- Home
- Shqipëria
- Bota
- Politika
- Mafia
- Shke-Tek
- Italiano
- Ekonomi
- Biografi
- Automobili
Lexuar 3542O Zot! Po, të lutem, mos e premto që Shkodra eme, me u kthye në një Beirut të dytë!
I madhi Luigj Gurakuqi porositë: “Letrat pa emen e kanë vendin në kosh..!”. Vetëm tue pasë parasyshë damin moral, fetar e atdhetar me pasojat e tij rrenuese që i ka sjellë dhe vazhdon me i sjellë përditë Popullit Shqiptar, sigurimi i shtetit komunist me metastazat e tij të përhapuna në të gjithë globin dhe, tue vërejtë djallzinë e mënershme të tij, këte herë të futun nën fletët e Ungjillit, për me përça Rininë Shqiptare, aq debul për kah Feja e Atdhetarizmi, dhe mbarë Popullin Shqiptar, mendja më imponoj të ulem dhe mbasi të kryej detyren teme si Shkodranë, artikullin tuej që kam marrë para pak ditësh, ta çoj “aty ku ka vendin”… simbas porosisë së Atdhetarit Gurakuqi…
As nuk e kishe ndër mend me u marrë me njerëz “pa emen”, mbasi kur i ke thanë dikur në Shkoder “kujtdo” kjoftë, “i paemen”, ia ke thanë të gjitha… Mungesa e emnit apo prezentimi i rremë apo i mësheftë etj. ka vetëm një shpjegim: Mungesen e karakterit ose të thanun ma shqip: paburrninë me tregue kush je… e prej ka rrjedhë dhe kujt i shërben?!..Ndoshta, ke edhe turp me tregue!
Aspak me u çuditë!
Respekti për të vdekunit që prehën në Rëmaj dhe Ata Burra që kanë Eshtnat pranë Tyne në Zallin e Kirit të Shkodres Martire, më detyrojnë pa asnjë kusht, mos me heshtë!
Vetë titulli “Injoranca fetare katolike” më shtynë me mendue se autori nuk ka fare ide kush asht kenë dhe asht edhe sot Kleri Katolik Shqiptar, inteligjenca shkodrane, atdhetarët e përkushtuem dhe të gjithë Ata Burra, që mbas vitit 1944 Enver Hoxha, me veglen terroriste të tij, sigurimin e shtetit komunist, të formuem nga shovenistët serbo-sllav dhe aziatikë, vetëm për me ia arrijtë qellimit të shkombtarizimit dhe shkatrrimit me thëmel të Shqipnisë Evropjane, i pushkatuen, i dhunuen vorret, i vodhën edhe veprat, i plaçkitën, i shitën edhe Atdheun e lamë me Gjakun e Shenjtë të Tyne dhe, tashti, pa pikë turpi si gjithmonë, donë me ua marrë edhe Fëtyrën… tue fillue nga syzhgaba i Hotit Dedë Gjo’ Luli i Maleve tona…e deri tek ma i fundit që i këndon At Gjergj Fishta OFM., tek “Lahuta e Malcis” apo, Bariu i Alpeve të ashpra me fyellin e tij shekullor.
Më tregonte Prof. Nush Radovani sesi në një bashbisedim me z. Nut Dragusha, kur Nushi po i shpjegonte mbi rranimet që kishte ba bombja atomike në Hiroshima, ngjarje e cila ato ditë kishte një përvjetor, Nuti mbasi e ndigjon një copë kohë me vemendje , e ndërpret: “Po lene o z. Nush, damin që paska ba para sa vjetësh në Japoni bombja atomike…ai dam nuk asht kurrgja sot me damin që asht tue ba përditë injoranca…ajo ka pushtue miljona njerëz, të cilët janë çue e po rrënojnë botën..!”
Don Kolec Prennushi tek parathanja e librit “Për Krishtin o kundër Krishtit”, botue në vitin 1938, në Shkoder, shkruen: “Lufta që racionalizmi nisi mbi katedra, ra mandej në rreshta të popullit e u ba komunizëm, bolshevizëm gjithrranues. Sulmi i tij nuk qëllon vetëm Hyjninë e Krishtit e Hyjnueshmeninë e Kishës por, edhe kullat mbrojtse të tyne…Por, armët kundra vërsuljeve të anmiqve, sidomos në këte kohë, kur mortaja e komunizmit ka pra atmosferën e përgjithshme, i duhet popullit me i pasë përdoresh e kundra të zakonshmëve e, kundra atyne ma të hollave që kanë hijen e ditunisë, të cilat, edhe në mos paçin mërritë ndër ne, do të vijnë si mbeturina rranojash që hjedhë dallka e detit në bregore tona.”
Dhe, ja…me sa meskinitet fillon shkrimi i juej: “Në fillim kam pasur dëshiren të shkruaj në gegërisht, gjuha e lavdishme e katolikëve të Veriut, por jam tërhequr nga ky projekt për arsye se jo të gjithë shqiptarët e kuptojnë këte variant të gjuhës shqipe, dhe, se aktualisht nuk jam në dijeni të existencës së një varianti standard të gegërishtës.”
Këte të vërtetë që me siguri “padashje”e tregoni që në rreshtin e parë: … “deshta me e shkrue gegërisht….por,” jeni “terhequr” gabimisht apo me dashje nuk e di, por ju, nuk keni ditë se 70 % e të gjithë popullit masakruem shqiptar flasin Gegënisht, së cilës, simbas jush edhe i mungon “varianti standard”….kur, për ma tepër mbi 70 % e shkrimtarve shqiptar janë shkrimtarët Gegë, që bashkë me popullin e tyne heroik janë përfshi në genocidin e ushtruem nga Enver Hoxha (udhëheqes i juej) me Partine e tij komuniste dhe të aplikuem në “Kongresin e drejtëshkrimit të vitit 1972”. E, si do të shkruejshe ti në gjuhën e lavdishme të katolikve të Veriut, popullsi mbi të cilën per 47 vjet Enver Hoxha me pasuesin e tij Ramiz Alinë, ka zhduke inteligjencën, kulturën, gjuhën, besimin, doket e zakonet burrnore të të gjithe Shqiptarve dhe, tue krijue me çerdhet e tija të spijunazhit shemtimin e bastardhuem të shqiptarit “njeriun e ri komunist”, një prej të cilve pa diskutim mund të jenë cilido ai i paemen, i pa mbiemen, që perfaqson vetëm një demagog…siç ishte edhe ai vetë, të mëshefun ende sot ndër formacionet e budigardve të Ramiz Alisë me shokë, të cilin, kur e merr malli për Shkodër, ashtu si ju në faqën e fundit: “ Ashtu bre o Shkoder, qendro…”(fq. 38), shkoni e vizitoni kalanë e Gjinokastrës…dhe rrotulloheni tri herë rreth shtëpisë së përbindshit të Atdheut, tue i shërbye me të gjitha mjetët edhe për së vdekuni!
Një shqiptar që nuk kupton gjuhën që flet 70% e popullit të tij, ai i thotë vedit gabim se asht shqiptar dhe se di me folë shqip. Ndonse, djallzia e juej vazhdon tue e quejtë Gjuhën Gegënishte Shqipe, “gjuha e lavdishme e katolikve të Veriut”, pikërisht, ajo gja, që e shtyni E.Hoxhen me shpikë “gjuhën e njësuar”, që asht vetëm gjuha e tij ose “gjuha e dreqit”, që për fat të keq edhe “perkthyesit” e Ungjillit, e justifikojnë atë veprim që kanë ba pikërisht, kështu, si ju!
Gjuha Gegënishte asht Gjuha e Shqiptarve pra, që jetojnë në 70 % të Trojeve tona dhe, jo, vetëm, e Popullit Katolik ndër Ato Troje, por e të gjithë Shqiptarve pa dallim Feje.
Për ma sakt, ju, jepni porosi “fryti” i së cilës, më lejon me mendue edhe për ju, në fq. 21: “(Ruajuni nga profetët e rremë që vijnë te ju me veshjen e qengjit por përbrenda janë ujqër të uritur. Nga frytet e tyre do t’i njihni. Mateu 7:15-16).”
Ju shkrueni në faqe 29: “Mjerisht, kundër mësimëve të Papës dhe Kishës Katolike, klerikë katolikë shqiptarë kanë njohur dhe përkrahur qeverinë e Vlorës të 1912, qeveri e cila nuk është thëmeluar mbi ligjët e Fesë shenjte Katolike, ashtu siç mëson e porositë Selia e Shenjtë. Kjo vërtetohet edhe me praninë e 5 katolikëve dhe 5 myslimanëve në këtë qeveri. Pra, janë vëndosur interesat e kombit para interesave të Zotit.”
Atëherë, me kenë kështu si thoni ju, pse vetë Papa Benedikti XV ka veprue kundër “mësimeve të veta dhe Kishës Katolike” apo edhe Ai ishte “injorant” simbas jush, kur Imz. Bumçi, mbasi vërenë një mungesë të madhe sinqeriteti nga delegati italian në Paris Ministër i Jashtëm i Italisë, me të cilin u takue me datën 26 tetor 1919, për marrveshjen “Titoni – Venizellos” mes Italisë dhe Greqisë, në dam të tokave Shqiptare, Imz. Bumçi u takue edhe me delegatin francez dhe amerikan, tue nxjerrë nga këta bisedime një aksiomë filozofike që mund të shpikej vetëm nga koka e Imz. Bumçit: Me datën 29 Dhetor 1919 Ai arrinë në Vatikan dhe në ditët e para të Janarit 1920, u takue me Papen Benedikti XV, të cilit, i tha: “Tash pra Shejtni, të gjithë Misat e Dergatës Shqiptare që janë në Paris e që shumica asht myslimane, më kanë çue këtu përpara Shejtnisë s’Uej e të gjithë për një goje U lutën që, me fuqinë Tuej morale e me influencën e madhe që keni në Botën mbarë, të na jepni ndihmën Tuej të vlefshme si kur dini Ju vetë, që na të pështojmë dy provincat shqiptare, Korça e Gjinokastra, të cilat, janë në rrezik prej akordit Titoni – Venizellos.”
Papa i shpjegoi Imz. Bumçit se Vatikani nuk kishte marrdhanje të mira me Francën dhe Italinë por, do të takohej urgjentisht me ambasadorët anglez dhe amerikan në Vatikan, të cilve, Ai, do Ti kërkonte me qendrue në përkrahje të Popullit Shqiptar…dhe, e mbajti premtimin! Në të njajtën kohë Imzot Bumçi porositë Qeverinë Shqiptare dhe Popullin tonë:
“Pikë së pari duhet pra, të kemi bashkim të plotë, urtësi të madhe, durim e nderim për njenitjetrin. Duhet të shuejmë hidhënimet e mënitë që na ndajnë, të respektojmë mendimet e shokve tonë e të mos ftohim e të ashpërsojmë mardhanjet në mes të Shqiptarve prej çdo krahinash e prej çdo Fenash që të jenë. Për të mirën e Atdheut, duhet sot, që ma i madhi të bahet ma i vogël përpara të tjerve.” (“Krishtërimi ndër Shqiptarë”, viti 2000, fq. 300).
Ju paraqiteni edhe si “përkthyes” i disa gjuhëve, nga të cilat keni marrë këte material. Po, si mund t’ ju besoj unë ju, kur, ju, nga Gjuha Shqipe, nëse asht gjuha e nanës suej, ju keni marrë disa fraza dhe i keni interpretue gabim, ndoshta, me dashje, por ata nuk janë shkrue as nga At Gjergj Fishta OFM., as nga Don Lazër Shantoja, ashtu si i keni interpretue ju! Kjo më bindë për dashakeqjen tuej, por edhe për “injorancen fetare” të tuejen, me të cilën ke dashtë me njollosë kolosët e Klerit dhe shkrimtarët e Veriut e, bashkë me Ata, edhe të gjithë Ata Atdhetarë Shqiptarë që janë edhe Gurt’e Parë të thëmelëve të Shtetit Shqiptar, ideator dhe ndertues të Tij, por, që fatkeqësisht, pothuej, asnjeni nuk e gzoi! Ja, dhe keqinterpretimet tueja, të cilat zbulojnë “fëtyrën e mësheftë” të përçmuesit dhe të shpifsit “modern” fq. 33:
“Si është e mundur atëherë që vetë At Fishta, në fjalimin e tij në Konferencën e Parisit në 1919 të citojë revolucionarin anti-katolik Jan-Jacques Rousseau : « Ani, ndërrojani zotat, por të paktën pyetni këto bagëti njerëzore që quhen popull!».
Mos “ndoshta” At Fishta, “nuk e ka ditë” kush asht Rousseau, ose “nuk e ka kuptue” aq mirë sa ju frengjishtën..?! Po të njajtin “gabim” ju, përsëritni me Don Lazër Shantojën, tue ba edhe një hap ma mbrapa në fushën e injorancës suej fq. 21, 22: “Biles skandali i rëndë kundër Fesë shenjte katolike ka arritur deri aty, sa që një meshtar i njohur shqiptar, Dom Lazër Shantoja, përkrahës i Qeverisë së Nolit, në një poezi të botuar në gazetën Ora e Malëve, no. 31, ka shkruar se ai nuk do më as Zot e as Fe katolike, por, Republikë, ashtu siç kanë dashur gjithmonë Ndërtuesit e Lirë (Freemasonry), një prej shoqërive të fshehta me armiqsore kundër Papës dhe Kishës shenjte Katolike. [Radovani F., 3 Nandor 1923 (plot 23vjet para 11 Janar 1946)]” dhe, vazhdoni tue dhanë edhe vendimin mbi bazën e mendimit tuej që ka vetëm karakter shpifës, mbasi në dy rastët e sipërme si tek At Fishta, ashtu tek Don Lazër Shantoja, që asht jo vetëm “meshtar i njohur shqiptar” por, asht Martiri i Parë i Klerit Katolik Shqiptar, i pushkatuem me 5 Mars 1945 dhe, që Gjaku i Tij asht në Thëmelet mbi të cilat asht Rinngjallë Feja dhe Kisha Katolike Shqiptare, ju, merrni fragmente për qellime të tueja të kqija kur, të dy rastët janë “sarkazma” me të cilat, Ata tallën 87 vjet përpara me ju atestët dhe flamurtarët e revolucionit francez…apo, marksistë leninistët e deshtuem të revolucionit proletar..?
Dhe, ja, verdikti i juej në fq. 37: “Nga shembujt e mësipërm shihët qartë se injoranca fetare ka qenë dhe vazhdon të jetë një plagë e rëndë e shoqërise shqiptare, injorancë për të cilën kleri katolik shqiptar është përgjegjës para Zotit.”
Dhe, përnjëherë mu kujtuen vargjet e At Fishtës, me 28 Nandor 1913:
“Oj Zanë, t’këndojmë … t’ vajtojmë, deshta me thanë;
Pse sot ditë kange s’ asht për mue e ty….”.
Kleri Katolik Shqiptar, atëherë dhe sot, nuk asht pregatitë nga Universiteti i Tiranës, as nga shkolla e PPSh në Laprakë ku prëgatiteshin anëtaret e byrosë politike, po asht frut i 24 Universitetëve ma të njohtuna të Evropës, ku, teologjia dhe filozofia kanë rranjët e tyne shekullore.
Nuk mjaftoheni me kaq, por vazhdoni me At Anton Harapin OFM., edhe Ky një tjetër “injorant” i Klerit Katolik Shqiptar, që tue pasë mundësinë me “ikë me forcat gjermane” rrinë e martirizohet e pushkatohet nga komunistët, që sot, edhe e përgojojnë kështu si ju!
Ju, shkrueni fq. 24: “ Janë lehjet e qenit ato që zgjojnë bariun. Të njejtën gjë thotë edhe don Félix Sarda y Salvany në librin e tij të mirënjohur e shumë aktual Le Libéralisme est un péché (Liberalizmi është mëkat).”
Dhe, pikërisht, në fq. 22, kur flitni për Republikë, ju, thoni: “… ashtu, siç kanë dashur gjithmonë Ndërtuesit e Lirë (Freemasonry), një prej shoqërive të fshehta më armiqsore kundër Papës dhe Kishës shenjte Katolike.”
Këto “lehje qeni” kundër At Fishtës, At Anton Harapit dhe Don Lazër Shantojës, më zgjojnë një mendim: Mos ndoshta edhe autori i mësheftë i artikullit “Injoranca fetare katolike…” asht me parimin që me luftue Klerin Katolik Shqiptar dhe, jo Fenë, pikërisht ai parim i masonve, të cilin, me datën 4 Dhetor 1923, të tre Autorët e sipërm e kanë zbulue lakuriq idenë tuej, në gazetën “Ora e Maleve”, me artikullin “Masoneria kundër parimeve fetare e kombëtare”..!?” ku, shkruhet: “masonve u pelqen me i dhanë vendimet e me i ba ritet e veta, që na kujtojnë kohën e mesme, mbrenda mureve t’errta e simbolike të lozheve misterioze…Ata thonë: Na nuk jemi kundër fesë por, kundër klerit, që e përdorë fenë për vegel. Masonët e dinë mirë se njeriu i ushqyem me idetë e tyne, ka me kenë gati në rastin ma të parë, me lëshue përpara të huejve, armët e veta morale e materiale që të kenë.”
I pari që aplikoi këto ide haptas në shtetin shqiptar ishte Enver Hoxha, i cili, nuk la gja pa shpifë për Klerin Katolik Shqiptar, me mendimin se “shpif e shpif se, diçka mbetë!”. E vetmja gja që nuk ka pasë kurr guxim me e thanë asht kenë ajo që kërkoni ju me plotësue në “veprat” e tija, të lanuna mangut: Se kleri katolik asht kenë edhe injorant!
Por, mos harroni, se artikulli i juej nuk asht tjetër veç një “gjethe fiku”…që, edhe këte, vjeshta e ardhëshme do ta kalbin ashtu si parardhësin tuej, (për të cilin ju nuk flitni asnjë fjalë në shkrimin tuej), po, të ardhun nga kabarët e Francës e, që, u fik atëherë, kur donte të bahej “fanar ndriçues” i ateizmit marksist leninist në gjithë botën e qytetnueme, pikërisht aty ndër ata shtete, ku, qytetnimi modern mori hov nga Katoliçizmi! Mos edhe ky ishte frut i injorancës së shkollave të klerit..?!
Për me ditë se kush ishte dhe asht Shqipnia e Populli i Saj besimtar e Atdhetar, po, kaloj vetëm nëpër disa data kryesore të historisë së fundit shek. XX, që, ju, me siguri nuk doni me e njohtë, përderisa nuk e zeni me gojë e, që, asht ma domethanse se krejt ajo që shkrueni ju:
Shteti Shqiptar i të gjithë Atdhetarve lindi me 28 Nandor 1912, nën kryesinë e Plakut të Vlonës Ismail Qemal Bej Vlona dhe, përbrinjë Tij, Don Nikoll Kaçorri e Luigj Gurakuqi…
1913. Asht Nata e Festës së Flamurit. At Gjergj Fishta OFM., vendosë Flamurin tonë kombëtar në kompanjelin e Kishës Françeskane të Gjuhadolit në Shkoder, të cilin, e lidhë me kandila dritash me Xhaminë e Fushës së Çelës në shenjë vllaznimi… Kur konsulli francez De Philipps, i kërkon Fretënve uljen e Flamurit tue i kërcnue.., At Fishta, i përgjigjet: “Jo, gjueni me top se, Flamuri ynë e ka për nderë me u gjuejtë me top”…(“Mrizi i Zanave” botim i vitit 1941, Shkoder)
Mëllefi i shprehun nga ju kundër At Fishtës, asht vazhdimsi e Rexhep Qosës, Rakip Beqes, Viron Kokës e Jup Kastratit me shokë, që kerkoni me të gjitha mjetet e vume në dispozicionin tuej nga komunistët, me shue jo, vetëm, Emnin e Tij, por edhe “Lahutën” me të cilën këndoi Ai, për të cilën vepër, mbasi e lexoi shkenctari i madh gjinokastrit Eqrem Çabej, tha: “Mbasi lexova ‘Lahuten e Malësisë’, që sot jam gati të bëhëm katolik…”.
1944. Nandor, At Anton Harapi OFM., Rregjent i Shtetit Shqiptar, tue u kthye nga Berlini ndalon në Podgoricë, ku, takon Cafo Beg Ulqinin edhe Ky Rregjent, i cili, e fton me u strehue në miqtë e Tij në Ulqin, për mos me ra në dorë të komunistave, ndonse, kur takoi gjeneralin gjerman që sapo kishte lanë Shqipninë, edhe ai e ftoi me shkue me forcat gjermane, por At Antoni, i kerkoi atij largimin nga Shqipnia me 29 Nandor e, jo, me 28 dhe, pranoi me andje vdekjen e dhunëshme të komunistave në Tokën Shqiptare por, jo, ate, me kunora e fjalime jashta Shqipnisë Nanë…
1945. I pari Klerik Katolik Shqiptar që pushkatohet nga komunistët asht Don Lazer Shantoja, që torturohet në mënyrë shtazore nga sigurimi i shtetit komunist shqiptar, tue i sharrue kambët me sharrë druevari. U pushkatue me 5 Mars, bashkë me Atdhetarin Sulçe Beg Bushati.
1945, 25 Mars, ora 5 e mengjezit…Pushkatohet Prek Cali me grupin e Atdhetarve të Malësisë e, bashkë me Te edhe Don Ndre Zadeja, autor i pavdekshëm i “Rubës së Kuqe”…
1945. Plot 65 vjet ma parë, Ndue Pali para pushkatimit në Zallin e Kirit, i lidhun përdore me Caf Metin, ka deklarue simbas proces verbalit të mbajtun nga terroristi Aranit Çela:
“Proçes- verbal. I mbajtun mbi vullnetin e mbramë të të dënuarve me vdekje,
Ndue Mirash Pali dhe Caf Meti, nga Shkodra.
Sot më 15 gusht 1945, ditën e mërkure, ora 5.00 para drekë, unë prokuror i Gjykatës Ushtarake, kapiten i II Aranit Çela, shkova në vendin ku do të ekzekutoheshin kriminelët e luftës dhe armiqtë e popullit, Ndue Pali dhe Caf Meti nga Shkodra, për të marrë fjalën e fundit të tyre, në të cilën thanë këto: Ndue Pali: Nuk më vjen keq, që unë sot pushkatohem prej vllazënve të mij. Jam i lumtun që unë po vdes në tokën shqiptare pas pesë vjet vuejtjesh që pata nga fashistët dhe nazistët.
Shqipnia rron edhe pa Ndue Palin!
Një fjalë dua t’ja drejtoj rinisë nacionaliste: Punoni deri në vdekje për një Shqipni të lirë, indipëndente, me baza shoqnore moderne demokratike!
Rrnoftë Shqipnia e shqiptarëve!
Të fala familjes. Prokuror (Aranit Çela) d.v.”
1945, Maji. Asht seminaristi Mark Çuni, që i tregon Evropës, se në Shqipni, nuk ka zgjedhje të lira dhe demokratike dhe, për pasojë zbulon fëtyrën terroriste të Pushtetit shitun tek Jugosllavia e Titos, tue pranue burrnisht se ka punue për një Shqipni të lirë e demokratike.
1945, Organizata e Parë antikomuniste “Bashkimi Shqiptar” e thëmelueme nga Mark Çuni, në përbamjen e Saj ka edhe elementa besnikë muslimanë si Myfit Q. Bushati etj.
1946. Studentja Drita Sokoli ua përplasë ndër sy komunistave: “Turp për ju, se, as në Mesjetë nuk janë pështy të burgosunit rrugave si tashti!..” pikërisht, për Klerikët Katolik At Fausti, Dajani e Shllaku që komunistët “katolik” i pështynin tek Kafja e Madhe në Shkoder.
Pra, simbas jush Këta shkodranë, nuk janë Shqiptarë Atdhetarë, pse janë muslimanë?
1946. Mbytet në tortura në hetuesinë e Shkodres, Av. Muzafer Pipa, nga Libohova, prej torturuesve komunistë Zoji Themeli e Vaskë Koleci, vetëm pse guxon me mbrojtë në gjyq Françeskanin e pafajshëm, dijetarin dhe filozofin At Gjon Shllaku OFM…
1946 Profetsia e At Anton Harapit OFM.,: “Shqipnia u fitue me gjak; me gjak dhe po mbahët e robnueme. Do të vijë dita e me Paqë e Drejtësi do të fitohët”.
1946 Hafiz Ibrahim Dalliu, afër të 80-tave, dënohët mbasi deklaron në hetuesinë e Tiranës: “… Kam dëgjuar ndër stacionet e Amerikës dhe të Londrës lajmet anglisht, mbasi dëshroja që ata të zbarkonin në Shqipëri … Ne nuk kemi asnjë lidhje me Lindjën, as të afërme dhe as të largët. Nga turqit ne kemi marrë vetëm besimin. Për tjera nuk ka çka na duhët Anadolli… Shqipëria është shtet që i përket vetëm Evropës. Me Evropën na lidhë pozita gjeografike, mardhanjet shtetrore, ato kulturore e të gjitha tjerat që vijnë pas, për një jetë më të mirë dhe të begatëshme të popullit tonë …” (Dosja hetimore. Arkivi i Min. Mbrend. 1998).
1947. Organizata e studentave të Gjimnazit Shtetit Shkoder, në muejn gusht 1948 vriten trathtisht në kufi, në fshatin Samrish, Bardhosh Dani, Mark Cacaj e Brahim Derguti.
1947 Drita Kosturi…në hetuesinë e burgut të Kishës së Fretënve, quhet nga At Palë Dodaj, “motra e Fretënve” për shërbimin e Saj ndaj tyne, kur i kthenin ne qeli pandjenja…
1947 Arrestohet në Tiranë Friada Sadetini…kalon gjithë jetën burgjesh e ndër kampe të internimit, deri në vitin 1992, vetëm pse nuk deponon ndër gjyqe kundër Klerit Katolik…
1948 Dr. Papavrami, më shpjegonte në vitin 1993 se, atëditë më 11 mars 1948, i thirrun si mjek ligjor, “…rreth orës 04.30 të mëngjezit kur po i lidhnin në Zallin e Kirit për me i pushkatuar, në mes të At Matisë dhe At Çiprianit ishte ingj. Fahri Rusi, 28 vjeç. At Matia, i thotë Fahriut: “Fahri, je më i riu, qëndro si burrat dhe mos i turpëro të Parët e familjes sate!” – Fahriu i përgjigjet: “Nuk besoj se kush nga fisi em ka pasë këtë fat, me dhanë jetën mjedis dy shejtënve, për çfarë me u tremb?”
1947 – 48: E pyetën Hafiz Dërgutin, se cila asht arësyeja që e torturonin aq shumë, Ai i përgjigjet: “Më kërkojnë dëshmi për priftën, kërkojnë me na përça, e nesër me thanë se, u pushkatuen priftnit me dëshmitë e rreme të hoxhallarëve. I kam thanë, bani çka të dueni se këtë punë nuk e baj kurrë pasha Allahun!”…
10 Maji 1959 – Tetor 1991, Don Dede Malaj i pushkatuem brinjë Liqenit të Shkodres, ruhet në kopështin e një muslimani deri ditën e rivarrosjes së Eshtnave në Suka të Dajçit.
1967 Bedrije Ashikja interrnohet se nuk pranon me akuzue Imz. Ernesto Çobën….
1985, Prill, Ramiz Alia kur ka ngordhë mësuesi i tij Enver Hoxha (e, ndoshta, dishka ma shumë …), Ramiz Alia ka ardhë në Shkodër mbas 10-12 ditësh dhe ka ba një mbledhje “sekrete” në Komitetin e Partisë së Rrethit, me 7 sekretarë Partie të ndërmarrjëve. Aty ka porositë: “… Shoku Enver na la… duhet të jemi më vigjilentë se kurrë mbasi armiqtë e Partisë do të punojnë për të prishë unitetin tonë. Ata në këtë kohe, si gjithënjë, do të kërkojnë për të gjetur mundësinë për të realizuar qëllimet e tyre të këqija ndaj Partisë… Prandaj, të jemi shumë vigjilentë sidomos, me pjesën katolike, e cila nuk e ka dashur kurrë Partinë. Ata në këtë situatë kanë për të kërkuar për të përfituar për të përçarë këtë unitet të Partisë sonë … por, kudo që të vëreni një çfaqje të vogël, mos prisni por sinjalizoni Partinë, veni prangat dhe jepni plumbin ballit!… ” (Prill 1985).
Pa kalue 10 orë nga dhanja e kësaj porosie, ajo ra në veshin tem nga njeni prej të shtatëve që ishte kenë në atë mbledhje. Pra, ky ishte Mysliman (KE), po, sidukët më donte mue ma shumë se Partinë dhe Ramizin!… Kishte harrue i shkreti Ramiz, se në Shkodër kishin lindë e vdekë bashkë: Ndue Pali e Caf Meta, Paulin Pali e Muzafer Pipa, Kol Prela e Qemal Draçini, Bardhosh Dani e Mark Cacaj e, sa e sa SHKODRANË, vëllazën të vërtetë, që derdhën gjakun bashkë për truellin shqiptar.
1990, 11 Nandor, ora 10.45 Të gjithë drejtë vorrëve të Rëmajit… të gjithë të zhytun ndër mendime… të gjithë të duket se me vedi thonë Punën e Pendimit, asnjeni nuk din a këthehët në shtëpi… të gjithë me fëmijë e pleq përdore, të gjithë përshëndetën njeni me tjetrin, të gjithë janë SHQIPTARË, padallim Feje … Të gjithë drejt vendit të Ringjalljës së Përjetëshme… Një grup i madh myslimanësh asht vendosë mburojë tek dera e vorrëve. Njeni më tregon se, na do të qëndrojmë këtu, mbasi po kje se ndodhë gja, na do të përdorim armët që kemi në trup… Ju, rrini të qetë ashtu si jeni me fëmijë e familjet tueja!..Sot jemi na këtu! Ndër katët e nalta të apartamentëve shihet ndonjë tytë automatiku e drejtueme nga na…vagonat në Zallin e Kirit ishin plot me sampista…
1991. Një mik dhe vëlla Musliman i quejtun Mit-hat Myftia, banues pranë Xhamisë së Plumbit në Ajasem, më ftoi me shkue në shtëpinë e Tij. Shkova dhe më tregoi një arkë me libra “Kurani” të ardhun nga Egjipti. Më tregoi Ai një rresht të shkruem në faqe të parë kundër ne katolikve…nga përkthyesi në gjuhën shqipe. Unë u habita! E pyeta Mit-hatin: Si shpjegohet kjo? Ai nuk dinte fare si asht shkrue ashtu por, më tha: “Pyeta Hafiz Sabri Koçin dhe, ai më tha, që ke me i shkye të gjitha fletët e para, mbasi ne Shqiptarët jemi vëllazen me katolikët. Ne jemi këtu në Shqipni dhe jo në Egjipt!” Dhe, Mit-hati i kishte shkye të gjitha ato fletë.
As ky veprim nuk asht i një Muslimani Atdhetar e Shqiptar i vërtetë?
Dhe, ja, si shkruen përsonalisht për ju, 86 vjet ma përpara “injoranti” Don Lazër Shantoja në fletorën “Ora e Maleve”, me 22 Nandor 1924, në artikullin “Nëvoja e kulturës në popull”: “Ata që kërkojnë shkuemjen mbrapa, përçamjen dhe shkatrrimin e tipareve të qytetnimit, ata punojnë për asorbimin e Shqipnisë nga vendet fqinjë.”
At Pjetër Meshkalla më ka thanë “Kleri Katolik Shqiptar asht kleri ma heroik që ka me përcaktue historia në rrugën dymijëvjeçare të Krishtit, sëpse, mbas pesëqind vjetë robnije nën Turqi, po të merrët historikisht prej vitit 1912 kur Shqipnia u formue si shtet e deri më 1944, që këtu erdhën në fuqi komunistët, tue lanë me një anë okupacionin fashist italian (me të cilin nuk jam pajtue kurrsesi), janë vetëm 30 vjetë mundësi për me formue një kler shqiptar e, për 30 vjetë me nxjerrë aq heronj sa kemi nxjerrë na, nuk ka asnjë kler në botë.”
Ju shkrueni tue shtrembnue faktin, mbasi At Mëshkalla nuk ishte thirrë për fjalim por, për me u arrestue. Ja fjalët tueja dhe shkrimi i em nga origjinali me shkronja të forta:
“Sipas librit të Fritz Radovanit, Nje Monument nen Dhé, faqe 303, At Pjetër Mëshkalla në një fjalim mbajtur me 29 Prill 1967 në Institutin Pedagogjik të Shkodres, shprehët kështu :
«[…] Unë jam Katolik dhe besoj në Zotin! Po më vjen mirë, që po më nepët rasa me folë prej një vendi, ku kam mundësi me iu drejtue popullit tem që më ka nderue, më ka respektue, më ka ndigjue fjalën teme dhe më ka pritë e përcjellë në shtëpijat e veta, me dashni të madhe. Qëllimi i em ka kenë gjithmonë i mirë… me predikue fjalën e Krishtit dhe dashninë ndërmjet të të gjithë njerëzve, të të gjithë njerëzve pa dallim Feje!… Këtë kam folë në të gjitha shtëpijat ku kam shkue ndër Katolikë dhe Myslimanë, mbasi jemi vëllazën dhe besojme në nji Zot, jemi të nji gjaku, sëpse jemi të gjithë Shqiptarë…» dhe, vazhdon fjalën:
…….. Shqiptarë… Ka shumë njerëz që kërkojnë me na shkatrrue, me na përça, me zhdukë traditën, me prishë besimin, me mohue Krijuesin tonë, me rritë nji rini sërvile e hipokrite, që nesër nuk do të ju durojnë ma, do të ju shporrin qafët e, njëditë ka me ju hangër kryet… Ka këtu në sallë që nuk lanë gja pa shpifë kundër nesh edhe pse me të gjitha forcat kemi punue për Shqipni…Unë po ju tham këtu, Populli nuk asht dakord me shka jeni tue ba ju, ai ka besue dhe do të vazhdojnë me besue në Zotin edhe pa Kisha e Xhamija… Ky veprim që bani ju sot asht vetëm turp para Zotit e para Popullit, asht turpi i juej para gjithë vendëve të Evropës, mbasi kjo që bani ju sot bahët në pragun e 500 vjetorit të vdekjës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, Mbrojtësit të Krishtënimit! Vetëm këtë mendoni, shka do të thonë Evropa nesër për ju!
Ajo e njeh Popullin Shqiptar dhe e din se ka 2000 vjet që ndjekë Fenë e Krishtit”
Pa mbarue mirë fjalën, xhelati Xheudet Miloti e kapë për krahu, i ven prangat, del nga salla dhe kur i afrohët gjipsit të Sigurimit, i bie me shtjelm dhe e shtynë për me e futë mbrendë …
…[..]Fjala e fundit e At Meshkallës në gjyq ishte: “Po të shprehin mendimet e tyne (njerëzit), ky pushtet nuk ka për të zgjatë shumë. Ju, më dënoni sa të dueni mbasi mue nuk keni shka më bani. Unë, prap se prap do të dal, sepse, ju, shpejt keni me mbarue, mbasi shoshojnë keni me hangër e aty asht fundi i juej! Feja e Krishtit nuk mbaron kurrë! (19 korrik 1967).” (Nga libri “Një Monument nën dhe” F.Radovani, 2004).
Kush tjetër në krejtë Lindjen komuniste i ka thanë këto fjalë botnisht..?
Ja dhe mendimi i juej denigrues për Martirin At Pjetër Mëshkalla S.J.:
“Myslimanët nuk besojnë në Zotin tonë Jezu-Krishtin, Birin e Zotit, Përsonen e Dytë Hyjnore të Shenjterueshmës Trini, i Cili për shelbimin e mekatëve tona zbriti nga Qielli dhe mori Natyrën njerzore duke u bërë në të njejtën kohë Zot dhe Njeri. Si mund të thojë At Mëshkalla se katolikët dhe myslimanët besojnë në një Zot?”
Përgjigjën do ta jap nga teksti i përshëndetjes së Papës Gjon Pali II, drejtue Popullit Shqiptar, në sheshin Skenderbeg të Tiranës, 25 Prill 1993:
“Zotni President,…Vëllazën e Motra shqiptarë!…(përforcimet janë të mijat FR)
…Erdha në mes jush për me përmbushë misionin tem si Pasardhës i apostullit Pjetër në sherbim të Kishës Universale…
…Kam ardhë këtu për me ju shpreh nderimin tem vëllaznor edhe komunitetëve të ndryshme fetare, të cilat bashjetojnë këtu prej shekujsh: Komunitetit Kristjan Ortodoks dhe Komunitetit Musliman, të cilve u sjelli një përshëndetje të përzemert.
Kam ardhë me i shfaqë çdo shqiptari admirimin dhe mbështetjen në këte fazë delikate të kalimit historik dhe të shumë dishruemes ringjallje shoqnore dhe shpirtnore.
Të dashtun Vëllazen e Motra! Sa herë në të kaluemen ju asht dashtë ta mbroni me forcë identitetin tuej. Me një angazhim të tillë, sikur edhe vetë ky shesh na e kujton, u shque figura e lartë e të krishtenit Gjergj Kastrioti Skenderbeut, i respektuem nga Papët e Romës dhe përjetësisht i gjallë në kujtimin e popullit shqiptar.
Ju keni vuejt për Kombin Tuej. Prandej, dhe keni të drejtë ta doni aq shumë. Populli i juej kaloi një tragjedi vërtetë tronditëse nën shtypjen komuniste.
Ishte vërtetë i tmershëm përftyrimi i jetës njerëzore nën rregjimet totalitare… A ka gja ma të randë se mbyllja e Tempujve të çdo besimi dhe a nuk u dënuen deri me vdekje priftnit vetëm pse guxuen të ushtronin ritët fetare? A nuk u përsekutuen besimtarët tue u burgosë, ose tue u fye në të gjitha mënyrat?
Në vendin tuej…Kje një luftë e ashpër kundër fesë, simbas një vije dogmatike e një programi shoqnor e politik, të mbështetun nga ideologjia komuniste…
Ajo që ka ngja në Shqipni, Vëllazën e Motra s’ ishte pa kurr në historinë e njerëzimit. ..Kurse, këtu, shteti asht përpjekë të shuej çdo shprehje fetare në emen të një ateizmi radikal të mbështetun në një sistem universal dhe përgjithësues….
Siç na mëson edhe feja, nëse kemi një Krijues të përbashkët, që të gjithë jemi vëllazën. Kështu që feja asht Kështjellë mbrojtëse kundër totalitarizmit dhe një kontribut vendimtar për një vëllaznim human. Liria e vërtetë fetare i shpëton ngacmimeve të intolerancës dhe të sektarizmit dhe ofron mënyra dialogu të respektueshëm dhe konstruktiv.
Populli Shqiptar, – dhe po më pelqen që po e kujtoj këte çast, – asht për tu marrë si shembull në këte pikpamje. Që të tre Komunitetët fetare mbajnë një raport respekti reciprok e të një bashpunimi të njerëzishëm. Qendroni në këte pikpamje Vëllazen e Motra të dashtuna! Ju do të keni merita për solidaritetin dhe për paqen në Atdheun tuej dhe në krejt zonën e shumëvuejtun të Ballkanit. Këtu, ju, mund të ndertoni një bashkim kombëtar të urtë dhe të qendrueshëm. Megjiate, dashnia për Atdheun, të cilën ju e ndieni të fortë në këta çaste, nuk duhet të degjenerojë në nacionalizmin intolerant dhe agresiv që sot e kësaj ditë, po shkakton viktima dhe po ndezë urrejtje të papërmbajyuna në vende të ndryshme të botës, madje dhe jo fort larg nga këtu.
Përkundrazi, u shtoftë gjithnjë e ma shumë harmonia në bashjetesën tuej…
Shqipni, qendro në lartësinë e kësaj beteje të madhe! Rruga që do të bash nuk asht aq e lehtë. Ende ka plagë të pambylluna. E kaluemja le të shërbejë si mësim, por kurr mos të të shtyjnë në hakmarrje mllefesh. Tashti asht koha me shkue me besim drejtë s’ ardhmes…
Le t’ ushqejë guximin tand feja e besimtarve të tu në një Zot të vetëm, të Cilit së bashku me çdo njeri vullnetmirë, do ti përkushtohën sherbimit ndaj drejtësisë dhe paqës…
Vëllazën e Motra Shqiptare fort të dashtun! Zoti e ruejt Atdheun Tuej. Zoti e mbrojtë Popullin Shqiptar në mbarë Botën! Në Emen të Zotit Ju përqafoj dhe Ju bekoj të gjithve!
Mirupafshim. Ju uroj me gjithë zemër : Gjithë të mirat!
(Buletini Katolik Shqiptar, Vol. XIV, 1993, faqe 171 – 173.)
Këto janë fjalët e Papës Gjon Pali II, Papës ma të madh që ka pasë njerëzimi, sëpse me Kryq dhe Ungjillë ka shpartallue mbretninë komuniste të djallit në tokë dhe ka Ringjallë Fenë Katolike në të gjitha ata vende ku, dyert e ferrit kishin ndertue perden e hekurt të sistemit ateist komunist, të cilën Ai, e rrëzoi me tri fjalë: “NON ABBIATE PAURA!”, “MOS KENI FRIKË!”….
Fritz Radovani
Melbourne, 21 Mars 2010
Copyright Proletari.Com
One Response to Përçamja fetare dhe atdhetare, detyrë e përjetshme e sigurimit komunist shqiptar