- Home
- Shqipëria
- Bota
- Politika
- Mafia
- Shke-Tek
- Italiano
- Ekonomi
- Biografi
- Automobili
Lexuar 4197Ekspedita Shqiptaro-Amerikane e kërkimeve nënujore
Ekspedita shqiptaro-amerikane e kërkimeve arkeologjike nënujore njoftoi dje se nëpërmjet robotit të anijes amerikane “Herkules” zbuloi relitin e një anije mesjetare te mbytur në brigjet e Himarës, e cila mendohet të jetë anija e vetme deri tani e zbuluar në Shqipëri që i përket shek. XVI-XVII.
Roboti i ekspeditës i cili ka filmuar gjithë zonën ku shtrihet anija e mbytur, ka sjellë pamjet e para mbi këtë zbulim i cili konfirmon se anija ka qene e pajisur me topa të vendosur në të dyja anët e kuvertës së saj. Bie në sy qartë një spirancë.
Arkeologët shqiptarë dhe amerikanë mendojnë se ka të ngjarë që t’i përkasë një anijeje, ndoshta pjesë e një flote ushtarake veneciane, otomane por nuk përjashtohet edhe mundësia e një flote spanjolle. Topat e zbuluar janë të mbuluar nga bimësia e madhe dhe është e pamundur që të japin të dhëna shtesë mbi origjinën e anijes apo edhe vendin e prodhimit të këtij arsenali ushtarak.
Zbulimi konsiderohet me rëndësi për studimin e mëtejshëm të këtij reliti dhe faktet që mund të sjellë mbi llojet e anijeve që frekuentonin brigjet shqiptare në Mesjetë por edhe mbi ekspeditat ushtarake që janë ndërmarrë në brigjet e Himarës Mesjetare. Koordinatori i ekspeditës Auron Tare nëpërmjet një njoftimi për shtyp u shpreh se “zbulimi sjell në vëmendje të publikut shqiptar rëndësinë që do të ketë themelimi i një Muzeut të Arkeologjisë nënujore. Janë zbuluar një numër anijesh antike dhe relite të tjera historike të cilat janë të mjaftueshme për krijimin e këtij Muzeumi”.
Tare thotë se prej këtij bashkëpunimi shqiptaro-amerikane janë hedhur hedhur ide për krijimin e Muzeumit të Arkeolgjisë Nënujore në Kalanë e Ali Pashës në Porto Palermo, duke e cilësuar ideale vendndodhjen për themelimin e një muzeu të tillë.
A. P/Shekulli