- Home
- Shqipëria
- Bota
- Politika
- Mafia
- Shke-Tek
- Italiano
- Ekonomi
- Biografi
- Automobili
Lexuar 2856Ministri i Arsimit prezanton ndryshimet në ligjin për arsimin e lartë. Gjuha angleze është kusht, pavarësisht nëse është “TOEFL” apo një program tjetër
Diploma Bachelor, kriter i mjaftueshëm për tu punësuar në administratë. Diplomat e vjetra, transit deri në përshtatjen me sistemin e Bolonjës
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, ka paraqitur dje përpara komisionit të Mjeteve të Edukimit propozimet për ndryshime në ligjin e për arsimin e lartë. Është hera e pestë brenda tre viteve që ky institucion ndërhyn në ligjin për shkollën e lartë.
Qëllimi është dhe mbetet vetëm një, përmirësimi i cilësisë së arsimit të larë në vendin tonë. Por, ndryshimet e paraqitura nga ministri Tafaj nuk ishin të pranueshme për një pjesë të madhe të deputetëve anëtarë të komisionit, si dhe të rektorëve të universiteteve të Tiranës.
Debati i djeshëm u ndal gjatë në pikën e gjuhës së huaj. Në nenin 26 të draftit të paraqitur nga MASH, ku flitet për ciklet dhe titujt universitare, thuhet se “Studentët e këtij programi studimi duhet të japin edhe provimin e gjuhës angleze me testin ndërkombëtar ‘TOEFL’.”
Këtë propozim, një pjesë e anëtarëve të komisionin kanë cilësuar si dyshues dhe tendencioz, duke akuzuan në ndonjë rast ministrin se ai dëshiron që të kthejë anglishten në gjuhë zyrtare. Ministri Tafaj u mbrojt duke deklaruar se në shoqërinë shqiptare është e domosdoshme një ndërhyrje e tillë dhe më tej akoma strategjia e arsimit 2020, në Shqipëri parashikon studimet në dy gjuhë, ndërsa si argument të fundit përdori faktin se studimet e masterit nuk janë të detyruara.
Por shqetësimi i komisionerëve mbetej fakti se vendosja me ligj e mësimit të gjuhës angleze do të sillte edhe humbjen e interesit për programet e gjuhëve të tjera të huaja që ofrohen në universitete publike shqiptare dhe ç’është më e rëndësishme duke e përcaktuar në ligj se njohuritë e studentëve duhej të testoheshin nga standardi “TOEFL”, do të krijonte një monopol.
Por, ministri Tafaj ka siguruar se çdo propozim tjetër për një standard njehsimi ndërkombëtar të gjuhës angleze do të ishte i mirëpritur nga MASH, duke lënë të hapur në këtë mënyrë mundësinë e përfshirjes në ligj të një tjetër programi testimi.
Diplomat e reja dhe ato të vjetra
Shpjegimet e ministrit Tafaj mbi këtë problem ishin të mjegullta. Ai i siguroi të gjithë studentët e programit “Bachelor” se diploma që do të marrin në përfundim të tri viteve do të jetë më se e mjaftueshme për të zënë një vend pune në administratën publike.
“Në administratë kanë të drejtë të punësohen të gjithë studentët, të cilët kanë një diplomë bachelor, por sigurisht që ata do të punësohen si specialistë të thjeshtë”, tha Ministri Tafaj.
Por, pyetja që shqetëson mbi 50 breza të diplomuarish “se çfarë do të ndodhë me diplomat e sistemit të vjetër katërvjeçar” ngeli sërish pa përgjigje. Madje, dhe vetë drafti i propozuar nuk jep ndonjë shpjegim të qartë.
Në nenin 35 thuhet se “Diplomat Master i nivelit të parë” (MNP), diplomat e integruar të nivelit të dytë (DIND) që kanë grumbulluar në studimet universitare më pak se 300 kredite, të lëshuara para hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe diplomat e studimeve universitare, që kanë zgjatur së paku katër vite akademike (8 semestra), deri në përshtatjen e studimeve, sipas sistemit të Bolonjës, të ekuivalentuara, para hyrjes në fuqi të këtij ligji, me diplomat e integruara të nivelit të dytë (DIND), janë ekuivalente me diplomën universitare master”.
Me këtë përcaktim ka ngelur pa përgjigje pyetja nëse përparësi për të fituar një vend pune ka më shumë një diplomë bachelor apo një diplomë katërvjeçare e sistemit të vjetër. Por, sikundër u shpreh edhe rektori i universitetit të Tiranës, Dhori Kule, Ligji për Arsimin e lartë nuk ka nevojë për arnime, por duhet hartuar një ligj i ri sa më parë”.
Rektorët, kundër ndryshimeve
Rektorët e pesë universiteteve të kryeqytetit kanë shprehur pakënaqësitë e tyre në lidhje më ndryshimet e ligjit për arsimin e lartë, në mungesë të Ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, i cili u largua pak pas përfundimit të fjalës së tij. Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, njëkohësisht edhe kreu i shoqatës së rektorëve e ka kundërshtuar këtë projektligj, duke deklaruar se Ministria nuk është konsultuar me asnjë rektorat gjatë hartimit të tij.
Sipas rektorit Kule, ndryshimet e propozuara i heqin të drejtën universiteteve për të vendosur kriteret e pranimit të studentëve, duke i reduktuar kompetencat e universiteteve publike vetëm në propozimin e kritereve. “Nuk na mbetet gjë ne, të gjithë çelësat janë tek ministri. Ju kërkojmë raportet minimale të autonomisë të mos na cenohen”, u shpreh Kule.
Yllka Lezo/Shekulli