Me 15 janar do të hapet shkolla shqipe në Bronx(USA)

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 3857
Regjistrimi fillon me 8 janar 2011 nga ora 9 paradite deri në 16.00 pasdite si dhe në ditën e parë të shkollës me 15 janar. Prindërit mund t ë telefonojnë në numrat që janë në fund të Formularit për të regjistruar fëmijët. Fletët e regjistrimit mund të gjenden tek Giovanni’s  ose edhe në vendgrumbullimin e shqiptarëve pranë institucioneve fetare si dhe tek Vatra.

Një lajm i mirë vjen nga Bronxi, ku jetojë mijëra shqiptarë; së shpejti do të hapet shkolla shqipe. Qëllimi i inisatorëve është ndalja e ortekut të asimilimit të shqiptarëve në vendin më demokratik të Botës, në SHBA. Në  New York e rrethina ka pasur inisiativa të tilla, madje ka pasur shkolla shqipe që kanë mbijetuar edhe 10 vjet, por më pas ato janë fashitur deri në mbyllje. Këtë herë nisma duket se do të japë frytet e dëshiruara. Nismëtarët kanë që me 8 dhjetor që mbildhen në “dhomën e pritjes”, aty ku bashkadhetari ynë Gjergj Dedvukaj, pronar i restorantit ”Giovanni’s” në Arthur Avenue, ka pritur e përcjellë shqiptarë dhe amerikanë, kryetarët e bashkisë dhe Governatorët e  New York-ut, kongresmenë e senatorë, e deri dhe presidentë të SHBA-së.

Ata që e nisën këtë aksion kombëtar dhe ju bashkëngjitën Gjergj Devukajt janë një grup atdhetarësh nga të gjitha trojet etnike, që po marrin të gjitha masat përgatitore në mënyrë që shkolla të fillojë e të vazhdojë normalisht. Në takimet e përjavshme ata kanë diskutuar për të gjitha hallkat që do të cojnë në suksesin e nismës së marrë. Në takimet e tyre kanë qenë të pranishëm edhe Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në New York, z. Dritan Mishto dhe diplomati i Konsullatës së Kosovës po ne  New York, Fatmir Zajmi, të cilët kanë afruar kontribute të shtetit shqiptar dhe atij të Kosovës për shkollën shqipe. Kështu Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë ka premtuar të sjellë 100 abetaret e para këto ditë, ndërsa Konsullata e Kosovës do të ndihmojë me plan-programe dhe ndihma të tjera që do t’i nevojiten stafit të shkollës.

Nga ana tjetër Profesori i Lehman College, Mithat Gashi, anetar i Bordit te Federates ”Vatra” ka ndërmjetësuar dhe ka siguruar tri klasa mësimore në mjediset e Kolegjit, të cilat do të vihen në dispozicion të shkollës shqipe në Bronx.

Janë disa shoqata që i janë bashkëngjitur Bashkimit Kombëtar, përfshirë dhe Federatën Vatra. Shoqatat kanë pranuar që të kontribuojnë në regjistrimin e fëmijëve, në sigurimin e ushqimit të drekës për fëmijët si dhe të një pagese simbolike .

Në takimin që u roganizua të mërkurën e 15 janarit, u miratua nga Komisioni edhe stafi pedagogjik i shkollës. Komisioni kishte në përbërje: Profesor  Ymer Ahmetaj, Dr.Hasan Ademaj, Gjergj Dedvukaj dhe Flamur Husaj.

Komisioni përzgjodhi pesë mësuesë nga 12 kërkesa të paraqitura. Katër janë mësuese dhe një mësues.

Profesori Ymer Ahmetaj, tha se stafi është profesionalisht i përgatitur; ka nivel të lartë pedagogjik, kanë përvojë dhe një pjesë janë mësimdhënës në shkollat amerikane. Në shkollën shqipe do të jepen lëndët : gjuhë dhe letërsi shqipe, histori e kombit shqiptar, Gjeografi për trojet shqiptare, kulturë muzikore dhe folklor shqiptar etj.

Koordinatori i Shkollës dhe anëtari i brodit, Mustaf Qosja, tha për gazetën”Dielli”  se përkrah kritereve formale të kualifikimit shkollor, mësuesëve u kërkohet: njohje e shkëlqyeshme e gjuhës shqipe(Gjuha standarte; gramatika, drejtshkrimi, stilistika); përgatitje dhe aftësi solide në të gjitha veprimtaritë themelore gjuhësore (të folurit, të dëgjuarit, të shkruarit, të lexuarit ekspresiv etj.); njohje e mirë e kulturës kombëtare, njohje e historisë dhe gjeografisë së Atdheut, njohje e artit të muzikës, edukim i mjaftushëm artistik, muzikor dhe figurativ; aftësi dhe shkathtësi interpretuse në këndim, vallëzim, instrumente muzikor etj.

Të gjitha këto kritere garantojnë një trupë mësimore serioze e të kualifikuar dhe do të përcjellin besushmeri tek prindërit, që fëmijët të mbushin klasat e gjuhës shqipe dhe shkolla të ketë jetëgjatësi.

Aktivisti Zef Balaj, që është pjestar aktiv i grupit nismëtar, tha se mësuesët që janë paraqitur dhe grupi organizator, meritojnë përkrahje.

Ndërsa Dr. Hasan Ademaj, një tjetër pjestar aktiv i grupit nismëtar, tha se ky është një hap i duhur që duhet të gëzojë përkrahjen e komunitetit shqiptar. Ka ardhur koha që të heqim dorë nga folklorizmi i veprimatrive dhe të bëhemi më institucionalë, më të orientuar, në veprimtaritë kombëtare. Shkolla shqipe është një hap në drejtimin e  duhur, edhe pse e vonuar në kohë. Ai ka afruar përkrahjen e tij, duke qenë pjesë e Bordit. Edhe Shkumbin Tetaj, ish profesor i Gjuhës angleze  në Kosovë, ka dhënë përkrahjen e tij, ashtu si dhe Agim Cavdërbasha, Tom Gjergji, Nikollë Juncaj, avokati Sabri Gjoni e të tjetërë. Mësuesja Violeta Ducellari, me përvojë pedagogjike dhe mësimdhënse në shkollat amerikane, e përzgjedhur në trupën mësimdhënse, tha se e shihte serioze nismën dhe se nuk do të kursejë asgjë për të mësuar fëmijët shqiptarë. Në grupin e mësuesëve të përzgjedhur janë edhe Ikbale Tetaj, Lirie Rexhmataj, Lumturi Porja si dhe Tom Gjergji për instrumenet muzikor.

Gjergj Dedvukaj, që ka punuar edhe në të shkuarën si mësimdhënës në shkollën shqipe të New York-ut, tha për “Diellin” se ka qenë dëshira e shumë prindërve, për hapjen e një shkolle shqipe. Në koncertet që kam dhënë me Asamblin ”Bashkimi Kombëtar” në Shqipëri, Malësi, Kosovë, në  Gjermani, në Festivalet Kombëtare si në Gjirokastër, e gjetkë , prindërit, më janë lutur që t’u mësoj shqip fëmijëve. Tani që kjo nismë po konkretizohet, numri i atyre që do të sjellin fëmijët jam i bindur se do të rritet. Vetëm, nga fisi im, tha ai, janë bërë 20 veta që janë treguar të gatshëm për t’u regjistruar.

Zyrtarisht regjistrimi do të realizohet më 8 janar në mjediset e Lehman College, ku në pritje të fëmijëve dhe prindërve do të jetë sekretari i Shkollës dhe pjestarë të stafit.

Bordi ka miratuar edhe një Fletë-Regjistrimi, që prindërit mund ta plotësojnë dhe ta dërgojnë në adresën e kërkuar ose ta kenë me vete në ditën e regjistrimit. Ata edhe mund të telefonojnë në numrat telefonik në fund të Fletë-Regjistrimit.Po e botojmë Fletëregjistrimin me qëllim që prindërit të krijojnë një ide se cfarë duhet të plotësojnë.

SHKOLLA SHQIPE NË BRONX

LEHMAN COLLEGE

250 Bedford Park Boulevard, West Bronx, NY 10468

FLETËREGJISTRIMI

Emri —————————- Mbiemri————————————- Amëza——————————————

Adresa———————————————————————————————————————————————————————————————-

Qyteti————————— Shteti————————————- Nr. i Postës———————————————————————————————————-

Telefoni———————————– Telefonat e urgjencës—————————-

E-mail i prindit———————————————————————————————————————-

Datëlindja————————————Vendlindja————————————————————————

Rrethoni klasën që ndjek nxënësi këtë vit:    1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9, 10, 11, 12

Suksesi i nxënësit nga viti shkollor paraprak—————————————————————————–

Prirjet e nxënësit janë:————————————————————————-

Emri i prindit——————————————— Vendlindja ————————————————————

Shkolla fillon                       15 Janar 2011

Nënshkrimi i prindit:————————————————- Data——————-

Nënshkrimi i Nxënësit——————————————— Data———————

Për informata më të hollsishme kontaktoni numrat tel: 423 747 51-00, 914 582 39-85, 917,209-6500

Gazeta Dielli

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 13/01/2011. Filed under Gjuha Shqipe. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.