- Home
- Shqipëria
- Bota
- Politika
- Mafia
- Shke-Tek
- Italiano
- Ekonomi
- Biografi
- Automobili
Lexuar 4068Shtrembërimet skandaloze në faqen zyrtare të Bashkisë së Himarës(klikoni himara.gov.al)
Himara është kthyer shpesh në arenë përplasjesh ku elementë të ndryshëm, më së shumti grekofonë, viteve të fundit janë përpjekur të ndezin, të acarojnë e të krijojnë idenë e rremë të një lufte mes grekëve dhe shqiptarëve. Një situatë kjo e krijuar më së shumti nga dobësia e shtetit shqiptar, apo më saktë nga hezitimet e politikës së majtë a të djathtë për të zbatuar ligjet në fuqi, gjë që ka kontribuuar në krijimin e kultit të të paprekshmit, që vetë vendos e vetë vulos për gjithçka.
Pas thirrjeve antikombëtare e deklaratave me “Vorio Epir”, heqjes së tabelave të sinjalistikës rrugore në gjuhën shqipe, falsifikimit të guidës zyrtare turistike, mbështetjes së sulmeve histerike postës së policisë, qendrave zgjedhore e bllokimit të rrugës nacionale, aksione këto për të cilat nuk i ka hyrë asnjë gjemb në këmbë, Vasil Bollano rikthehet të sfidojë sërish shtetin shqiptar, duke përdorur këtë herë as më shumë e as më pak, por edhe vetë simbolet e tij. “Top Channel” ka mundur të zbulojë, edhe pse nuk ka qenë shumë e fshehtë, përkundrazi, bëmën e tij më të fundit.
Bashkia Himarë ka publikuar në internet faqen zyrtare të saj, përmes së cilës synohet afrimi i turistëve, por edhe njohja nga ana e publikut shqiptar ose jo e historisë dhe mundësive që ofron e gjithë kjo zonë. Faqja në krye të saj mban logon zyrtare të Republikës së Shqipërisë, shenja e parë dhe e fundit, pasi gjithçka më pas i përket thuajse në mënyre dërrmuese shtetit grek.
Historia sipas Bollanos
Pika e parë, ajo e historisë që pasqyrohet në këtë faqe, është thuajse një trakt kundër shtetit shqiptar dhe figurave simbol të tij. Për të nisur nga djali i Gjergj Kastriot Skënderbeut, i njohur në historinë shqiptare si Gjon Kastrioti, por i pagëzuar në sajtin e Bashkisë së Himarës si Jani Kastrioti. Sipas përmbledhjes historike në faqe, Jani së bashku me udhëheqësin grek, Korkodhillos Klladhas, për 10 vjet me radhë mundën ta mbanin të pavarur Himarën nga sulmet e njëpasnjëshme të ushtrive osmane.
Skandali thellohet më tej kur në pasazhin pasardhës shkruhet se, 33 fshatra të Himarës me ndërgjegje kombëtare greke krijuan konfederatën autonome të qeravnëve. Në këtë pjesë të faqes zyrtare, ndërgjegjja greke, përveç fshatrave të sotme të Himarës: Piqerasit, Qeparoit, Vunoit, Iliasit, Palasës etj., u jepet edhe fshatrave të tilla si Dukati, Fterra, Tërbaçi, Nivica, Lopësi, Vranishti, Lepenica, Progonati, Tepelena, Tragjasi, Radhima, Lukova e Kallarati. Të gjitha këto fshatra, pjesë e Labërisë së epërme, sipas asaj që pohohet në faqe, kanë qenë toka të populluara nga grekët.
Historiani dhe politikani Pëllumb Xhufi thotë se, “janë rreth 50 fshatra të cilat kanë përbërë një unitet mbas periudhës së Skënderbeut, në shekujt XV-XVI dhe të cilat përbënin dhe një unitet jo vetëm etnografik shqiptar të qartë, por edhe një unitet politik dhe ushtarak”.
Sipas Pëllumb Xhufit, paria e këtyre fshatrave është organizuar shpesh në takime nga ku u janë çuar letra sovranëve më të mëdhenj të Europës, që nga mbreti i Napolit, mbreti i Spanjës, perandori i Gjermanisë dhe më vonë, careshës së Rusisë. Një fakt tjetër ky që hedh poshtë pohimet e shkruara në faqe.
“Dhe në të gjitha këto letra, ata qartas thonë që ne jemi shqiptarë, ne jemi pasardhësit, i referohen gjithmonë Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe shprehin gatishmërinë e tyre për t’u ngritur në kryengritje kundër Turqisë për çlirimin e vendit”.
Heroi Spiromilo
Më tej, në faqen e bashkisë, si moment mjaft i rëndësishëm i historisë së Himarës cilësohet 5 nëntori i vitit 1912, datë që përkon me zbarkimin e majorit Spiro Spiromilo në qytet, i cili siç shkruhet, çliroi të gjitha fshatrat në krye të disa vullnetarëve. Por, përtej historisë që e shndërron në këtë faqe Spiro Spiromilon në hero, cili ka qenë ai në të vërtetë dhe çfarë përfaqëson për këtë zonë?
Spiro Spiromilo, në fakt, ka mbajtur postin e drejtuesit politik të asaj që grekët e quajnë qeveria e Vorio Epirit, duke qenë njëkohësisht edhe komandant në zonën e Himarës. Një qeveri, e cila drejtohej nga Jorgji Zografi dhe që nuk u njoh as nga komisioni ndërkombëtar i kontrollit, i cili i kërkoi largimin e menjëhershëm nga trojet shqiptare, ndërsa qeverisë greke, arrestimin e tij. Megjithatë, kjo nuk e ka penguar bashkinë ta quajë në mënyrë flagrante këtë datë, kur e gjithë zona u pushtua nga grekët, si vlerë të shtuar në historinë e Himarës dhe fshatrave të saj.
“Ishte pikërisht një nga këta renegatë, i cili u promovua nga shteti grek, u bë gjeneral, iu dhanë pensione, iu dhanë ushtarë dhe në vitin 1912 zbarkoi me anijet greke, siç dihet, për ta bashkuar Himarën me Greqinë”, – thotë Pëllumb Xhufi.
Por sot, shtëpia e Spiromilos në Himarë konsiderohet nga bashkia si një monument kulture mjaft i rëndësishëm, që duhet të vizitohet nga turistët për shkak të lidhjes që ka me historinë e vendit.
Pushtuesit çlirimtarë
Historia e manipuluar me vulën e Vasil Bollanos dhe nën logon zyrtare të Republikës së Shqipërisë vazhdon më tej, kur shkruhet se, më 9 shkurt 1914 himarjotët kundërshtuan planin e fuqive të mëdha për t’i përfshirë brenda kufijve të shtetit shqiptar. Pra, sipas faqes, Himara dhe fshatrat e saj nuk kanë asnjë lidhje me Shqipërinë, por janë përfshirë në mënyrë të dhunshme brenda saj.
Për të vazhduar me tej, në 22 dhjetorin 1940, kur Greqia sulmoi Shqipërinë duke pushtuar më shume se 25 për qind të territorit, në faqen e Bashkisë Himarë paraqitet si një moment festiv që përkon me hyrjen e trupave greke në Himarë, banoret e së cilës, sipas Bollanos, i pritën ata me entuziazëm dhe lule.
Si për të mos i dhënë këtë herë mundësi Vasil Bollanos për të mohuar gjithçka, në fund të faqeve është shkruar se të gjitha të drejtat e këtij siti në internet janë të rezervuara nga Bashkia Himarë. E sigurisht, në krye logoja e Republikës së Shqipërisë, që këtë herë nuk mund të mbyllë njërin sy!
Marin Mema/Gazeta Dielli
3 Responses to Historia shqiptare manipolohet me vulën e Bollanos dhe nën logon zyrtare të Republikës së Shqipërisë