- Home
- Shqipëria
- Bota
- Politika
- Mafia
- Shke-Tek
- Italiano
- Ekonomi
- Biografi
- Automobili
Lexuar 14731Këto barna që, sipas një studimi të fundit, kanë efekte anësore shumë herë më të mëdha sesa sëmundja që shërojnë, jepen zyrtarisht me recetën e mjekut, por sikurse shumë gjëra në vendin tonë
“Urdhri i Mjekut paralajmëron: Mos merrni barna pa recetën e mjekut” ka qenë një ndër klishetë e të gjitha reklamave mbi barnat në vend. Por kjo, duket se është e pamjaftueshme. Disa barna, të cilat jepen me rekomandim të mjekut dhe që shiten në farmacitë tona janë të rrezikshme, sipas studimeve amerikane dhe disa prej tyre janë bllokuar në mbarë tregun evropian.
Në shitje
Këto barna, që sipas një studimi të fundit kanë efekte anësore shumë herë më të mëdha sesa sëmundja që shërojnë, jepen zyrtarisht me recetën e mjekut, por sikurse shumë gjëra në vendin tonë shpeshherë mund të merren edhe direkt nga farmacisti. Celebrex dhe Nexium, dy prej ilaçeve të cilësuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës tejet të forta dhe me efekte anësore shumë të rrezikshme, shiten edhe në farmacitë e vendit tonë. Dy ditë pas publikimit të një studimi të kryer në SHBA mbi tetë ilaçet, të cilat mjekët ua përshkojnë pacientëve, por që nuk duhet të përdoren, gazeta “standard” vëzhgoi disa farmaci të kryeqytetit.
Konkretisht nga ilaçet Advair, Avandia, Celebrex, Ketek, Prilosec, Nexium, Pseudoephedrine, katër prej tyre shiten edhe në farmacitë tona me çmime të larta. Këto ilaçe merren vetëm me recetë pas përshkrimit nga mjeku dhe janë kryesisht për dhembjet e kokës, spondiliartrozën, problemet me stomakun dhe kanalet e hundës.
“Lista e zezë”
Edhe pse në të gjitha farmacitë të gjitha barnat e “listës së zezë” të studimit amerikan njihen shumë mirë, vetëm tri prej tyre shiten dhe mbajnë çmime mjaft të kripura. Kështu Mira, farmaciste në Tiranë, tregon se Nexiumi, ilaç që përdoret për problemet me stomakun, shitet në farmacitë e Tiranës dhe 10 tableta 20 mg kushtojnë 2602 lekë, ndërsa doza 40 mg kushton 3636 lekë.
Ndërkaq, këto barna nuk bëjnë pjesë në listën e barnave të rimbursueshme, duke e bërë çmimin e tyre mjaft të rëndë për xhepat e pacientëve e mjaft të rrezikshëm për shëndetin e tyre. Dhe siç na tregon edhe farmacistja, ky është një ilaç paksa delikat dhe kërkon instruksione të mirëpërcaktuara nga mjeku.
“Këto barna shkaktojnë aq shumë efekte anësore, më të rënda se sëmundja që keni, sa përdorimi i tyre mund të jetë edhe vdekjeprurës”,- thuhet në studimin amerikan. Një tjetër ilaç është Celebrex, që përdoret për dhembjet e kokës dhe bllokimet e qafës, pra spondiliartrozës. Ky ilaç shitet në farmacitë tona dhe 10 tableta kushtojnë 1520 lekë të reja. Farmacistët pohojnë se ky ilaç importohet nga Gjermania.
Pseudoephedrine
Ilaç ky që bën pjesë në listën e “zezë” të ilaçeve që rekomandohet nga mjekët, por nuk duhen përdorur nga pacientët, pasi kanë efekte anësore që trajtojnë sëmundjen që keni, nga ana tjetër shtojnë të tjera. Farmacistët e kryeqytetit pohojnë se ky Pseudoephedrine shitej njëzet vite më parë në farmacitë shtetërore. Mirëpo aktualisht ky ilaç shitet i përzier më përbërje të tjera dhe jo në këtë formë. Siç na thuhet nga farmacistët, ilaçi në fjalë është një prej drogave më të rënda dhe që vjen direkt nga opiumi. Ndaj dhe këto vite është ndaluar shitja në formën e mëparshme, por me përzierje të përbërësve të tjerë. Pseudoephedrine përdoret për lirimin e kanaleve të hundës.
Pseudoephedrina është një pastrues i kanaleve të hundës, i cili supozohet se është shpikur për të pastruar rrugët e frymëmarrjes në mënyrë manuale. E thënë shqip, thithet nga hunda, ka shije menteje dhe duhet të na zhbllokojë hundët kur na bllokohen.
Njerëzit me probleme të zemrës dhe tensionit duhet ta harrojnë pseudoepherdinën si emër dhe të djegin të gjitha ilaçet që e përmbajnë këtë lëndë farmaceutike vdekjeprurëse. Pseudoephedrina jo vetëm që nuk i kuron këto sëmundje, por përkundrazi… i përkeqëson. Ajo e rrit tensionin ndjeshëm, shkakton aritmi, shkakton ankth edhe gjithashtu shoqërohet nga të tjera efekte anësore si p.sh. sëmundjet e prostatës apo glaukoma.
Çfarë duhet të bëni?
Mjekët që kryen studimin thonë se “asnjë ilaç nuk duhet përdorur për këto sëmundje, që në fakt nuk janë sëmundje. Ilaçet që përdoren bëhen si drogë dhe, për fat të keq, i përdor pothuaj çereku i planetit. Mund të përdorni pak ujë të distiluar ose mund t’i shfryni hundët pak fort. Ne këtë bëjmë çdo mëngjes, kur lajmë dhëmbët”, – thonë disa nga mjekët.
Avandia
Ndërsa Avandia, medikamenti që përdoret nga të sëmurët me diabet, është hequr nga tregu evropian në shtator të këtij viti pas efekteve anësore të konstatuara tek pacientët.
Firma farmaceutike nuk e ka shkruar këtë në informacionin që shoqëron medikamentin. Firma është hedhur në gjyq në SHBA dhe senati amerikan ka kërkuar heqjen e ilaçit nga tregu. Por problemi është po kaq evident edhe në vendin tonë. Pas kësaj edhe në vendin tonë ky ilaç është tërhequr nga tregu evropian në shtator të këtij viti. Aktualisht, farmacistët pohojnë se Avandia nuk shitet më.
Diabeti është goxha sëmundje e vështirë edhe ashtu siç është, por në qoftë se përpiqeni ta kuroni ose ta mbani nën kontroll me rosiglitazon ose ndryshe ilaçi i famshëm Avandia, jeni më të pambrojtur se kurrë nga atakët kardiakë. Shtatorin e kaluar, një e përditshme e Shoqatës Amerikane të Ilaçeve, publikoi një artikull në të cilin thuhej se “ata që përdornin rosiglitazon, pësonin 109% më shumë infarkte kardiakë se ata që përdornin ilaçet e thjeshta orale”.
Arsyeja? Nga raportimet e shumta për dëmet që shkakton Avandia, Departamenti i Shtetit i kërkoi kompanisë që e prodhon një raport të hollësishëm, i cili duhet të përmbajë një studim për dëmet që shkakton rosiglitazoni, për rritjen e kolesterolit dhe ngushtimin e enëve të gjakut që shkakton. Këto janë përfundime që askush nuk i di, sepse askush nuk ka bërë analiza të tilla. Ato ndoshta mund të dalin edhe pozitive dhe Departamenti i Shtetit mund të mos ia heqë licencën kompanisë. Mirëpo kompania u përgjigj se raporti do të jetë gati vetëm në dhjetor, kështu që a ia vlen të riskoni?
Çfarë duhet të bëni?
“Përdorni ilaçe që e kanë treguar vlerën e tyre”, – thotë dr. Sonal Singh, një prej anëtarëve të grupit që kryen studimin. “Unë për vete preferoj metformin, që është i vjetër në treg, ka treguar rezultate të kënaqshme dhe është tmerrësisht më i lirë se Avandia. Avandia është një kauzë e humbur. Ata duhet të kërkojnë falje publikisht dhe të dëmshpërblejnë të gjitha familjet e fatkeqëve që kanë dëmtuar. Singh rekomandon që doktorët të tregojnë kujdes nga rritja e kolesterolit që rekomandojnë dhe t’u japin më shumë vitaminë B pacientëve të tyre, sepse ajo ndihmon. P.sh. po të marrin në ditë 1000 mg niacin, rritet vetëm 24% kolesteroli, por ulen ndjeshëm nivelet trygliceride.
Nexium
Djegia e stomakut është goxha e parehatshme, por infarkti i miokardit është goxha fatal. Kjo është arsyeja pse grupi hetimor që kreu studimin dyshoi për një lidhje midis problemeve të zemrës dhe ilaçeve antiacid për stomakun, siç janë Prilosec dhe Nexium. Edhe diçka tjetër po aq e rëndësishme… për shkak se Prilosec dhe Nexium janë shërues të përbërë prej sasish të mëdha protonesh kërcyese, të cilët janë vërtet të fortë, këto ilaçe mund të jenë shumë të mira kundër acideve që prodhon stomaku, por ama shumë, shumë më të mira nga sa duhet. Ato e reduktojnë në minimum prodhimin e acideve të stomakut gjë që është shumë e dëmshme për organizmin. Ato gjithashtu reduktojnë prodhimin e kalciumit. Kjo është më se e vërtetuar… 79% e pacientëve që përdorin ilaçet e lartpërmendura vuajnë nga mungesa e kalciumit dhe shumica e tyre kanë fraktura kockash.
Celebrex
Dikur e quanin “Superaspirina”. Tani ky emër është shumë larg. Sipas studimit, që nga 2005 deri në 2009 të gjithë njerëzit që përdornin 200 mg celebrex në ditë dyfishonin mundësinë e sëmundjeve të zemrës, të ulcerës, të infarkteve dhe sëmundje të mëlçisë. Ca si shumë efekte anësore për një ilaç që konsiderohej si shpëtimtari i çdo dhimbjeje. Njerëzit që merrnin 400 mg në ditë, e trefishonin riskun e sëmundjeve të lartpërmendura, ndërsa ata që merrnin më shumë se 800 mg, Zoti i ndihmoftë!
Çfarë duhet të bëni?
“Dhimbjet e zakonshme të kokës, – thonë doktorët që e kryen studimin, – mund t’i shëroni me ilaçe të lehta që të gjithë përdorim, p.sh. ibuprofeni është më i suksesshmi në këtë drejtim, po ashtu edhe nimesulida, por vjen një moment që këto nuk bëjnë më efekt të madh, sepse trupi fiton imunitet ndaj tyre dhe njerëzit detyrohen të shtojnë dozën, por kjo është diçka jo e mirë për stomakun. Zgjidhja nuk është shtimi i dozës, por ushtrimet fizike ose akupunktura. Me anë të ushtrimeve si vrapi, aerobia etj. ndihmojmë qarkullimin më të mirë të gjakut, gjë të cilën bën edhe ibuprofeni. Kurse me akupunkturë në shumicën e rasteve i shfarosim njëherë e mirë inflamacionet dhe dhimbjet e vogla.
Blerta Mrishaj/Gazeta Standard
One Response to Farmacitë e Tiranës shesin ilaçe të ndaluara në SHBA