- Home
- Shqipëria
- Bota
- Politika
- Mafia
- Shke-Tek
- Italiano
- Ekonomi
- Biografi
- Automobili
Lexuar 4193Skandali i Boboshticës, Xhufi: Ka dorë edhe Kisha Shqiptare.
KORÇË – Historiani i njohur shqiptar, Pëllumb Xhufi, reagon për skandalin e Boboshticës, teksa bën përgjegjës shtetin shqiptar që nuk reagon kur dhunohen të vdekurit, një vepër e rëndë penale e dënuar nga ligji shqiptar, por që dënohej edhe në Athinën e Lashtë.
Pas ngjarjeve të ditëve të fundit, Xhufi ka udhëtuar drejt juglindjes për t’u ndalur gjatë së shtunës në Boboshticë ku ka parë nga afër memorialin për ushtarët grekë, por dhe është takuar me banorë të këtij fshati të njohur. Skandali i dhunimit të varreve 200-vjeçare të Boboshticës ne Korçë, po merr përmasa të mëdha nga dita në ditë. Edhe pse komuna Drenovë, pjesë administrative e të cilës është fshati në fjalë, deklaroi se ndërtimi është i paligjshëm dhe se nuk kishte dijeni për autorët, ky institucion nuk ka marrë asnjë masë konkrete për shembjen e ndërtimit që nxori në sipërfaqe eshtrat e të vdekurve.
Historiani Pëllumb Xhufi e cilëson si skandal e madje dhe vepër të rëndë kriminale dhunimin e varrezës. Kjo histori, sipas ish-numrit dy të diplomacisë shqiptare është e njëjtë me Kosinën në Përmet dhe me të kanë lidhje si autoritetet greke, ashtu edhe ato të kishës në Shqipëri. Ai akuzon shtetin shqiptar se ka lënë të pambrojtura me ligj këto vende, pas një marrëveshjeje të fshehtë me shtetin grek. “Kjo që ka ndodhur së fundmi në Boboshticë, është një tentativë e dëshpëruar për t’i dhënë identitet të paqenë vijës imagjinare të Vorio-Epirit. Historia është shumë më e komplikuar nga sa shfaqet, pasi në të kanë ndërhyrë dhe klerikët e kishës në Shqipëri, por dhe heshtja e shtetit tonë është për t’u parë.
Dua të theksoj se ka një shkelje të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë për përdhosjen e varreve. Ky është një krim shumë i rëndë që duhet ndëshkuar me ligj, krim që ndëshkohej po rëndë që në kohën e Athinës së lashtë, ligj që grekët e njohin shumë mirë dhe nuk duhet ta anashkalojnë kur bëhet fjalë për eshtrat e shqiptarëve”,- ka theksuar gjatë të shtunës historiani Pëllub Xhufi nga Boboshtica, vetëm 6 kilometra larg Korçës.
Xhufi i ka bërë thirrje prokurorisë të ndërhyjë me urgjencë për të zbardhur deri në fund këtë ngjarje të rëndë kriminale që, për habinë e të gjithëve, ka mbetur pa autor. Madje dhe vetë komuna Drenovë, në reagimin e saj bën të ditur se, ndonëse dënon aktin e përçudnimit të varreve të të vdekurve, nuk ka marrë asnjë vendim për prishjen e këtij objekti pa leje që është ngritur në rrethana krejt të paqarta nga persona të panjohur ndonëse në mes të ditës në një fshat të banuar me njerëz.
Në Boboshticë disa javë më pare, është ndërtuar një memorial për ushtarët grekë të rënë në luftën italo-greke në vitin 1940. Ndonëse në këtë fshat ka rënë realisht një ushtar grek, eshtrat e të cilit nuk ndodhen më në këtë varrezë të vjetër gati dy shekullore, është ndërtuar memorali që ka dëmtuar të paktën 50 varre duke nxjerrë eshtrat në sipërfaqe.
*************
Konsulli grek: Korça është Greqi
“Korça është Greqi, qytetarët e saj janë çliruar nga ushtarët grekë 70 vjet më parë”. Kjo është deklarata e bërë dje nga konsulli grek në qytetin e Korçës, në prani të zyrtarëve të shtetit shqiptar, të cilët nuk kanë marrë asnjë masë ndaj tij. Ata kanë qëndruar të ulur në vendet e tyre duke miratuar në heshtje këto deklarata provokuese nga ana e zyrtarit grek.
Në fjalën e tij, konsulli, e ka cilësuar çlirimin e qytetit juglindor të Shqipërisë nga fashizmi si të kryer në vitin 1940 në të njëjtin vit, të cilin Greqia e mban si vitin e çlirimit nga fashistët italianë. Deklarimet u bënë gjatë një takimi në qytetin e Korçës ku përkujtohet 70- vjetori i krijimit të organizatës greke OMONIA dhe çlirimi i Greqisë nga fashizmi.
Në takimin e zhvilluar me këtë rast ishin pjesëmarrës edhe pushtetarë dhe drejtues të administratës lokale, si prefekti i Qarkut të Korçës, Andrea Mano, kreu i Këshillit të Qarkut, kryetari i bashkisë së Korçës, si dhe funksionarë të tjerë të administratës lokale. Këta të fundit ishin të pranishëm në sallë me ftesë të organizatës lokale OMONIA, e cila kishte organizuar edhe një takim dhe kokteil me rastin e 70- vjetorit të krijimit të saj. Një deklaratë e tillë duket se është në përmasat e një incidenti diplomatik, por ajo nuk ka marrë asnjë përgjigje nga funksionarët lokalë dhe prefekti i qarkut si i dërguari i qeverisë shqiptare në Korçë. Madje ky i fundit ndodhej në podiumin e takimit, në momentin e deklarimit të konsullit grek. Thuajse asnjë nga pushtetarët e pranishëm nuk foli gjatë deklaratës së guximshme të konsullit grek, ndërsa shumë persona me shtetësi shqiptare që ndodheshin në sallë braktisën takimin.
Të pranishëm në takim pohuan për Shekullin se konsulli grek Teodoris Ikonomus tha mes të tjerash: Dua të përshëndes gjithë popullin helen në qytetin e Korçës me rastin e 70- vjetorit të çlirimit nga fashizmi dhe me rastin e përvjetorit të krijimit të organizatës OMONIA. Deklarimi shkaktoi jo pak reagim tek pjesëmarrësit. Më tej përfaqësuesi i shtetit grek në qytetin e Korçës, vijoi fjalimin e tij: Dua të uroj veç festës së krijimit të OMONIAS dhe çlirimit të Greqisë edhe çlirimin e Korçës në vitin 1940 nga pushtuesit fashistë.
Në këtë mënyrë konsulli grek Ikonomus, ka tentuar ta quajë çlirimin e qytetit të Korçës në të njëjtën kohë me Greqinë. Deklarimet e mësipërme, Ikonomus i dha ende pa përshëndetur as funksionarët e pushtetit lokal si përfaqësues të shtetit shqiptar, si dhe as përfaqësuesin e qeverisë në këtë qark.
Prefekti: Nuk dëgjova gjë se flitej greqisht
Prefekti i Korçës, Andrea Mano është një nga zyrtarët shtetërorë të pranishëm në mbledhjen e OMONIA-s ku konsulli grek e ka quajtur Korçën: Greqi. i kontaktuar dje nga “Shekulli”, Mano pohoi se bëhej fjalë për një takim për 70-vjetorin e çlirimit të Greqisë nga fashizmi. Ai pranoi që ka qenë në takim, i ulur në podium, por tha se nuk e ka dëgjuar këtë pjesë pasi është folur greqisht. “Unë dëgjova përfaqësuesin e OMONIA-s por nuk dëgjova fjalën e konsullit grek. Ai foli greqisht dhe unë nuk e dëgjova”,- deklaroi Mano. i pyetur nga “Shekulli” për prezencën apo jo të një përkthyesi në sallë, Mano tha se ndodhej një vajzë por që ai nuk e ka dëgjuar. “Ishte një vajzë që përkthente por mu duk sikur nuk përkthente mirë. Dëgjoja njerëz që qeshnin në sallë . Nuk di t’ju them më shumë në lidhje me këtë fakt që ju po më thoni”, shpjegoi dje prefekti Andrea Mano.
Memoriali grek përçan Boboshticën
KORÇË- Pasaportat greke i kanë mbyllur gojën banorëve të Boboshticës, edhe pse po u dhunohen varret e të parëve. Mbi varrezën e vjetër po ndërtohet memoriali i një ushtari grek, i cili është vrarë në luftë me italianët 70 vjet më parë. Gjatë ndërtimit të memorialit kanë dalë në sipërfaqe eshtrat e 50 banorëve të Boboshticës të varrosur në këtë zonë por ato janë shortuar për t’i hapur vend përkujtimit të ushtarit grek.
Ky memorial ka ndarë përgjysmë fshatin me afro 200 banorë. Një pjesë e banorëve kanë frikë të flasin për shkak se posedojnë pasaporta greke dhe trajtohen me pensione nga shteti fqinj, ndërkohë që të tjerët janë kundër këtij horrori që po ndodh me të parët e tyre. Madje në memorial nuk flitet për një ushtar të vetëm por për dhjetëra të tillë duke krijuar idenë se këta ushtarë kanë vdekur për të çliruar zonën e Korçës. Ata që duhet të flasin për këtë çështje, pasardhësit e të zhvarrosurve, e kanë gojën e mbyllur nga pensionet dhe pasaportat greke. Për këto përfitime personale ata kanë harruar edhe eshtrat e të parëve të tyre që ndodhen aty prej 200 vjetësh.
Albana Çakshiri/Shekulli
2 Responses to Dhunohen varret shqiptare për të ndërtuar një memorial grek në Boboshticë