26 spiunë të Sigurimit, punonjës të Ambasadës Amerikane

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 62211
Fenomeni nuk është i panjohur, por pranimi i së vërtetës është i vonuar. Në Ambasadën amerikane në Tiranë, pikërisht në tempullin e demokracisë botërore, janë punësuar 26 ish-spiunë,  të Sigurimit të shtetit, ish komunistë të rrezikshëm, apo përfaqësues të ish nomenklaturës, të cilët prej 45 vjetësh, spiunuan ose dolën dëshmitarë nëpër gjyqe kundër disidentëve të vërtetë, të këtij vendi. Dhe sikur të mos mjaftonte vetëm kjo gjë, sot bie në sy se kjo ambasadë i ka hapur kanatat e saj, për pseudointelektualët dhe spiunët e shumtë të komunizmit, të cilët pas viteve 90-të synuan rehabilitimin, duke trokitur me delikatesë dhe “kulturë”, në portat e kësaj ambasade. Aq e vërtetë dhe e zakonshme është kjo gjë saqë, rreth 90 për qind, e atyre që hyjnë dhe dalin në ambasadë, janë të pajisur me dosje spiuni dhe madje, me pseudonim. Për këtë arsye, para disa viteve, Geri Kokalari, i ka dërguar një letër konfidenciale ambasadores Marsi Ries si dhe Departamentit Amerikan të Shtetit, ku bën të ditur faktin tronditës për prezencën e ambasadës amerikane në Shqipëri. Sipas letrës së tij, janë konkretisht 26 punonjës të kësaj ambasade që kanë qenë spiunë, apo ish-anëtarë të partisë Komuniste Shqiptare. Kokalari, thotë se gjatë procesit të punësimit, atyre u është dhënë një formular dhe një ndër pyetjet, është ajo nëse kanë qenë anëtarë të partisë Komuniste, apo edhe ndonjë organizate fashiste. Dhe këta të fundit janë përgjigjur “jo”, por kjo ishte pjesë e mashtrimit të këtyre individëve. Sepse dihet mirë se këta 26 persona, ish- anëtarë të partisë Komuniste, u punësuan në ambasadën amerikane. Dhe  personi i fundit në këtë listë ka qenë rezident në Boston.

Letra
Letra e shkruar me një guxim qytetar nga Geri Kokalari në adresë të ish- ambasadores amerikane në Shqipëri nënvizon se: “Disa nga ish-punonjësit e Ambasadës Amerikane në Tiranë kanë qenë anëtarë të Partisë Komuniste Shqiptare. Nga këndvështrimi im për t’u bërë punonjës në këtë ambasadë të gjithë kanë plotësuar më parë një formular kualifikimi të Departamentit të Shtetit, OMB Nr. 1405-0029. Seksioni 35 i këtij formulari shtron pyetjen: Jeni ju tani, ose keni qenë ndonjëherë anëtar i Partisë Komuniste, ose i ndonjë organizate komuniste, ose fashiste? Nga këndvështrimi im personat e listuar më poshtë mund të kenë qenë anëtarë të Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe mund të jenë përgjigjur “jo” në seksionin 35 të formularit të përshkruar më poshtë. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë këta persona kanë bërë një paraqitje jo të denjë në një aplikim punësimi, me një agjenci të qeverisë amerikane dhe nëse është kështu unë marr përsipër të them se ky është një fakt i kryer”. Kokalari e vazhdon arsyetimin dhe akuzën e tij, edhe për personat e lidhur me Kadri Hazbiun. Duke e konsideruar Hazbiun, si arkitektin e Sigurimit të Shtetit Shqiptar në kohën e diktaturës, Kokalari i ka shprehur shqetësimin ambasadës amerikane, se ish komunistët mund të kenë tashmë në këtë ambasadë spiunët e tyre. “Punonjësit në Ambasadë dhe ka mundësi që edhe të tjerë, të ishin direkt të varur nga Kadri Hazbiu, kur ai ka shërbyer si Ministër i Brendshëm nën regjimin e diktatorit komunist, Enver Hoxha. Në këtë pozicion, Hazbiu ishte gjithashtu edhe në krye të sigurimit sekret shqiptar, operacion policie që vepronte si inteligjencë dhe ushtri e fortë për regjimin brutal të Enver Hoxhës. Siç është e ditur tashmë, pjesa më e madhe, në mos të gjithë, të gjithë njerëzit që punonin nën pozicionin e Hazbiut, u konsideruan “sigurimi” dhe shërbyen si bërthamë e aparatit të inteligjencës për Partinë Komuniste Shqiptare. Ajo që është shqetësuese për këtë situatë, ka të bëjë me faktin, se ka mundësi, që anëtarë të ish-qeverisë komuniste të kenë futur spiunë në Ambasadën Amerikane”, shkruan Kokalari. Më tej, në letër përmendet edhe kryeministri Berisha, por edhe ish -kryeministri Fatos Nano, si ish anëtarë të Partisë Komuniste dhe ai, i konsideron ata, si kontigjentë të mundshëm. “Kjo mund të jetë shumë e rëndësishme sepse mund të thotë që këta individë mbajnë lidhje të ngushta me qeverinë shqiptare dhe kanë shërbyer si një rrjet, inteligjent, brenda ambasadës tuaj. Për më tepër, kjo gjë mund të shpjegojë gjithashtu, të dhënat, që ish-kryeministri Fatos Nano kishte burime inteligjence brenda Ambasadës për shkak të faktit, se ai ka qenë një anëtar kyç i ish-regjimit komunist dhe mban lidhje të ngushta me “ish-sigurimin”, vazhdon letra. Në përfundim të saj, Kokalari sqaron edhe arsyet e letrës dhe informacionit që jep. “Si qytetar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, unë pyes, nëse ju e investigoni këtë çështje dhe përcaktoni nëse ndonjë nga informacionet që dhamë më lart kishte ndonjë gjë të bazuar në fakte reale. Vëmendja juaj e menjëhershme dhe përgjigja kërkohet me shumë respekt”, përfundon letra e Geri Kokalarit. Kjo letër është shkruar disa vite më parë, por fenomeni vazhdon dhe Geri Kokolari me të drejtë kërkon zgjidhjen e dilemës. Sepse në një shënim tjetër ai ka sqaruar se edhe sot e kësaj dite, po të bëjmë një radioskopi të njerëzve që hyjnë e dalin në këtë ambasadë, do të shohim se ata janë pikërisht, eksponentë të njohur, në lidhjet e tyre me Sigurimin e Shtetit, pavarësisht, nga pasojat e rënda apo të lehta, që u kanë shkaktuar njerëzve të thjeshtë, në jetën private. Këtu mund të përmendim, disa pseudonime të tyre,  si Holta, Çorapja, Çibuku, Çiftelia, Shkrimtari, Profesori, etj, etj. Në fillimin e viteve 90-të, në këtë ambasadë kanë kërkuar gjithashtu, ndihmë, spiunët më të rrezikshëm të historisë së diktaturës komuniste. Ata që çuan në litar, apo drejt pushkatimit, kolegët e tyre, fqinjët e tyre dhe ndonjëherë të afërmit e tyre. Përpara lëkurës së vet, ata nuk patën mëshirë për asgjë tjetër, dhe spiunimet i raportonin me letër. Ata çuan në litar shumë prej disidentëve që shprehnin vlerësim dhe mirënjohje për Amerikën, por raportet e fshehta të spiunëve i degdisën nëpër qelitë e burgjeve, apo prapa kloneve të dëbim –internimeve. Por këta spiunë nuk ngopeshin me bëmat e tyre dhe hapnin sytë lart e poshtë për të gjetur viktimën e rradhës, ndërsa në vitet 90-të, pamë se si derdhnin lot krokodili për dashurinë ndaj ambasadës amerikane. Në këtë kontekst, kontributi i Kokalarit për zbardhjen e listës së spiunëve përbën një triumf. Sepse, tregon që rezistenca e fisnikëve të këtij vendi, do të jetë kurdoherë, prezente ndaj hipokrizisë së pandalshme të zyrtarëve tanë, burokratëve, apo hileqarëve që e ndërrojnë ngjyrën e flamurit politik, sipas interesave të momentit
Lista e spiunëve dhe ish-komunistëve të Ambasadës
Geri Kokalari, jep një panoramë të qartë të fenomenit që mbërtheu mjedisin shqiptar, pas viteve 90-të, por ai jep edhe një listë të plotë të ish-komunistëve dhe ish spiunëve, që u punësuan në ambasadën amerikane. Këtë listë, ai e ka pasqyruar me emër dhe mbiemër. Por, për efekte etike dhe për të zbatuar korrektësinë e ligjshmërisë, ne, po i botojmë vetëm inicialet e emrave dhe mbiemrave të tyre. Kjo edhe për faktin, se ligji i hapjes së dosjeve të spiunëve, ende nuk është miratuar.
Tabela e spiunëve të punësuar në ambasadën amerikane
1- A. P, nga Tirana, ish-shofer i Enver Hoxhës
2- B, C, nga Peshkopia, ish-shofer i Kadri Hazbiut
3- B. M, nga Vlora, ish punonjës i Punëve të Brendshme
4- B.K, nga Kukësi, ish-shef i kampeve të internimit.
5- H.S, nga Skrapari, ish kuadër i Sigurimit të Shtetit
6- S. L nga Peshkopia, ish-oficer zbulimi
7- A. B, nga Gjirokastra, ish komunist dhe prokuror
8- B. M, nga Erseka, ish-oficer, dhe bashkëpunëtor i Sigurimit
9- S.H, nga Skrapari, ish bashkëpunëtor i Sigurimit
10- V. V, nga Tepelena, ish-bashkëpunëtor i Sigurimit
11- B.P, nga Erseka, ish sekretar partie, ish punonjës sigurimi
12- Q. B, nga Tropoja, ish komunist, ish punonjës sigurimi
13- K.Y, nga Skrapari, ish komunist, ish punonjws sigurimi
14- A. H, nga Skrapari, ish bashkëpunëtor i Sugurimit
15- A. N, nga Korça, ish komunist, ish punonjës sigurimi
16-B.D, ish bashkëpunëtor i Sigurimit
17- Sh Xh, nga Përmeti, ish komunist, ish-punonjws sigurimi
18- H. M., nga Vlora, ish-komunist, ish punonjës sigurimi
19- F. H, nga Korça, ish komunist, ish punonjës sigurimi
20- M. A nga Vlora, ish komunist, ish punonjës sigurimi
21- I. L, nga Erseka, ish bashkëpunëtor i Sigurimit
22- A.SH, nga Tirana, ish komunist, ish punonjës sigurimi
23- M.I, nga Fieri, ish bashkëpunëtor i Sigurimit
24- H. H, nga Erseka, ish sekretar partie dhe punonjës sigurimi
25- J. K, nga Saranda, ish oficer i lartë, ish punonjës sigurimi
26- RR. H, nga Skrapari, ish komunist dhe ish punonjës sigurimi
E vërteta e denoncimeve të Pjetër Arbnorit, Bilal Xhaferrit dhe Petro Markos.
Fushat kryesore që drejtohen nga spiunët, nga arti në ushtri.
Ashtu siç shihet lista e spiunëve që kanë nxituar për t’u punësuar në Ambasadën Amerikane është tepër e gjatë dhe në pamjen e parë, duket se kjo ambasadë ka shpallur një garë për të krahasuar meritat më të mëdha të ish bashkëpunëtorëve të shtetit, apo ish- komunistëve, të rrezikshëm të Shqipërisë. Dhe nëse një ditë kjo ambasadë do të hapte një panair të spiunëve, atëhere postjerët nuk do të lodheshin shumë për të shpërndarë ftesat. Sepse, 26 prej tyre do t’i gjente në mjediset e brendshme të ambasadës. Lind pyetja: Po sot? Çfarë po ndodh vallë sot, në mjediset e Ambasadës amerikane, pikërisht, 21 vjet pas montimit të sistemit demokratik në Shqipëri? Sipas, Geri Kokolarit, alarmi është i dukshëm dhe kambanat e paralajmërimit, bien gjithmonë, për ata që kanë vesh. Ndërmjet të tjerave, Kokalari ka udhëzuar zyrtarët e kësaj ambasade për të pasur kujdes me spiunët: “Ata mund t’ju spiunojnë”, është shprehur Kokalari. Dhe duke pasur parasysh, shprehjen e Tolstoit se “njeriu nuk ndryshon kurrë”, mund të themi se spiunët e djeshëm, kanë shumë pak shanse të ndryshojnë prirjet e tyre. Pra, ata mbeten spiunë, por në këtë rast rrezikohet që spiunët, të mos kenë ndryshuar profesionin, por padronin. Dhe ata, tanimë, nuk dihet se për kë punojnë. Por një dukuri tjetër e frikshme që duket se vazhdon të funksionojë në ambasadën amerikane është afrimi dhe marrja me të mirë e intelektualëve-spiunë, të cilët nuk punojnë aty, por hyjnë e dalin për të folur mbi udhëtime, takime ndërkombëtare, vizita në SHBA, apo projekte të ndryshme, prej të cilave përfitojnë, herë më pak dhe herë më shumë. Ajo që bie në sy, edhe pse dosjet nuk janë hapur, akoma, është fakti se pseudonimet e këtyre intelektualëve, sot i ka mësuar edhe një fëmijë i vogël, por për çudi zyrtarët e ambasadës bëjnë sikur nuk dinë gjë. Ata hyjnë e dalin në ambasadë, planifikojnë prerjen e biletave të avionëve, prenotojnë vendet e hoteleve dhe pijnë kafe me zyrtarë të lartë të ambasadës. I pyetur për këtë fenomen, ish kreu i SHISH-it, Klosi u shpreh për gazetën “Sot”, se “spiunët nuk duhen denigruar dhe as nuk duhen publikuar, sepse ata mund t’i nevojiten më vonë, vendit tonë”. Ose, një argument tjetër, që thotë Klosi, ka të bëjë me frikën e spiunëve të ardhshëm, për të punuar në strukturat sekrete, nga frika se mos një ditë, emrat e tyre publikohen, njëlloj, si ata, të sotmit”. Natyrisht, në arsyetimin e Klosit, ka një pjesë që duhet diskutuar, por kundërshtimi ndaj tij, vjen për shkak të dy problemeve: E para, ka të bëjë me faktin, se mijra spiunë të djeshëm, sot komandojnë fatet e vendit tonë, ose, përfaqësojnë majat e larta të diplomacisë, kulturës, shkencës, sportit, gazetarisë, etj, pa pasur as një shfaqje pendese, apo ndjese. Dhe e dyta, ka të bëjë me akuzat që ata vetë u bëjnë njerëzve të tjerë, të pafajshëm, si “bashkëpunëtorë apo servilë të rregjimit”. Ndërsa, në rastin e punësimit të tyre në ambasadën amerikane, kjo e ngre shumë lart stekën e tyre, të përfaqësimit dhe këtu nuk bëhet më fjalë për një garë vlerash, por për një keqkuptim, që mund të rishikohet, ose për një gabim të bërë me dashje, nuk dihet se për çfarë arsyeje.
Fillimet
Gjithçka filloi nga frika e asaj që mund të ndodhte më vonë. Ish-spiunët kërkuan mbështetjen e dy partive të mëdha, duke u strehuar në postet e larta, për t’u mbrojtur nga breshëri i së nesërmes, ose nga urrejtja e viktimave të tyre. Përveç partive, ata kërkuan të lidhen me ambasadat e huaja, për t’u punësuar, ose për të marrë një vizë largimi. Mbahet mend mirë, se denoncuesit, apo informatorët që raportuan Pjetër Arbnorin, Petro Markon, Bilal Xhaferin, Visar Zhitin, Sherif Merdanin, etj, në fillim tentuan të iknin jashtë shtetit, ose disa prej tyre, arritën të largoheshin. Por, më vonë, doli që edhe vetë Arbnori kishte firmosur si bashkëpunëtor i Sigurimit, ndërsa në familjen e Petro Markos, kishte depërtuar Sigurimi i Shtetit në thellësi. Disa guxuan të hedhin akuza edhe mbi Bilal Xhaferrin, por shumica e akuzave hynin në kuadrin e tejkalimit të së drejtës, me argumentin, apo faktin. Ndërkohë, disa prej ish-bashkëpunëtorëve, apo ish-spiunëve të tjerë, nuk lëvizën nga vendi. Ata heshtën, duke e kuptuar se kishin kryer një gabim, nën diktatin e dhunës, apo detyrimit. Disa në një moshë më të pjekur, disa të tjerë në një moshë më të re. Disa në rrethana të rënda detyruese, disa të tjerë duke bërë dhjetra lutje, me dëshirën për t’u pranuar. Por, në fund, fare, erdhi pendimi. Dhe kush pendohet, duhet vlerësuar për luftën e pastër me ndërgjegjen. Prandaj, koha e sotme në apelin e vet kërkon pajtim dhe paqe, për të gjithë, por në rradhë të parë pasi t’a kemi njohur, njëri-tjetrin edhe në tunelin e errët të prapaskenave periodike.
Zhiti: Më spiunuan anëtarët e Lidhjes
Nëse e vutë re akt-ekspertizën, ajo fillonte me anëtarët e Lidhjes së Shkrimtarëve. Librin që kisha dorëzuar për botim ua kisha dhënë unë në duart e tyre dhe deklaratat e tyre bënë që të merrej ai dënim që u mor. Mua më bën përshtypje se akt-ekspertiza është bërë para se unë të dënohesha dhe ata avancojnë në drejtimin e së keqes, sepse më konsiderojnë armik. Unë nuk isha cilësuar ende armik në atë kohë. Se të jesh armik e vendoste gjyqi. Ata thoshin ky pseudopoet, ky armik, etj. Pra ata kanë paraprirë gjyqin, ndoshta-ndoshta ata ishin gjyqi i vërtetë! Aktualisht janë në detyra të ndjeshme. Po një pjesë e tyre janë edhe në Itali apo Angli. Gjithsesi, ky ndoshta është shkrimi më i mirë i tyre, akt-ekspertiza për mua. Është i vetmi rast ku ata janë botuar edhe në vende të tjera të botës.
Kasem Trebeshina: Më spiunuan shokët e mi

“Mua më spiunuan shokët e mi dhe në gjyq dolën si dëshmitarë kundër meje, 11 shkrimtarë e poetë”. Kështu, rrëfen Kasem Trebeshina, i cili thotë, se ka edhe më keq. Sepse, dikujt i ka dalë gruaja, apo vëllezërit, dikujt, motra dhe babai. Kjo pozitë është mjaft e tmerrshme dhe çdo dëgjues i vëmendshëm, thotë: “Mjaft”. Kjo është diçka e rëndë për ta dëgjuar sepse na trondit me vërtetësinë e vet. Por ka ndodhur edhe kështu.
Ilir Bushi/SOT NEWS
29 Shtator 2011

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 06/10/2011. Filed under Agjent dhe Spiun. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

47 Responses to 26 spiunë të Sigurimit, punonjës të Ambasadës Amerikane

  1. Mallkiimi

    31/07/2016 at 11:10


    Ne dijenine time Halit Haliti e ka filluar karrieren e tij si Zbulues (ne luften e Vjetnamit) kundra Amerikes qe ka ndihmuar drejtperdrejt në vrasjen e ushtarve USA e punson për ato që ka bërë???Nuk e gjej dot çfar emëri ti vë kësaj pune.Si nuk i vajti mëndja të punsonte në ambasadës ndonjërin prej femijëve që u dënuan dhe vuajtën në burgun e Spaçit,vdiqën me fjalet të rroj Shqipëria, të rroj Amerika, poshtë Komunizmi,

  2. Agim Hamiti

    28/03/2015 at 23:57


    MUNGESË LOGJIKE, APO MUNGESË KURAJUE?
    Gjatë dekadave të rënda të diktaturës mizore, shumica e shqiptarëve kishin si burim shprese Amerikën, meqenëse në imagjinatën e tyre ajo përfaqësonte forcën më të fuqishme antikomuniste të botës. Ndërsa për të burgosurit politikë (me përjashtim të ithtarëve të Kremlinit) Amerika ishte altari i lirisë dhe i demokracisë, ku gjenin prehje ëndrrat e tyre të lodhura e shpresat e venitura nga dekadat torturuese. Madje kishte të dënuar si agjentë të CIAs apo të MI6 (Kryeagjenti i së cilës ishte Enveri vetë), që shpresonin se një ditë SHBA do t’ua shpërblenin dënimin e pësuar pafajësisht në emër të tyre.
    Ndërsa për psikologjinë e policëve injorantë të kampeve të Spaçit e të Qafë-Barit, të burgosurit politikë të «nënës Parti» ishin «ushtarë të Amerikës». Kur kapnin ndonjë të burgosur me një copë letre duke mësuar disa fjalë të huaja, policët çnjerëzorë si vetë regjimi i hidhnin hekurat, duke i bërtitur me shprehjet që u kishte diktuar komisari i kampit: «Mëson gjuhë të huaj, që të shkosh ambasador në Amerikë apo në ndonjë vend tjetër kapitalist, po ra pushteti ynë? Jo, jo, këtu do t’i lini kockat, se partia jonë dhe shoku Enver janë të pavdekshëm». Dhe i ziu «ambasador imagjinar» i nënshtrohej dhunës fizike dhe, pas saj, një muaj birucë vetëm me këmishën e pëlhurës të uniformës vdekje-ndjellëse të kampit shfarosës. Veçse i burgosuri politik qeshte me mendjetrashësinë e policit, që mendonte se «nëna Parti» dhe «shoku Enver» ishin të pavdekshëm, ndërkohë që kishin armik(?) Superfuqinë Amerikane.
    Në fakt, cilës palë i dha të drejtë koha për pretendimet lidhur me jetëgjatësinë e PPSH dhe të enverizmit në Shqipëri: policëve injorantë, apo të burgosurve politikë?
    Realiteti shqiptar është sa i hidhur po aq edhe kokëfortë: PS + PD = PPSH edhe sot e gjithë ditën. Ndërsa Diktatori vazhdon të jetë «Hero i Popullit»…, si dikur.
    Nisur nga parimi i mirënjohur, se një mik i sinqertë i do vetëm të mirën mikut të tij dhe e ndihmon për ta arritur atë, le t’iu përgjigjemi pyetjeve të mëposhtme mbi bazë faktesh të jetuar prej të gjithëve në kuadër të miqësisë amerikano-shqiptare:
    1 – A do të pranonin vetë amerikanët që të kishin «Hero Populli» në vendin e tyre një MONSTËR si Enver Hoxha, siç e cilësoi ambasadori Arvizu? Pse në atdheun e «miqve» shqiptarë ata kanë ndikuar që të ndodhë e kundërta për 24 vjet me radhë, ndërkohë që emrat e ish-diktatorëve të tjerë të Evropës Lindore (shumë më njerëzorë e më atdhedashës sesa përbindshi ynë) janë harruar përfundimisht?
    Kollarexhinjve eunukë shqiptarë (të vetëquajtur intelektualë) që, për shkak të servilizmit të tyre tashmë funksional, u është bërë zakon t’i justifikojnë akte kaq të rëndë me shprehje banale të tipit «kjo është çështje e brendshme e vetë shqiptarëve», po ju kujtoj se ambasadorët amerikanë në Shqipëri nuk do të përziheshin kurrë kaq shumë në detajet e jetës politiko-shoqërore shqiptare edhe sikur të ishin guvernatorët tanë me ligj (mbasi pa ligj janë të tillë), sepse edhe në atë rast ata do të ishin të detyruar të respektoin parimin e ndarjes së pushteteve, si edhe shkallët hierarkike të vetë ekzekutivit, siç veprohet normalisht në një shtet juridik.
    Megjithëse i sapoardhur në koloninë shqiptare, ambasadori Lu u përzie në mënyrën më arrogante e më antiligjore në çështjen «Doshi», duke e shpallur atë fajtor pa u arrestuar akoma – veprim që bie ndesh me dy parime bazë njëherësh: me parimin e mosndërhyrjes së diplomatit në punët e brendshme të vendit ku vepron dhe me parimin e drejtësisë, që e prezumon të pafajshëm të akuzuarin, derisa gjykata ta ketë shpallur fajtor me një vendim të formës së prerë. Pretendimi absurd e qesharak, se ambasadorët amerikanë në Tiranë (Arvizu apo Lu) veprojnë jashtë orientimeve të DASH, u shkon për shtat vetëm injorantëve (qofshin edhe kollarexhinj «intelektualë») që nuk e kanë fare idenë e disiplinës së fortë profesionale të ambasadorëve të Superfuqisë Amerikane, të cilët shkëmbejnë mesazhe të përditshëm me DASH. Kur qeveria apo «opozita» shqiptare e kanë akuzuar ambasadorin Arvizu, se nuk vepronte në pajtim me orientimet e politikës amerikane në Shqipëri, zyrtarë të lartë të DASH e kanë përgënjeshtruar këtë, duke deklaruar të kundërtën. Në dy raste një veprim të tillë e ka bërë vetë Hillari Clinton.
    Kaq shumë u mungoka logjika shqiptarëve, sa që të mos kuptojnë dot se nuk janë miq të sinqertë ata, të cilët përkrahin në heshtje faktin poshtërues që një MONSTËR të përjetësohet Hero i popullit «mik» shqiptar? Apo shqiptarëve u mungon kurajua deri në atë shkallë sa nuk ia thonë dot në sy «mikut» të vërtetën e hidhur, edhe kur ajo është me brirë? «Frikacaku vdes çdo ditë, ndërsa trimi vdes vetëm një herë», ka shkruar Shekspiri. Ndërkohë shqiptarët po vriten e vetëvriten përditë, më shumë se çdo popull tjetër i botës së tretë, ndërsa ata që gjallojnë akoma përsërisin çdo darkë lutjen: «O Zot, shtyje radhën time sa më larg!».
    2 – A do të pranonin vetë amerikanët që t’ju vidheshin pronat pronarëve tradicionalë në vendin e tyre dhe t’iu jepeshin bandave të politikanëve mafiozë, që do të organizonin këtë katrahurë kombëtare, si në Shqipëri? Pse, duke qenë miqtë(?) tanë, amerikanët e kanë mbështetur këtë reformë asgjësuese të sigurisë kombëtare, të drejtësisë e të demokracisë në vendin tonë dhe politikanët më të lartë të Superfuqisë Amerikane nuk kanë ngurruar të deklarojnë me plot gojën shumë herë gjatë 24 vjetve të fundit: «Shqipëria është në rrugën e duhur të zhvillimeve demokratike»? Këtë deklaratë hipokrite e fyese për ne e përsëriti disa herë edhe Sekretarja e Shtetit, Hillari Clinton, gjatë fjalimit që mbajti në mender-parlamentin shqiptar, ndërkohë që në Tiranë ndihej akoma era e mishit të djegur rishtas të ish-të burgosurit politik Lirak Bejko. Sipas informacioneve të medias, në Shqipëri ka pasur deri sot 8200 viktima për shkak të konflikteve të pronësisë. Apo… «punë e madhe, shqiftarë janë e kot vriten gjithmonë këta!», mendojnë «miqtë» tanë.
    3 – Në përfundim të luftës civile katërvjeçare të zhvilluar në SHBA (1861-1865), presidenti Lincoln mbajti një fjalim historik, duke ftuar mbarë popullin në një pajtim kombëtar ku të gjithë do të ishin të fituar të barabartë, si amerikanët e Jugut (që e humbën luftën) edhe ata të Veriut. Kjo politikë e urtë e largpamëse hodhi themelet e shëndoshë të një Kombi që do të bënte histori. Në Shqipëri pretendohet se nuk ka pasur luftë civile (megjithëse pikërisht ai qe misioni i serbo-komunistëve) e megjithatë lufta civile nuk ka përfunduar as sot tek ne: komunistët kanë uzurpuar gjithçka, ndërsa antikomunistët humbën gjithçka qysh prej përfundimit të Luftës II Botërore e deri sot… e në vazhdim. Pse miqtë(?) amerikanë kanë mbështetur fuqimisht në Shqipëri, për një çerek shekulli, përjetësimin e pasojave fatale të luftës së klasave (një vazhdim i luftës civile me forcën shtypëse të pushtetit), krejt ndryshe nga ç’kanë vepruar paraardhësit e tyre në Amerikë? Për shkak të «sinqeritetit» të miqësisë ndaj shqiptarëve?
    4 – A do të pranonin vetë amerikanët që të kishin në krye të shtetit të tyre një bandë mafiozësh politikanë si enveristët e Tiranës, mbi të cilët rëndon një megakrim prej mbi pesë mijë të vrarësh, duke përjashtuar vrasjet për çështjen e pronësisë për shkak të Ligjit komunist 7501 «Për Tokën»? Nëse jo, pse i ndihmuan këta vrastarë të riktheheshin në pushtet pas gjakderdhjes së vitit 1997 dhe pse pranojnë të bashkëpunojnë me ta në dëm të shqiptarëve, por në emër të «miqësisë» amerikano-shqiptare?
    5 – Mbi ç’bazë parimore e morale pranojnë miqtë(?) amerikanë të mbështesin prej 24 vjetësh aktin çnjerëzor të enveristëve të rinj të Tiranës, që kanë lënë endé pa varr viktimat politike të babait të tyre shpirtëror, të cilëve u kanë njohur pafajësinë me ligj qysh në tetor 1991? Kur Klodi nga Lezha deklaroi në Big Brother se ishte homo dhe bashkëfshatarët e tij reaguan ashpër për këtë, ambasadori Arvizu shkoi vetë në Lezhë, i shoqëruar prej ambasadorit gjerman dhe përfaqësuesit të BE në Tiranë. Dhe mirë bëri, sepse edhe Klodi hall kishte i shkreti. Por a thua se halli i një prapanice ishte shumë më i rëndësishëm sesa ai i viktimave të diktaturës mbetur pa varr, apo i ish-të burgosurve politikë të lënë rrugëve nga neokomunistët, për të cilët ambasadorët amerikanë nuk e kanë vënë ndonjëherë ujin në zjarr? Ata duhej të shkonin të paktën një herë në vit në Institutin e Integrimit të të Përndjekurve Politikë, për tu informuar sesi i shtynin ditët e mbetura ata mjeranë të nëpërkëmbur nga harbutëria neokomuniste, të cilët kishin qenë adhuruesit më të flaktë të Amerikës, kur propaganda komuniste villte vrer e sharje për SHBA si «xhandarë ndërkombëtarë të botës». Me pak më tepër dinjitet në vetvete dhe me më pak shpërfillje ndaj ish-të burgosurve politikë shqiptarë, ambasadorët amerikanë do të duhej të kishin nxitur fondacionet e vendit të tyre që të investonin për ata fatkeqë gjysmën e shumës që kanë investuar për bukuroshet e rekomanduara nga ambasada amerikane në emër të gjoja OJQ-ve (83 të tilla në Shqipëri!!?), të cilat nuk kryejnë asnjë funksion tjetër shoqëror, përveç atë të haremeve të kolonisë shqiptare.
    6 – Pse miqtë(?) amerikanë miratuan të buzëqeshur dëmshpërblimin e menjëhershëm të Ramiz Alisë dhe byroistëve të tjerë të dënuar për kafe [thjesht për t’i mbrojtur nga ndonjë atentat në klimën fillestare të «pluralizmit»] me trefishin e shpërblimit të premtuar (por të pa paguar) të ish-të burgosurve politikë të diktaturës, të cilët u detyruan të bënin harakiri nën sytë tinëzarë të ambasadorit Arvizu? Pse kaq shumë urrejtje me dekada ndaj viktimave të komunizmit dhe kaq shumë dashuri ndaj xhelatëve të kuq shqiptarë? Në emër të «miqësisë» amerikano-shqiptare? Të shërbesh si katalizator i së Keqes, i veshur tepdil si mik, është një akt më i padenjë dhe më dëmsjellës sesa ai i armikut të deklaruar.
    7 – Si shpjegohet fakti që miqtë(?) amerikanë kanë qenë gjithmonë kundër hapjes së dosjeve të Sigurimit të Shtetit, dekomunistizimit dhe dekriminalizimit të politikës shqiptare, ndryshe nga sa është vepruar në të gjithë Evropën Lindore? Apo për «të mirën» e «miqve» shqiptarë?
    8 – Cila është arsyeja e vërtetë e strehimit dhe e punësimit në ambasadën amerikane në Tiranë, qysh prej vitit 1991 e në vazhdim, i dhjetëra oficerëve të Sigurimit, për 26 prej të cilëve unë kam shkruar hollësisht në librin «Heronjtë e Kotësisë»? Kur ish-ambasadori Arvizu pati paturpësinë të deklaronte në një konferencë shtypi se «nuk ka ish-oficerë Sigurimi të punësuar në ambasadën tonë», unë i postova ambasadës amerikane në Tiranë një kopje të librit «Heronjtë e Kotësisë» dhe fotografitë e 26 kriminelëve të Sigurimit – personazhe të atij libri. Pse nuk ka punësuar të burgosur politikë të diktaturës ambasada amerikane në Tiranë? Në mos të tjerë, të paktën ata që kanë qenë dënuar si «agjentë të CIAs» nga kriminelët e Sigurimit që janë pritur krahëhapur prej ambasadës amerikane, me orientim të DASH.
    9 – Gjatë 24 vjetve tranzicion, pse nuk kanë ndikuar miqtë(?) amerikanë pranë qeverive (anti)shqiptare, për shuarjen e gjakmarrjes mesjetare? Miku i sinqertë nuk dëshiron ta shikojë të përgjakur mikun e tij. Me Diktatorin «Hero Populli» dhe me familje të ngujuara, si në Mesjetë, do të anëtarësohet atdheu ynë në BE? Apo miqtë(?) amerikanë janë duke e përgatitur nuse Shqipërinë për një «dasmë» tjetër, që parashikohet të zhvillohet në Ballkan?
    10 – Pse miqtë(?) amerikanë nuk u kanë kërkuar asnjëherë qeverive (anti)shqiptare të bëjnë çarmatosjen e plotë e të përgjithshme të popullsisë, duke u ofruar atyre edhe asistencën e nevojshme teknike për këtë operacion jetik për popullin shqiptar? Apo marionetat e tyre të Tiranës e hedhin më lirisht vallen e vdekjes në Shqipëri, kur «miqtë» shqiptarë vrasin njëri-tjetrin?
    11 – A do të pranonin miqtë(?) amerikanë që qeveria e tyre t’iu falte shteteve fqinj ndonjë copë deti a toke (ata kanë me shumicë), siç po ua falin qeveritë (anti)shqiptare grekëve, në saje të ndihmës së lobit të fuqishëm grek me mjaft ndikim në SHBA e në Shtëpinë e Bardhë? A do të ishin dakord amerikanët që fqinjët e tyre t’iu ndërprisnin rrjedhjen natyrore të lumenjve, për të kthyer në shkretëtirë pjesë të atdheut, siç po përgatitet terreni në Shqipërinë «mike»?
    12 – Pse miqtë(?) amerikanë po e ndihmojnë kaq intensivisht Greqinë për borxhin prej 320 miliardë eurosh, ndërkohë që atje presidentët amerikanë priten gjithmonë me protesta të ashpra gjatë vizitave të tyre të rralla në Athinë, ndërsa Shqipërisë «mike» apo Kosovës nuk i ofruan ndonjëherë të paktën një miliard dollarë? Ndërsa populli grek është tërësisht prorus e antiamerikan, populli shqiptar i Shqipërisë dhe i Kosovës janë më proamerikanët në botë (meqenëse veprojnë me instikte, si popull-bagëti), aq sa në Tiranë i puthën edhe këpucët Xhejms Bejkerit më 1991. Mirëpo Napoleoni ka thënë: «Politika nuk ka zemër, por vetëm kokë». Pra, politika është llogari, interes, e jo altruizëm, humanizëm e «miqësi», siç u pëlqen ta interpretojnë shqiptarët dështakë, që nuk vunë mend nga humbjet në shekuj të kombit të tyre.
    13 – Pse DASH u rekomandon ambasadorëve amerikanë në Tiranë që të sillen si guvernatorë arrogantë e ligjshkelës në çdo sferë të jetës në Shqipërinë «mike»? Nuk ka ngjarje të ditës në vendin tonë që fjalën e parë dhe të fundit mos ta thotë ambasadori amerikan për të. Ambasadorët amerikanë në vendin tonë na dalin «kompetentë» për politikën e brendshme e të jashtme të Shqipërisë, për ekonominë, për drejtësinë, për sociologjinë, për arsimin e kulturën, për bujqësinë dhe ekologjinë e për gjithçka tjetër, pavarësisht se qysh në të shprehur kuptohet bagazhi i tyre intelektual modest. Për nga pushteti i pakufizuar, papërgjegjshmëria në shkeljen e ligjit dhe «njohuritë e tyre enciklopedike», ambasadorët amerikanë në Shqipëri mund të krahasohen vetëm me Enver Hoxhën, i cili «dinte gjithçka», megjithëse për dy vjet nuk hodhi dot asnjë provim në universitetin e Monpeljesë.
    Në asnjë vend të botës së tretë ambasadorët amerikanë nuk manifestojnë dot kurrë as një minimum të arrogancës dhe prepotencës antiligjore që demonstrojnë në Shqipëri. Ata nuk janë përzier ndonjëherë në punët e brendshme të shtetit të ri të Maqedonisë, edhe kur atje ka pasur përleshje me armë, apo ndonjë megaskandal si ky i fundit, i përgjimeve të opozitës maqedonase prej Gruevskit. Pse e kanë bërë dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë përjashtim për keq ndaj Shqipërisë «miqtë» amerikanë?
    Sipas orientimeve të DASH, pritet që ambasadori Lu në Tiranë të publikojë së shpejti një grafik, se në cilat ditë të javës BULAT e Shqipërisë do të kenë të drejtë të flenë me gratë e tyre dhe në cilat ditë jo. Ndërkohë pilivesat gazetarucë shqiptarë e kanë përgatitur tashmë fjalimin përshëndetës për këtë «vendim historik»:
    « Ndihemi sa të emocionuar edhe të magjepsur nga kjo ide gjeniale e DASH! Duke fjetur me gratë tona sipas grafikut të hartuar nga Ju, ne do të përjetojmë kënaqësinë e rrallë sikur jemi duke fjetur në Hollivud».
    *
    Sot plotësohen katër vjet prej ditës kur unë publikova në Internet «Letrën e Hapur» drejtuar gjithë shqiptarëve dhe dy vëllimet e librit me ngjarje të jetuara e personazhe realë «Odiseja e një Detektivi». Vepruat shumë drejt që nuk u ndikuat prej atij libri «reaksionar», i cili sjell prova të pakundërshtueshme për «sinqeritetin e madh» të miqësisë shqiptaro-angloamerikane. Vazhdoni të zbatoni me rigorozitet direktivat e ambasadorit amerikan në Tiranë, sepse vetëm ashtu kombi dhe populli shqiptar do të mbërrijnë me siguri në destinacionin e caktuar prej «miqve»: në Koshin e Historisë. Dhe brezat e ardhshëm do ta fillojnë rrëfimin e serisë më të re të përrallës historike shqiptare me fjalët «Na ishte njëherë Shqipëria…», ashtu siç e fillojmë ne sot për seritë e mëparshme: «Na ishte dikur kombi shqiptar tri herë më i madh nga sa ka mbetur…». Drejt atij fundi, që po merr formë në horizont çdo vit e më tepër, shqiptarët e sotëm janë duke shkuar ëmbël-ëmbël nën narkozën e «miqësisë» shqiptaro-amerikane, si gomari i shkretë që thoshte «ishalla jam në ëndërr», ndërkohë që po e shqyente ujku.
    *
    « Ai vend i botës së tretë që ka miq amerikanët, nuk ka nevojë për armiq».
    Benazir Bhutto – gruaja e parë Kryeministre e Pakistanit, e vrarë me atentat më 27 dhjetor 2007.

Komento