At Zef Mesi OFM

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 63
At Zef Ndoc Mesi7.1.1869-1945(76 vjeç)

Meshtari qi hapi shkollë në 1903 në Iballë.

Jeta

Zef Mesi leu më 7.I.1869 në Blinisht të Zadrimës. I biri i Ndocit dhe i Luçije Mazrrekut.

 Arsimimi

  • Shkollën Fillore dhe Gjimnazin i kreu në Kolegjen Françeskane në katundin Troshan të Zadrimës.
  • Këndimet liçeale, filozofike e teologjike i kreu në Provincën Françeskane të Bosnjes.

Karriera meshtarake

  • Më 28 gusht 1886 veshi petkun françeskan në Kuvendin e Guçjagorës afër Travnikut në Bosnje.
  • Më 29 qershuer 1892 kje ba meshtar.
  • Më 1893 kreu studimet teologjike, u kthye në Shqypni.

At Zef Mesi pat për kolegë, si student A. Gjergj Fishta, A.Severin Lushaj, A. Lorenc Mazrrekun Mitroviç, A. Ëngjëllin Paliq e A. Pjetër Gjadrin.” Famullitari i parë ishte P. Zef Mesi nga Blinishti (1893-1907). Ai e ka ndërtue edhe kishën e parë atje.

  • Në 1905, kje hekë A. Zefi prej Iballje, i kje dhanë dy famullija ma të mira; Bazi e mbasandej Pëshkashi në kryeipeshkvi të Durrsit e në nahije të Matit.
  • Në 1908 kje dërgue në Lure në të njajtin kryeipeshkvi e në të njajtin nahije. Edhe në kohën e Luftës Ballkanike 1912-1913, A. Zefi shpëtoi Luren prej serbve.
  • Në 1918 kje çue për pushim në Troshan.
  • Në 1919 kje çue meshtar në Prekal.
  • Në 1925 kje çue meshtar në Kastrat.
  • Në 1927 kje çue meshtar në Rapshë(Brigje të Hotit).
  • Në 1937 e mori A. Zefin si ndihmës A. Anton Harapi me vedi në Bajzë.
  • Në 1938 kje çue A Zefi në Kuvend të Troshanit.
  • Në 1939 kje dërgue në Kuvendin Gjuhadolit.

U diftue i palodhshëm me rrfimet e tuj çue sakramendet smundve.

Deri në vitin 1967 Iballa kishte 17 famullitarë.

 

Vuejtjet ndër male

Kur erdhën në fshatrat e Pukës dy meshtarët në fjalë nuk kishin strehë, nuk kishin vend ku të venin kryetin në darkë, nuk kishin qelë, ku të kryenin shërbimet fetare etj. “N’atë kohëtë tana qelat e atyne vendeve kishin kenë rrenue e ra mbrendë. A. Zefi e A. Severini per kater vjet kerkuen derë në derë tuj ndejë neper shpija të malsorvet herë në nji vend e herë në nji tjetër, pa shtroje pa mbloje e tuj u ushqye si ndimo Zot. Veç mbas kater vjetsh mujten me ndertue nji qelë të vogel n’Iballë.” Mbas vjetit 1992, u rrzue sistemi sllavo-komunist në Shqipni duke u zavendsue me demokracinë  me rilegalizimin e besimeve fetare në Shqipni. Brezi i ri studentve meshtar shqiptarë mbasi bahen meshtar gëzojnë mirëqenie në aspektin e shërbesave fetare, në kisha me qelë moderne të ndërtueme kudo në qytete e në fshatra edhe të thella, vetura shumë të shtrejta për vende malore, me rrugë të asfaltueme përposë rrugve të krahinës së Shllakut, Dushman-Temalit, disa Zona në Malsi të Madhe, në Dukagjin dhe Nikaj-Mërturë.

  • Në 1893 caktohet me shkue n’Iballë bashk me A. Severin Lushaj.

Vendet ku do të meshonin brenda 5 famullive të tyne dy meshtarët si në fshatrat; Iballë, Berishë, Dardhë, Fierz, Kryeziu, ku në 1942 shërbenin pesë meshtarë. A. Zefi ishte meshtar që i kryente të gjitha shërbimet, ndërsa A. Severini ishte diakon kishte të drejtë vetëm të predikonte dhe pagzonte.

Kur shkuen kta dy françeskâj n’Iballë i gjetën ata popuj si gjind  të egjër, pse për shumë vjet kishin kenë pa meshtar.” Edhe pse kishin pasë dikur nji jezuit.

Në lagjen Koprat A. Zefi ndërtoi kishën e re dhe qelën në Famullinë e “Shën Gjergjit” nën varsinë e Ipeshkvisë së Sapës me vendim e miratim të Koncilit të III  të Arbnit në vjetin 1895.”  Autor P. Aleksandër Tanushi OFM.

https://www.dioqezaesapes.com/famullia-shen-gjergji-iballe-puke/

Sot(vjeti 1942 – b.m.p.) Iballja âsht nji nder vendet mâ të qytetnuem e malsive t’ona. Kanë shkollën e vet, e nuk  asht shpi n’Iballë, ku ndonjeni mos të dijë me këndue e me shkrue. Për këtë punë meritimin mâ të parin e mâ të madhin e kan A. Zef Mesi e A. Severin Lushaj, pse kta kjenë mâ të parët qi, me mësime e predikime të veta, u munduene me e zgjue at popull.”  

  

Kujtimet e Kolë Bibë Mirakaj si arsimtar i ksaj shkollet në 1917:

Kol Bib Miraka(2) bashkë me Ernest Koliqin(1), me malsorë iballsa e klerikë.

Iballja asht katundi – vendlindja e ime dhe e të Parëve të mij. ….

     “Ishe mësues në Iballe të Pukës, katundi ku kam lé. Nuk kishe tjetër lakmi përveçse, me vazhdue deri në pleqni atë misjon. E ndjejshëm misjonin e mësuesit si misjon të shenjtë dhe i kishe kushtue të tanë ngrohtësinë e zemres e fuqinë e mendjes, tue pasë parasyshë dita-ditës frytin e bimës që po kultivojshe. Tue pa ata fëmijë gjysëlakuriqa (gjysmë të çveshun) që endè nuk njihshin gja të botës pertej kunorës së mrekullueshme të maleve të pyllzueme e virgjina, që e rrethojnë në mënyrë simetrike atë rrafshnaltë që quhet Fusha e Iballes.

          Ishe i bindun që ata kalamajë se as nga prindët e tyne të pashkollë, nuk do të kishin pasë mundësi me njohë Atdheun pertej caqeve deri ku, i shtyjshin nevojat e jetesës, do të brumoseshin djelmoça të fortë në shpirt’ e në trup, të dobishem per vetën e tyne, per Kombin dhe per shoqninë njerzore. Tharmi nuk mungonte në ta, të squet e të zhdervjellët prej natyre, dhe një gja që me ndihmonte në perpjekjen time ishte edhe edukata që u trashigohej në ndjesinat e tyne nga zakonet e mira të familjes.

           Kishe fillue punen arsimtar me 1917 e frytet e kënaqëshme i kishe parasyshë dita e dites, fryte që u rritëshin vit per vit. Kishe proven e përditëshme se ishe tue shartue shpirtin tim në zemrat e tyne, siç e kishte shartue At Gjergj Fishta, At Ambroz Marlaskaj, Mati Logoreci, Ndue Paluca, Gasper Mikeli e të tjerë veteranë t’ arsimit Shqiptar.  … Në këte nderkohë, dy iballas; Haxhi Brahimi e Lim Sokoli, i kishin dhanë zjarrin ndërtesës natën. Mbas do kohe kur ata dy u  zbuluen moren dënimin e kanunit; djegëje shtëpijet e u konfiskuen bagëtia. Ata deklaruen se kishin djegë shkollen pse ajo, do të sillte “kaurrin”. Nuk u çel shkollë ma aty deri në 1917.”(Fq. 157-158, kapitulli i XI, libri ”Vetvrasja e Kombit”, autor – Kol B. Mirakaj, bot. 2015.).

Kisha e Iballës

Emzot Lazer Mjeda, qi at here ishte ipeshkëv i Sapës me të cillin dioqez shkon Iballja pat caktue me çilë nji shkollë n’Iballë, qi âsht qandrra e gjith atyne rretheve. Në këtë punë A. Zef Mesi kje dora e djathtë e t’Emzot Mjedës: por shi per kët punë disa asish qi ishin kundërshtarë të shkollës, kjenë gati tuj i shkurtue jetën A. Zef Mesit.”

Vdeka në 1945 [1]

        “Në dhetuer të vjeçëm e preku nji rrem i let pike. Ju deshë me ndejtë rat deri në prendverë të sivjeçme, tuj e bajtë smundjen me duresë shembullore. Në prendverë filloi pak me u çue e tash mundet me u ulë poshtë e me ecë me shkop. Veç ka mbetë mangut, e syt e kan lane e nuk shef me lexue.”

Me 29 Qershuer të 1942, në Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit në Shkodër ka kremtue 50 vjetorin e meshtarisë A Zef Mesi o.f.m, të cillin pak janë ata qi e kanë njoftun, por me gjith kta nuk janë të paka shërbimet qi ky frat i përvujt i ka ba fes dhe atdheut.”

 

Letra e At Gjergj Fishtës drejtue At Zef Mesit

  Shkodër, 27 Qershuer 1926

         Fort i Ndritshmi Zotni Professor,

      Shi ndër kto dit, tuj mendue un si me vertetue, shqyptimin e kuptimin e fjalës birov, për të cillat sende Zotnija e Juej m’pvetshi me letër të 7 të k. m. për fat të bardhë i a mbrrini në Shkodër një franciskan shqyptar, P. Zef Mesi, i cilli para do vjetsh ká pasë shërbye për shum kohë si famullitar në Lurë: bajrak i Dibërs, nja 5 orë në Nord-Est t’Oroshit.

Mbas dishmis s’ktij P. Zefit, pra, fjala birov vertè ekziston në gojë të popullit të Lurës, edhè merret në kuptim të caktuem në fjaluer të “Bashkimit”, por jo vetëm per të shenjuem një capovilla, principale d’un paese, veç edhè ç’do tjetër kryetar vepre a acjende: njashtû si përdorohet n’anglishte fjala chairman. Për kahë shqyptimi kjo fjalë asht oksitone.

Kshtû oksitone asht fjala Ungrej e fjala pedim. Për fjalën pedim sod me sod nuk mundem me U thanë, se në të cillen krahina të Shqypnis përdorohet. Edhè kshtû sugurisht mund të dihet, se fjala birov përdorohet në Lure e në Mirditë; pra, posë qi Lurja, asht per kufi me Orosh, Don Dodë Koletsi, qi ká pasë pregatitë fjalorin e “Bashkimit” për botim, sado qi lé në Zadrimë jetën e vet e ká kalue krejt në Mirditë tue marrë djalektin e shqyptimin e ksajë krahine.

Ktû po marr lirin, me hie në bisedë me Zotnin t’Uej, mbi një çashtje e cilla, kujtoj, jo veç se asht n’interese të Shqypnis, por edhè t’historis s’kulturës e të gjytetnis s’Europës.

Kam pasë marrë vesht, se në Akademi të Wien-s gjinden në dorshkrim dy blêjtvolumes e mbramë t’”Acta et Diplomata etr.” të Thalloczit, Jireçek, Souflay, e se ajo Akademi nuk i boton vetëm për mungesë të mjeteve.

Tashti, tuj u gjetë un në Romë, kû kam ndêjë prej 1 Nanduer 1924, e dér me 11 Máj 1926, Qeverija Shqyptare m’proponoj, qi un të rrijshe në Romë edhè mbas të mbyllunit t’Ekspozicjonit Vatikan, pranë të cillit un kam kênë si atachè për repart të Shqypnis etr. për me shqertue nëpër arkive të Vatikanit dokumentat, qi mund t’interesojshin Shqypnin e historin e sajë; e sikurë për tjerë shqërtuesa dokumentash qi ajo kishte ndër mend me dërgue në Wien, Cosple1), Belgrad, etr. m’lajmote, se për kët shërbim do të m’kishte caktue një rrogë. Un nuk e pranova kët përlim, për arsye qi tuj mos me pasë kurrnjë kompetencë të veçantë në histori, me at vepër un nuk do të kishe kalue caqet e një periferis s’kopistit.

Veç shka se nëpër një mik t’êmin tërhoqa vrejtjen e Qeveris Shqyptare mbi fakt, qi ato shpenzime per dokumenta do të dilshin të kota: mbasi askush ndër Shqyptarë të sodshëm nuk mund do t’a kishte krye at vepër me një kompetencë sado elementare. Prandej do të kishte dalë punë fort ma e dobishme, qi Qeverija at credit për të mbledhun dokumentash t’a epte për botim t’atyne dy blêjve t’ “Acta e Diplomata etr.” qi Akademija e Wien-s nuk mundte me i botue për mungesë mjetesh. Ky mendim i êmi duket se u ká hie në krye do njerzve të Qeveris s’Tiranës, edhe Ministri i Punve të Mbrendshme, m’ká lypë zhvillime en dettaille2) mbi ket çashtje.

A ká mndyren Zotnija e Juej si me m’ba me diejt: a përnjëmend ekzistojnë kto dy dorshkrime të A.A. n’Akademi të Wien-s?

Sa të holla në Frcs.3) ár kishin me u lypë të botuem të parin blê? mbas cillash konditash a shartesh Akademija kishte me pranue konkursin e Qeveris Shqyptare per botim t’asaj vepre? Po pat mirsin Zotnija e Juej m’e vijue korispondencën me mue mbi ket çashtje, un kam me U a diejtë fort për nderë ket punë… Un nuk mund U tham, se dér kû ka giasë me u realizue ky proponim i jemi; por me gjith kta asht punë e levdueshme, qi un për interese t’historis s’komit t’êm e Zotnija e Juej n’interese, mostjetër, të dijenis të mundohemi për botim t’asajë vepre përnjimend kolosale qi janë “Acta et Diplomata etr.”

Në shpnesë se Zotnija e Juej ká me u marrë edhè tash e mbrapa me vepra kulturale, qi kan të përpjekun me përparim të Shqypnis.

U shtërngoj dorën e kam nderin me u dishmue i Juej

  1. Gjergj Fishta ofm

———————————–=

1) Constantinople.

2) Détail.

3) Francs.

 

 Mirënjohje zotni Jozef Lazër Radit!

            – Mirënjohje e pafund nga ana jem për bujarinë, fisnikrinë e zotni Jozef Radit, qi ma dhuroi kët Letër të At Fishtës drejtue të përvujtunit frat At Zef Mesit i molisun nepër malet e Pukës përmes vorfnis e pastrehës në shërbim të Atdheut dhe fesë! Kjo letër e rrallë dhe tej e randsishme e plotson kuadrin e telajos së shkrimit modest mbi portretin e nji fratit të harruem!

Plusë ksaj më jepet rasti të shprehë Mirënjohje të thellë për shkrimtarin, studjuesin zotni Jozef Lazër Radin,  për shkrimet e mia të qituna kaherë në faqen e shkrimeve elitare “Radi and Radi”(Shkrime nga Lazër dhe Jozef Radi) me deshirën e vet e ndonjiherë me kërkesën tem, tuj më nderue faqe njerzve të dijtun!

Shenim:

  • Shkrimin e Pashko Bardhi O.F.M. – “A. Zef Mesi o.f.m.” e nxorra prej arkivit hyjnor të “Hylli i Dritës”, e 1942, faqeve 356 –  360, Nr. 5-10 dhe e hjedha në letër në trajtë empirike larg të imtave. Me synim e vetëm; me dhanë konstruktin e fizionomisë së meshtarit At Zef Mesit qi i dha shpirtin Atdheut dhe Fesë kudo ku i kërkoi Atdheu. Në trojet ma të vshtira.
  • Fjalitë të kufizueme me thonjzat “ “ janë citime të sakta nga Shkrimi i A. Pashko Bardhi O.F.M. – “A. Zef Mesi o.f.m.”  si dhe Kol B. Mirakaj si dhe Letra e At Fishtës drejtue A. Zef Mesit.
  • Kujtimet e mësuesit Kolë Bib Mirakaj i mora te libri i “Vetvrasja e kombit, me redaktor dhe korektorë Fritz Kolë Radovani dhe Bep Martin Pjetri, qi asht nji Traktat filozofik-politik dhe e bashkangjita me autorin e hapjes së shkollës në Iballë meshtarët; A Zef Mesi dhe A Severin Lushaj qi me përkrahjen dhe ndihmën e ipeshkvit Emzot Lazër Mjeda çilën të parin shkollë dhe kishën “Shën Gjergjin” në Iballë të Pukës.
  • b.m.p. – asht emni jem; Bep Martin Pjetri.

Motivi

Arsyeja qi u nxita të rradhis disa rreshta në letër të bardhë dhe në xhamin e ekranit të internetit asht frymzimi ndaj Kolonel Kol Bibë Mirakaj, lisit të Iballës të rrahun nga humnera e historisë, për kontributin e dhanun si arsimtar, si akademik, si ministër qi pshtoi mbi 2000 frymë hebreja nga krematoriumet e gjermanve, si dijetar, si patriot me prova, si i plagosun nër dy kambë nga sllavët për kombin, si parimor i palëkundun, e besnik i rrallë në dashninë ndaj familjes, vendlindjes, kombit dhe Zotit.

Ma, zi vazhdon heshtja edhe sot, mosvenia në vendin e tij në histori nga vetë iballsit dhe puknjanët. Vetë fisi i tij nuk para e përmend nga friga e inercisë së paragjkimeve ndaj tij prej periudhës 1944-1992.

Tjetër indicie frymzimi asht A. Zef Ndoc Mesi, zadrimor, meshtari i braktisun nga stuhia e indiferencës së klerit katolik mbas 1992 dhe nga të tjerë.

Falemnderës, kush ma pranon në strehën e shkrimeve të tyne!

[1] Dita, mueji dhe vjeti nuk e përcaktoi P. Pashk Bardhi ofm në shkrimin e tij për At Zef Mesin sepse del se ishte gjallë në vjetin e shkrimit të A. Pashk Bardhit. Miku jem, Fritz Kol Radovani më dha kët njoftim për vjetin e vdekjes së At Zefit bazue te libri, “Tragjedia dhe lavdia e kishës katolike në Shqipëri”, Bot. 2007, Vol I i Pjetër Pepës, faqe 94 janë Franceskanët, faqe 114 At (Pader) Zef MESI  1869 – 1945.

E pregatiti –  Bep Martin Pjetri

E diel, 29 tetuer 2023.

 

 

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 09/11/2023. Filed under Figura të Shquara Botërore. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.