- Home
- Shqipëria
- Bota
- Politika
- Mafia
- Shke-Tek
- Italiano
- Ekonomi
- Biografi
- Automobili
Lexuar 3727Rasti Guttenberg ngre pyetje mbi doktorët në Shqipëri. Ministria e Arsimit njoftoi ngritjen e një komisioni për shqyrtim për plagjiaturë(manipolim/korrupsion diplome) të mundshme, por pyetja është kush do të shqyrtojë vetë komisionin dhe për më tepër kush do ta drejtojë këtë komision hetimor?!
Ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë la postin edhe pse kishte mbështetjen e familjes, votueseve, e 500 mijë fansave në facebook dhe mbi të gjitha mbështetjen e shefes së tij – kancelares Merkel.
Ish Dr. Zu Guttenberg dha dorëheqjen sepse përballë kishte komunitetin e akademikëve të cilët e akuzuan për plagjiaturë në tezat e tij të doktoraturës dhe nuk u tërhoqën edhe kur ministri hoqi dorë nga titulli doktor.
Rasti Guttenberg ngre pyetje mbi doktorët në Shqipëri. Ministria e Arsimit njoftoi ngritjen e një komisioni për shqyrtim për plagjiaturë të mundshme, por pyetja është kush do të shqyrtojë vetë komisionin dhe për më tepër kush do ta drejtojë këtë komision hetimor?!
Për të provuar cilësinë e verës nuk duhet marrë mundimi për të pirë gjithë fuçinë, mjafton vetëm një gotë. Le ta ngremë këtë gotë për Profesor Doktorin më të njohur që kemi në trojet shqiptare.
Ky doktor, i gjatë, i hollë dhe me pak kurriz të dalë,- ngaqë kishte dhe ka alergji përdorimin e kompjuterit, merrte libra të autorëve amerikanë, ja jepte detyrë shtëpie studentëve, i paralajmëronte se do të kishin pasoja nëse nuk do të përktheheshin me cilësi të shkëlqyer dhe paralajmërimi ishte i rreptë ngaqë vetë doktori, kandidat për profesor, nuk ishte i sigurtë në anglishten e tij. Ai vetë nuk ka asnjë problem kur flet anglisht, problem kanë ata që e dëgjojnë. Studentët që nuk dinin mirë anglisht, përkthenin me cilësi të lartë dhe kjo ishte enigma më e madhe për pedagogun e gjatë, deri ditën kur në shtëpi i mbin para derës një i panjohur me një tufë të madhe lulesh në dorë! “Profesor, Gëzuar Festën dhe t’u bëftë dita 1000! Ishte 7 Mars!
Pedagogu u nxi në fytyrë se mendoi se ishte prindi i ndonjë studenti! “ Çfarë jam unë mësues filloreje që të më sillni për dhuratë tufa lulesh, në një vend ku lulet i hanë gomerët! Unë jam profesor – doktor! Ç’janë këto dhurata arkaike! Shko hidhi në plehra! Nuk ka lindur nëna ende ato burra që të tallen me nderin dhe dinjitetin tim profesional!
I panjohuri i ktheu shpinën, pedagogut të gjatë, të thatë dhe me pak kurriz të dalë, por ndaloi se dëgjoi pyetjen që më së paku e priste: si quhet djali yt?
– Më fal, profesor, por unë jam beqar…
– Aha, beqar?! Po ç’të sëmës kërkon! Nuk qenke as tip bukurosh që të tallesh!?
– Desha të të falenderoj mor burrë se falë teje po më ecën biznesi.
Me të dëgjuar fjalën biznes, pedagogu ndërroi çehren dhe e ftoi në shtëpi të panjohurin, por pas një minuti e nxorri me dhunë nga dritarja kur mësoi për biznesin e beqarit të stazhionuar.
– Ai ishte përkthyes dhe në shenjë minrënjohje për punën që i sillnin studentët e tij i solli për 7 Mars një tufë me lule.
Përkthimet e studentëve, pedagogu i mblodhi dhe botoi në një libër goxha të trashë! U lodh deri në raskapitje kur erdhi puna për të vendosur titullin se titullin e donte origjinal. Pas konsultave me kolegë dhe kafeve dhe cigareve të panumërta në lokalin e shkollës u gjet edhe titulli! “Fjalë pa kuptim të shqipes – volumi I”
Sa i përket plagjiaturës proferori (kështu i thërrisnin studentët) ishte shumë i qartë. Shumë i kujdesshëm dhe nuk linte rast pa folur për respektimin e të drejtave të autorit! Që në rini të tij kishte lexuar një shprehje që e mban si moto të punës së tij profesionale: “Po kopjove nga një njeri, quhet plagjiaturë, po kopjove nga shumë quhet punim shkencor”. I gjati, i thati dhe me pak kurriz të dalë kishte menduar ta vendoste parrullën në klasë, por ideja se ky slogan mund të nxiste kolegët për t’u bërë doktora e profesorë e bëri të mbyllej brenda vetes taman si breshka kur ndjen rrezikun rreth vetes! Edhe kur e sillte ndërmend këtë sllogan kujdes të ishte vetëm nga frika se ato që mund të jenë rrotull i lexonin mendimin dhe i vidhnin sekretin e madh!
Pedagogu ka botuar deri më sot 12 libra! Ka disa vite që nuk boton më. Jo se janë mbaruar studentët, përkundrazi tani i gjithë populli është student, jo se nuk ka interes, përkundrazi tani studentët blejnë librat e pedagogëve dhe çmimet janë treg e kaluar tregut! Problemi i vetëm që ka pedagogu i gjatë, i thatë dhe me pak kurriz të dalë është numri 13! E ka ters këtë numër! Tashmë Ai është profesor doktor dhe habitet se pse nuk ka një titull më të lartë. Jo për gjë – thotë- po nuk mbeti njeri pa u bërë profesor – doktor! U bëmë të gjithë si këmbët e dhisë! Këtu profesori nuk është dakord me tezën se ndryshimet sasiore sjellin ndryshime cilësore! Ai është kritik i rreptë ndaj shpërdorimeve dhe abuzimeve në titujt shkencor. “politikë bëjmë nga mëngjesi në darkë dhe nuk ka parë keq ndonjë shqiptar nga politika e sidomos ata që janë brenda saj, por shkenca është shkencë dhe nuk toleron gabimet! Me shkencën është si me elektricitetin – mund të gabosh vetëm njëherë”-
Si ka mundësi – bërtet profesor doktori – që kemi njerëz me titull doktor me temën: “kontributi shokut Enver në estetikën marksiste- leniniste”! Si mund të paguajmë doktorë që kanë doktoruar për “kontributin e ateist të Shqipërisë”. Po çdo me thënë të kemi doktorë me temën: “si të fitojmë luftën ndaj Traktatit të Varshavës dhe NATO-s” etj etj. Gulçet e bërtet se disa tema janë aq në kundërthënie me realitetin sa edhe Shvejku do të ishte I pafuqishëm të merrte përsipër shfajësimin e tyre.
Por nervozizmi i profesorit arrin majën e Malit të Dajtit kur i përmend masterat! “Kulmi! Kulmi! Kulmi! Nuk ankohesh dot as për vonesën në shërbim nga kamarjerët se pronari të afrohet duke buzëqeshur dhe të thotë: “ke shumë të drejtë i dashur klient, e di nuk je i vetmi që më ankohesh për të, e di qe e ka mbushur kupën dhe e kam pirë unë disa herë, por nuk e largoj dot nga puna se ka dy mastera dhe po përfundon edhe juridikun! Dhe në fund për t’i vënë kapak bisedës zhyt kokën mes shpatullave si për të thënë se edhe Zoti nuk ka fuqi të marrë vendim për kamarjerin!
Profesori e përjetoi keq, shumë keq, skandalin Guttenberg. U shokua kur mësoi emrin e tij të plotë: “Karl Theodhor Maria Nikolaus Johann Jacob Philip Franz Joseph Sylvester Freiherr von und zu Guttenberg” ! Po këtij mavrisë, tha – çfarë i është dashur të marrë gjëra nga të tjerët, mjafton të shkruante 5 herë emrin e plotë dhe mbushej gjysma e temës!
Por si për të vërtetuar thënien se pas çdo të keqeje vjen një e mirë, gjendja shpirtërore e profesorit tonë të madh ndryshoi si me magji nga lajmi që mësoi nga gazetat.
Njoftimi se ministria e Arsimit do të shqyrtojë titujt e drithëroi trupin e profesor – doktorit tonë si njëherë e një kohë! Tani ëndrra e madhe e profesorit është që të jetë vetë në krye të komisionit dhe pastaj … Ehh pastaj, 14 komisionet hetimore që ka ngritur Parlamenti do të duken si takime me prindër në një shkollë private, komisioni Mekarti do të duken si tubimet që organizohen për 7-8 marsin!
A ka plagjiaturë në titujt shkencorë në Shqipëri? Kjo është sikur të pyesësh; a vjen e diela pas të shtunës?
Por tani jemi më të qetë. Ka shumë shanse që profesori në fjalë të vihet në krye të këtij komisioni. Vetëm një ujk di huqet e çakejve!
Në fakt, po i biem pak si shumë në qafë ujqërve! Mund t’i akuzosh ato për çdo gjë, por jo për plagjiarizëm.
Lutfi Dervishi/Gazeta Start
One Response to Masterat, doktorët dhe profesorët e Shqipërisë!