- Home
- Shqipëria
- Bota
- Politika
- Mafia
- Shke-Tek
- Italiano
- Ekonomi
- Biografi
- Automobili
Lexuar 3111Në fund të çdo viti, kryefamiljarët duhet të plotësojnë një deklaratë tatimore në të cilën të pasqyrohen të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet. Nëse diferenca është pozitive, tatohet me 10 %
TIRANË- Shqiptarët do të duhet të mësohen që për çdo blerje apo shërbim të marrin dhe të ruajnë faturat. Kjo nuk ka të bëjë me ndonjë fushatë sensibilizimi por me fillimin e zbatimit të ligjit për deklarimin e të ardhurave dhe shpenzimeve. Ashtu siç ishte paralajmëruar muaj më parë, qeveria ka ndryshuar ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat” duke detyruar çdo familje që në fund të vitit të plotësojë një formular në të cilin të pasqyrohen të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet e kryera gjatë 12 muajve, të cilat gjithashtu duhet të jenë të vërtetuara me faturat përkatëse.
Ligji pritet të ketë një shtrirje shumë të gjerë thuajse në të gjithë të punësuarit në privat ose sektorin publik në vend, pasi deklaratën tatimore do të duhet ta plotësojnë të gjithë ata që kanë më shumë se 200 mijë lekë të ardhura vjetore nga paga si dhe të vetëpunësuarit që qarkullojnë më shumë se 2 milionë lekë gjatë vitit.E gjithë kjo bëhet në shërbim të vjeljes së tatimit mbi fitimin në masën 10 për qind ose marrjen e një kompensimi nga ana e qytetarëve nëse diferenca midis të ardhurave bruto dhe shpenzimeve është negative.
Kështu, pas plotësimit të deklaratës tatimore, administrata tatimore bën llogaritë midis të ardhurave dhe shpenzimeve e më pas shumën e dalë e taton me 10 për qind, e cila sipas legjislacionit në fuqi përbën të ardhurën e tatueshme. Shumës së këtij tatimi i zbriten tatimet e paguara, gjatë periudhës tatimore. Nëse në fund të përllogaritjes diferenca është pozitive, qytetari është i detyruar që brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së deklaratës tatimore të paguajë tatimin. Nëse diferenca është negative, tatimet ia kthejnë deklaruesit shumën e taksave të paguara më tepër ose, me pëlqimin e tij, kjo shumë mund të përllogaritet si pagesë e kryer për vitin tatimor vijues.
Nëse deklaruesi do të preferojë që shumën ta marrë me para në dorë, ajo do të dorëzohet brenda datës 31 mars të vitit që pason periudhën tatimore.
Në kahun e shpenzimeve do të zbriten gjatë përllogaritjes, pagesat e kontributeve shoqërore e shëndetësor; interesat bankare të kredive të marra për shkollim si dhe shpenzimet që janë bërë për mjekim për deklaruesin, fëmijët apo personat që ai ka nën kujdestari. Në këto të fundit, bëhet fjalë për shpenzimet që janë bërë në rastet kur ata kanë qenë të pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor. Në gjithë këtë, vlerë thelbësore do të ketë marrja dhe ruajtja e faturës për çdo shpenzim apo të ardhur. Plotësimi me informacion të gabuar apo të rremë të deklaratës tatimore dhe mos korrigjimi i saj brenda kufijve ligjorë të lejuar apo vonesat në plotësimin e saj konsiderohet si shkelje e rendë nga organet tatimore duke parashikuar madje edhe ndjekje penale për deklaruesin.
Pas hyrjes në fuqi të ligjit, pritet të dalë edhe një udhëzim i Ministrisë së Financave në të cilën do të përcaktohen hollësisht të gjitha veprimet që do të ndiqen nga deklaruesit dhe administrata tatimore si dhe detyrimet që do të ketë secili deklarues duke iu referuar të ardhurave dhe shpenzimeve.
Megjithëse ndryshimet në ligj janë bërë që tani, ai pritet të fillojë së zbatuari nga fillimi i vitit 2012 ku gjatë tre mujorit të parë, qytetarët do të duhet të plotësojnë formularët për të ardhurat dhe shpenzimet që kanë bërë gjatë vitit 2011. Emirjon Senja
Të ardhurat që do të deklarohen
Të ardhura bruto nga paga apo të ardhura të tjera nga marrëdhëniet e punësimit;
Të ardhurat bruto nga dividenti për pjesëmarrje në shoqëri tregtare apo nga veprimaritë e biznesit;
Të ardhurat bruto nga qiraja apo shitja e sendeve të luajtshme apo të paluajtshme, në pronësi të deklaruesit;
Të ardhurat bruto nga interesa bankare;
Të ardhura bruto të krijuara nga investimet në tituj, në pasuri të luajtshme apo të paluajtshme;
Shuma bruto të fituara nga lotari apo nga lojëra të tjera të fatit;
Të ardhurat bruto nga pasuria intelektuale, licencat, të drejtat ekskluzive dhe pasuri të tjera që përbëhen vetëm nga të drejta dhe që nuk kanë formë fizike;
Të ardhurat bruto nga skema të sigurimit suplementar;
Të ardhurat bruto nga trashëgimia dhe dhurimi;
Të ardhura bruto të tjera, për të cilat nuk është mbajtur tatimi në burim.
Tatohen edhe paratë e fituara nga bastet
TIRANË- Pjesë e deklaratës tatimore në fund të vitit dhe rrjedhimisht të ardhura të tatueshme do të jenë edhe paratë e fituara nga bastet sportive. Nëse dikush merr pjesë në një bast sportiv apo llotari kombëtare dhe ka fituar, do të duhet që të mbajë një kopje të biletës fituese apo një vërtetim të saj dhe më pas ta dorëzojë tek organet tatimore bashkë me deklaratën. Po ashtu, të tatueshme do të jenë edhe të ardhurat nga trashëgimia. Nëse dikush do të trashëgojë një pronë, në fund të vitit duhet ta deklarojë atë dhe më pas të paguajë edhe 10 për qind të vlerës së saj.
Shekulli