- Home
- Shqipëria
- Bota
- Politika
- Mafia
- Shke-Tek
- Italiano
- Ekonomi
- Biografi
- Automobili
Lexuar 2948Durrës: Policia finalizon operacioni “Çeku 1 milion dollarë”. Arrestohen 5 persona, sekuestrohen, laptop, makina. Kartëmonedha 1 milionëshe në të vërtetë nuk ekziston dhe mund të përdorej vetëm për mashtrim
Në SHBA askush nuk e ka printuar një monedhë që të ketë vlerën 1 milion dollarë, përveç rastit të një mashtrueseje që arriti të blinte me këtë monedhë mallra në vlerë 16 mijë dollarë, por që u arrestua pak kohë më vonë. Por të 101 kartëmonedhat e kapura dje nga policia në Durrës, mbajnë pikërisht këtë vlerë dhe ende është e paqartë se si do të thyheshin nga 5 zotëruesit e tyre, që u arrestuan nga policia.
Operacioni “Çeku 1 milion dollarësh” u zhvillua dje pas mesnate. Nga shërbimet e Policisë Durrës, u bë sekuestrimi i një sasie të madhe dollari amerikan, duke bërë të mundur kështu parandalimin e hedhjes në qarkullim dhe këmbimin e tij të mundshëm në tregun vendas. Sektori kundër Krimit Ekonomik Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë kundër Krimit Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit si dhe me Njësinë e Përbashkët Hetimore Task Forcë pranë Prokurorisë së Rrethit Durrës, ishin në ndjekje të një hetimi, i cili lidhej me transitimin dhe vënien në qarkullim të kartëmonedhave të falsifikuara. Kështu, në datën 04.11.2010, ora 02.00, me finalizimin e operacionit policor “Çeku 1 milion”, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve Edmond Temali, 41 vjeç, banues në Shkodër; Nesti Rakaj, 34 vjeç, banues në Shkodër; Zaim Bajrami, 33 vjeç, banues ne Shkup, Maqedoni; Isli Ibrahimi, 57 vjeç, banues ne Luboten Shkup, Maqedoni; Nazmi Zendeli, 47 vjeç, banues ne Shkup, Maqedoni.
Gjatë këtij operacioni të zhvilluar në lagjen 13 Durrës, u sekuestruan 101 kartëmonedha të llojit Dollarë Amerikanë, vlera e çdo njërës prej të cilave ishte 1 milion (me një total prej 101 milionë dollarë), të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara. Përveç sasisë së valutës, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe, automjeti tip ‘Benz 200’ me targa SH 3663 E , automjeti tip ‘Toyota’ me targa CE380 CZ, 1 loptop, 6 aparate telefoni celular.
Po punohet për evidentimine personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet. Materialet procedurale për veprën penale te falsifikimit te monedhave iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.Ky operacion është vijimësi e disa goditjeve të kryera në drejtim të hedhjes në qarkullim të kartëmonedhës së falsifikuar. Goditja e këtij aktiviteti të paligjshëm është përcaktuar si një ndër prioritetet e punës së strukturës Kundër Krimit Financiar Durrës, e cila në bashkëpunim të ngushtë edhe me Njësinë e Përbashkët Hetimore Task Forcë pranë Prokurorisë së Rrethit, ushtrojnë ndjekjen penale, duke përdorur metodat speciale të hetimit për vepra të tilla prioritet aktual i Policisë së Shtetit si korrupsioni, kontrabanda, krimi kompjuterik, falsifikimet, evazioni fiskal.
Kartëmonedha 1 milion dollarësh nuk ekziston
Asnjë kartëmonedhë 1 milion dollarësh nuk është emetuar kurrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithçka shihet në qarkullim është thjesht një kartëmonedhë e prodhuar për suvenir, edhe pse për shkak të grafikës dhe mënyrës shumë të mirë të stampimit, përdoret shpesh për mashtrim. Kartëmonedhat ku shkruhet një milion dollarë, që njihen ndryshe si “Argjend” dhe ato prej 100 milion dollarësh të quajtura “Ar” janë veçse imitime që mund të porositen edhe me postë në konfeksione, për t’ia dhuruar miqve apo për ti mbajtur në portofol thjesht për kënaqësi. Në internet mund të gjesh dhjetëra faqe të kompanive që i shesin këto kartëmonedha si suvenire. Por ato janë sekuestruar shpesh nga policia dhe doganierët në të gjithë botën, sepse konsiderohet krim tentativa për ti hequr si kartëmonedha të vlefshme. Thesari Amerikan nuk ka emetuar kurrë një kartëmonedhë të tillë, prej 1 milion apo 100 milion dollarësh, madje edhe në vitet më të errëta të depresionit të madh.
Artur Ajazi/Gazeta Standard