- Home
- Shqipëria
- Bota
- Politika
- Mafia
- Shke-Tek
- Italiano
- Ekonomi
- Biografi
- Automobili
Lexuar 3615Në kohën e kryengritjes së Malësisë së Madhe kundër Turqisë, Dedë Gjo Lulit ju desht me u strehue në Podgoricë të Malit të Zi. Krajl Nikolla i Malit të Zi u takue me
Dedën e me krenë tjetër të kryengritjes, u fal me të gjithë e ju suell Dedës me miklim:
– Dedë, tesh e ke kohën me u ba mik me mue! Jemi kojshi; pare dhe fyshekë të nap sa të duesh…
Deda i vrani vetullat dhe ju suell:
– Nuk jemi mish m’u shit ndër krraba!
Nuk kam frikë ta shoh armikun në sy.
Dedë Gjo Luli, i kapur në befasi nga ushtria serbe, me ndihmën e Gjonmarkajve, u vendos i lidhur para togës së pushkatimit.
– Lidhjani sytë – urdhëroi ushtarët e vet kapiteni serb Gjura.
– Nuk jam tradhëtar i atdheut tim – u përgjigj krenar Dedë Gjo Luli – që të vdes me sy mbyllur pa i hedhur shikimin e fundit dheut që do të më mbajë në gji. Përkundrazi, po vdes kryelartë, se gjithë jetën kam luftuar që vendi im të jetë i lirë. Dhe ju që po shkelni sot këtë vend, të jeni të sigurtë se ky dhé nuk ju mban: ose do të hyni nën të, ose do të largoheni që këtej.
Ja pse nuk kam frikë ta shikoj armikun në sy.
Pushka top!
Kral Nikolla kërkonte ta bënte për vete Dedë Gjo Lulin. Për këtë qëllim organizoi një takim në Vrellë, në verilindje të Podgoricës. Dhe aty, duke treguar se gjoja i dhimbseshin malësorët, i tha:
– Or Dedë Gjo Luli, gryka e pushkës sate është e ngushtë, vetëm duke pasur pranë e në krah Malin e Zi të bëhet pushka si grykë topi.
Deda, krenar, ia priti aty për aty:
– Me të vërtetë o Kral, gryka e pushkës time është e ngushtë, por duke u ndodhur midis maleve shqiptare, ato ma bëjnë grykën e ngushtë të pushkës sime më të gjerë e më të fuqishme se grykën e topave të ushtrisë sate.
Pushkë e ngritur për Shqipërinë
Nga fillimi i vitit 1913, Dedë Gjo Luli shkoi në Vlorë për t’u takuar me Ismail Qemalin.
Plaku i Vlorës e priti dhe e përcolli me ndere të mëdha. Një i ri, sekretar i qeverisë së re që nuk e njihte Dedën, pyeti Ismail Qemalin:
– Pse ia bëtë gjithë këto ndere këtij malësori?
Plaku u përgjigj:
– Dedë Gjo Luli është pushkë e ngritur për mbrojtjen e Shqipërisë.
Nga jeta e Dedë Gjo Lulit
1860-1915
Ti, zotni, mund të shesësh kopshtin tënd!
Kur Shkodra më 1913 mbeti nën administrimin e komisionit ndërkombëtar, në një mbledhje të organizuar në Saraj të Shkodrës, admirali anglez Sesil i tha Dedës:
– Hoti dhe Gruda janë mbaruar, duhet të qëndrojnë jashtë kufijve të rinj të Shqipërisë.
Deda u përgjigj si me shpatë:
– Ti, zotni, mund të shesësh kopshtin tënd. Se atë tonin ne as e shesim as e falim, por e mbrojmë me gjak.
Shqiptari nuk vështron eshtrat, por zemrat…
Krali i Malit të Zi që deshte të bindë Dedë Gjo Lulin të lejonte ushtrinë e vet të hynte në Shqipëri i tha një ditë:
– Or Dedë, malësorët e tu janë vetëm një grusht eshtrash përpara taboreve të Turqisë. Pranoni ndihmën tonë që të shpëtoni.
Deda ia priti:
– Shqiptari nuk ka parë tek vetja kurrë eshtrat, por zemrën.
“Ne kemi vetëm një flamur”
Në gushtin e vitit 1910, Dedë Gjo Luli me luftëtarët e vet u ndesh me kral Nikollën në fshatin Vrellë.
– Unë kam miq të mëdhenj, si Rusinë, dhe flamurin tim e njeh gjithë bota – u tha Krali. – Futuni nën hijen e flamurit tim dhe t’i biem së bashku osmanllisë.
– Ta dish mirë o kral Nikolla, se shqiptari nuk ka luftue e derdhur gjak për të ndrrue flamurin e Sulltanit me atë të Malit të Zi, por për të pasë në krye flamurin e Skënderbeut. Pa ty e kemi filluar luftën e pa ty do ta mbarojmë. Ne kemi vetëm një flamur: tonin.
Shpinën e keni të sigurt
Kur plasi kryengritja në Malësi të Madhe në vitin 1911, kral Nikolla i Malit të Zi i dërgoi Ded Gjo Lulit këtë lajm:
– Bini osmanllisë pa frikë, se pas shpinës suaj më keni mua!
Ded Gjo Luli, që ia njihte pabesinë kralit malazes, mblodhi bashkëluftëtarët në kuvend dhe u tha:
– Burra, ta ndajmë ushtrinë dysh. Një pjesë kundër Shefqet Durgut Pashës e tjetrën kundër kralit!
– Pse, a do me hy në luftë me ne krali, a?
– Jo, por kur thotë ai se më ke pas shpine, ai nuk të ruan por të ngul thikën!
Një gazetar i huaj e pyeti Ded Gjo Lulin:
– Si është e mundur që një grusht luftëtarësh si ju të ndeshen me Portën e Lartë?
Trimi i maleve u përgjigj me pak fjalë:
– Shqiptari është ah, nuk është shelg që të përkulet.
Ded Gjo Luli kërkonte një flamur të madh me një shqiponjë të qëndisur në mes:
– O Ded, – i thanë shokët e çetës, – kemi nevoja të tjera më të mëdha.
– Jo, bre burra, – ua priti Deda, – në krye duhet flamuri se ai i ka të tana brenda: besën, zakonet, doket, trimërinë, bashkimin, luftën dhe fitoren. Ai ka gjakun e të parëve tanë që skuq e na prin!
Bajram Curri
Nuk i takon mysafirit të thëresë të zotin e shtëpisë
I dërguari i kryeministrit serb Pashiq erdhi fshehurazi në Shqipëri dhe arriti të bëjë një takim me Bajram Currin, që luftonte maleve. Ai, në emër të Pashiqit, i ofroi para, rrogë të madhe e poste të larta në Serbi, me kusht që të kthehej në Gjakovë e të mos e kundërshtonte pushtimin serb.
Bajram Curri iu përgjigj:
– Thuaji Pashiqit tënd se nuk ka aq para gjithë mbretëria e kralit të Serbisë sa për të blerë Bajram Currin. Dhe lidhur me kthimin në Gjakovë, thuaji se nuk i takon mysafirit të thërresë të zotin e shtëpisë. Atje do të kthehem vetë, se është vendi im.
Sami Frashëri
Kur e pyetën rilindasin dhe patriotin Sami Frashëri se si mund ta flakin tej zgjedhën turke shqiptarët, ai tha:
“Turqia me dashuri e me mirësi s’jep gjë kurrë. Prandaj edhe shqiptarëve… me hir s’u ka për të dhënë gjë. Shqiptarët duhet t’ua marrin turqve me pahir ato që duan”.
E drejta dhe fuqia
Kur shkroi veprën e tij “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhet”, e pyetën Sami Frashërin:
– A do të jenë të zotët shqiptarët ta mbajnë e ta ruajnë veten?
– Sigurisht – u përgjigj ai. – Dy gjëra duhen në këtë jetë për të ruajtur e mbajtur me nder atë që të takon: e drejta dhe fuqia. Dhe këto populli shqiptar i ka.
Me hir e me pahir
Duke iu përgjigjur pyetjeve të disa gazetarëve të huaj në Stamboll nëse qeveria osmane do t’ia jepte Shqipërisë reformat e premtuara, Sami Frashëri u tha:
“Porta e Lartë me dashuri e me mirësi nuk të jep gjë kurrë. Ajo e do më mirë humbjen e Shqipërisë e ta ndajë në mes armiqve që na rrethojnë, sesa t’ua lërë shqiptarëve ta ndreqin e ta lulëzojnë.
Prandaj meqë sulltani me hir s’ka për të na dhënë gjë, shqiptarët duhet t’ia marrin atij me pahir. Ta kërkojmë me fjalë, por gjithmonë duke mbajtur në dorë pushkën plot”.
Armiqtë do ta kenë të vështirë të harrojnë
Kur e pyetën Sami Frashërin në vitin 1899 përse u jepte kaq rëndësi alfabetit të gjuhës shqipe, librave dhe përhapjes së tyre, kur kjo gjë mund t’u sillte rreziqe të mëdha nga ana e qeverisë osmane, ai u përgjigj:
– U jap rëndësi sepse nuk mund të ketë Shqipëri pa shqiptarë, nuk mund të ketë shqiptarë pa gjuhë shqipe, pa shkronja shqipe e shkolla në të cilat të mësohet shqipja. Kur t’i kemi të gjitha këto, armiqtë do ta kenë të vështirë të harrojnë se populli shqiptar është zot i këtij vendi.
Çerçiz Topulli
Edhe kjo është tokë shqiptare
Në gushtin e vitit 1915, të kapur pabesisht, Çerçiz Topulli dhe Muço Qulli u vunë para togës së pushkatimit të gjeneralit malazez Veshoviç, në fushën e Shtoit në Shkodër.
Para se breshëria e armëve t’i rrëzonte të dy në të njëjtin varr, oficeri malazez i tha Çerçiz Topullit:
– A e shikon se ku po e lini kokën? Në dhé të huaj, në vend që të rrini rehat aty, në vendin tuaj.
Dhe Çerçizi ia priti:
– Ne nuk kemi luftuar për shtëpinë tonë, por për vendin tonë dhe vendi jonë është gjithkund ku flitet gjuha shqipe e jetojnë shqiptarë në trojet e veta. Edhe kjo është tokë shqiptare!