- Home
- Shqipëria
- Bota
- Politika
- Mafia
- Shke-Tek
- Italiano
- Ekonomi
- Biografi
- Automobili
Lexuar 2714
OSLO- Në kulmin e kritikave për shtimin e trupave në Afganistan, Obama ka marrë sot Nobelin për Paqe, duke pranuar se lufta shumë herë është jo vetën e nevojshme, por moralisht e justifikueshme. Në fjalimin me rastin e marrjes së çmimit, Obama, në një mënyrë, iu përgjigj dhe kritikëve.
Ai nuk harroi të nënvizonte dhe qëndrimet e tij lidhur me luftën, sigurinë dhe çuarjen përpara të paqes. “Unë përballem me botën ashtu siç është dhe nuk mund të jem indiferent përballë kërcënimeve ndaj popullit amerikan. Mos harroni, e keqja ekziston në botë”. “Një lëvizje paqësore nuk do të mund të kishte ndaluar ushtrinë e Hitlerit. Bisedimet nuk mund ta bindin Al Kaidën të heqin dorë nga armët. Të themi se forca ka raste kur është e nevojshme, nuk është cinike, është pranim i historisë, është pranim i faktit se njeriu dhe njerëzimi nuk janë të përsosur dhe arsyeja ka kufijtë e saj”, tha Obama. Duke folur para gazetarëve në Oslo, Obama shprehu përulësi, duke thënë se vendimi i Komitetit Nobel e kishte zënë në befasi.
“Nuk kam dyshim se ka edhe të tjerë, të cilët mund ta meritojnë më shumë. Detyra ime këtu është të vazhdoj në rrugën, për të cilën besoj se është e rëndësishme jo vetëm për Amerikën, por është e rëndësishme për paqen dhe sigurinë e qëndrueshme në botë”, tha Obama.
Presidenti amerikan tha se arritja e paqes dhe sigurisë kërkon të adresohen një varg çështjesh, prej luftimit efektiv të ndryshimeve globale të klimës, deri te stabilizimi i vendeve si Afganistani dhe mobilizimi i përpjekjeve ndërkombëtare për t’ia dalë mbanë me terrorizmin, që është në vijë me vlerat dhe idealet e Perëndimit. “Kjo do të thotë që të adresohen çështjet e zhvillimit, sepse ne e kuptojmë lidhjen ndërmjet drejtësisë dhe paqes”, tha Obama.
Në konferencën për shtyp me kryeministrin e Norvegjisë, Jens Stoltenberg, Obama gjithashtu iu përgjigj kritikëve, të cilët thonë se ai nuk ka bërë sa duhet gjatë presidencës së tij për ta merituar Çmimin Nobel për Paqe. “Qëllimi nuk është të fitohet gara e popullaritetit apo të fitohet çmimi, qoftë ai edhe një si Çmimi Nobel për Paqe. Qëllimi është që të avancohen interesat e Amerikës, të forcohet ekonomia jonë dhe të bëhemi përherë forcë për të mirën në botë”, tha Obama.
Kritikët thonë se Obama nuk e meritoi çmimin për shkak të sukseseve të kufizuara politike të jashtme që kur e mori zyrën në janar dhe për shkak të vendimit që të dërgojë afro 50 mijë trupa shtesë në Afganistan. Kritikat nuk vijnë vetëm nga kundërshtarët politikë në Shtetet e Bashkuara. Sot edhe disa banorë të Oslos shprehën skepticizëm. “Nuk mendoj se ai e meriton Çmimin Nobel, çmimin e paqes, sepse ende nuk e ka merituar. Ai vetëm ka dërguar njerëz në Afganistan dhe Irak. Nuk mendoj se për këtë e meriton Çmimin Nobel për Paqe”, tha një banor i Oslos.
Por, ka edhe të atillë, si biznesmeni Terje Sunde Jonsen, që thonë se çmimi do t’i ndihmojë Obamës që më mirë t’ia dalë mbanë me sfidat e administratës së tij, prej luftërave në Afganistan dhe Irak, e deri te krizat bërthamore me Iranin dhe Korenë e Veriut.”Mendoj se është shumë mirë, sepse kjo paraqet përdorimin aktiv të çmimit të paqes për të ndikuar në zhvillimet”, tha Jonsen.
Komiteti i Nobelit
Komiteti i Nobelit nderoi Obamën me këtë çmim për “përpjekjet e tij të jashtëzakonshme për të forcuar diplomacinë ndërkombëtare dhe bashkëpunimin mes popujve”. Kreu i Komitetit të Nobelit, Thobrjon Jagland, theksoi në fjalën e tij si një nga arsyet për çmimin shtytjen që po u jep Obama përpjekjeve për një botë pa armë bërthamore.Jagland nënvizoi se përpjekjet e Obamës ishin në përputhje të plotë me kriteret e vendosura nga industrialisti Alfred Nobel, që e krijoi këtë çmim në vitin 1901.
“Pyetja ishte shumë e thjeshtë: Kush ka bërë më së shumti për paqen në botë gjatë vitit të fundit? Nëse pyetja do të vendosej sipas kushteve të Alfred Nobelit, përgjigjja do të ishte relativisht e lehtë. Ai ka qenë presidenti amerikan, Barak Obama”.”Shumë rrallë një person dominon politikën ndërkombëtare në këtë shkallë si Obama apo që në një kohë kaq të shkurtër ka nxitur nisma që sjellin ndryshime madhore”, tha Jagland.
Nobel për Paqen, Kastro: Obama është treguar cinik
Ish-presidenti i Kubes, Fidel Kastro ka akuzuar presidentin amerikan Barack Obama se eshte treguar cinik duke pranuar Nobelin per Paqe.Akuza sepse Obama “kishte vendosur te conte luften ne Afganistan, duke pare pasojat e fundit”. Duke komentuar fjalimin ne West Point, Fidel thote se i ka kujtuar ish-presidentin Bush. “Tani duhet te presim nje tjeter fjalim teatral ne Oslo, qe fsheh ekzistencen e nje superfuqije perandorake”.
Shekulli
© 2005-2023, ↑ Proletari
Accedi- Posts -
Add New
-
Powered by WordPress -
Designed by Gabfire Themes