- Home
- Shqipëria
- Bota
- Politika
- Mafia
- Shke-Tek
- Italiano
- Ekonomi
- Biografi
- Automobili
Lexuar 3098Në Shkodër ruhej një pikturë e vjetër, e bërë sterrë në sipërfaqe, të cilën e studioi i ndjeri Anastas Kondo. Pikturën e quajti “Çifuti shëtitës”, me autor Rembrandin. Këtë studim ai e botoi me bindjen dhe krenarinë e një zbulimi të madh. Piktura u ble ato vite nga Galeria e Arteve për 800 lekë, një shumë e paimagjinueshme në ato kohëra, por as minimale për meritën
Disa ditë më parë u transmetua në një kanal televiziv një emision ku u përmend piktura e Rembrandit, që ruhet në Galerinë e Arteve në Tiranë. I ftuar në studio ishte drejtori i Galerisë së Arteve, z. Rubens Shima. E gjithë biseda përqendrohej në një dyshim, që kërkon vërtetësi: A është e Rembrandit piktura apo jo?
Kjo bisedë më shtyu në kujtime të ndonja tridhjetë vjetëve më parë.
Se si, por nuk e di mirë, në Shkodër ruhej një pikturë e vjetër, e bërë sterrë në sipërfaqe, të cilën e studioi i ndjeri Anastas Kondo. Pikturën e quajti “Çifuti shëtitës”, me autor Rembrandin. Këtë studim ai e botoi me bindjen dhe krenarinë e një zbulimi të madh.
Piktura u ble ato vite nga Galeria e Arteve për 800 lekë, një shumë e paimagjinueshme në ato kohëra, por as minimale për meritën.
Mirëpo dyshimi për vërtetësinë e autorit ngriti mendjen e specialistëve, u bënë edhe disa diskutime, por jo të zjarrta. Sidoqoftë duhej një vulë saktësie. Kjo është punë laboratorësh, që për nga kompleksiteti, ua kalojnë shumë edhe atyre më të përparuar të kriminalistikës.
U vendos që të bëheshin dy grupe analizash, të cilat mund të na ndihmonin:
a-analiza të teknologjisë së realizimit të pikturës nga Rembrandi dhe
b-analiza të ngjyrave dhe të disa aspekteve teknike.
Punën për pikën e dytë e drejtova unë.
E filluam me radiografitë. Se mos kishim nga ato aparatura të specializuara, që i shohim të botuara në katalogë apo pamje laboratorësh! Përdorëm aparatet e Rëntgenit që ka spitali nr. 1 në Tiranë. Operacionin vëzhgues e kryente mjeku Vangjush Golloshi. Gjenim diçka, pastaj ndryshonim energjinë e rrezatimit, shikonim diçka tjetër, e kështu, derisa morëm më të mirën.
Ne prisnim jashtë, në korridor. Njerëzit të habitur dhe kureshtar, na pyesnin dhe ne u shpjegonim. Në atë kohë kam parë pesë inxhinierë që nuk e dinin se çfarë ishte Rembrandi. Megjithatë, nuk më bëri ndonjë përshtypje kushedi se çfarë, se kam takuar pesëdhjetë të tjerë, që nuk kishin dëgjuar kurrë për Lermontovin, e as për Stendalin!
Dolën dy gjëra interesante: penelatat dhe një përdredhje floku, që ishte si të thuash “një huq njohës” i Rembrandit. Sa peshë që pati kjo!
Pastaj analizuam me Spektroskopi të Fluoreshencës së Rrezeve X, një metodë familjare në studimin e veprave të artit, pigmentet e përdorur për përgatitjen e ngjyrave. Këtë e bëmë në Institutin e Fizikës Bërthamore, sepse vetëm ai kishte laboratorë të këtij specialiteti. Servet Dani dhe i ndjeri Petrit Gjeli ishin ata që drejtuan rrezet mbi sipërfaqen e pikturës. Ndërsa koha kalonte, ne shikonim piqet e spektrave në ekranin e kompjuterit. Kështu gjykuam për pigmentet.
E dija që më përpara se nuk do të mund të arrinim atë që donim, por gjithsesi diçka njohëse u bë.
Sepse puna është kështu. Po marrim një nga pigmentet e kuqe, për shembull cinabrin ose kimikisht sulfurin e zhivës. Ky ka qenë përdorur që shekuj më përpara Rembrandit dhe vazhdoi edhe shekuj të tjerë mbas Rembrandit. Po kjo mund të thuhet edhe për të kuqen e plumbit, të bardhën e plumbit, okrat, karbonin, përbërësit e hekurit etj. Pra, në shekuj e njëjta gjë. Të njëjta forma pigmentesh i përdorin piktorë të atelieve të ndryshme. Por puna është të zbulosh çfarë është karakteristike për pigmentet e Rembrandit. Kjo përcaktohet nga prania e mikroelementeve, që dallojnë nga pigmenti i marrë diku, nga një pigment i marrë diku tjetër. Por nuk është kaq e thjeshtë, sepse tregtia bënte punën e vet dhe të njëjtin pigment e përdorte edhe Rembrandi në Holandë dhe një tjetër piktor, për shembull në Itali. Mirëpo ka të dhëna nga historia e artit, që disa piktorë preferonin t’i përgatisnin vetë bojërat e tyre, kishin teknologjinë vetjake. Kjo teknologji, që nuk është e lehtë të studiohet, ka specifikën e vet. Ky është çelësi. Problemi ngatërrohet më tej si efekt i përzierjes së ngjyrave për të përftuar tonet, nga shtresat dhe nënshtresat që përdor piktori, velaturat, nga grunti, teknika e lëvizjes së penelit etj., etj.
Pra, të përcaktosh se e cilit artist është një vepër arti, kërkon një punë tepër speciale, me themele shkencore tepër të thella. Ne shohim sot se sa bujë bëhet kur arrihet të zbulohet se e cilit autor është një pikturë anonime.
Mbas përfundimit të kërkimit tonë u bë një takim pune në Galerinë e Arteve. Rezultatet i paraqitën punonjësit e Institutit të Monumenteve, u takonte. Zura një vend atje nga fundi dhe dëgjoja me kujdes. Në pushim diskutuam midis nesh. E pashë se disa kishin qejf ta konsideronin atë pikturë të Rembrandit, të tjerë stepeshin. Ishte një gjë fare normale, njerëzore.
Pastaj filluan të shpjegonin grafikët dhe ngjashmëritë që vinin re. Bela! Të gjithë pigmentet e njëjta kanë të njëjtit grafikë! Edhe ata që kanë përfunduar shkollën e mesme dhe e kanë mësuar kiminë, i kujtojnë orbitalet e elektroneve. Dy prej këtyre, K dhe L, me nënndarjet α dhe β, shfrytëzohen në Spektroskopinë e Fluoreshencës së Rezeve X. Energjia e liruar prej tyre del në formë piqesh në një grafik. Pra të gjitha janë njësoj. Kjo po shfrytëzohej si argument ngjashmërie me pikturat e Rembrandit. Linja e logjikës kishte dalë nga baza shkencore.
Nuk kishte ndonjë gjë për t’u çuditur. Diskutuesit nuk ishin të fushës. Atëherë u desh të ndërhyja me shumë kujdes, për të mos lënduar askënd.
Puna që kishim bërë ne, ishte vetëm njohëse, por jo përcaktuese, madje në këtë drejtim mbeteshim diletantë. Përcaktimi duhej bërë në laboratorë tepër të specializuar dhe drejtori i Galerisë së Arteve, zoti Rubens Shima, ka plotësisht të drejtë kur shprehet se piktura duhet analizuar tek “ustallarët” e kësaj pune.
Kam përshtypjen se ne mund të diskutojmë në përgjithësi, pa e ditur tamam, se ku ndodhemi.
Kjo më bëri që vite më parë, në 2004, kur në Braunschveig të Gjermanisë u organizua një simpozium për njohjen dhe restaurimin e pikturës së një piktor të njohur me emrin Paul Rubens, meqë kisha edhe një ftesë nga Shoqata e Restauruesve Gjermanë, t’i kërkoja Ministrisë së Kulturës një mbështetje financiare prej 1200 dollarë për të marrë pjesë në atë aktivitet dhe për të parë se si etj., etj. Në Galerinë e Arteve në Tiranë është një pikturë që mendohej se mund të ishte pikërisht e atij piktori, Rubensit. Pra, a nuk ishte ky një rast i bardhë? As përgjigje nuk mora. Ehu!
Frederik Stamati/Gazeta Standart