Viktima fiton gjyqin ndaj tutorit, dëmshpërblehet me 40 mijë euro

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 3808
Gjykata e Apelit për Krime të Rënda vendos dëmshpërblimin e vajzës së trafikuar në Itali nga i “fejuari”
TIRANË- E mashtruar, e keqtrajtuar, e trafikuar dhe e shfrytëzuar për prostitucion për mbi gjashtë vite ku dhe për pasojë është detyruar të abortojë një fëmijë, shtetasja tashmë 24- vjeçare me inicialet D.S. më në fund ka gjetur pak qetësi.
Qetësi kjo që ka ardhur pas vendimit penal të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, e cila e ka dënuar përfundimisht “tutorin” e saj Andrea Ajasllari me 8 vite heqje lirie e 3.4 milionë lekë gjobë.
Si dhe me vendimin civil të Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, ku i dënuari Ajasllari është urdhëruar të paguajë në formë dëmshpërblimi ndaj të dëmtuarës D.S. shumën prej 40 mijë euro.
Shumë kjo, e cila u caktua nga gjyqtarja Elona Stavri pas procesit civil të shqyrtuar në 10 seanca gjyqësore, ku e dëmtuara 24- vjeçare ka bërë padi civile me objekt “shkaktim dëmi” ndaj “tutorit” të saj tashmë të dënuar duke i kërkuar 45 mijë euro dëmshpërblim.

Sipas vendimit që “Shekulli” ka siguruar një kopje, mësohet se shtetasja D.S. ka marrë guximin përveç se ta denonconte tutorin e saj në prokurori, t’i kërkojë atij edhe dëmshpërblim për dëmin material e moral të shkaktuar si rezultat i trafikimit dhe shfrytëzimit të saj seksual si viktimë e trafikimit të qenieve njerëzore. Sipas paditëses, D.S. me të dënuarin Ajasllari njiheshin prej kohësh për shkak se vinin nga i njëjti qytet, ai i Skraparit.
Në dhjetor të 2001 kur vajza sapo kishte mbushur 17 vjeçe, i dënuari tashmë 35- vjeçar duke i njohur familjen vajzës kërkon dorën e saj për fejesë. Lidhje e cila pranohet nga dy familjet por pa bërë ndonjë ceremoni.
Që me shpalljen e fejesës, dy të “dashuruarit” vendosen në një banesë me qira në lagjen e “Bërrylit” në Tiranë. Gjatë kësaj kohe, sipas paditëses, ajo mbyllej me çelës në shtëpi nga i “fejuari” dhe lejohej shumë rrallë të takonte prindërit e saj. Pas disa muajsh bashkëjetesë, të “dashuruarit” vendosin të ikin në Itali për një jetë më të mirë.

Me të mbërritur në Itali, ata ishin vendosur fillimisht në qytetin e Bergamos dhe më pas në Napoli. Akoma pa mbushur një javë nga zbritja në Itali, vajza detyrohet me anë të dhunës fizike, psikike dhe kërcënimeve për jetën e prindërve të punojë si prostitutë, ku të ardhurat i merrte i dënuari Ajasllari.
Kjo “punë”, sipas paditëses, ka vazhduar deri në janar 2007 kur ka mundur të largohet nga kthetrat e “tutorit” dhe e ka kallëzuar penalisht në Policinë e Rinasit në Tiranë.

Sipas vajzës, në kohën që shfrytëzohej në Itali ishte detyruar të abortonte edhe një fëmijë të ngjizur nga marrëdhëniet e ndryshme me klientë që paguanin tek i dënuari. 35- vjeçari Ajasllari tashmë është dënuar dhe po vuan ditët e dënimit, por, vajza nga Skrapari pas 10 seancave gjyqësore ka fituar gjyqin civil ndaj tij, ku i dënuari detyrohet të paguajë shumën prej 40 mijë euro si dëmshpërblim për trafikimin dhe shfrytëzimin e saj.
Kjo shumë parash, sipas vendimit, do të ekzekutohet nga Zyra e Përmbarimit, e cila do t’i kalojë vajzës së dëmtuar shumën nga pasuria që administrohet nga Zyra e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara pranë Ministrisë së Financave, e cila ka marrë në administrim pasurinë e konfiskuar të të dënuarit sipas ligjit “Antimafia”.
Kjo shumë parash, mësohet se do të konvertohet në pasuri të paluajtshme, ku vajza e dëmtuar do të përfitojë njërin nga apartamentet që të dënuarit i janë konfiskuar në Tiranë.

Pjesë nga vendimi
“…Përfshirja e paditëses në aktivitete seksuale, në kundërshtim me dëshirën e saj, (kufizim të lirisë) për më tepër në një moshë të mitur, e cila karakterizohet nga një mungesë ndërgjegjësimi për veprimet dhe zgjedhjet e kryera, me qëllim realizimin e përfitimeve të padrejta dhe të kundërligjshme për të paditurin sjell si pasoje destabilizimin e personalitetit dhe zhvillimin e saj evolutiv për rrjedhoje cenimin e interesit të ligjshëm jo pasuror të saj
Gjithashtu fakti i paligjshëm ka cenuar edhe të drejta të tilla si dinjiteti, nderi, personaliteti të cilat konsiderohen jo vetëm si thelbësore për zhvillimin e individit por përbën edhe kriter të domosdoshëm për zhvillimin e një jete të qetë dhe familjare.

E drejta e personalitetit ka për objekt mënyrën e jetesës, fizike apo morale të individit.
Në këtë kuptim cenimi i personalitetit dhe dinjitetit duke shkaktuar dhimbje të brendshme e vuajtje shpirtërore si individë dhe anëtare e shoqërisë të shkaktuar nga vepra e paligjshme e të paditurit përbën cenim të të drejtave të personalitetit të mbrojtur nga nenet Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.
Në këtë kuadër, dëmi moral, si pjesë e dëmit shëndetësore, e cila përbën shfaqjen e brendshme të përkohshme të turbullimit të padrejtë të gjendjes shpirtërore, dhimbje e vuajtje shpirtërore apo gjendje ankthi e mundimi shpirtëror që rrjedh si pasojë e faktit të paligjshëm dhe të dëmtimit të lirive thelbësore të përmendura më sipër e legjitimon paditësen në kërkimin për dëmshpërblimin e dëmit moral, dinjitetit etj.
Nëpërmjet dëmshpërblimit realizohet kompensimi i plotë i paditëses / të dëmtuar, në gjendjen e mëparshme në të cilën ajo do të gjendej nëse nuk do të ndodhte fakti i paligjshëm”-thuhet në vendim.
Për trafikimin dhe shfrytëzimin e D.S. prokuroria gjatë fazës së gjykimit pat kërkuar nga togat e zeza dënimin e Andrea Ajasllarit me 20 vite burg dhe 7 milionë lekë gjobë.
Por, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda me vendimin nr. 27 të datës 6 maj 2008 pat vendosur përfundimisht, në aplikim të gjykimit të shkurtuar dënimin e Ajasllari me 11 vjet e 4 muaj burg. Ky vendim u ankimua në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, ku me vendimin nr.40 të datës 4 korrik 2008 kjo gjykatë pat vendosur prishjen e vendimit të Shkallës së Parë dhe përfundimisht në aplikim të gjykimit të shkurtuar dënimin e Ajasllarit me 8 vite burg dhe 3.4 milionë lekë gjobë.

PASURI TË KONFISKUAR
Një apartament me sipërfaqe prej 65 m2, ndodhet në Rr.”Komuna e Parisit-Selitë” Tiranë,
Një apartament me sipërfaqe 105.5 m2, ndodhet në Rr.”Komuna e Parisit-Selitë” Tirane,
Automjet tip “Land Rover” me ngjyrë të bardhë, pa dokumente të rregullta, me targa SI HH 2118 A,
Automjeti tip “Land Cruiser” me targa “TR 2226 M”,
Automjet furgon, me targa TR 5407 G, me ngjyrë të bardhë prodhim i vitit 1991
Automjet “Mitsubishi-Pajero”, prodhim i vitit 1987, me ngjyrë gri e zezë, me targa “BR 8261 A”,
Mjeti tip traktor me ngjyrë të kuqe, pa dokumenta,
Llogari bankare me me vlerë 37.000 leke dhe 4.345 USD
Aparati celular i sekuestruar të pandehurit Andrea Ajasllari.
Flamur Vezaj/Shekulli

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 25/10/2010. Filed under Ligji. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.