- Home
- Shqipëria
- Bota
- Politika
- Mafia
- Shke-Tek
- Italiano
- Ekonomi
- Biografi
- Automobili
Lexuar 2389Shefi ekzekutiv i Nokia-së, Stephen Elop gjatë ditës së premte ka bërë të ditur se prodhuesi finlandez i celularëve do të bëjë një ndryshim radikal në strategjinë e saj të biznesit, duke vënë në pah një kalim drejt platformës së Microsoft, Windows Phone 7 që shërben për celularë të mençur.
Elop, i cili i është bashkuar Nokia-së në muajin shtator pasi kishte udhëhequr divizionin e biznesit të Microsoft për dy vite me radhë, ka folur në lidhje me të ardhmen e kompanisë në një konferencë strategjike të mbajtur në Londër. Lajmi arrin në një moment kur u paraqit në media të ndryshme një memo dërguar punëtorëve të Nokia-së më herët gjatë kësaj jave në të cilën shefi ekzekutiv e quante kompaninë një “platformë që po digjet”. “Nokia do të vdes nëse nuk ndryshojmë mënyrën sesi bëjmë biznes” tha ai.
Tani sipas plani të paraqitur Nokia do të adoptojë sistemin operativ Windows Phone 7 si sistem operativ të saj primar dhe do të përqafojë gjithashtu edhe ueb shërbimet e Microsoft, përfshirë këtu edhe motorin kërkues Bing.
E ku mbeti Symbian?
Partneriteti i prezantuar sot jep disa shenja jo të mira rreth tentimeve të tanishme të Nokia-së për platforma operative, përfshirë këtu edhe sistemin operativ MeeGo me bazë në Linux të cilin Nokia e bashkë-zhvillon me Intel dhe prodhues tjerë. Nokia ka konfirmuar se do të vazhdojë të shes linjën e tanishme të celularëve me bazë në Symbian dhe se pritet që gjatë vitit të lansoj një pajisje me bazë në MeeGo.
Megjithatë shumë shpejt prej tregut do të largohet Symbian dhe MeeGo do të ridërgohet në formë të një eksperimenti me kod të hapur që do të ketë resurse dukshëm të reduktuara të zhvillimit. Vegla e shkëlqyer e zhvillimit Qt e zhvilluar nga Nokia, që dikur ishte një pjesë qendrore e padiskutueshme e strategjisë së kompanisë, nuk do të kalojë në Windows Phone 7. Qt do të vazhdojë të përkrahet në një kapacitet të limituar si vegla primare për zhvillimin e Symbian dhe si pjesë e grupit MeeGo.
Nokia dhe Microsoft kanë shtuar se bashkimi i tyre do të sjellë fuqi ndaj harduerit të Nokia-së dhe softuerit dhe ekosistemit të shërbimeve të Microsoft. Megjithatë, nuk është e qartë nëse kjo do të jetë përfituese për të dy palët. Kjo marrëveshje e vendos Nokia-në para një platforme moderne që është ende në fazat e hershme të adoptimit, por në anën tjetër shqelmon autonominë softuerike të kompanisë. Adoptimi i Windows Phone 7 në thelb është një vepër e kapitullimit nga Nokia – që në fakt është edhe një formë e pajtimit se kompania nuk është në gjendje të zhvillojë në vete ekosistemin e saj apo të bëjë inovacione përtej shtresës harduerike.
Tranzicioni do të jetë i vështirë dhe i kushtueshëm. Nokia virtualisht nuk ka asnjë ndërmarrje zhvillimi të brendshme në platformën e Microsoft dhe do të duhet të fillojë prej zeros për adoptimin e sistemit operativ. Megjithëse duket si një sistem operativ premtues, Windows Phone 7 është ende larg një pjesëmarrje të madhe konkurruese në treg dhe duhet të zhvillojë një bazë të fuqishme të konsumatorëve dhe zhvilluesve.
Ambicie të shuara
Zhvilluesit e Nokia-së janë ata që më së paku janë ndarë të kënaqur nga marrëveshja e sotme për pajisje me Windows Phone 7. Disa zhvillues të palëve të treta veçse kanë shprehur interesimin e tyre për të kaluar tek Android. Por në anën tjetër disa zhvillues të C# ka gjasa të motivohen nga kjo marrëveshje dhe të fillojnë edhe më seriozisht biznesin e tyre në tregun mobil.
Stephen Elop, CEO i Nokia-së ka thënë se vitet 2011 dhe 2012 do të jenë vite “tranzicioni” për kompaninë. Ai hodhi poshtë mundësinë për të treguar se kur Nokia do të paraqes pajisjet e para me Windows Phone 7, por ai ka si synim të vendos kompaninë para një arritjeje të madhe me një shpejtësi të madhe.
Në anën e Microsoft, marrëveshja duket shumë më fitimprurëse. Adoptimi i prodhuesit më të madh të harduerit mobil do të mund të ndihmojë që Windows Phone 7 të adoptohet dhe të bëhet një konkurrent shumë më i fuqishëm. Por në anën tjetër mund të largojë partnerët tjerë të Microsoft. Microsoft do t’i ofrojë Nokia-së kontroll mbi të ardhmen e platformës si dhe mundësi për privilegje tjera ekskluzive. Kjo mund ta bëjë sistemin operativ të duket më pak tërheqës ndaj HTC dhe të tjerëve, duke i shtyrë ata të lidhin marrëdhënie më të mira me Google. E në lidhje me këtë çështje Microsoft nuk ka qenë e gtashme të komentojë shumë.
Por nëse marrëveshja do të shpëtojë Nokia-në është vështirë të thuhet, por është e qartë se ambiciet e kompanisë janë shuar. Nokia do të bëhet e varur nga Microsoft! Por mos harroni se nëse veprojnë si duhet atëherë gjërat mund të shkojnë si më së miri edhe për Microsoft e edhe për Nokia, dhe ndoshta Apple e Google do të përballen me një konkurrencë shumë të fuqishme.
E disa të tjerë po thonë se Microsoft mund edhe të blejë tërësisht kompaninë Nokia…
PcworldAlbanian