LËVIZJA PA VIZA DREJT HAPËSIRËS SCHENGEN MBËRRITI EDHE PËR QYTETARËT E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 4535
Duke filluar nga data 15/12/2010, qytetarët e Republikës së Shqipërisë nuk do të kenë nevojë për vizë për të udhëtuar në 25 prej shteteve anëtare të Bashkimit Evropian si dhe në 3 shtete të tjera jo-anëtare të BE-së, pjesë të zonës Shengen. Qytetarët e Republikës së Shqipërisë që kanë një pasaportë të vlefshme biometrike, mund të udhëtojnë pa vizë në këto shtete për periudha afatshkurtra deri në 90 ditë çdo gjashtë muaj (180 ditë), për qëllime biznesi, për studime apo për turizëm.

Në cilat shtete mund të udhëtohet pa viza?
Rregullat e reja zbatohen në të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian përveç Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës, të cilat nuk janë pjesë e zonës shengen. Qytetarët shqiptarë mund të udhëtojnë pa viza edhe në Islandë, Norvegji e Zvicër.
Lista e shteteve për të cilat nuk kërkohet vizë: Austri, Belgjikë, Bullgari, Danimarkë, Estoni, Finlandë, Francë, Greqi, Gjermani, Holandë, Hungari, Islandë, Itali, Letoni, Lituani, Luksemburg, Maltë, Norvegji, Poloni, Portugali, Qipro, Republika Çeke, Rumani, Sllovaki, Slloveni, Spanjë, Suedi, Zvicër.

Si mund ta dalloj nëse pasaporta ime është biometrike?
Shpërndarja e pasaportave biometrike në Shqipëri ka filluar që nga maji 2010.





Shikoni me kujdes nëse pasaporta juaj ka këtë simbol  në pjesën ballore të saj. Nëse po, atëherë pasaporta juaj është biometrike dhe ju mund të udhëtoni me të lirisht në shtetet e sipërpërmendura.

Si mund të pajisem me pasaportë biometrike, nëse ende nuk e kam një të tillë?
Nëse ende nuk keni pasaportë biometrike, duhet të bëni kërkesë në institucionet e autorizuara për dhënien e pasaportave në Republikën e Shqipërisë, për t’u pajisur me pasaportë të re, në mënyrë që të udhëtoni pa vizë në shtetet e sipërpërmendura.

A mund të udhëtoj akoma me pasaportën time të vjetër jo-biometrike?
Meqenëse pasaportat jo-biometrike nuk vlejnë për lëvizjen e lirë pa viza, ju nuk do të mund të udhëtoni dot me këtë pasaportë drejt vendeve të hapësirës Schengen, nëse në të nuk keni vizë. Për informacione të mëtejshme, duhet të kontaktoni autoritetet e shtetit shqiptar ose përfaqësitë konsullore të shteteve Shengen.

Sipas rregullave të reja, sa kohë mund të qëndrojnë qytetarët shqiptarë në zonën Shengen?
Sipas rregullave të reja, qytetarët shqiptarë me pasaportë biometrike mund të qëndrojnë në zonën Shengen, (që përfshin Islandën, Norvegjinë, Zvicrën, si edhe të gjitha shtetet anëtare të BE-së, përveç Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës) maksimumi 90 ditë që nga dita e hyrjes brenda një periudhë kohore prej gjashtë muajsh (180 ditë). Periudha fillon që nga momenti kur ju hyni për herë të parë në këtë zonë, brenda periudhës gjashtë mujore. Për shembull, nëse me datë 1 janar ju hyni për herë të parë në zonën Shengen, periudha e ardhshme gjashtë mujore fillon me datë 1 korrik. Nëse udhëtoni shpesh në zonën Shengen, duhet të numëroni ditët e mbetura nga periudha gjashtë mujore. Pra, ju mund të bëni disa udhëtime afatshkurtra, me kusht që kohëzgjatja e tyre të mos kalojë 90 ditët brenda periudhës gjashtë mujore (180 ditë).

A mund të jetoj dhe të punoj në shtetet e zonës Shengen sipas rregullave të reja?
Rregullat e reja aplikohen vetëm për qëllime udhëtimi. Ato nuk u japin qytetarëve shqiptarë të drejtën për të qëndruar më shumë se 3 muaj, sidhe as të drejtën për t’u punësuar në këto shtete. Nëse keni ndërmend të punësoheni apo të studioni për një periudhë që tejkalon 90 ditët, më parë duhet të aplikoni për vizë afatgjatë ose për leje qëndrimi në ambasadën apo konsullatën e shtetit ku do të shkoni. Është e ndaluar të punoni në zonën Shengen pa leje pune apo të jetoni aty pa lejen përkatëse të qëndrimit.

A ekzistojnë kërkesa të tjera për të hyrë në këto shtete?
Personave që zotërojnë pasaportë biometrike, në mënyrë që të udhëtojnë lirisht drejt shteteve Shengen, nuk u duhet të plotësojnë kërkesa të tjera financiare apo administrative. Megjithatë, qytetarëve nga vende të treta tmund t’u kërkohet në kufi të tregojnë mjetet e udhëtimit dhe mjetet e jetesës gjatë qëndrimit të tyre në zonën Shengen. Atyre mund t’u kërkohet të specifikojnë vendin ku do të qëndrojnë (p.sh. të tregojnë rezervimin e hotelit apo adresën e vendit ku do të qëndrojnë).
Gjithashtu, udhëtarët nuk duhet të konsiderohen si persona që përbëjnë kërcënim për rendin, shëndetin publik apo sigurinë e brendshme. Ata nuk duhet të jenë persona ndaj të cilëve është dhënë ndonjë vendim për të refuzuar hyrjen në zonën Shengen. Autoritetet kufitare të shteteve anëtare kanë të drejtë të refuzojnë hyrjen e personave që nuk plotësojnë këto kërkesa dhe të vendosin përfundimisht nëse do të lejojnë hyrjen e atij personi në zonën Shengen.

Rekomandime për udhëtarët
• Udhëtoni me agjenci udhëtimi të besueshme.
• Kontrolloni a ju duhet sigurim shëndetësor dhe lloji i tij (dokumenti/ konfirmimi nga zyrat shëndetësore). Rekomandohet të pajiseni me sigurim shëndetësor përpara nisjes.

• Nëse udhëtoni drejt zonës Shengen me automjet, duhet të pajiseni me leje ndërkombëtare drejtimi automjeti dhe me kartonin e gjelbër të sigurimit ndërkombëtar të makinave. Për më shumë informacion, përfshirë rregullat rrugore të BE-së, vizitoni faqen e internetit http://ec.europa.eu/transport/road_safety/observatory/traffic_rules_en.htm
• Nëse udhëtoni privatisht, përpiquni të kontrolloni adresën, qytetin, numrin e telefonit dhe emrin e hotelit të shtetit të zonës Shengen, për shëmbull në një faqe interneti.
• Numri i urgjencës është 112 dhe vlen për të gjitha shtetet anëtare të BE-së (për policinë, ambulancën dhe zjarrfikësin).
Ministria e Punëve të Jashtme/www.mfa.gov.al

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 13/12/2010. Filed under Data Historike,Ligji. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

One Response to LËVIZJA PA VIZA DREJT HAPËSIRËS SCHENGEN MBËRRITI EDHE PËR QYTETARËT E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.