Shkrimtarët e diktaturës/ Grabitën Kutelin, Lef Nosin, Justin Rrotën…

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 6619
Gjatë diktaturës pati shkrimtarë që e bënë shkëlqyer rolin e mashtruesit, mbase duke qenë edhe vetë të mashtruarlistë dyemërore, për ata që persekutuan dhe bashkëpunëtorët
“Gjatë diktaturës pati shkrimtarë që e bënë shkëlqyer rolin e mashtruesit, mbase duke qenë edhe vetë të mashtruar. Pozita e shkrimtarit ishte e dyzuar në mënyrë diabolike, o i diktaturës, o i dënuari i diktaturës. Kultura e diktaturës nuk ishte diktaturë e kulturës, por sundim i së keqes. Nën logjikën e marrjes së pasurisë së tjetrit, floririt dhe tokave, u grabitën autorë”. Shkrimtari Visar Zhiti për televizionin e Kosovës pas botimit të librit “Panteon i nëndheshëm ose letërsi e ndaluar”, denoncon të tjera “grabitje” nga diktatura, duke u shprehur se bashkëpunëtorët e atëhershëm, shkrimtarë zyrtarë, janë ende edhe sot. “Jam për hapjet e dosjeve në përgjithësi dhe ngul këmbë për shpalljen e një liste dyemërore, të spiunit dhe të atij që e bëri spiun dhe të përgjigjen të dy bashkë”, – është shprehur Zhiti. Ndërsa për poezinë në Kosovë vlerëson se ishte moderne dhe e nivelit evropian, e guximshme dhe e madhërishme, ndërkohë që në Shqipëri po instalohej realizmi socialist.

Ç’kërkohej nga letërsia dhe çfarë ishte pozita e shkrimtarit nën diktaturë? Si u dëmtua dhe si e pësoi atëbotë kultura?

Unë nuk kam qenë shkrimtar në diktaturë, nuk më lejohej. Por linda dhe u rrita nën diktaturë, me diktaturë dhe u dënova prej saj. Shkak u bë një libër imi me poezi, i pabotuar kurrë, por dhe prejardhja, biografia e keqe, siç thuhej atëherë. I përkas një fisi nacionalistësh, me të vrarë nga regjimi.

Mbase fakte të tilla shpjegojnë më mirë se përgjigjet akademike që mund të përgatisja. Gjithçka ishte e dënuar, por në këtë katrahurë të planifikuar më së miri, gjersa kishte njerëz që dënoheshin, kishte dhe që dënonin, mbështetësit e tyre, që, po të dalim në temën tonë, ishin dhe intelektualë, shkrimtarë e artistë.

Letërsisë i kërkohej t’i shërbente sistemit, ta përligjte atë, ta zbukuronte duke shkatërruar të vërtetën historike dhe aktuale dhe të krijonte iluzionin se po ndërtohej një botë e re. Me dhunë. Duke i mohuar njeriut pikërisht botën. Dhe pati shkrimtarë që e bënë shkëlqyer rolin e mashtruesit, mbase duke qenë dhe vetë të mashtruar. Ata që nuk donin ta kryenin këtë mision të mbrapshtë, u penguan të ishin shkrimtarë, madje u dënuan me mënjanime, me komplote heshtjeje, internime, burgje e deri në pushkatime. Pra, pozita e shkrimtarit ishte e dyzuar në mënyrë diabolike, o i diktaturës, me rrogën e saj, me lavdinë e saj, o i dënuari i diktaturës, i humburi përgjithmonë. Kultura po rrënohej dhe po tjetërsohej, jo veç me policë, por dhe me njerëzit e kulturës. Gjysma ishte vënë kundër gjysmës dhe kështu e pësonte e tëra. Kultura e diktaturës nuk ishte diktaturë e kulturës, por sundim i së keqes. Shpresojmë të ketë kaluar…

Si mund të përkufizohet esencialisht metoda e realizmit socialist?

Realizmi socialist nuk është i njëjtë me realitetin socialist, po le të shohim si e përkufizonin vetë akademikët e socializmit në Fjalorin e tyre Enciklopedik, botuar në Tiranë më 1985, kur unë isha në burg, i dënuar në bazë të akt-ekspertizës së dy anëtarëve të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë të metodës së realizmit socialist.

Ja ç’shkruhet: “Realizmi socialist, metodë krijuese e letërsisë artistike dhe e arteve, që u formua pas fitores së revolucionit popullor në Shqipëri. RS i zgjedh, i interpreton dhe i vlerëson faktet e dukuritë e jetës nga pozita e realizmit shkencor… Letërsia dhe artet u rritën në luftë me orvatjet e armiqve të ndryshëm për të penguar ecjen e tyre… orvatje që u dërrmuan…” etj., etj. A nuk të duket sikur po lexon Historinë e Partisë Komuniste a Kodin Penal? Gjuhë dhune dhe entuziazmi pa kuptim. Letërsia është në shërbim të politikës, ashtu siç e tha porosinë Lenini qysh në fillimet, që letërsia dhe artet janë vidë dhe burmë e partisë. Kërkoj ndjesë për shembujt banalë dhe mizorë që solla.

Thoni se letërsisë në Shqipëri, e cila i shërbeu socializmit, Partisë, shefit, diktaturës së proletariatit, i viheshin pjesë këmbimi të marra nga BRSS dhe vendet e tjera socialiste! Si?

U zhvillua një letërsi shkërbyese, me heronj si të letërsisë në Bashkimin Sovjetik, ashtu vepronin, ashtu mendonin, ashtu dashuronin, ashtu hanin, jo vetëm në tryezën e bukës, por dhe me njëri-tjetrin. Të ngremë botën e re duke shkatërruar të vjetrën. Po edhe përvoja është e vjetër, dijet, njerëzimi. Ashtu vinin porositë, të tmerrshme, nga qendra e perandorisë komuniste dhe zbatoheshin akoma më keq. Shkrimtarë dhe artistë shqiptarë u çuan të studionin dhe të specializoheshin në vendet e kësaj perandorie. Jugosllavia e kishte braktisur realizmin socialist dhe divorci i Shqipërisë me Jugosllavinë u bë herët.

Bashkimi Sovjetik ushtronte diktaturën e një kulture, të sajën, të re, që ende s’ishte bërë kulturë e s’mund të bëhej, kurse Kina më në fund, me revolucionin e saj kulturor, e ktheu në masakër absurde.

Drapër e çekani u bën emblemë. Muskujt duhej të ishin si çekani në të gjitha pikturat tona, qafa duhej të lakohej si drapër nëpër vallet, të gjitha personazhet duhet të ishin të rinj si Lej Feni. Nuk flas dot më shumë…

Për herë të parë ju flisni për vjedhjet në letërsinë shqipe gjatë sundimit të realizmit socialist. Dukuri e rëndë, e dënueshme, por si dhe qysh? A mund të ketë vënie në vend, kthim? Ç’duhet bërë?

Në sprovën time të porsabotuar “Panteoni i nëndheshëm ose letërsia e dënuar” është trajtuar edhe kjo çështje. Shikojeni: “Do të doja të ndalesha te vjedhjet në letërsinë shqipe, gjatë periudhës së sundimit të realizmit socialist, që çuditërisht nuk janë trajtuar kurrë si çështje, nuk janë bërë hulumtime dhe as është menduar të ketë dënime, edhe pse ka institucion të mbrojtjes së të drejtave të autorit. Së pari u vodh letërsi sovjetike, por edhe nën shembullin e asaj letërsie. U përdorën po ato skema, u përsëritën personazhe e ndodhí, gjithmonë më shëmtueshëm e më neveritshëm, aq sa letërsia jonë jo vetëm po qante si e përkthyer, por dhe e tjetërsuar. Ndërsa mërmëritej, p.sh., që romani epope “Doni i qetë” i Shollohovit nuk ishte i tij – edhe shtypi francez e kishte hedhur këtë dyshim – por i qe marrë tjetërkujt, ndoshta nga të vrarët si kundërshtarë, te ne, nën logjikën e marrjes së pasurisë së tjetrit, floririt dhe tokave, u grabitën autorë. Dihen që është marrë Fjalori i madh i Mustafa Kruja – Mërlikës. Janë përvetësuar vepra të Mitrush Kutelit, Lef Nosit, Gjergj Komninos, Justin Rrotës, Hekuran Zhitit etj. Është fjala për vjedhje fizike të veprave të tyre, tregime, studime, deri edhe romane, botuar më pas me emra të shkrimtarëve të realizmit socialist. Bilal Xhaferi falte poezi të vetat, kur s’botoheshin dot me emrin e tij. Janë vjedhur edhe përkthime… Ndërkaq, është vënë re se nëpër dosjet e të dënuarve gjenden krijime, të ngjashme me botime të shkrimtarëve zyrtarë, të atyre që u lejoheshin ato me gjithë dosjet. Vjedhja, me forma të ndryshme tani, me plagjiatura të rafinuara apo flagrante, po vazhdon, shpesh e mbrojtur nga fama e dikurshme, e shndërruar në siguri e diktat, por sidoqoftë meriton një trajtim të kritiko-ligjoro-penal…” Drejtësia është e mundur, por e kanë vjedhur edhe atë. Ta bëjmë drejtësinë pronë të të gjithëve, të së vërtetës dhe koha do të bëjë të sajën. E di koha duhet paraprirë.

A ishte e mundur gjatë diktaturës disidenca letrare? Sa ishte me rrezik lënia gjurmë, të shkruarit e diçkaje gjatë diktaturës në Shqipëri?

Provat janë të mjaftueshme dhe tronditëse. Unë besoj. Ka pasur disidencë letrare, kundërshtarë të diktaturës nga radhët e atyre që bënin letërsi dhe kulturë, disidencë jo vetëm në potencë, por edhe aktive. Atëherë del me të drejtë hipoteza se diktatura paskësh qenë e butë, mbase edhe e arsyeshme që e lejoi disidencën. Jo, nuk e lejoi, ishte vërtet diktatura më e ashpër në Evropën Lindore. Disidenca shqiptare ishte ilegale, kundërshtarët u përgjakën, u vranë, u burgosën. Jo ta fshehim këtë të vërtetë, por të ndihemi të nderuar me të, pse jo, edhe krenarë.

A ka pasur letërsi të dënuar, që vjen nga burgjet dhe cila është rëndësia e saj?

Po, del se ka pasur letërsi të dënuar. Janë dënuar vepra dhe lexuesit e tyre. Janë dënuar autorë deri edhe varret e tyre. Këto dihen tashmë. Por ka pasur dhe një letërsi që nuk dihej, që u shkrua burgjeve, internimeve, fshehurazi. Sot ajo është e lirë dhe nuk vjen të zëvendësojë letërsinë shqipe, as të përmbysë, por thjesht sjell vetveten. Shkrimtarët e kësaj “metode”, pse mos ta quajmë “realizmi i dënuar”, po e pasurojnë kulturën tonë gjithnjë e më tepër, gjithnjë e më mirë.

“Realizmi i dënuar” sjell, guxoj të them, përveç të tjerave, të vërtetën dhe moralin. Shkrimtari Franc Kafka, që duket si i painteresuar për realitetin e përditshëm, për ngjarje e ndodhi, që krijoi metamorfoza dhe parabola trandëse duke përshkruar alienimin, thotë se pa të vërtetën dhe moralin nuk ka letërsi të madhe, ne vazhdimisht e krijojmë të vërtetën, mbase e gjitha jeta jonë s’bën gjë tjetër, veçse zbulon atë.

“Realizmi i dënuar” po bën atë që nuk e bëri dot dhe s’mund ta bënte realizmi socialist. Për paradoks, ata që s’kishin lirinë, po e mbartin atë.

A kishte bashkëpunëtorë regjimi edhe nga radhët e të të persekutuarve?

Bashkëpunëtorët ishin nga kudo edhe kanë mbetur ende, jo si mbetje, dhe i gjen kudo, në institucione të rëndësishme, në përfaqësi, ndokush prej tyre është edhe deputet, edhe ambasador. Të gjithë persekutorët ishin dhe janë bashkëpunëtorë, të shpallur dhe të pashpallur, me pseudonime ose jo, pa master ose me master.

Për sa u përket radhëve të të persekutuarve, le të dilte lista e emrave të atyre që bashkëpunuan me Sigurimin e Shtetit, por krahas të vihet dhe emri i atyre që i bënë ata bashkëpunëtorë; me ç’metoda të realitetit socialist, me ç’tortura? Unë jam për hapjet e dosjeve në përgjithësi dhe ngul këmbë për shpalljen e një liste dyemërore, të spiunit dhe të atij që e bëri spiun, dhe të përgjigjen të dy bashkë. Ku ishe ti, Adam, në ç’listë? Është i nevojshëm një gjyq moral. Është mëkat të mos e njohësh mëkatin. Ndryshe nuk do të ketë qetësim të ndërgjegjeve, pra as ndërgjegje të qetësuara.

Cili ishte fati dhe rrugëtimi i letërsisë në Kosovë pas copëzimit të trungut kombëtar, duke ndier mungesë atdheu?

Ndarja e Kosovës ishte një dramë e madhe e një populli, pra e çdo shqiptari, por që nuk lejohej të bëhej dramë, me u shkruejt, të vihej në skenë. Madje, duhej të shkulej edhe nga kujtesa historike, nga ndërgjegjja kolektive. Është meritë e të gjithëve në atë trevë, e inteligjencës mbi të gjitha, që e rikrijoi atdheun, duke e nxjerrë nga vetvetja, nga shpirti. Kompleksi i truallit të vendlindjes, ndër më të fortit për njeriun, në Kosovë u shndërrua në vizion për ardhmërinë dhe prodhoi art. Fati i letërsisë në Kosovës është fat letërsie, e lidhur me fatin e popullit të vet, por më i fortë tani.

A ishte njëlloj alternative gjatë diktaturës letërsia nga Kosova, ajo që lejohej të botohej?

Sipas meje, ka qenë me ndikim. Së pari, e ndienim shumë dhe mezi e prisnim, flas si lexues i saj i pasionuar. Poezia në Kosovë, gjithmonë sipas meje, ishte moderne dhe e nivelit evropian. Dukej që ishte shumë më e lirë, hermetike, jo në kuptimin e mbylljes dhe të fshehjes, përkundrazi, ishte e guximshme dhe e madhërishme. Thashë hermetike sipas estetikës evropiane, si kërkim i të paarritshmes, i të pamundurës. Dhe ekzistenciale ndërkohë. Me ashk të fortë shqiptar. Jo vetëm në gjuhë. Një lloj UÇK-je kulturore do të thosha tani, duke pasur parasysh gjithë arritjet, kritikën, romanin, teatrin, pikturën, skulpturën, muzikën, kulturën në përgjithësi gjatë gjithë gjysmës së dytë të shekullit XX, që krijuan ndërgjegje kolektive dhe përgjegjësi kombëtare. Nuk mund të them se ishte alternativë, edhe pse ngjante si e tillë, letërsia s’ka alternativë, është letërsi.

Kosova ishte njëlloj Itake, ku siç thoni, “për të arritur, duhet të udhëtosh brenda vetes. E ke tënden dhe nuk është jotja, ta marrin pa ta marrë”. Mund ta zbërtheni paksa këtë pohim?

Janë vargje nga një poezi imja. Kam botuar një libër monotematik “Si shkohet në Kosovë”, atë vit që mbaroi lufta. Është udhëtim drejt vetvetes, për të zbuluar vetveten. Fati i Kosovës ngjan shumë me fatin e shqiptarit, ku mungesa ishte edhe metaforë e plotësimit dhe plotësimi metaforë e mungesës. Kosovën e kishin marrë, po ku mund ta çonin? Se është edhe shpirt, por edhe truall. Pra, është edhe metaforë e pikëmbërritjes. Si e tillë ajo është, sipas meje, edhe një Itakë moderne, një udhëtim i brendshëm për ta arritur. Arritja ndonjëherë është më e rrezikshme se dhe vetë udhëtimi. Duhet të dish të vazhdosh. Të bësh, në rastin tonë. Të ribëjmë atdheun e ëndrrës. Jemi në detyrën më të lartë. E meritojmë.

Në romanin tuaj të fundit, “Në kohën e britmës”, është edhe një personazh malazez, Jevrem B., që identifikohet menjëherë me poetin e njohur me të njëjtin emër, Brkoviçin. Si e keni njohur, si është futur në roman, në ç’kontekst, në mund të shpjegoni?

Më vjen mirë që ju ka tërhequr vëmendjen, megjithëse në roman ky personazh zë pak faqe, por shpresoj t’i mbetet në kujtesë atij që e lexon, ashtu sikundër edhe mua, megjithëse nuk e kam takuar kurrë Jevrem Brkoviçin. Po, është poeti malazez, i cili ka ardhur në Shqipëri në një takim poetik ballkanik në Tiranë. Ende nuk kishte rënë diktatura dhe unë sapo kisha dalë nga burgu dhe punoja në një qytet larg Tiranës në një fabrikë tullash. Për poetin e çuditshëm, kurajoz, rebel, më foli një pianiste dhe aktore e kinemasë shqiptare, së cilës i iku në Itali i dashuri, shok imi në burg, me ata që u futën ambasadave. Ajo tashmë ishte mësuese muzike në qytetin ku banoja unë. Pati rastin të ndiqte veprimtarinë poetike në kryeqytet dhe u njoh me Brkoviçin, shëtitën bashkë, ai i premtoi ta ndihmonte për ta gjetur të arratisurin e saj, i dhuroi dy libra me poezi në gjuhën malazeze. Ndërkaq, ai fliste hapur kundër diktaturës salloneve dhe shtypjes në Kosovë. Unë krijova simpati për atë poet dhe isha kurioz të dija për poezinë e tij. Në një fshat aty afër ishte dhe Lazër Radi, nga Kosova, i laureuar në Romë, që gjithë jetën e kishte kaluar burgjeve dhe internimeve, gati 40 vjet dhe kishin harruar se ai kishte qenë gazetar, studiues dhe poet. Shkuam natën në shtëpinë e tij, fshehurazi, nëpër baltë. I dhamë librin e Brkoviçit që të përkthente, se ai i dinte gjuhët e popujve të Jugosllavisë. Pikërisht këtë udhëtim unë e bëra tregim dhe i vura titullin “Retë atë natë si poetët e Ballkanit”. Kur ra diktatura, Lazri e botoi poemën e Bërkoviçit, me një pianiste, me Mozartin dhe Stalinin, delirin e tij, të ngjashëm me atë të diktatorin tonë Enver Hoxha. Parathënien e librit e shkrova unë. Pastaj gjeta më vonë poezi të Brkoviçit, të përkthyera nga Azem Shkreli. Ia mora dikujt, duke i dhënë si shkëmbim një libër me poezi frëngjisht të Zhak Preverit. Tani vonë, këto ndodhi, skenat e tyre, m’u dukën se i shkonin shumë romanit tim të fundit “Në kohën e britmës”. Dhe i futa.

Është mirënjohja ime për poetin. Nëse ai e merr vesh këtë, shpresoj të mos zemërohet, desha të thosha që ne jemi ballkanas, me një të kaluar të përbashkët, kështu duhet ta kemi edhe të ardhmen, akoma më të mirë. E pse të mos jemi bashkë edhe në të tashmen, si rreth një sofre në një të kremte?
Intervistoi: Smjal Smaka/Gazeta Standard

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 07/11/2010. Filed under Krimet komuniste shqiptare. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

One Response to Shkrimtarët e diktaturës/ Grabitën Kutelin, Lef Nosin, Justin Rrotën…

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.