Autokratët ish-komunistë

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 1966
Një nga fatkeqësitë më të mëdha që la komunizmi në vendet ish-komuniste, nuk është vetëm se prodhoi diktatorë në të gjitha ato vende pa përjashtim, por se la modelet e udhëheqësve diktatorë për t’u imituar nga udhëheqësit, të cilët erdhën në pushtet në regjimet demokratike. Dhe modelet u bënë më të këqij se origjinali. Një shembull tipik dhe përgjithësues e kemi nga Kazakistani, ku më 24 dhjetor, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve u paraqit kërkesa e një grupi të shoqërisë civile për të organizuar një referendum popullor, që t’i zgjasë presidentit të vendit mandatin e sundimit deri në vitin 2020, duke mos organizuar më zgjedhje presidenciale. Presidentit i skadon mandati shtatëvjeçar në vitin 2012. Ai ka në postin e presidentit qysh nga viti 1991, pra që prej 20 vitesh, dhe është 70 vjeç. Një deputete e parlamentit kazak u ngrit dhe propozoi që mandati i presidentit të tanishëm të shtyhej nëpërmjet referendumit deri në vitin 2030, pra kur Nursultan Nazarbajevi do të jetë 90 vjeç. Vladimir Redkokashin, kryetar i Këshillit të kryeqytetit Astana, njoftoi më 24 dhjetor se referendumi mund të organizohet në mars të vitit të ardhshëm. Këto kërkesa dhe deklarata dashurie për udhëheqësin bëhen në një kohë, kur presidenti në muajin qershor është shpallur me ligj nga parlamenti “baba i kombit”, kur ai i ka dhënë vetes me ligj në vitin 2007 të drejtën të kandidojë pa kufizim, sa herë të dojë, në zgjedhjet presidenciale, kur ai ka siguruar me ligj paprekshmërinë ndaj tij dhe pasurisë së tij, edhe kur të mos jetë në gjendje të lëvizë as gishtin, si dhe paprekshmërinë e familjes dhe të pasurive të anëtarëve të familjes, edhe pas vdekjes së tij. Sikur të mos mjaftonin këto, tani del kërkesa nga shoqëria civile, (nga poshtë, nga baza, nga populli, – ishte eufemizmi në kohën e komunizmit), që të mos bëhen zgjedhje fare, por thjesht një referendum, që t’i japë presidentit pushtetin e pakufizuar edhe kur ai të jetë 80 apo 90 vjeç.

Zgjedhjet e lira janë një nga atributet kryesore të një regjimi demokratik, dhe shprehja e vullnetit të lirë dhe e votës së lirë të popullit përbën një nga themelet e demokracisë. Kaq të domosdoshme janë zgjedhjet dhe votimet, sa që edhe regjimet e mëparshme komuniste dhe udhëheqësit e tyre diktatorë, i organizonin rregullisht në bazë të afateve ligjore, me qëllim që të tregonin para botës se ishin zgjedhur me votën e popullit. Tani paraqitet absurditeti që të hiqen zgjedhjet fare, të mos ketë as formalisht zgjedhje, dhe “babai i kombit” ta ketë dorën të lirë dhe të mos bezdiset as me farsën formale të organizimit të zgjedhjeve. Kryetari i shoqatës për organizimin e referendumit të zgjatjes së mandatit të presidentit, Jerlan Sidikov, që është rektor i Universitetit të Semipalatinskut, deklaroi se kjo kërkesë bëhet që t’i kursehet vendit koha dhe shpenzimet për organizimin e zgjedhjeve. Pjesëtar i shoqatës është edhe poeti i njohur kazak Olzhas Sulejmenov, ambasador i Kazakistani në UNESCO, i cili deklaroi me këtë rast se “është e panevojshme për Kazakistanin të shpenzojë në fushata elektorale presidenciale. Një referendum kombëtar mund të na kursejë përpjekjet dhe burimet financiare”. Këta, që flasin për heqjen e zgjedhjeve presidenciale, me kaq gojë entuziaste, pa frena logjike, nuk janë fshatarë, që lanë dje dhitë dhe malin, dhe presidenti i bëri funksionarë. Në fakt presidenti është me origjinë fshatare, bir bariu, i cili në Muzeun e ngritur për nder të tij, i ka servirur popullit të admirojë tasat e drurit dhe lugët e drurit, me të cilat hante, kur ruante dhitë. Këta, që flasin dhe kërkojnë fshirjen e zgjedhjeve nga jeta politike, janë intelektualë të spikatur, përfaqësues të botës akademike dhe civile.

Kjo tregon shkallën e lartë të degradimit moral, që sjellin regjimet autokratike edhe në kohën e demokracisë apo të pseudodemokracisë. Në vend që të shqetësohen për mungesën e demokracisë dhe të ngrenë zërin pse në parlamentin e vendit të gjithë deputetët janë të partisë së presidentit dhe nuk ka qoftë edhe për shenjë një deputet opozitar, në vend që të ngrenë zërin përse në vend, sipas organizatës “Reporterë pa kufij” ka mungesë lirie shtypi dhe njerëzit dënohen, jo vetëm kur botojnë kritika për presidentin, por edhe kur flasin me tone kritike për presidentin në blogget apo në chat-room-et e internetit, në vend që të ngrenë zërin për korrupsionin, ku “Transparency International” e rreshton Kazakistanin ndër vendet me korrupsionin më të lartë në botë, dhe ku pasuria personale e grumbulluar nga presidenti është 7 miliard dollarë dhe ku vetëm e bija e tij ka 1,1 miliard dollarë pasuri, përfaqësuesit e shoqërisë civile dalin dhe kërkojnë që presidentit t’i zgjatet mandati i sundimit edhe kur të jetë 80 e 90 vjeç. Këtu del në skenë një fenomen shqetësues, që është karakteristik për të gjitha vendet ish-komuniste. Është fjala për rolin, që duhet të kenë dhe rolin që luajnë të quajturat organizata joqeveritare në këto vende, rol i cili po bëhet kontraproduktiv. Organizatat joqeveritare, në një pjesë të mirë të tyre, në të gjitha shtetet ish- komuniste, kanë marrë dhe po marrin rolin e Bashkimeve Profesionale të dikurshme, duke i shërbyer pushtetit autokratik si rripa transmisioni, në mënyrë apo aq servile si dikur.

Sepse nuk mund të pretendohet për pavarësi të organizatave joqeveritare, dhe aq më pak për rol e veprimtari kritike të tyre, në rast se projektet e shumicës prej tyre financohen nga qeveria. Nuk mund të pretendohet se organizatat e shoqatat joqeveritare janë në nivelin dhe në detyrën e kërkuar, nëse spikerët kryesore që i japin tonin mbledhjeve dhe konferencave të tyre janë vetë qeveritarët dhe udhëheqësit autokratë. Ky degradim është pjesë e prirjes së pushtetit korruptiv të udhëheqësve autokratë, të cilët kanë një interes strategjik ta reduktojnë shoqërinë civile në një klakere të pushtetit autokratik ose në një bashkëpunëtore të heshtur të tij. Sepse nuk mund të mendohet se ata akademikë apo intelektualë në Kazakistan e kanë vërtet bindjen se popullit dhe demokracisë i bën mirë të hiqen fare zgjedhjet dhe presidenti apo “babai i kombit” ta drejtojë shtetin edhe nga shtrati i lëngatës apo i vdekjes. Autokratizmi si sistem dhe ideologji sundimi nuk sjell vetëm degradimin e demokracisë, por edhe të të gjitha institucioneve që ajo demokraci krijon, qofshin shtetërore apo të shoqërisë civile. Nuk mund të mendohet se një regjim autokratik apo një udhëheqës autokratik i jep vetes luksin që të lejojë për rreth demokraci reale, vullnet të lirë real dhe shoqëri civile reale. Etja e pushtetit të autokratëve është e pakufishme dhe autokratët e sotëm të vendeve ish-komuniste kanë të njëjtën prirje dhe autosugjestion se ata janë po aq providencialë sa ç’ishin edhe modelet e tyre, udhëheqësit e mëparshëm të shteteve komuniste.

Veti e personalitetit të autokratëve komunistë apo ish-komunistë është se humbasin çdo lidhje me realitetin dhe ata nisin të besojnë se jo vetëm janë të pazëvendësueshëm, por edhe se janë të përjetshëm. Është vërtet interesante të hulumtohet se përse në memorien e tyre nuk zgjohet për asnjë moment paralajmërimi i fatit, që kanë pasur paraardhësit e tyre të regjimit komunist. Verbimi i lakmisë për pushtet duket është kaq i fuqishëm, sa që humbet çdo sens logjik, dhe ndoshta për këtë arsye në historinë e njerëzimit kronika e autokratëve të marrosur vazhdon.
Uebsajti “Couriermail.com” njoftonte se më 7 dhjetor, në një fjalim të mbajtur në Universitetin me emrin e tij “Nursultan Nazarbajev”, presidenti i Kazakistanit dha porosi që një nga prioritetet e Qendrës së Shkencave të Jetës duhet të jetë gjetja e mënyrave për prodhimin artificial të qelizave njerëzore dhe të rinovimit të trupit të njeriut. Presidenti kërkon eliksirin e jetës, sepse aspiron të sundojë jo vetëm kur të jetë 80 apo 90 vjeç, por ëndërron edhe sikur të jetë 180 vjeç. Nuk janë rrëfenja të një nate dimri, por janë realitete që ndodhin në një shtet, i cili vjen nga një regjim komunist, ndodhin në një rajon si Azia Qendrore, që është binjake me Ballkanin për mentalitete tribale dhe mungesë tradite demokratike, dhe që njësoj si në Ballkan, toka shoqërore është pjellore për autokratë, por që ka edhe një klasë politike, edhe një klasë intelektuale, edhe një shoqëri civile, që bashkëjeton dhe mbijeton e majmur me autokratë.
Petrit Haliti/Gazeta Shqiptare

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 28/12/2010. Filed under Politika. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.