50 vite frymë

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 6786
Instrumentat frymorë të shkollës “Prenkë Jakova” në 50 vjetorin , një eveniment i rëndësishëm jo vetëm për shkollën artistike, për qytetin e Shkodrës me tradita të shquara në fushën e artit dhe kulturës, por për të gjithë Shqipërinë dhe hapësirën gjithë shqiptare. Emri i Prenkë Jakovës dhe tradita që ka krijuar ky institucion i ka dhënë shkollës artistike “Prenkë Jakova” përmasa kombëtare.

50 vjetori i shkollës artistike “Prenkë Jakova” është një eveniment i rëndësishëm, jo vetëm për shkollën artistike, për qytetin e Shkodrës me tradita të shquara në fushën e artit dhe kulturës, por për të gjithë Shqipërinë dhe hapsirën gjithë shqiptare. Emri i Prenkë Jakovës dhe tradita, që ka krijuar ky institucion, i ka dhënë shkollës artistike “Prenkë Jakova” përmasa kombëtare. Nuk ka qenë e lehtë të krijojhej një institucion edukues dhe kulturor para viteve 90-të, siç është kjo shkollë, që pavarësisht në censurë totale, arriti të shkruajë vetë historinë me nxënësit dhe stafin e saj pedagogjik. Në këtë kontekst instrumentet frymorë, krahas sektorëve të tjerë siç janë harqet, piano, kanto dhe lëndët teorike, kanë patur dhe vazhdojnë të kenë një rol shumë të rëndësishëm në historikun e kësaj shkolle. Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe për veglat frymore, të cilat kanë tabanin në Shkodër. Në vitin 1878 Maestro Giovani Canale, italian nga Napoli, krijoi “Bandën e parë muzikore” në 1878, në periudhën e sundimit otoman. Krijimi i kësaj bande shënon edhe fillimin  e një “revolucioni” artistik jo vetëm për Shkodrën, por për të gjithë Shqipërinë, pasi janë hapat e para, kur Shqipëria e pushtuar kulturalisht po tentonte të ndryshonte gjeopolitikën kulturore, për t`iu bashkuar  vendeve të përparuara perëndimore, nga ku kanë lindur dhe janë zhvilluar këto instrumenta. Krijimi i kësaj bande ka një rëndësi jo vetëm artistiko-kulturore, por edhe politike dhe gjeopolotike.

Shkodra, qyteti i Rozafës, qyteti ku është krijuar banda e parë është mirfilli, qyteti i kulturës, i këngës, pikturës, fotografisë, bicikletës së parë, pianos së parë etj, qyteti i filozofisës dhe i humanizmit.

Në Shkodër, arti dhe kultura kanë shtëpinë e vet. Këngët popullore-qytetare shkodrane janë të njohura në të gjithë hapsirën shqiptare për muzikalitetin e tyre arketipial. Shkodra ka luajtur gjithmonë një rol të rëndësishëm për ndryshimin e paradigmës së të menduarit dhe asaj kulturore.

Krahas muzikës popullore në Shkodër është krijuar edhe opera e parë “Mrika” e kompozitorit Prenkë Jakova. Shkodra është e shquar edhe në fushën e artit serioz, muzikës instrumentale dhe vokale serioze. Në Shkodër janë luajtur koncertet e para vokale dhe instrumentale nga artistët e kohës, që në vitet 30-të të shekullit të kaluar.

Krahas figurave të shquara të muzikës në Shkodër si Martin Gjoka, Prenkë Jakova, Tonin Harapi dhe Cesk Zadeja, figura e Palok Kurtit, ish kompozitorit të shquar shkodran, është gjithashtu e lidhur jo vetëm me këngët shkodrane, por ai ka qenë edhe dirigjent bande. Ja si shprehet aktori Lec Shllaku për artistin e madh:

“Me muzikën e Palok Kurtit në Shkodër, në qytetin ma muzikor të Vendit tonë, zu fill muzika e re e popullit shqiptar. Kompozitori i madh i hyni rrugës së lirimit të saj nga landët e hueja të Mesjetës bizantine e t’Orientit. Përsosi e plotësoi ahengun, ngriti bandën e parë frymore e formacionet e para të muzikës së letë e të vallzimit europian, bazë partiturash e instrumentash moderne. Organizoi edhe arsimin muzikor në qytet”. (Lec Shllaku, 2005)

Muzika shkodrane, kultura e saj e naltë, krijimi i bandës së parë muzikore dhe historia e Shkodrës 2400 vjecare, padiskutim janë të lidhuar edhe me hapjen e shkollës artistike “Prenkë Jakova”.  Tradita e instrumenatave të frymës që ka pasë Shkodra, ka ndikim e saj edhe tek arritjet e këtyre instrumentave në shkollën artistike.

Por krijimi i shkollës së muzikës pati një rol shumë të rëndësishëm për përhapjen e artit muzikor në përgjithsi dhe përhapjen e instrumenteve frymore në vecanti. Shkolla e muzikës u bë misionarja e përhapjes së artit. Profesorët dhe nxënësat e saj në periudhën para viteve 90-të ishin të parët, që me artin dhe idetë e tyre përhapën idetë liberale, i kënduan ideve të lirisë së shprehjes dhe mendimit të lirë nën një çensurë totalitare.

Viti 1961 është një datë e paharruar për qytetin e Shkodrës. Ky vit shënon fillimin e mësimit muzikor në Shkodër. Në vitin 1973 inagurohet godina aktuale e shkollës artistike “Prenkë Jakova”. Këto data që janë evenimente të rëndësishme, marrin vlera historike dhe kanë ndikuar shumë në ndërgjegjësimin shpirtëror të qytetit të Shkodrës, në pasurimin e vlerave kulturore të këtij qyteti.

 

Banda e shkollës Prenkë Jakova drejtues Lekë Gjergji

Në Janar të vitit 1971, ka filluar mësimi për mësimin e instrumenteve të tunxhit si trombë, corno, trombon. Një rol shumë të rëndësishëm për përhapjen, edukimin dhe formimin e artistëve të ardhshëm për instrumentet e tunxhit, ka pasur profesor Lekë Gjergji. Pasi mbaroi Konservatorin në Tiranë, profesor Leka punoi me përkushtim prej intelektuali dhe ndikoi për zhvillimin e këtyre instrumenteve, jo vetëm në Shkodër, por edhe në të gjithë Shqipërinë e veriut. Kontributi i tij është i padiskutueshëm në këtë fushë.

Ja si shprehet profesor Lekë Gjergji për fillimet në instrumentet e tunxhit (profesor Lekë Gjergji ka pak ditë që është ndarë nga jeta):

“Fati e solli, që unë të isha profesori i parë në shkollën e mesme të muzikës, në qytetin e Shkodrës. Tradita muzikore në përgjithësi dhe ajo instrumenteve të frymës në veçanti ishte pothuaj njëqind vjeçare. Kjo traditë e vjetër për mua ishte një sinjal shumë i qartë për përgjegjësinë time. (Lekë Gjergji 2011).

Mësuesët e veglave të tunxhit në shkollën artistike kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në mësimin dhe përhapjen e këtyre e veglve. Ato janë: Lekë Gjergji, Sokol Marku, Qamil Gjyrezi,  Gaspër Cuni, Vlash Raskaj, Ardian Bardeli, Shemsedin Vendreshaj, Petrit Koceku, Abdullah Salobegu, Karlo Radoja, Admir Lekaj.

Krahas veglave të tunxhit një vend shumë të rëndësishëm në historikun e shkollës artistike “Prenkë Jakova”, kanë edhe veglat e fiatit. Mësuesaët e veglave të fiatit gjatë 50 viteve janë:

Muhamet Grimci, Tish Mirdita, Matish Troshani, Andrea Marko, Ahmet Ujkashi, Lisen Bashkurti, Jakin Nenshati, Prenkë Mrishaj, Valbona Bushati, Alma Krroqi, Roland Guli, Bruna Keci, Agron Rexha, Indrit Kodraliu, Agron Grami, Rrok Jaku, Bert Naraci.

 

Klasa e Trombës, Trombonit dhe Cornos

Instrumenti i trombës është shumë i vjetër. Tromba është një instrument shumë popullor dhe jep mesazhe të mëdha artistike, psikologjiko-sociale.

Edhe tek ne instrumenti i trombës ka historinë e vet. Nga burimet arkeologjike dhe nga vargjet e poetëve grekë dhe latinë del mjaft qartë, se muzika ilire ishte zhvilluar shumë në të gjitha drejtimet që njohu muzika antike në përgjithësi.

Në viset dardane u krijuan formacione frymore që janë quajtur “Gojdare”. Gojdarët dardanë kryenin një aktivitet të dendur muzikor, si brenda Ilirisë, ashtu edhe jashtë saj. Kronisti italian Segredo në shekullin e 15-të flet për vlerësimin e madh, që iu bë një koncerti të Gojdarëve dardanas në viset romake (Isak  Shehu, 1987)

Klasa e trombës ka krijuar një traditë shumë të mirë në shkollën artsitike. Sic shkrova ma lart me pasionin e madh të profesor Lekës filluan të dalin edhe istrumentistët e parë të Trombës. Me gjithë vështirësitë për literaturë perëndimore, instrumenta dhe informacion, profesor Leka u përpoq me të gjitha mjetet të mësonte instrumentistë të mirë. Tromba është instrument shumë i dashur, veçanërisht për Shkodrën. Mbas vitit 1982 kam filluar punën si mësues i instrumentit të trombës dhe solfexhit. Jam përpjekur që të çoj më përpara traditën shumë të mirë, që e kishte filluar profesor Lekë Gjergji, duke u përpjekur për të sjellë disa ide të reja për kohën.

Ja si shprehet profesor Leka për mungesat që është përballuar në vitet e para të punës:

“Mësimi i veglave të tunxhit ka filluar në kushte jashtëzakonisht të vështira. Shkolla nuk kishte asnjë prej këtyre instrumenteve. Faleminderit shtëpisë së kulturës, që na lejoi të përdorim instrumentet e shtëpisë së kulturës”. ( Lekë Gjergji 2011).

Tromboni në Shkodër dhe Shqipëri nuk ka ndonjë traditë të madhe, por mbas hapjes së shkollës së muzikës, u fut në programet e këtij institucioni.

Klasën  e trombonit e ka filluar gjithashtu Lekë Gjergji. Edhe në instrumentin e Trombonit, ai punoi me një përkushtim të veçantë dhe si rezultat dolën edhe studentët e parë si p.sh: Luan Borova, Sokol Marku, Lekë Tusha etj. Por një rol shumë të rëndësishëm për zhvillimin e këtij instrumenti ka Sokol Marku, drejtori aktual i shkollës artistike. Ai e ka drejtuar klasën e Trombonit mbas viteve 1982, me shumë kompetencë dhe profesionalizëm. Si rezultat i një pune plot pasion dhe përkushtim filluan të dalin nxënësat e parë të tij, të cilët më vonë u bënë profesorë dhe instrumentistë të njohur. Mbas viteve 90, disa nxënës të Trombonit, kanë studiuar në shkollat e përparuara në Sh.B.A dhe Europë.

Klasa e Cornos është fillur nga profesor Lekë Gjergji. Studentët e tij më të mirë Gaspër Cuni dhe Vlash Raskaj e çuan më përpara traditën e mirë të krijuar në këtë instrument të rrallë.

 

Klasa e flautit, oboes, klarinetës dhe fagotit

Klasa e Flautit në shkollën artistike asht filluar nga profesor Tish Mirdita. Tish Mirdita me profesionalizëm dhe përkushtim intelektual nxori edhe nxënësat e parë të këtij instrumenti.

Flauti është instrument muzikorë i familjes së të drunjtave. Në Shqipëri edhe ky instrument nuk ka pasur ndonjë traditë të veçantë, përveç disa iniciativave, të cilat i përmenda më lart në grupe amatore dhe iniciativave personale. Historiku i tij fillon në Shkollën e muzikës “Prenkë Jakova” me hapjen e këtij institucioni.

Duhet përmendur edhe kontributi i flautistit dhe mësuesit Jakin Nenshtati, i cili punoi me një përkushtim të veçantë, për përhapjen e këtij instrumenti.

Oboe është një instrument shumë i rëndësishëm i veglave të drurit. Ashtu si edhe instrumenti i flautit, ky instrument kaq i dashur dhe i rrallë, nuk ka pasur ndonjë historik të mirëfilltë në Shqipëri.

Klasa e oboes është krijuar nga Tish Mirdita. Pavarësisht se ishte flautist, Tish Mirdita ka nxjerë intrumentistët e parë në këtë instrument, të cilët më vonë u bënë profesorë në Shkollën artistike “Prenkë Jakova”, p.sh.  Andrea Marko dhe instrumentistë të cilët luajnë në formacionet serioze shqiptare, siç është Teatri i  Operas dhe orkestra e Radio Televizionit në Tiranë. Profesor Andrea ka punuar me shumë përkushtim dhe profesionalizëm, për mësimin e Oboes. Ai është përpjekur sistematikisht, që të zhvillojë dhe të çcojë përpara instrumentin e Oboes, si në planin teknik ashtu edhe interpretativ.

Klarineta është një instrument muzikor i familjes së të drunjtave. Klarineta ka një traditë më të hershme në Shqipëri dhe në Shkodër.

Klasa e klarinetës është filluar nga muzikanti i vjetër shkodran Muhamet Grimci, por historikun e vërtetë të këtij instrumenti e ka filluar mësuesi shumë i pasionuar Matish Troshani. Më një përkushtim të madh dhe dëshirë për ta çuar këtë instrument në nivelet më të larta, nga klasa e profesor Matishit, dolën instrumentistët e parë të klarinetës, të cilët u bënë jo vetëm mësues të këtij instrumenti në shkollën artistike Prenkë Jakova, sic ishte Ahmet Ujkashi, por u bënë dhe instrumentistë dhe solistë të shquar, jo vetën në planin lokal, por edhe në atë kombëtar.

Fagoti është instrument i veglave të frymës së të drunjta. Fagoti u shfaq në formën moderne në shekullin e 19-të në orkestra, banda, dhe në literaturën e muzikës së dhomës. Edhe fagoti nuk ka pasur ndonjë traditë të madhe në Shqipëri, por ky instrument u fut vetëm me hapjen e shkollës së muzikës në Shkodër në programet e edukimit muzikorë.

Klasa e fagotit është krijuar nga mësuesi Rrok Jaku. Profesor Rroku me shumë profesionalizëm nxori instrumentistët e parë, që më vonë studiuan në “Institutin e arteve”, sot Akademia e arteve dhe që më vonë u bënë profesorë në Shkollën artistike “Prenkë  Jakova”. p.sh Lisen Bashkurti. Një rol të rëndësishën për klasën e fagotit ka luajtur edhe profesor Prenkë Mrishaj, i cili është edhe mësues aktual i këtij instrumenti në shkollën artistike. Profesor Prenka ka punuar me përkushtim të veçantë për rritjen e nivelit artistik tek instrumenti i fagotit.

 

Banda e shkollës artistike “Prenkë Jakova” dhe muzika e dhomës në 50-vite

Falë iniciativës së mësuesit shumë të pasionuar Lekë Gjergji u ngrit “Banda e parë e shkollës artistike”. Gjithashtu me bandën muzikore ka punuar edhe mësuesi i Cornos Gaspër Cuni dhe pastaj Sokol Marku.

 

Banda e shkollës ka marrë pjesë në shumë aktivitete të qytetit të Shkodrës.

Ja se çfarë shkruan profesor Lekë Gjergji për fillimin e orkestrës frymore të Shkollës së mesme të muzikës: “Me orkestrën frymore të shkollës janë përballuar shumë aktivitete të ndryshme në qytet dhe fshat. Në çdo festë, ose eveniment politik, orkestra frymore e shkollës ishte përherë dhe kudo e pranishme. Me formacionin frymor të shkollës, jemi vlerësuar me çmim në konkursin kombëtar të shkollave të muzikës.(Lekë Gjergji, 2011)

Muzika e dhomës është filluar nga profesor Leka, me kuartete dhe kuintete tunxhi. Në muzikën e dhomës arritjet e profesionale dhe lojë moderne u bënë nga një grup nxënësish shumë të talentuar, të parët që filluan në klasën e 5-të të drejtuar nga profesor Qamil Gjyrezi. Fillimi i klasës së pestë për instrumenatet frymore ishte gjithashtu një iniciativë e rëndësishme e profesor Lek Gjergjit. Ky grup ka dhënë koncerte në të gjithë Shqipërinë, Tiranë, Durrës dhe Korçë. Këto formacione të vogla frymore luajtën një seri autorësh, klasikë, romantikë dhe bashkëkohorë. Okteti i tunxhit luajti edhe muzikë Jazz, të orkestruar nga Gjon Shllaku pjesë nga kompozitori amerikan George Gerzhvin.  Kompozitori i shquar shkodran Gjon Kapedani ka punuar me shumë pasion shumë pjesë për këtë formacion. Mbas viteve 90- gjithashtu me muzikën e dhomës ka punuar edhe Sokol Marku, që është vlerësuar me “Çmimin e dytë” në takimin e ansambleve të muzikës së dhomës në Tiranë në vitin 2008.
Gazeta Standard

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 03/04/2011. Filed under Arsimi shqiptar. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

2 Responses to 50 vite frymë

  1. dielleza.g@hotmail.com

    03/02/2013 at 15:41


    ky informacion me ndihmoi shume prandaj shume faleminderit <3

  2. ermir

    04/04/2011 at 00:13


    Një shkollë me famë në Shqipëri sepse e themeloi Prenkë Jakova, që kishte marrë bazën e kulturës njerzore, botërore dhe muzikore te shkolla katolike franceskane para vitit 1944.

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.