- Home
- Shqipëria
- Bota
- Politika
- Mafia
- Shke-Tek
- Italiano
- Ekonomi
- Biografi
- Automobili
Lexuar 4216Komisioni Hetimor përcakton datat e dëshmive të zyrtarëve të institucioneve shtetërore.
Komisioni Hetimor Parlamentar i ngritur nga mazhoranca për hetimin e demonstratës së 21 Janarit vendosi dje paradite se do të thërrasë gjatë muajit Shkurt në seanca dëgjimore për të dhënë dëshmi një sërë zyrtarësh të lartë të vendit, krerë të policisë, prokurorë. Në këtë mbledhje komisioni hetimor ka vendosur që në datën 1 shkurt të thirret për të dëshmuar për ngjarjet e dhunshme të 21 janarit ministri i brendshëm Lulzim Basha ndërsa në 2 shkurt do të dëshmojnë kreu i SHISH-it Bahri Shaqiri dhe kryeprokurorja Ina Rama. Këta të fundit janë akuzuar si penguesit e hetimit të grushtit të shtetit, duke nxitur nga ana tjetër nxjerrjen e urdhër arresteve për zinxhirin drejtues të Gardës së Republikës. Kreu i SHISH, Bahri Shaqiri, nuk i dha asnjë informacion Policisë së Shtetit, për atë që pritej të ndodhte të premten e 21 janarit. Gjithashtu komisioni ka vendosur që datën 4 shkurt të thirret për të dëshmuar para komisionit hetimor drejtori i policisë së shtetit Hysni Burgaj, në datën 5 shkurt kreu i shtetit Bamir Topi ndërsa në datën 5 shkurt edhe kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli. Po dje, Komisioni Hetimor, kryesisht anëtari Gent Strazimiri kërkoi që kompanitë celulare të zbardhin tabulate për disa gazetarë të njohur të medias. Në propozimin e Strazimirit bëhet fjalë për zbardhjen e skedarëve të gazetarëve si Andi Bushati, Sokol Balla, Filip Çakulli, Mero Baze si dhe për prokurorët Olsi Cela dhe Shkëlqim Hajdari. Komisioni Hetimor sqaron gjithashtu se kërkesa drejtuar kompanive të telefonisë fikse dhe celulare për katër shtetasit Filip Cakulli, Mero Baze, Andi Bushati dhe Sokol Balla, nuk kanë lidhje me veprimtarinë e tyre, si gazetarë. Komisioni hetimor ka caktuar dje datat e dëshmive për ngjarjet e 21 janarit: 1 Shkurt, Ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha 2 Shkurt, kreun e SHISH, Bahri Shaqiri dhe kryeprokuroren Ina Rama. 3 Shkurt, Presidenti i Republikës, Bamir Topi 4 Shkurt Kreun e Policisë së Shtetit Hysni Burgaj dhe Ndrea Prendi 5 Shkurt, kryeparlamentaren Jozefina Topalli.
Kërkes/“Kërkesa e datës 31 Janar, drejtuar kompanive të telefonisë fikse dhe celulare për katër shtetasit Filip Çakuli, Mero Baze, Andi Bushati dhe Sokol Balla, nuk kanë lidhje me veprimtarinë e tyre, si gazetarë. Komisioni informon se, kjo kërkesë është bërë pas të dhënave dhe informacioneve të sigurta, të disponuar prej tij, se veprimtaria e katër shtetasve të mësipërm ka lidhje me angazhimin e tyre, në nxitjen dhe inkurajimin e veprimeve të dhunshme, kriminale, të datës 21 Janar, të bëra, për të përmbysur rendin kushtetues”.
Rruga që duhet të ndjekin qytetarët që u dëmtuan gjatë demonstratës së dhunshme për dëmshpërblimin e tyre.
Qytetarët të cilëve u janë shkaktuar dëmtime të pronës si djegie makine, dëmtim dyqani, apo dëme të tjera ekonomike gjatë demonstratës së 21 janarit, kanë vetëm një mënyrë për të përfituar dëmshpërblimin. Ata duhet të paraqiten pranë Drejtorisë së Policisë për të bërë dokumentimin ligjor të tyre. Policia e Tiranës nëpërmjet një deklarate citon se, materialet proceduriale, të përpiluara për dëmtime të pronës, do t’i kalojnë për ndjekje penale Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Kjo do të thotë se qytetarët që janë dëmtuar materialisht, duhet të presin deri sa prokuroria të hetojë për ngjarjen dhe më pas t’ia kalojë gjykatës për thënien e verdiktit final, nëse do të dëmshpërblehen apo jo. Nga kompanitë e sigurimeve duket se nuk do të përfitojë asnjë nga 20 personat që me 21 janar panë makinat e tyre në flakë. Automjetet e djegur gjatë demonstratës së 21 janarit iu përkisnin qytetarëve të cilët fare rastësisht kishin parkuar në afërsi të bulevardit.
Flet Zenel Rami, babai i të arrestuarit si “atentator” i Edi Ramës/Zenel Rami, babai i Luan Ramit, një prej tre të arrestuarve nga policia me akuzën se ka kërcënuar me jetë kryetarin e opozitës Edi Ramën, rrëfen për Tv Klan të vërtetën e mesazheve që djali i tij këmbeu me shefin e Partisë Socialiste, pasi protestuesit i dëmtuan makinën. Luan Rami u arrestua pas akuzave të ngritura nga prokuroria se po komplotonte një atentat kundër Edi Ramës. Por ja si ka nisur komunikimi mes tyre. “Ai erdhi në shtëpi me dorë të vrarë. Pas kësaj çuni i ka dërguar liderit të opozitës një mesazh ku i ka kërkuar të dëmshpërblehej për makinën pasi ata që e dëmtuan kanë qenë njerëzit e tij. Mesazhin ia ka çuar me emër dhe mbiemër duke u identifikuar. Sidoqoftë unë mendoj se ka vepruar gabim. Lideri i opozitës kur ka marrë mesazhin ka reaguar shumë ashpër”- tha ai. Sipas 73-vjeçarit Zenel Ramit, e gjithë kjo histori po përdoret politikisht, jo vetëm nga politika e media, por edhe nga organet hetimore. “Kur dëgjoj që djali im ka ngritur një grup për të eliminuar liderin socialist për mua kjo është një montim dhe është dikush të cilit i intereson t’ia ballafaqojë këtë palës tjetër politikisht që “mua po më kërcënojnë me më vra”. 37-vjeçari Luan Rami u arrestua bashkë me dy persona të tjerë pas përgjimeve të bisedave të tyre nga Shërbimi Informativ Shtetëror. Në këto përgjime, pjesë të së cilave janë zbardhur nga media e shkruar, flitet se Luan Rami u ka kërkuar dy miqve të tij një kitarë. E kjo kitarë, sipas prokurorisë, nënkupton një armë që do të përdorej për vrasjen e Edi Ramës. Por nga kontrolli i policisë, nuk është gjetur asnjë kitarë apo vegël tjetër muzikore që mund të përdorej për ndonjë atentat, apo të përbënte rrezik për jetën e ndonjë personi, publik ose të panjohur.
Gazeta 55
One Response to Kërkohen skedarët e bisedave edhe për 4 shtetas të tjerë; Filip Çakuli, Mero Baze, Andi Bushati dhe Sokol Balla