- Home
- Shqipëria
- Bota
- Politika
- Mafia
- Shke-Tek
- Italiano
- Ekonomi
- Biografi
- Automobili
Lexuar 4122Banorët : Frikë për sëmundje infektive. Bashkia në dijeni për gjendjen por nuk ndërhyn
Një zgjim i kobshëm dhe një tmerr që vazhdon sa herë që qielli nxihet dhe nisë shiu. Dje në mëngjes dhjetëra shtëpi në zonën e Kryqit të Kuq, në rrugën “Don Bosko” janë zgjuar që me natë për të hequr ujin që u kishte përmbytur shtëpinë. Pa zbardhur mirë dita banorët e zonës kanë nxituar të nxjerrin nga shtëpia familjarët dhe orenditë shtëpiake. Kanalet e ujërave të zeza të Tiranës, kanë shpërthyer në shtëpitë e tyre, madje tek njëra prej shtëpive të zonës ka ndarë atë mes për mes. Kryefamiljari Artur Gero tregon se kanalet e bllokuara përmbysin shtëpi e rrugë të kësaj lagjeje sa herë që bie shi. Për banorët e kësaj zone shiu është kthyer në një tmerr të vërtetë pasi sipas tyre ndonëse Bashkia e Tiranës ndonëse është në dijeni për gjendjen ajo vazhdon të mbetet e njëjtë.
Përmbytja
Ishte ora 8:20 e mëngjesit kur Daniela 6-vjeçare me fshesë dhe kovë në dorë largonte nga shtëpia fekalet e përziera me shi. Edhe pse një ditë normale shkolle ajo dje kishte braktisur mësimin dhe bashkë me të ëmën dhe të atin largonin pa pushim ujin nga shtëpia. Për familjen Gero mëngjesi i djeshëm ishte rituali i zgjimit prej më shumë se 8 vitesh, dhe kjo ndodhte sa herë që moti sillte shi.
“kur bie shi jetojmë me frikën në do mund ta kalojmë edhe kësaj here. Më është përmbytur e gjithë shtëpia. Kemi thirrur disa herë bashkinë por sërish nuk është bërë gjë, nuk kemi ku të jetojmë por edhe mes fekaleve dhe përmbytjeve nuk mundemi më”-shprehet Gero.
Familje të tjera jetojnë nën “kthetrat” e përmbytjeve. Sipas tyre gjendja është shumë e rëndë, por shpërthimi i kanalit të ujërave të zeza ngjall frikë për sëmundje infektive, që u kanosen jo vetëm atyre por edhe të gjithë banorëve të zonës.
“një herë në dy ditë detyrohemi ti çojmë në spitale, deri tani fëmijët kanë shpëtuar me ndonjë ftohje por ne i druhemi së keqes se mos shpërthen ndonjë sëmundje infektive, dhe do na përpijë të gjithëve”-shprehet nënë Metja.
Dita e djeshme ka qenë e vështirë edhe banorët e tjerë të zonës të cilët pohojnë se për të mos humbur punën janë detyruara të dalin nga shtëpia me çizme dhe ti braktisin në dyqanin e lagjes. Po kështu edhe për fëmijët, ku Meremja, tregon se për të çuar dy fëmijët e saj në shkollë i ka marrë në krah, njërin pas tjetrit.
Rrugët
Jo vetëm shtypitë por edhe rrugë e rrugica të kësaj zone, vuajnë këtë fat. Bllokimi i kanaleve kulluese sjell gjithmonë probleme. E megjithatë banorët bëjnë të ditur se Bashkia e Tiranës është vënë në dijeni dhe se në një rast kjo e fundit ka shkuar në zonë, por sërish nuk ka ndryshuar asgjë. Problemet vijojnë edhe më tej, ku rruga dytësore që lidh zonën me kryqëzimin e “Zogut të Zi” bllokohet për shkak të vërshimit të ujit në rrugë. Drejtuesit e automjeteve detyrohen të kalojnë tërthorë, duke shmangur kështu rrugën normale. “kjo gjendje vazhdon prej vitesh, jo vetëm që nuk kalohet me makinë por edhe kalimtarët nuk kanë mundësi për kalimin e rrugës”-shprehet drejtuesit e automjeteve. Mëngjesi i djeshëm ka gjetur të përmbytura edhe disa rrugë të kryeqytetit. Ku reshjet e dendura të shiut dhe kanalet e bllokuara kanë shkaktuar përmbytje, në disa akse të Tiranës, ndërkohë që problematike ka qenë qarkullimi i automjeteve si pasojë e intensitetit të larte të tyre.
Blerta Mrishaj/Gazeta Standard
One Response to Tirana nën ujë fekalesh, frikë për epidemi