i Konicës duhet parë edhe si pasurues i kulturës kombëtare, si pubicist, si gjuhëtar e letrar, si historian, etnograf etj. Si historian, ai do të sillte ndihmesa të reja në pasurimin e tezave të autoktonisë së shqiptarëve, të trashëgimisë ilire të popullit tonë, të traditës së tij shtetformuese, të rolit të epopesë skënderbejane etj. Si “princi i gjuhës shqipe”, ai do të jepte ndihmesë të madhe edhe në formimin e gjuhës letrare shqipe. Por është pikërisht problemi kombëtar që ndikoi në parashtrimin prej tij të alternativave të veçanta për ecurinë dhe rrugët e zhvillimeve demokratike në Shqipëri në këto vite. Duke qenë shtet i gjymtuar përsa i përket tërësisë territoriale, Konica besonte se, shqiptarët nuk e kishin atë liri që të provonin, që të bënin ndryshime për shkak të rrezikut të madh të jashtëm.

Në vitet 1925-1939, ai do t’i kushtonte përsëri vëmendje çështjes së feve dhe klerit në Shqipëri, raporteve të tyre me shtetin dhe rolin e tyre si fe dhe jo si “axhensi politike”. Me vlerë të posaçme është vlerësimi që i bën ai rolit të shqiptarëve katolikë në lëvizjen kombëtare shqiptare. Bashkëkohësit e Konicës, miq dhe kundërshtarë, do ta vlerësonin lart personalitetin për potencialin dhe rrezatimin e tij në kulturën shqiptare.

Në lëmin e krijmtarisë së mirëfilltë letrare, penës së Faik Konicës i përkasin disa proza poetike, të cilat karakterizohen nga kulti i formës së kulluar artistike. Por vepra letrare artistike më e rëndësishme është novela ,”Doktor Gjilpëra që zbulon rrënjet e dramës së Mamurrasit”, botuar si nënfletë në gazetën “Dielli”. Në të kritikoi prapambetjen e jetës shoqërore dhe shpirtërore të vendit. Faik Konica ishte gjithashtu një nga nismëtarët e kritikës letrare. Ai vuri në dukje përparimin e poezisë shqiptare në veprën e Naimit dhe të De Radës, çmoi Asdrenin, Çajupin etj. Faik Konica, la edhe përkthime mes të cilave disa përralla nga “Njëmijë e një netë”, që u botuan në librin “Nën hijen e hurmave”.

Biografia

Faik Konica lindi më 15 mars 1876 në Konicë; vdiq në Uashington në 14 dhjetor 1942. Rrjedh nga një familje e vjetër feudale. Mësimet e para i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe dhe greke. Mësoi në Shkodër, Kostatinopojë, Francë dhe SHBA. Ishte bir i derës së famshme të bejlerëve të Konicës. Nga e ëma binte gjak me Ali Pashë Tepelenën edhe pse vetë kurrë nuk e ka pohuar. Fliste frëngjishte të kulluar. Më vonë hyri në liceun perandorak francez të Stambollit për të kryer pastaj shkollën e mesme në Francë. Ndoqi studimet për filozofi në Dizhon dhe Paris.
Më 1912 u diplomua për letërsi në universitetin e Harvardit të SHBA me medalje ari, ndërkohë që është cilësuar nga miqtë e tij si “biblioteka lëvizëse”. Fitoi disa konkurse, duke u nderuar me çmime për aftësitë e tij intelektuale jo të zakonta. Faik Konica qysh i ri e lidhi jetën me veprën e tij dhe me lëvizjen kombëtare shqiptare. Pasi boton broshurën “Shqipëria dhe turqit” (1895) në Paris ai vendoset në Bruksel (Belgjikë), ku nxjerr revistën “Albania”, kjo revistë politiko-kulturore dhe letrare u bë organi më i rëndësishëm e më me autoritet i Rilindjes sonë. E botuar në gjuhën shqipe, frënge dhe pjesërisht turke, si një enciklopedi e vërtetë, ajo propogandoi për vite me radhë (1897-1909) programin e lëvizjes kombëtare shqiptare, historinë dhe kulturën e popullit tonë. Më 1909 Konica, si u mbyll revista “Albania” në Londër, i ftuar nga atdhetarët shkon në SHBA ku drejton gazetën “Dielli” edhe më pas gazetën “Trumpeta e Krujës”. Me themelimin e Federatës “Vatra”, më 1912 ai zgjidhet sekretar i përgjithshëm i saj. Faik Konica dhe Fan Noli, duke qenë udhëheqësit kryesorë të lëvizjes kombëtare shqiptare në SHBA, do të shkojnë në Londër për mbrojtjen e çështjes kombëtare në Konferencën e Ambasadorëve.

Në kongresin shqiptar të Triestes (1913), që u mblodh për të kundërshtuar copëtimin e Shqipërisë nga armiqtë e saj, Konica u zgjodh kryetar. Gjatë Luftës së Parë Botërore dhe më pas, ai zhvilloi veprimtari të dendur diplomatike në dobi të atdheut, në Austri, Zvicër, Itali e gjetkë.
Në 1921 u kthye në SHBA, ku u zgjodh kryetar i Federatës “Vatra”, po ndërkaq në vitet 20 u lidh dhe ndikoi në lëvizjen demokratike që zhvillohej në Shqipëri. Këtë do ta bënte nëpërmjet gazetës “Dielli” dhe “Shqiptari i Amerikës”. Me dështimin e Revolucionit Demokratik, me ardhjen e Ahmet Zogut në fuqi, Konica u emërua ministër fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA. Ministër i oborrit mbretëror në SHBA (përfaqësues i Shqipërisë), Konica ishte një pianist i shkëlqyer dhe një shkrimtar gjenial. Ai mbahet si krijuesi i prozës moderne shqipe. Çdo krijues i letërsisë shqiptare që vjen pas tij mund vetëm të quhet nxënës i tij.

Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publiçist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar. Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike.

Çfarë pasurie la Faik Konica pas vdekjes?

Disa nga këto kureshti na i zbulojnë dy letra të shkruara vetëm pak ditë pas vdekjes së intelektualit të madh.
30 dhjetor i viti 1942. Faik Konica është ndarë nga jeta 14 ditë më parë. Në legatën e Zvicrës në Uashington, W. de Bourg, kryetar i Këshillit të Ministrave, i shkruan një letër Fan Nolit. Disa persona janë interesuar për sendet personale të Konicës.
Fill pas vdekjes, 10 ditë më vonë, me 24 dhjetor (Konica vdiq me 14 dhjetor 1942), një zonjë dhe dy zotërinj kanë mbërritur në zyrat e legatës zvicerane në Uashington dhe interesohen për pasurinë e tij.
Zotërinjtë quhen Peter Tiko dhe Shefqet Bença, ndërsa zonja thirret “Zonja Graham”. Zotërinjtë janë paraqitur sipas udhëzimit të Fan Nolit dhe në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës. Por asgjë nuk ka shkuar në fund. Drejtuesit e legatës nuk kanë ndërmarrë veprime, pasi dy personat e interesuar janë paraqitur pa letërnjoftim e pa letër kredenciale. Duke mos e vënë në dyshim se borxhet e të ndjerit do t’i paguajë federata Panshqiptare, ata kanë vendosur që të zbrazin apartamentin e tij dhe sendet personale t’i ruajnë deri pas luftës, ose derisa gjërat të zgjidhen me trashëgimtarët.
Fjali gati zyrtare, por që na zbulojnë detaje të panjohura.

Përmes tyre mësojmë se Konica kishte lënë një shtëpi në Uashington, të mobiluar dhe me sendet personale që kishin një vlerë të konsiderueshme e që duhej të ruhej. Po ashtu, kishte lënë pasaportën, disa xhevahire, pak para e gjëra të tjera me vlerë jo shumë të madhe.
Aty shprehet qartë se Konica ishte në borxhe në momentin kur vdiq dhe shpresohej që këto borxhe t’i paguante federate Panshqiptare. Thuhet qartë se personi i interesuar ishte Fan Noli, i cili kishte udhëzuar edhe dy personazhet që të shkonin në legatën zvicerane të interesoheshin.
Po ashtu, jepet edhe sugjerimi për një zgjidhje të mundshme, pasi është kohë lufte dhe ende nuk është zgjidhur çështja me trashëgimtarët e Konicës.
Letra e plotë e botuar pa shkurtime, na rrëfen gjithë imtësitë. E kemi shkëputur nga dosja me numër 238 që i përket vitit 1942. Është përfshirë si shtesë fondi në vitin 2003, në fondin e Fan Nolit me numër 14. Vijon si më poshtë:

Letra 1

Legata e Zvicrës Uashington D.C. 30 dhjetor 1942
I Përndershmi Fan S. Noli
26 Blangden Street
Boston mass.
Fort i ndershmi peshkop Noli
Kam nderin të ju njoftoj se më 24 dhjetor, Zonja Graham erdhi në këtë zyrë e shoqëruar nga zoti Peter Tiko dhe zoti Shefqet Bença, lidhur me vdekjen e ministrit shqiptar në Shtetet e Bashkuara.
Dy zotërinjtë theksuan se kishin ardhur këtu sipas udhëzimit tuaj dhe në emër të Pan Albania Federation of America ( Federatës Panshqiptare të Amerikës) për ta vendosur pasurinë e zot. Konicës. Meqë ata nuk kishin me vete as letër njoftimi e as letër kredenciale, unë këtë çështje e shqyrtova në prezencën e zonjës Graham.
Meqë Zvicra po e përfaqëson Shqipërinë në Shtetet e Bashkuara me cilësi gjysmëzyrtare, unë u pajtova të ndihmoj me qëllim për t’i mbrojtur interesat e parashtruara. E di se Federate Panshqiptare do t’i pagojë të gjitha borxhet e të ndjerit.
Unë rekomandova që apartamenti i zot. Konicës të zbrazet e gjërat të strehohen deri pas lufte, apo derisa e tërë çështja të mos zgjidhet pas konsultimit me trashëgimtarët. Për qëllime mbrojtëse plaçka e shtëpisë të depozituara mund të vihen në emër të legatës, e pagesat e depozitës të paguhen nga Federata Panshqiptare.
Pasaporta e zot. Konicës, si dhe xhevahiret, paratë dhe gjërat e tjera me vlerë më të vogël, mund të depozitohen në këtë zyrë me marrjen në dorëzim të Zonjës Graham,
Meqë personat e lartpërmendur asgjë tjetër nuk thanë lidhur me këtë çështje, do të kisha qenë mirënjohës të kem sugjerimet tuaja dhe mundësisht, pajtimin e Federatës Panshqiptare.

Ndihma për të varrosur Konicën

Ndërsa një telegram i shkruar 4 ditë pas vdekjes së Konicës, dhe dy ditë para se ai të varrosej në Boston, na zbulon edhe detaje të tjera nga ajo që mund të quhet gjendja financiare e Konicës në vitet e fundit të jetës së tij. Duket ndihmat e shumta në para në emër të çështjes kombëtare, të nxjerra mbase dhe nga xhepi i tij, si dhe kushtet e jetesës në ato kohë të vështira e angazhimesh të shumta, e kishin çuar Konicën drejt një gjendjeje të vështirë ekonomike. Shpesh Konica përmend në letrat e tij dërguar Nolit shuma parash që ia niste në momente të caktuara, kur Noli vërtitej nëpër Evropë, ndërsa ndiqnin idealet e planet e tyre politike e atdhetare.
Sidoqoftë, në momentet e fundit, Konica duhej të ishte zhytur në borxhe. Edhe shpenzimet për varrimin e tij, ishin përballuar nga ndihmat e mbledhura prej komunitetit të shqiptarëve në Amerikë.
Këtë na e dëshmon ky telegram ngushëllimi dërguar peshkop Nolit nga një grup shqiptarësh në Virginia, ku mes të tjerash ata theksojnë se kanë dërguar një shumë prej 73 dollarësh si dhe pjesën e shpenzimeve të varrimit dhe në si kontribut nga shqiptarët e Weirton-it.
Telegrami i plotë vijon si më poshtë:

Telegram
WEIRTON, WEST Virginia
(Virgjinia perëndimore)
18 dhjetor b1942
Nevrus Staria, C/O Peshkop fan S. Nolit,
26 Blagden Street, Boston Mass.
“Me anë të kësaj po i dërgojmë shtatëdhjetë e tri dollar s’bashku me ngushëllimet tona të sinqerta me rastin ne vdekjes së Faik Konicës dhe pjesën e shpenzimeve të varrimit që i e dhanë si kontribut shqiptarët e Weirton-it”
“Po ashtu, vatra Branch of Weirton (Vatra dega e Weirton-it) me këtë rast u riorganizua për të dëshmuar sinqeritetin dhe bashkëpunimin me peshkop Nolin
“Përshëndetje të gjithë anëtarëve të bashkësisë. Përshëndetje të posaçme peshkop Nolit për përpjekjet e tij patriotike dhe përfaqësimet që i bëri në ministrinë e punëve të jashtme përkitazi me njohjen e qeverisë shqiptare në mërgim”.
Vatrës, Diellit
Boston, Mass.
Nënshkruar C.CDe Kallarati dhe Sulo Kapshtiza

Në fjalën e lamtumirës ditën e varrimit

Ai ishte njeri me dituri të lartë. U shkollua në shkollat frënge dhe diplomoi në College de Lisieux, Universiteti i Francës. Më vonë magjistroi në Universitetin e Harvardit në gjuhët romane. Ai nuk ishte i kënaqur me titujt, prandaj gjatë tërë jetës së tij mblodhi dhye lexoi libra dhe kurrë nuk harroi atë çka lexoi. Në të vërtetë ai ishte një enciklopedi e gjallë.
Në moshën 26 vjeçare ai filloi të boton revistën Albania (Shqipëria) në Bruksel, në Francë dhe Shqipëri dhe ai atë e vazhdoi së botuari gjer më 1910 kur erdhi në Amerikë. Revista e tij është thesar i historisë, letërsisë, filologjisë dhe folklorit shqiptar. Ajo është e shkruar në një stil të bukur dhe është vepra më jetëgjatë që ai na la. Universiteti i Harvardit ka në posedim tërë koleksionin në Widener Library, ku ajo mund të rishkrohet (shqyrtohet). Në Amerikë ai punoi si redaktor i gazetës shqiptare “Dielli” dhe si kryetar i Federatës Shqiptare “Vatra”. Lidhur me punën e tij gazetareske, ju të gjithë e dini se ai nuk ishte tamam engjëll, meqë ai ndonjëherë pendën e tij e zhyste në acid viriolik vërtet në mënyrë allafrënga, përpos së gjithash askush nuk është i përsosur, dhe ne do të lejojmë që të shkuemet të jenë të harrueme. Më 1926 ai u emërua Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë nga mbreti Zog dhe ai mbeti në atë detyrë deri më1939, vit fatal kur Shqipëria u pushtua nga Italia.

Veprimtarinë e tij publiçistike e letrare F.Konica e zhvilloi kryesisht në shtyp, në revistën “Albania” ai botoi vjersha, proza poetike, skica, tregime, portrete, ese, artikuj të ndryshëm etj. Përgatiti dhe përmbledhjen letrare “Kandili i kuq”, por nuk mundi ta botojë. Në të vërtetë nga Konica nuk kemi asnjë libër të botuar, me përjashtim të vëllimit me përralla të përkthyer “Nën hijen e hurmave”(1924). Krijimtaria e tij ka mbetur e shpërndarë në shtypin e kohës dhe një pjesë është e papërfunduar. Prej tyre duhen veçuar si vepra të rëndësishme proza e gjatë satirike, “Doktor Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurasit”, cikli i tregimeve “Kater përralla nga Zullulandi”, udhëpërshkrimi “Shqipëria si m’u duk…”. Ai la në dorëshkrim anglisht veprën “Shqipëria – kopshti shkëmbor i Evropës jug-lindore” dhe ese të tjera, e cila u botua pas vdekjes (1957).
Në trashëgimninë e Konicës vendin kryesor e zë publiçistika. Ai paraqitet si një nga themeluesit dhe mjeshtrit e publiçistikës shqiptare. Për afro gjysëm shekulli ai shkroi me qindra artikuj, pamflete, polemika, shënime, ese etj. të cilat i botoi në organet që drejtonte vetë. Tema qëndrore e publiçistikës së Konicës në revistën “Albania” do të jetë ajo atdhetare, problemet e lëvizjes kombëtare, fati i Shqipërisë, rrugët për çlirimin kombëtar etj. Nga ana tjetër, ai do t’i kushtojë vëmendje të posaçme ndriçimit të historisë së popullit shqiptar, zbulimit dhe propagandimit të vlerave të tij etno-kulturore, e veçanërisht krijimit të një gjuhe letrare shqipe.
Pas shpalljes së Pavarësisë publiçistika e Konicës, e botuar në gazetën “Dielli”, do të merret me çështje të mprehta të kohës që lidheshin me aspiratat e përpjekjet për krijimin e një shteti modern shqiptar, me luftën kundër prapambetjes ekonomiko-sociale, me stigmatizimin e mendësive dhe praktikave të vjetra e anakronike etj. Ai ishte për një shoqëri shqiptare të emancipuar dhe kërkonte që Shqipëria, si pjesë e Evropës, të mendonte e të punonte në shembullin e saj.

Publiçistika e Konicës shquhet jo vetëm për problematikën e pasur, por edhe për nivelin e lartë mjeshtëror. Ajo karakterizohet nga patosi atdhetar dhe nga shqetësimi qytetar, siç dallohet edhe për forcën e argumentimit dhe aftësitë e shquara shprehëse. Tipari kryesor i saj është fryma satirike, fryma stigmatizuese dhe mohuese ndaj prapambetjes, injorancës, së keqes.
Faik Konica është krijuesi i kritikës sonë letrare, që së bashku me Nolin i hapën rrugën asaj në kulturën shqiptare. Ai shkroi një varg artikujsh teorikë letrarë si “Arti i të shkruarit”, “Ca këshilla për artin e shkrimit”, “Kohëtore letrare shqipe” etj. të cilat shënonin një kontribut për orientimin dhe zhvillimin e letërsisë shqiptare. Por ndihmesa e tij në këtë fushë bëhet më konkrete me artikujt dhe reçensionet që boton për autorë dhe vepra të letërsisë sonë bashkëkohore. Kështu ai vlerëson lart shkrimtarë si Jeronim De Rada, Jul Variboba, Naim Frashëri, inkurajon autorët e rinj të kohës, Çajupin, Asdrenin, Filip Shirokën etj.
Faik Konica kishte kërkesa të larta ndaj letërsisë dhe shkrimtarëve. Duke i vështruar në raporte të drejta përmbajtjen dhe formën, si dy komponentë që s’mund të ndahen nga njëri-tjetri, ai i jepte përparësi formës si e vetmja mënyrë për të shprehur sa më mirë përmbajtjen. Në këtë vështrim i kushtonte rëndësi të madhe gjuhës shqipe, pasurimit dhe përpunimit të saj. Ai vetë dha shembullin e një mjeshtri të vërtetë të gjuhës. Me të drejtë Noli e quan atq “kryelëronjësi i gjuhës sonë” dhe “stilist i përkryer”.
Faik Konica zë një vend të merituar në letërsinë tonë të Rilindjes dhe të Pavarësisë, jo vetëm si publiçist dhe kritik letrar, por edhe si shkrimtar me individualitet të spikatur krijues. Megjithëse trashëgimnia e tij e mirëfilltë letrare është e kufizuar, ai ka vepra me vlera të çmuara. Pena e talentuar e Konicës provoi me sikses dhe lëvroi pothuaj gjithë gjinitë dhe llojet letrare, prozën e poezinë skicën dhe skeçin, prozën poetike dhe prozën historike, tregimin dhe novelën. E frymëzuar nga historia dhe jeta shqiptare ai u përpoq të krijonte një letërsi me koncepte bashkëkohore, me vizion të ri, me shije të lartë, larg modeleve të vjetëruara:
Vepra e tij letrare me nivelin e saj të lartë artistik dëshnon atë të vërtetë tanimë të njohur se në art nuk është kurdoherë sasia ajo që përcakton vlerën e një shkrimtari.

Faik Konica, në radhë të parë është prozator, por ai shkroi edhe poezi, sidomos në fillimet e krijimtarisë së vet. Në faqet e revistës “Albania” botoi vjershat “Gjuha jonë”, “Flamuri”, “Kushtrimi ose Marsejeza e shqiptarëve”. Duke u bërë jehonë ideve atdhetare dhe kryengritjeve të popullit shqiptar në prag të Pavarësisë, me tone luftarake dhe patos atdhetar, me figura të goditura retorike, eci në traditën e letërsisë së Rilindjes. Të njohura janë dhe vjersha satirike “Anadollaku” dhe lirika “Helena e Trojës”.
Proza artistike e F.Konicës do të nisë me një varg prozash poetike si “Një liqen”, “Anës liqenit”, “Bora”, “Malli i mëmëdheut” etj. Sadoqë me tematikë të kufizuar ato pasqyrojnë tërthorazigjendjen shpirtërore të një intelektuali atdhetar dhe mallin për vendlindjen. Të shkruara me një gjuhë të bukur e ndjenjë të hollë, me mbresa e detaje të goditura, këto proza mbeten shembuj, në llojin e tyre në letërsinë tonë. Të përafërta me prozat poetike qëndrojnë portretet letrare që krijoi Konica mbi disa figura të shquara të historisë shqiptare si: Abdyl Frashëri, Naim Frashëri, Jeronim De Rada, Ali Pashë Tepelena, At Shtjefën Gjeçovi etj. Ato dallohen për aftësinë e autorit në përvijimin e saktë dhe të hijshëm të karakterit të tyre, portretit shpirtëror e fizik të dhënë qartë dhe në mënyrë lakonike.
Prozës së shkurtër të F.Konicës i takojnë dhe disa skica letrare dhe rrëfenjëza që ai i quan përralla si “Urika”, “Në dritë të hënës”, “Ai që ishte gati të vdesë për Shqipërinë” etj. me tematikë atdhetare ose përrallat “E bija e mbretit dhe trëndafilat”, “I urti i malit” etj. shkrime këto plot fantazi nga bota e legjendave.
F.Konica është i pari që lëvroi në prozën tonë esenë, një lloj letraro-publiçistike, me mundësi të reja shprehëse. Nëpërmjet tyre, ai parashtroi mendime origjinale, ngriti probleme të rëndësishme, të kohës, tregoi për diturinë e gjerë që zotëronte. Një nga esetë më të bukura është “Jeta dhe librat”, ku, duke dhënë gjykime për vlerën e librit në jetën e njerëzimit, i bëhet një analizë ideo-artistike tragjedisë së Eskilit “Prometeu i lidhur”.

Në trajtë esesh Konica ka shkruar veprën “Shqipëria- kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore”. E hartuar për lexuesin e huaj, shkrimtari i jep atij një encikolopedi të vogël për Shqipërinë dhe popullin e saj. Të dhjetë esetë, nga të cilat përbëhet libri përbëjnë një mozaik të historisë dhe kulturës shqiptare, të gjuhës e të letërsisë, të botës shpirtërore dhe psikologjisë së shqiptarëve. Me një informacion të gjerë dhe njohje të thellë, duke harmonizuar objektivitetin shkencor me një rrëfim të këndshëm autori nxjerr në pah individualitetin dhe natyrën e popullit shqiptar jo vetëm parë në vetvete, por edhe në kuadrin ballkanik dhe evropian.

Doktor Gjilpëra

Vepra më e rëndësishme letrare e Konicës është padyshim proza e gjatë satirike “Doktor Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurasit”. Ndonëse e pakryer, ajo përfaqëson tiparet më karakteristike dhe vlerat e tij si shkrimtar në përmasa të gjera.
“Doktor Gjipëra” u shkrua dhe u botua në gazetën “Dielli” në vitin 1924. Ishte koha kur kish triumfuar Revolucioni i Qershorit dhe në gjirin e shoqërisë shqiptare zhvillohej një luftë e ashpër politike, para saj shtroheshin probleme jetike si: zgjidhja e formës së regjimit, reforma agrare, demokratizimi dhe modernizimi i aparatit shtetëror, emancipimi kulturor kombëtar etj. Vepra e Konicës është pjellë e kësaj kthese socialhistorike që sapo niste në jetën e popullit tonë. Autori mori shkas nga vrasja e dy qytetarëve amerikanë në Mamuras, që organizoi reaksioni feudal. Konica krimin e Mamurasit nuk do ta vështronte si një rast të veçuar, po si një ngjarje me kuptim të gjerë shoqëror, ku mplekseshin interesa e synime të qarqeve të caktuara dhe shfaqej lufta politike e kohës. Kjo ngjarje do të zgjonte idealet liridashëse dhe iluministe të shkrimtarit dhe do ta frymëzonte krijimin e një vepre, që do të hidhte dritë dhe do të përgjithësonte realitetin shqiptar bashkëkohor.
Heroi i veprës është Doktor Gjilpëra, një intelektual i ri shqiptar që kryen studimet për mjekësi në Rusi e Suedi dhe ndodhet para alternativës: të qëndronte jashtë, ku e priste një karrierë plot prespektivë apo të kthehej në atdhe e të ndihmonte në mëkëmbjen e tj, veçanërisht në përmirësimin e shëndetit të popullit. Ai vendos të kthehet në Shqipëri, atdhedashuria triumfon mbi interesat vetjake.
Autori duke ndjekur vijën e jetës së heroit do ta përshkruajë atë në dy etapat kryesore: koha e qëndrimit jashtë atdheut dhe koha e ardhjes në Shqipëri. Në qoftë se etapa e parë është njohja me doktor Gjipërën, etapa e dytë, që përbën trungun e veprës është pjesa më e rëndësishme, që bart dhe mishëron idetë e shkrimtarit. Jeta e heroit larg atdheut është dhënë në plan përshkrues, duke evokuar episode dhe gjendje të ndryshme shpirtërore, që nxjerrin në pah natyrën, interesat dhe karakterin e intelektualit shqiptar. Ai është në radhë të parë, atdhetar i bindur, njeri me kulturë të gjerë, mjek i pregatitur dhe human, i zgjuar dhe plot vullnet e vendosmëri. Janë këto cilësi, që e bëjnë atë të kthehet në atdhe.
Kthimi në Shqipëri e ve doktor Gjilpërën përballë një realiteti tronditës dhe shtron para tij probleme që përfshijnë pamje të ndryshme të jetës shqiptare. Brenda një kohe të shkurtër, ai njihet me gjendjen e mjeruar të popullit, me padrejtësitë që bëhen në kurriz të tij, me aparatin shtetëror, ku mbizotërojnë arbitrariteti, drama, intrigat, me nëpunës injorantë e anadollakë. Në këtë shtet tragjiko-komik, opozitën e përbëjnë njerëz që s’kanë asgjë të përbashkët me ligjin dhe moralin.

Vendin kryesor e në vepër e zënë raportet që vendos doktor Gjëlpëra me kategori të ndryshme të shoqërisë shqiptare, me përfaqësuesit e tyre më tipikë. Në këto marrdhënie zbulimi social-psikologjik që bën autori, është i ndërsjelltë, nga një anë përvijohet gjithnjë e më qartë karakteri dhe botkuptimi i doktor Gjëlpërës, ideali i një njeriu evropian, atdhetarizmi dhe humanizmi i një njeriu të emancipuar, ndërsa nga ana tjetër, vizatohen figura të ndryshme të qarqeve zyrtare të parisë të rretheve intelektuale. Veçanërisht figura e doktor Gjëlpërës del mjaft e qartë përballë dy kolegëve të tij, dr.Embrullahut dhe dr.Protogor Dhallës. Më shumë, se në rethana pune, ata i njohim në biseda e debate, si tipa shoqërorë të kundërt me heroin, me koncepte dhe praktika të ndryshme mjekësore. Ndërsa doktor Gjëlpëra është njeriu i mjekësisë moderne, partizan i natyrës, i helioterapisë (dielli, uji, ajri) që mendon se natyra është mjeku i parë i njeriut, dy mjekët e tjerë paraqiten anakronikë, janë mishërim i dogmës mjeksore të shkëputur nha jeta e parimet e shkencës. Bota e vjetër në këtë vepër përbëhet jo vetëm nga dy mjekë, por dhe nga figura të tjera negative. I tillë është ministri Salemboza, përfaqësues tipik i forcave të prapambetura e antikombëtare, tipi i tiranit anadollak, intrigant e dinak, i zgjuar e i shkathët. Kurse mjedisi dhe mendësia orientale e parisë së kryeqytetit gjejnë shprehjen e tyre në figurat e agallarëve tiranas siç janë Muhedin Agai e Zylfikar Agai.
Në atmosferën e zymtë të jetës shqiptare të kohës autori ndesh dhe njerëz të mirë, të dalë nga populli, që ngjallin simpati e nderim. Mbeten të paharruara në mendjet e lexuesit dy vajzat fshatare, plaku martaneshas, polici i doganës, Arifeja, Ali Bibi. Megjithë një lloj skepticizmi që ndihet në paraqitjen e tyre, ata dalin në një dritë të ngrohtë, me vlera të vërteta njerëzore, me bukuri e pastërti shpirtërore, me zakone fisnike. Mendimi i shkrimtarit është se populli, duke qenë i paditur dhe i papërpunuar, ka nëvojë të stërvisë shpirtin dhe mendjen.
“Doktor Gjëlpëra” është një vepër e fuqishme satitike. Duke pasur parasysh realitetin e rëndë shqiptar, mendësitë e anakronike e jetën e prapambetur, autori u kundërvihet atyre, i tall dhe i godet pa mëshirë. Qëndrimi ideoemocional mohues bën që në faqet e veprës të ndihet qesëndia dhe ironia, satira dhe sarkazma. Ata shfaqen e mishërohen me forcë artistike në skena dhe personazhe, në situata dhe portrete tepër të goditura. Përdorimi mjeshtëror i detajit, plasticiteti i gjuhës, ngjyrimet që merr fjala, e bëjnë satirën e Konicës, origjinale e të natyrshme.

Tema dhe problematika e mprehtë shoqërore, fryma mohuese e disa prej dukurive shoqërore dhe notat e fuqishme satirike e bëjnë “Doktor Gjëlpërën” një vepër me tipare të shquara realiste. Konica sjell kështu një ndihmesë të rëndësishme në pasurimin dhe forcimin e realizmit në letërsinë shqiptare.
Nga pikpamja kompozicionale, edhe pse vepra është e papërfunduar, janë hedhur linjat kryesore dhe është përcaktuar edhe thelbi i figurës së heroit. Mund të themi se ajo përbën hyrjen e një romani që Konica për arsye të ndryshme nuk e çoi deri në fund. Vepra është e pasur me lëndë jetësore, e ngarkuar me ngjarje e biseda, me detaje të shumta. Këto kanë sjellë ngathësimin e aksioneve dhe njëfarë proleksiteti.
Te “Doktor Gjëlpëra” Konica provon edhe njëherë atë që ka thënë Noli për të se ai është krijues i prozës moderne shqiptare. Kjo duket si në konceptimin e veprës edhe në mjeshtërinë e rrallë, të përdorimit të gjuhës. Gjuha e Konicës është e pasur, e bukur, e fuqishme, me ndërtime e struktura sintaksore thjesht shqipe. Në prozën e gjatë ajo shërben për individualizimin dhe zbulimin e karaktereve të personazheve.
F.Konica është një nga stilistët e rrallë të gjuhës shqipe. Ai zbatoi parimin se ekonomizimit të fjalës, të lakonizimit të saj, duke synuar hijeshinë, saktësinë, thjeshtësinë dhe elegancën.
Ndikimi i personalitetit të Konicës si artist dhe erudit është i ndjeshëm në letërsinë dhe kulturën shqiptare.

Katër Përralla nga Zullulandi

Faik Konica u mor edhe me tregime, prej të cilëve vlen të përmendet cikli “Katër përralla nga Zullulandi”. Tema që ai trajton në të, është origjinale me një subjekt disi të veçantë dhënë në një plan, kryesisht satirik. Ngjarjet dhe personazhet e çojnë lexuesin në Afrikë, por disa nga problemet dhe shqetësimet nuk janë të huaja për shoqërinë shqiptare të kohës. Ai tregon për Zullutë, për një popull të prapambetur të Afrikës, të shtypur nga kolonizatorët e huaj, që ndodhet në një nga udhëkryqet e historisë së tij. Bijt e tij më të mirë aspirojnë e përpiqen për një jetë të lirë dhe shtet të pavarur. Por rruga drejt lirisë së vërtetë nuk është aq e lehtë, aq më tepër për popullin e Zullulandit që, ndonëse plot energji dhe kulturë origjinale, nuk e ka fituar plotësisht ndërgjegjjen kombëtare. Ai është në kërkim të udhëheqësve të vet, që do t’i prijnë në luftë, dhe kjo përbën boshtin e veprës. Lëvizja e zulluve ka nxjerrë dy udhëheqës të mundshëm, të cilët qëndrojnë në pozita krejt, të kundërta. Deni-Zulla-Sepia dhe Plugu. I pari është një politikan aventurier, mashtrues e demagog, përfaqësues i interesave të ngushta të tribuve, që bën lojën e të huajve dhe përpiqet për një lëvizje të ngushtë mbi baza fisnore që e mban popullin në skllavëri. I dyti Plugu është udhëheqësi i vërtetë i popullit; që pa bujë, me një mençuri të heshtur synon e punon të krijojë një lëvizje të vërtetë kombëtare në Zulluland. Ai përpiqet t’i kthejë “zullutë nga një turmë e përgjakur në një komb me dinjitet dhe atdheun në një vend të bashkuar, të lirë, të qytetëruar e me nder”. Vetë emri Plug i heroit të veprës është kuptimplotë, përderisa kërkon e lufton të plugojë mendjen e popullit të paditur, të zgjojë e ta drejtojë atë në rrugëë të mbarë. Mirëpo njerëzit e vendit të tij nuk e kuptojnë, nuk e besojnë, madje e fyejnë dhe e kërcënojnë, janë gati ta ndëshkojnë. Autori vë në dukje dramën e këtij idealisti të pastër dhe besnikërinë e tij ndaj ineresave të atdheut. Skenat masive, debatet në kuvendet e krerëve, manifestmet plot zhurmë e bujë të turmave theksojnë pozitën dhe gjendjen e rëndë shpirtërore të Plugut. Konica si njohës i historisë së popujve dhe psikologjisë së njerëzve ka kapur me mprehtësi dhe e ka kthyxer në objekt trajtimi artistik një dukuri historiko-sociale: ekzistencën e turmës si një masë e pavetëdijshme e zhveshur nga aspirata kombëtare, e pushtuar nga instikte shkatërruese. Një masë e tillë, në jetën e popujve të pazhvilluar siç paraqiten zullutë, bëhet lehtë pre dhe viktimë e demagogëve dhe sharlatanëve politikë, e njerëzve si Sepia që i shfrytëzon për qëllime të mbrapshta. Turma e ndërsyer, përshkruhet nga shkrimtari nëpërmjet situatave tragjikomike, që arrijnë kulmin, kur Plugu tregon të vërtetën dhe masa ngrihet kundër tij. Tregimi mbyllet me një mendim skeptik, kur Plugu, i dëshpëruar, pohon: Desha të lëroj shkëmbin. Dhe prej këtij çasti ai braktis atdheun dhe merr rugën e mërgimit.
Mesazhi i veprës është ky: të punohet për ta ngritur popullin, për ta ndërgjegjësuar, për ta pluguar mendjen dhe vetëdijen e tij, në mënyrë që të dallojë të vërtetën nga gënjeshtra, të mirën nga e keqja. Në këtë vështrim, rol të veçantë i jepet punës, si faktor zhvillimi dhe emancipimi në jetën e njeriut dhe të shoqërisë.
“Katër përralla nga Zullulandi” është një vepër me vlera të spikatuara ideoartistike. Falë mjeshtërisë narrative dhe sensit të masës autori arrin të krijojë atmosferën e jetës politike, të zbulojë mekanizmin e luftës që zhvillohet, të japë patosin e saj, veçanërisht të vizatojë me penelata të sigurta figurat e udhëheqësve dhe të turmës. Nga ana tjetër, të derdhë humorin e tij të hidhur, të stigmatizojë hidhur të keqen me satirë dhe sarkazmë, të rrëfejë e të përshkruajë me një gjuhë të shkathët karakterizuese dhe lakonike.
Gazeta Dielli

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 15/03/2011. Filed under Përkujtimore. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

One Response to Në Kujtim të Faik Konices – 15 MARS 1875

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.