Shteti dhe vdekja

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 4350
Shakespeare (Shekspiri) e kishte më për zemër që të shkruante sonete (poezi), për të cilat besonte se qenë ajo pjesë e veprës së tij që do ta bënte të pavdekshëm. Megjithatë Shakespeare nuk arrit që të shkruante më tepër se 154 sonete, me nga pak vargje.

Kjo ndodhi se Shakespeare e kaloi krejt jetën e tij si krijues, duke medituar dhe shkruar për dy çështje, vrasjen shtetërore dhe shtetvrasjen, pra për raportin e shtetit me vdekjen. Shakespeare jetoi në intervalin mes dy luftrave civile në Angli, Luftës së Trëndafilave (1455-1485) dhe Luftës Civile (1642-1651). Në mendjen e Shakespeare-poet (ai ishte para së gjithash një poet se edhe dramat i shkruajti në vargje) duket se pati lënë mbresë të thellë fakti se anglezët, disa dekada para lindjes së tij, qenë ndarë në dy grupe armike, duke adoptuar secili si simbol nga një trëndafil, dhe kishin bërë për 30 vjet një nga luftrat më të përgjakshme në historinë e tyre. Për tre dekada, Shtëpia e York (“Trëndafili i Bardhë”) dhe Shtëpia e Lancaster (“Trëndafili i Kuq”), si dhe mbështetësit e tyre luftuan egërsisht për fronin mbretëror. Për tre dekada në Angli fjalët “trëndafilkuqsa” dhe “trëndafilbardhësa” u bënë shenjuese të urrejtjes, dhunës, tërbimit. Në mendjen e një poeti si Shakespeare ky kombinim bizarr i lules më dhunën, le natyrisht një mbresë të thellë.
Nuk është e rastit që dy dramat e para që shkroi Shakespeare, “Henry VI” (në tre pjesë atëherë) dhe “Richard III” përshkruajnë pikërisht periudhën e “Luftës së Trëndafilave”, madje në mënyrë shteruese, duke filluar që prej ngjarjes prej ku origjinoi ajo, vdekja së befasishme të Mbretit Henry V në 1422, që solli një periudhë kaotike në Angli. Shakespeare, para se të shkonte me penën e vet në Danimarkë, të shkruante për Hamletin, para se të shkonte në Itali, në Verona, që të shkruante për Romeo dhe Julieta, para se të shkonte në Venedik, që të shkruante për Otellon dhe Desdemonën, para se të shkonte në Skoci, që të shkruante për Macbeth-n, para se të shkonte në Romë, që të shkruante për Cezarin, para se të shkonte në Egjipt që të shkruante për Kleopatrën, i pagoi tributin kësaj ngjarjeje formative të historisë së afërt të vendit të vet. Madje dhe në tragjeditë që shkruajti më pas Shakespeare në fakt vazhdoi të analizonte ato çështje për të cilat kishte filluar të shkruante në dy dramat e tij të para për “Luftën e Trëndafilave”, pra për vrasjen shtetërore dhe shtetvrasjen. Edhe një tragjedi dashurie si “Romeo dhe Julieta”, ndodh në kontekstin e një konflikti të përgjakshëm politik mes dy fiseve dhe formësohet prej tij.

Tragjedia e parë e Shakespeare, “Titus Andronicus”, më e përgjakshmja ndër tragjeditë e tij, rrëfen për të dyja, vrasjen shtetërore dhe shtetvrasjen, me një dendësi mjaft impresionuese ngjarjesh. Krejt tragjeditë dhe dramat historike të Shakespeare janë një reflektim mbi raportin e shtetit (shtetarit) me vdekjen, dhe të njerëzve të tjerë me shtetin, duke qenë vdekja në mes, në këtë rast shtetvdekja dhe vdekja e tyre. Shakespeare shtron pyetjen se ku fillon krimi tek vrasja shtetërore? Për Shakespeare vrasja shtetërore është një e drejtë e shtetarit, që duhet përdorur me kujdes vetëm për të ndaluar shtetvrasjen, ndryshe përbën krim. Në tragjeditë dhe dramat historike të Shakespeare kemi ballafaqimin e vrasësit shtetëror me shtetvrasësin. Macbethi është një shtetvrasës, i cili bëhet i tillë duke vrarë mbretin dhe me këtë shkakton një kaos të përgjakshëm. Po kështu edhe xhaxhai i Hamletit, i cili bëhet mbretvrasës, pra shtetvrasës, çka na thuhet me gojën e Hamletit, i cili thotë se në Danimarkë tashmë mbretëron krimi, dhuna, vesi, kaosi. Richard III është shtetari, i cili keqpërdor atributin e vrasjes shtetërore dhe kryen vrasje të cilat janë krim, se ai vret për motivet e tij vetiake, për sadizëm, pasion, urrejtje personale. Keqpërdorimi i atributit të vrasjes shtetërore çon tekefundit në shtetvrasje, ky është mësimi që nga vjen nga tragjedia “Richard III”.
Për Shakespeare vrasja shtetërore, vrasja e kryer prej shtetarit është përgjithësisht një gjë e keqe, por po aq e keqe është dhe shtetvrasja, domethënë vrasja e shtetit. Për Shakespeare shteti është si një qenie e gjallë e cila ka një pikë kur jeta e tij mund t’ i ndërpritet me dhunë, pas së cilës pikë mbretëron kaosi i përgjakshëm. Për Shakespeare shteti është i identifikuar në personin e mbretit dhe regicide (mbretvrasja) është shtetvrasje, që inicon një zinxhir fatkeqësish, zhytjen e vendit në kaos dhe gjakderdhje, të cilat marrin fund me restaurimin legjitim. Për Shakespeare vrasja shtetërore legjitimohet vetëm për të ndaluar shtetvrasjen. Se shtetvrasja, apo shtetplagosja është krimi i cili bëhet shkak për një spirale krimesh dhe kaosi, të cilat krijojnë realitetin e vet. Në të gjitha tragjeditë dhe dramat e tij historike Shakespeare nuk pushoi së na rrëfyeri, së elaboruari se ku është pika kur vrasja shtetërore shndërrohet në krim dhe se ku është pika kur ndodh kundërshtimi ndaj tiranisë shndërrohet në shtetvrasje.

Është shumë interesante se, në asnjë nga këto raste Shakespeare nuk nxjerr në skenë gjykatën. Nëse doni të shikoni një skenë gjyqi tek Shakespeare, duhet të shkoni tek komeditë e tij, atë të cilësuar si tragjike, “Tregtari i Venedikut”, ku përshkruhet një gjyq për çështje borxhi financiar. Kjo është domethënëse. Shakespeare e kishte të qartë se, si vrasja shtetërore, ashtu dhe shtetvrasja nuk gjykohen kurrë realisht dhe ato mbeten në ndërgjegjen e atyre që i kryejnë akte të tilla. Shakespeare i paralamëroi anglezët e kohës së tij për rreziqet e abuzimit me atributin e vrasjes shtetërore dhe për rrezikun e shtetvrasjes, të dyja të vërejtura gjatë Luftës së Trëndafilave. Anglezët nuk e morën mësimin dhe njëçerekshekulli pas vdekjes së Shakespeare, Anglia pësoi një tjetër luftë civile. Vetëm kjo i bëri të mençur për të kryer atë më pas gjatë atij shekulli atë që u quajt Revolucioni i Lavdishëm, domethënë pajtimi i palëve në konflikt, duke konsideruar interesat e njëra-tjetrës. Madje mund të thuhet se asnjë anglez i gjallë ndër ata që kryen Revolucionin e Lavdishëm, nuk pati më shumë influencë se Shakespeare në këtë ngjarje.

Vrasja shtetërore dhe shtetvrasja kanë përbërë edhe thelbin e dilemës së sigurisë të brendshme të shtetit modern, në kohën e Luftës së Ftohtë, me terrorizmin ideologjik, dhe pas saj, në epokën e terrorizmit religjioz. Në vendet e NATO, në kohën e Luftës së Ftohtë ekzistonte e famshmja “Stay Behind”, ndryshe e njohur si “Gladio”, një organizatë sekrete ilegale por e krijuar dhe financuar nga shërbimet inteligjente legale të shtetit, dhe që vepronte ilegalisht për eliminimin e kërcënimeve serioze për sigurinë e vendit, sipas parimit të raison d’ etat, duke kryer vrasje që praktikisht nuk janë tjetër veçse vrasje shtetërore të kamufluara.
Në 21 janar 2011 në Tiranë u luajt versioni shqiptar i radhës i tragjedisë së tejkohshme të shtetit dhe vdekjes. Gjithçka u luajt si një tragjedi shakespeariane. Gjëja më interesante dhe më e çuditshme e 21 janarit, është se të dy aktorët kryesorë të tij folën shumë hapur dhe qartë që para kësaj dite për atë që do të ndodhte, njëlloj si aktorët shakespeareanë në skenë. Edi Rama i adresoi Berishës ekuivalentin e një ultimatumi, që para 21 janarit. Edi Rama ia bëri të qartë Berishës, që më parë, në terma të pagabueshme, se, nëse ai do të qëndronte në selinë e qeverisë në 21 janar, atëherë prej momentit të e fillimit të demonstratës e tutje, ai ishte në situatën kur kishte dy mënyrë për të shkuar në shtëpi atë natë. Mënyra e parë ishte që të jepte dorëheqjen, të pranonte zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme dhe të shkonte në shtëpi si qytetari Sali Berisha, i dalë në pension. Nëse Berisha nuk do ta bënte këtë gjë, atëherë, siç i tha Edi Rama, pa asnjë përpjekje për të futur një grimë evaziviteti në retorikën e tij, për të dalë atë natë nga selia dhe për të shkuar në shtëpi si rëndom, do t’ i duhej që të shkelte mbi kufoma. Kjo nuk kishte kuptim tjetër përveç atij se Berisha do të pengohej fizikisht për të dalë nga selia e qeverisë dhe do të mbahej i ngujuar atje. Edi Rama foli çuditërisht hapur. Më tepër për t’ i futur panikun Berishës, se për t’ u shfajësuar para ndërkombëtarëve, Edi Rama tha se nuk mbante përgjegjësi për daljen jashtë kontrollit të demonstruesve.

Edhe Berisha foli hapur, duke iu përgjigjur ultimatumit me një kundërultimatum, duke e akuzuar Edi Ramën për tentativë për shtetvrasje dhe duke paralajmëruar praktikisht se në 21 janar ai ishte i vendosur edhe që të vriste. Të dy palët mendonin se tjetri po bënte bluff. Edi Rama mendonte se Berisha bënte bluff kur linte të kuptohej se nuk do të ndalej as para vrasjes. Berisha mendonte se Edi Rama bënte bluff kur kërcënonte me rrethim të zgjatur të kryeministrisë dhe valë të njëpasnjëshme dhune ndaj saj, për t’ u ikur të cilave kryeministrit do t’ i duhej që të shkelte mbi kufoma. Berisha nuk besonte se ndërkombëtarët do ta lejonin Edi Ramën që ta realizonte këtë skenar. Prandaj Berisha e ashpërsoi retorikën para 21 janarit, për t’ i alarmuar ndërkombëtarët më tepër, mbi atë që mund të ndodhte në 21 janar.
Si Rama, ashtu dhe Berisha, i kishin bërë llogaritë mbi natën, për të fituar luftën e nervave me tjetrin. Edi Rama besonte se me afrimin e natës, Berisha do të dorëzohej se ky i fundit e dinte që nata sillte zhvillime të tmerrshme. Me rënien e natës në një vend ku kryeministria mbahej e rrethuar dhe sulmohej, madje e gjithë kjo shfaqej drejtpërdrejt në televizione, mund të ndodhte gjithçka. Së pari, do të kishte revolta në burgje ku policët e demoralizuar nga ajo që ndodhte nuk do të rezistonin. Në 14 shtator 1998 shpërthimi i burgjeve u ndalua se në prag të rënies së natës, gjithçka kishte marrë fund me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve. Në 21 janar, gjatë natës të afërmit dhe shokët e të ndaluarve për krime ordinere, të cilët gjendeshin me shumicë në komisariatet e policisë, do të sulmonin komisariatet, për të liruar të ndaluarit. Skenari se si shpërbëhej mbrojtja policore ishte i njohur, Hapej fjala se qenë sulmuar shtëpitë e policëve të cilët qenë me shërbim në komisariate, duke filluar që nga shefat, dhe në disa raste kjo bëhej vërtet. Cili polic kishte kurajë që të mbronte komisariatin kur shikonte kryeministrinë e rrethuar që pritej të binte nga momenti në moment? Gjatë natës do të fillonte dhe dezertimi i gardistëve nga kryeministria, një gjë e njohur kjo në 1997. Puçin e vërtetë do ta bënin kriminelët për llogarinë e tyre. Pastaj të gjithë kriminelët e ikur dhe shokët e tyre do të fillonin të sulmonin dyqanet, bankat, hotelet, shtëpitë e të pasurve, konviktet e shkollave, për të rrëmbyer femra. Në 22 janar Shqipëria do të gdhihej si në 13 mars 1997.

Pikërisht se ky skenar ishte shumë i tmerrshëm, Edi Rama besonte se Berisha nuk do të rezistonte deri sa të binte mbrëmja. Në anën tjetër, Berisha, për të njëjtën arsye, mendonte se Edi Rama do të tërhiqej në prag të mbrëmjes. Edi Rama të gjitha shpresat

për përuljen e Berishës i kishte varur tek bluff-i. Prej këtej fillimi i dhunshëm i demonstratës, i llogaritur për t’ i bërë me dije Berishës vendosmërinë e palës tjetër. Këtu u mor risku për ato skena që e bënë ambasadorin amerikan të fliste për një grup demonstruesish me një agjendë krejt të ndryshme. Në përplasjen e demonstruesve me policinë ra në sy një performancë sulmi profesionalisht e shkallës më të lartë. Midis rrëmujës së përgjithshme, shkëputej një grup sulmi prej pesë vetash që krijonte një të çarë në kordonin policor, në një pikë të caktuar, pastaj ndërhynte një grup sulmi tresh shënjestronte një polic të veçantë ndër ata që kishin treguar vendosmëri, duke iu kundërpërgjigjur goditjeve. Shënjestrimi i policëve të veçantë që tregonin vendosmëri, nga ana e grupeve të sulmit treshe, ku i pari qëllonte me hu, i dyti kapte mburojën dhe i treti qëllonte me gurë në pjesët e zbuluara të trupit, është një veprim superprofesionist, çka flet për trajnim, dhe nuk shihet rëndom në protestat e dhunshme në vendet perëndimore. Për Berishën i cili kishte vendosur që të rezistonte, kjo ishte e mirëpritur.

Kur Berisha mendoi se ishte shfaqur mjaftueshëm nga ky spektakël për ndërkombëtarët, ai urdhëroi që të ndërhyhej me gaz lotësjellës dhe me pompat e ujit. Në këto momente bulevardi para kryeministrisë u boshua nga njerëzit dhe demonstrata mund të kishte përfunduar për atë ditë se opozita kishte arritur gjithçka që i duhej nga ana spektakolare, për ta përdorur në propagandë më tepër se në p.r. Rikthimi i njerëzve pas pak në bulevardin para kryeministrisë dhe zgjerimi i sulmit edhe nga anët e tjera të selisë së kryeministrisë, u dha të gjithëve të kuptonin se ballafaqimi i dhunshëm vetëm sa kishte filluar. Derisa dita e shkurtër e janarit po përfundonte, dhe po afrohej muzgu, sulmet ndaj kryeministrisë rifilluan me një dinamikë të re, me bomba “Molotov”, thyerjen e derës, dhe me një automjet që goditi pengesën e vendosur brenda oborrit të kryeministrisë, për t’ u ngjallur panikun mbrojtësve, me kërcënimin e shpërthimit të eksplozivit me telekomandim.

Të gjitha gjasat qenë se nata do të sillte shkallëzimin e përplasjes së dhunshme mes palëve. Tashmë ishte momenti kur Berisha ose do të dorëzohej, ose do të vriste. Berishës tash i duheshin kufoma që të mund të merrte fund i gjithë ky ankth dhe të evitonte më të keqen. Kufomat në shesh do të rrisnin në maksimum presionin e ndërkombëtarëve ndaj Edi Ramës. Ndoshta të katër ata që u vranë para kryeministrisë nuk u vranë të gjithë të shënjestruar, por edhe nga plumba të devijuar. Nga pikëpamja e kësaj analize kjo nuk ka rëndësi. Pas vrasjeve gjithçka u qetësua si me magji dhe Berisha u largua nga kryeministria duke “shkelur” mbi kufoma, ashtu siç e kishte parashikuar Rama. Kalkulusi i Berishës kur bëri vrasje shtetërore ishte ky: Edi Rama duke i dhënë ultimatum kryeministrit se do të mbahej i ngujuar në selinë e qeverisë, përderisa të dorëzohej ose të detyrohej që të vriste për të çarë rrethimin, me të gjithë implikimet që sillte kjo në vend, praktikisht bëri tentativë për shtetvrasje. Berisha e dinte se ndërkombëtarët e kanë të qartë se pika kritike ekzistenciale e organizmit që quhet shtet në Shqipëri, është shumë më e ulët se në vendet perëndimore, të cilat përballojnë protestat e dhunshme që solli si shembull Edi Rama. Kështu, Berisha mendonte se ndërkombëtarët e kishin të qartë se pika kur bëhet e nevojshme vrasja shtetërore në Shqipëri është shumë më afër se në vendet e tjera. Kjo është arsyeja që e vërteta e vrasjeve të 21 janarit nuk do të dalë kurrë juridikisht. Berisha tentoi që ta relativizonte atë që ndodhi në 21 janar duke thënë se në një grusht shteti mund të vriten tre, tridhjetë, ose treqind veta. Kjo deklaratë ishte e llogaritur edhe për t’ i alarmuar më tepër ndërkombëtarët.
Pasi ndodhën vrasjet, presioni ndërkombëtar ndaj Edi Ramës për t’ i marrë njerëzit e tij nën kontroll u rrit në maksimum, dhe ai u detyrua që të vepronte. Prej këtej kërkesa bizarre e Berishës për tabulatet telefonike, me qëllim të vërtetimit tërthorazi të kësaj. Edi Rama në 21 janar mund të fitonte vetëm me bluff ndaj Berishës, duke e detyruar këtë që të jepte dorëheqjen. Përderisa bluff-i nuk funksionoi, loja praktikisht mbaroi. Kjo nuk do të thotë se Berisha mund të quhet fitimtar. Por Berisha ka përparësinë se në një moment, ashtu siç ndodh me mbretin në tragjeditë e Shakespeare, qëndrimi i tij në pushtet është i identifikuar me mbijetesën e shtetit. Prej këtej mbështetja e tashme ndërkombëtare për të. Raison d’ etat.

Nëse analizon sjelljen e Edi Ramës dhe Sali Berishës në ditët që i paraprinë 21 janarit dhe gjatë kësaj dite, konstaton se ata kanë vepruar sikur të kenë lexuar paraprakisht me këtë rast librin “Princi” të Machiavelli. Nëse Machiavelli do të kishte qenë këshilltar i Berishës dhe i Ramës do t’ i këshillonte secilin prej tyre që të bënte pikërisht ato çka bënë. Por, ndoshta për të pasur një sens më të plotë të implikimeve që sjell teoria e Machiavellit, duhen lexuar edhe disa nga tragjeditë dhe dramat historike të Shakespeare. Atëherë do të kuptohet se Shteti dhe Vdekja ecin përkrah si në atë gravurën e Albrecht Durer, “Kalorësi dhe Vdekja”.
Nuk është e rastit që Machiavelli dhe Shakespeare, edhe pse jetuan në kohë të ndryshme, me veprat e tyre më të rëndësishme, që nga “Princi” deri tek dramat e përmendura, i përkasin epokës që njihet si Manierizëm, e stilit. Kjo ishte epoka e bella maniera dhe si Machiavelli ashtu dhe Shakespeare në thelb bënë të njëjtën gjë, të gjenin belle maniere për të kontrolluar natyrën njerëzore, të cilën e shikonin si demoniake nw thelb. Shakespeare ishte me fat që filloi të shkruante në skaj të epokës kur stili baroque, kjo barbari e sofistikuar, filloi të bëhej sundues, duke ia zënë vendin Epokës së Manierizmit, kësaj Renaissance të Lartë, siç e kanë quajtur. Kjo ndodhte jo vetëm në arkitekturë, pikturë, muzikë, veshje, interior design, por edhe në letërsi. Shakespeare është një përfaqësues i madh i Manierizmit, me talentin e tij të pashoq për qasje kreative ndaj historive të njohura, pak të njohura, ose të panjohura, të cilat i përdorte si lëndë të parë për dramat e tij. Për fat vepra e Shakespeare nuk u prek prej baroque, çka bëri që vepra e tij të ruante stërhollimin intelektual abstragues dhe njëherësh sensin e natyrës të Manierizmit, që e zbukuron thelbin e mendimit të tij dhe nuk e mbyt. Kjo e bën veprën e Shakespeare ekuivalentin në letërsi të pikturave dhe skulpturave të manieristëve të tjerë të shquar si Michelangelo dhe Da Vinci, Raphael. Një Shakespear baroque do të kishte qenë i mbushur me artificializma dhe pa sharmin e belle maniere të epokës, duke humbur thelbi.

Prandaj në tragjeditë dhe në dramat historike të Shakespeare mund të gjesh një laborator politikologjik ku ballafaqohen shteti dhe vdekja, ashtu siç thyhen nën prizmin e natyrave njerëzore të ndryshme, që e formësojnë këtë raport, të liderëve, shtetarëve, pushtetmbajtësve dhe pretenduesve. Shakespeare ishte 27 vjeç kur shkruajti “Henry VI” dhe “Richard III” në vitin 1591. Këto dy vepra i dhanë atij famën si dramaturg. Por ato nuk qenë vetëm vepra letrare, por edhe traktate të vërteta politike dhe psikologjike për një nga periudhat më të ndërlikuara të historisë së Anglisë. Është e sigurt se fakti që disa breza të tërë të elitës angleze u ushqyen me këto dhe vepra të tjera të Shakespeare, influencoi që të kryhej Revolucioni i Lavdishëm, shtatë dekada pas vdekjes së Shakespeare dhe pas një tjetër lufte civile. Mësimi që dilte nga tragjeditë dhe dramat historike të Shakespeare ishte se shteti dhe vdekja janë një kombinim i rrezikshëm, për kufizimin e të cilit duhet të mendojnë dhe veprojnë të gjitha palët, pa pasur iluzionin se dikush mund të fitojë në dëm të tjetrit, pasiqë në fund ka vetëm fatkeqësi për të gjitha palët. Pikërisht në vitin 1591, kur Shakespeare shkruante dy dramat e përmendura më lart, bashkëkohësi i Shakespeare, piktori i madh flamand (hollandez), Bartholomaeus Spranger bëri tablonë e famshme “Minerva triumfon mbi injorancën”, ku paraqitet perëndesha romane e dijes, Minerva në një episod mitologjik. Një koincidencë domethënëse.

Një mësim që na vjen nga Shakespeare është se kur palët luajnë ekstremisht ashpër për ta nxjerrë njëra-tjetrën krejt nga loja, në atë që në teorinë e lojërave, e aplikuar edhe në politikë njihet si zero-sum game, atëherë humbin të dyja. Në Luftën e Trëndafilave në Angli humbën pretenduesit kryesorë të fronit, Lancaster-ët dhe York-ët dhe përfituan Tudorët. Hubrisi ndjell Nemesisin, siç thoshin grekët e vjetër, do të thotë lakmia ndjell ndëshkimin. Mësimi tjetër që na vjen nga Anglia e kultivuar me Shakespeare është se Revolucioni i Lavdishëm mbetet e vetmja alternativë. Anglezët edhe sot vazhdojnë diskutojnë për përgjegjësinë e gjakderdhjeve në Luftën e Trëndafilave apo në Luftën Civile të shekullit XVII, por në rrethet e studiuesve, jo të ligjërimit politik publik. Për herë të fundit Anglia (Britania e Madhe) u gjend në një situatë shakespeareane të shtetit dhe vdekjes në kohën e grevës së minatorëve të qymyr-gurit, në 1984-1985, kur në pushtet ishte Margaret Thatcher. Në vend u ngrit edhe një valë protestash të dhunshme, të organizuara nga grupet politike skajore të shoqërisë. Për një moment u duk se Anglia hyri në kaos, në një situatë shtetvrasjeje. Thatcher e pranoi sfidën dhe në përplasjet e minatorëve me policinë u vranë gjashtë minatorë. Sipas traditës shakespereane, gjykata nuk u thirr në skenë. Arritja e Revolucionit të Lavdishëm i rezistoi kohës. Gjithsesi, edhe sot pas rreth tre dekadash ende vazhdon debati për atë që ndodhi atëherë, por jo në nivel të politikës së lartë. Si do të jenë gjërat në Shqipërinë e vitit 2036?

Në fillim të dramës Drama “Henry VI”, të Shakespeare palët kundërshtare në Luftën e Trëndafilave në Angli vizatojnë trëndafilat-simbole të tyre në muret e Kishës së Tempullit në Londër, kisha më e famshme e kohës në vend. Kjo simbolizonte ngritjen e kultit të dhunës në atë që duhet të ishte vendi i kultit të dashurisë mes njerëzve. Të dy palët pastaj i përdorën këto lule edhe për të nderuar të vdekurit e tyre në luftë. Anglezët i kanë bërë këto në shekullin XV. Nëse në Anglinë e Kohës së Mesme, ndodhi që intervali mes kësaj ndodhie kuptimplotë dhe Revolucionit të Lavdishëm të ishte mbi dy shekuj, në Në Shqipërinë e shekullit XXI nuk ka kohë për të të qenë as dy muaj ky interval. Revolucioni i Lavdishëm në Angli nuk ishte një akt moral në vetvete, thjesht palët pranuan se nuk mund ta nxirrnin njëra tjetrën nga loja dhe mësuan të bashkëjetojnë, duke njohur interesat e njëra-tjetrës. Kjo mënyrë machiavelliane funksionoi, ndryshe nga ajo morale, demagogjike, e tentuar në 1458, në mes të Luftës së Trëndafilave, kur u shpall “Dita e Dashurisë” nga autoriteti më i lartë religjioz i Anglisë, Arkipeshkvi i Canturbury, i cili bashkoi krerët e “Trëndafilit të Kuq” dhe “Trëndafilit të Bardhë”, në një pajtim demagogjik, që shpejt dështoi dhe lufta rifilloi për të vazhduar edhe 27 vite pas këtij episodi. Ky precedent, ajme vlen dhe për Shqipërinë e shekullit XXI.
Kastriot Myftaraj/Gazeta Sot

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 09/02/2011. Filed under Analizë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

One Response to Shteti dhe vdekja

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.