Llixhat kura që natyra na ka dhuruar

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 8027
Shëndeti është baza për një jetë më të mirë, por është mirë kur kujdesi për të pasur një shëndet të mirë, alternohet me kënaqësi. Ujërat termale apo llixhat, janë nga ma të rrallat në botë për fuqinë shëruese të tyre. Veçse mund të shërojnë një numër të Madh sëmundjesh, ato shërbejnë dhe për relaks dhe çlodhje. Në suplementin e sotëm në “Tirana Observer” do keni mundësinë të lexoni mbi llixhat më të njohura në botë por edhe në vendin tonë, vetitë kuruese të tyre, efektet e tyre në bazë të sëmundjes përkatëse, disa nga llojet e sëmundjeve që mund të kurohen, si: Sëmundjet e lëkurës, sëmundjet e sistemit nervor, sëmundjet organike, sëmundjet e sistemit lokomotor, sëmundjet e aparatit tretës, vetitë kuruese të këtij uji me anë të pirjes, sëmundjet e asmës, aciditetit të stomakut, arterioskleroza, artritet, qarkullimi i keq i gjakut, kolesteroli, koliti, diabeti, pagjumësia, sëmundjet kronike dhe shumë të tjera. Gjithashtu në suplementin e sotëm të gazetës “Tirana Observer” për këtë fundjavë do të keni mundësinë të gjeni këshilla mbi sëmundjet që u bëjnë dëm llixhat si hipertensioni, zemra, në komplikacionet pas operative, ulcerat gastrike, etj. Do të keni mundësinë të lexoni informacion për llixhat në vendin tonë, ku ndodhen dhe disa karakteristika të tyret, arsyet se pse duhet të shkoni atje. Të gjitha këto, por jo vetëm kaq, do të keni mundësinë t’i lexoni sot në suplementin e radhës në “Tirana Observer”.

Burimet e ujërave termale kurative në Shqipëri

Mund të përmendim ujërat termale të Bilajt, në Fushë-Krujë, të pasura me sulfat dhe lëndë minerale, të cilat kanë efekte kurative të reumatizmit, lëkurës dhe sistemit nervor. Për t’u përmendur janë dhe llixhat e Elbasanit, ujërat e së cilës kanë vlera të larta terapeutike ku dhe trajtohen sëmundje të shumta të rrugëve të frymëmarrjes, stomakut, lëkurës. Llixhat e Elbasanit kanë edhe vlera për trajtime kozmetike dhe janë shfrytëzuar që nga periudha romake. Gjithashtu dhe burimet e ujërave termale të Bënjës kanë vlera të veçanta për trajtimet e lëkurës. Llixhat e Peshkopisë përmbajnë kalium dhe sulfate, efektet e të cilave trajtojnë sëmundjet në rrugët e frymëmarrjes, reumatizmat, sëmundjet e lëkurës dhe problemet gjinekologjike. Ujërat termalë të Vronomeros në Leskovik, banjat e avullit të Postenamit, si dhe ujërat kurativë të pijshëm siç janë Kroi i Bardhë në komunën e Selitës në Mirditë, Kroi i Nënës Mbretëreshë në parkun kombëtar të Qafë Shtamës etj.Ujërat termale të Bënjës njihen me emrin Banjat e Bënjës. Gjenden saktësisht 14 kilometra larg qytetit të Përmetit, komuna Petran, ku gjashtë burimet kryesore dalin në rrëzë të shkëmbinjve masivë në të dy anët e lumit të Langaricës.Ujërat me bazë sulfurore kanë efekte shumë të larta kuruese. 4 (katër) burime përdoren për sëmundjet kronike të reumatizmave (artikulare), 1 (një) burim për sëmundjet e stomakut, 1 (një) burim për sëmundjet e lëkurës.Temperatura e ujërave varion 26-32 gradë Celsius. Janë shfrytëzuar nga shteti në vitet 1964-1975. Aktualisht mjediset ndodhen të prishura e shfrytëzohen në mënyrë të paorganizuar nga banorë të qytetit Përmet në verë.

1 – Burimet e ujërave termale të Biljat pranë Fushë-Krujës
Këto janë burime termale, të cilët ndodhen më pranë kryeqytetit. Ato gjenden në rrugën nacionale Vorë – Fushë Krujë në fshatin Bilaj, pranë urës së Gjolës. Burimet e këtyre ujërave termalë dalin nga depozitimet e luginës së Ishmit. Janë ujëra të pasura sulfurore me lëndë minerale si: Ca, Na, K, Fe, Mg etj. Temperatura e ujërave është 55 gradë C.
Këto të fundit kanë efekte kurative mbi probleme të remautizmës, lëkurës dhe sistemit nervor. Duhet të përmendim se këtu është ngritur një qendër e re dhe bashkëkohore rehabilitimi, e quajtur “Qendra Kurative Ibrahim Kupi”. Kjo qendër ofron shërbimet e akomodimit, ushqimit, shërbimin e specializuar të stafit mjekësor etj.
2 – Llixhat e Elbasanit
Ndodhen pranë qytetit të Elbasanit. Këto burime janë të njohura dhe të përdorura që gjatë periudhës romake. Hoteli i parë i ndërtuar nga sipërmarrësit privat ka qenë ai i vitit 1932, i quajtur ” Hotel Park”, pronë e Grigor Nosit. Analizat e ujërave të këtyre burimeve janë kryer në mënyrë të specializuar nga ana e inxhinierëve çekë, të cilët kanë evidentuar vlera të larta terapeutike. Këtu trajtohen sëmundje të shumta të rrugëve të frymëmarrjes, sistemit nervor, të lëkurës, stomakut, etj. Llixhat e Elbasanit kanë edhe vlera kozmetike. Sot gjenden shumë hotele private, që ofrojnë shërbime në këto llixha.
3 – Burimet e ujërave termale të Bënjës
Këto burime gjenden 14 km larg qytetit jugor të Përmetit në komunën Petran, vetëm 3 km larg nga vendi ku lumi Vjosa bashkohet me përroin e Lëngaricës. Janë gjithsej 6 burime. E veçanta e tyre është se këto janë burime të hapura në natyrë. Temperatura e këtyre ujërave është, 26 – 32 gradë C. Njëri burim shërben për trajtimin e sëmundjeve të stomakut, një tjetër për trajtime të lëkurës. Trajtime të tjera janë për sëmundjet kronike të remautizmit. Shfrytëzimi i parë i këtyre ujërave me përmbajtje biokarbonatike është bërë që prej vitit 1964. Në këto burime nuk ka hotele dhe shfrytëzimi bëhet në mënyrë ambulatore.
4 – Burimet e ujërave termale të Vronomeros
Këto burime gjenden 10 km në jug të qytetit të vogël të Leskovikut. Janë burime termale të pasura me kripëra të ndryshme, të cilat trajtojnë disa lloje sëmundjesh. Temperatura e ujërave është nga 29 – 40 gradë C. Këtu ofrohet akomodim modern me staf të specializuar mjekësor, si dhe me shërbim hotelerie.
5 – Llixhat e Peshkopisë
Ndodhen pranë qytetit veri lindor të Peshkopisë. Ato burojnë nga formacionet e gipseve të malit të Korabit. Janë dy burime sulfurore me temperaturë 35 – 43,5 gradë C dhe me një prurje prej 14 litra/sek. Ato kanë përmbajtje kaliumi dhe sulfatesh. Efektet e tyre lidhen me sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes: si astma bronkiale, bronshite, reamautizmën, diabetin, sëmundjet e lëkurës dhe probleme gjinekologjike. Krahas këtyre burimeve, në Shqipëri gjenden burime ujërash të pijshëm me efekte pozitive për shëndetin, siç është burimi i “Kroit të Bardhë” në Komunën e Selitës në rrethin e Mirditës, (i njohur për kurimin e gurëve në veshka) si dhe banjat e avullit të Postenanit pranë Leskovikut.

Sëmundjet që mund të kurohen në llixha
Këto ujëra janë nga ma të rrallat në botë për fuqinë shëruese të tyre
1. Goutte (sëmundje e gjymtyrëve të duarve e të këmbëve). 2. Congestion (mbështjelle të gjakut në një vend të trupit si në mëlçi të zezë. 3. Calcusbiliaires (gurë në tëmthin e mëlçisë së zezë. 4. Hemorroidet 5. Sëmundje të organeve të frymëmarrjes (nefezi) 6. Reumatizëm e rëndë e vjetër. 7. Sëmundje të gjymtyrëve dhe deformime të tyre. 8. Dhimbje nervash, në një pjesë trupi ose në të gjithë trupin, ose të kokës. 9. Reumatizëm sëmundje nervoze. 10. Deformim gjymtyrësh shkaktuara nga reumatizma e sëmundjet të tjera. 11. Anemi (kur mjekimi me hekur nuk ka sjellë dobi mjafton të pijë ujë llixhe).

Sëmundje të tjera
• Sëmundjet e aparatit respirator
• Sëmundjet e aparatit lëvizës
• Sëmundjet e aparatit gjenital mashkullor dhe femëror si dhe shërimin e sterilitetit
• Reumatizmin, spondiliatrozën, nervin shiatik
• Sëmundjet e lëkurës, aknet dhe ekzemat
• Sëmundjet e aparatit tretës, gastritin dhe kolitin
• Sëmundjet e sistemit nervor periferik
Llixhat janë mjaft të rekomandueshme për dhimbjen e qafës, sidomos gjatë muajit tetor, që është dhe periudha më e përshtatshme për të shkuar.

Efektet e ujërave termalë
Efekti i ujërave termale nuk është vetëm për sëmundjet e kockave. Banjat me ujë të nxehtë shoqëruar edhe me lyerjen e trupit me baltë, bëjnë një lloj “transplanti” të gjakut. Gjithashtu, konsiderohet një kurë mjaft e mirë për rigjenerimin e lëkurës së trupit e të fytyrës. Trajtimi me baltën minerale të llixhës ndihmon në zhdukjen e rrudhave dhe i rikthen shkëlqimin lëkurës. Ujërat e nxehta dhe me gaz që ndodhen në brendësi u nënshtrohen një sërë proceseve hidrogjeologjike që arrijnë një temperaturë në 60 gradë në burime. Ujërat përmbajnë dhjetë elementë kimike, që i bëjnë llixhat mjaft kurative në shumë sëmundje. Gjithashtu, në hotelet e Llixhës të pajisur me mjekë dhe infermierë, trajtohen sëmundje të shumta të rrugëve të frymëmarrjes, sistemit nervor, të lëkurës, stomakut, etj. Uji i ftohtë ruan vetëm erën e squfurit që për shumëkënd, duket se është i padurueshëm.

Sëmundjet e lëkurës
Edhe pse në kohën e sotme janë bërë arritje shumë të mëdha në trajtimin e sëmundjeve të lëkurës, prapëseprapë balneoterapia mbetet një nga opsionet më të mira dhe më të sigurta në këtë fushe. Këtu duhet cekur se pak ujera termonineral nëpër botë plotësojnë vetitë kimike në trajtimin e kësaj sëmundjeje pasi vetëm banjat (llixhat) me përmbajtje të lartë sulfuri dhe ujë hipotonik në shërimin e sëmundjeve të lëkurës.
Në këtë kontekst Banjat e Dibres-Capa disponojnë me ujera termominerale që ndihmojnë në mënyrë të përkryer në shërimin e shume sëmundjeve te lëkurës si:
•    psoriazes,
•    ekzemes,
•    dermatomykozave,
•    herpesit etj.
Sukses i veçantë është arritur sa i përket sëmundjes të Psoriazës. Psoriaza është sëmundje kronike, jo ngjitëse, inflamatore e lëkurës që karakterizohet nga zona të skuqura të mbuluara nga luspa me ngjyrë të bardhë. Një deri ne tre për qind e popujve mbarë botës janë të prekur nga psoriaza me një shpejtësi më të madhe në Evrope dhe Amerikën e Veriut. Prek me shume moshat nga 15-45 vjet.
Uji hipotonik dhe me përmbajtje të lartë të sulfurit e bën këtë qendër ndër më të dalluarat jo vetëm në rajon por edhe më gjerë. Studimet shkencore tregojnë për veprim të lartë anti-inflamator të këtyre ujërave sulfuror në sëmundjen e psoriazes. Pacientet që janë trajtuar në banjat e Dibrës për sëmundjen e psoriazes kane pasur përmirësim të konsiderueshëm dhe të qëndrueshëm të simptomave. Vlen të theksohet se kemi vërejtur uljen e jashtëzakonshme të sipërfaqes të lëkurës e prekur nga psoriaza dhe zvogëlim të aktivitetit të saj.Këto dy parametra të përmendura më lart përbejnë treguesin më të rëndësishëm që përdoret në të gjithë botën lidhur me sëmundjen e psoriazës. Në ekzaminimet histologjike pas mbarimit të balneoterapisë është vënë re ulje e qelizave imunitare dhe disa substancave toksike që janë edhe baza në zhvillimin e psoriazës.

Sëmundjet e sistemit nervor
Ujërat minerale të Banjave të Dibrës janë hypertermale, radioaktive, te pasura me oligoelemente dhe kjo përbërje e ujërave me vetitë fizike (termike dhe mekanike) dhe kimike bën që të kënë efekt shërues ne sëmundjet të ndryshme, gati në të gjithë sistemet e organizmit. Trajtimet në llixhat tona, ka efekt parandaluese (preventive) si dhe efekt shërues që ndihmon në rruajtjen e një trupi të shëndoshë.Në neurologji ka efekt shërues tek shumë sëmundje funksionale dhe organike, dhe atë në fazat akute dhe kronike. Në të shumtën e rasteve përveç ujërave termominerale, shfrytëzohen edhe terapi plotësuese si: terapi medikamentoze, terapi fizikale (fango, elektro, masazhe manuale) dhe klimoterapi. Mekanizmi i veprimin konsiston në temperaturën dhe përbërjen kimike të ujit. Temperaturat e larta, dhe thithja e elementeve kimike të ujit ( sulfurit, hekurit, magnezit, gazrat sulfurik dhe karbonik) sjellin deri te rritja e qarkullimit të gjakut në të gjithë organizmin duke filluar nga lëkura, indet, nënlëkura, muskujt, organet e brendshme; dhe kjo ndikon gjithashtu në rritjen e frymëmarrjes dhe shkaktimi i djersitjes, rritjen e punës të zemrës, dhe të gjitha së bashku ndikojnë në përmirësimin e funksionimit të organizmit dhe rritjen e aftësisë mbrojtëse (imunitetit).

Sëmundjet organike
Sëmundjet organike më të shpeshta janë sëmundjet e sistemit nervor periferik nga trauma të ndryshme inflamatore (ndezjes), kompresione (ndrydhje) me ç’rast vjen deri tek ndërprerja e pjesshme (parezat) ose më e rëndë (paraliza) e atij nervi. Gjithashtu raste të shpeshta të cilat ne i shërojmë janë dëmtimi i nervit shiatik, dëmtimet e ndryshme inflamatore si radikulitet dhe aksidentet vaskulare ose infarktet e trurit qe shkaktohen nga dëmtimet fizike gjate aksidenteve dhe shkaktojnë invaliditet (hemiparezat ose hemiplegjit).Në fijet nervore dhe muskujt e paralizuar ndikon pozitivisht duke rritur funksionin, bëhet ulja e inflamacionit të fijeve nervore, apo nervave të atrofuar dhe të njëjtave u ndihmon që të kthehen në funksion.

Sëmundjet e sistemit lokomotor
Sistemi lokomotor është pjesë mjaft e rëndësishme e organizmit qe mundëson funksionet e saj lëvizëse, mbajtjen e trupit dhe koordinimin e saj. Dhimbjet që mund të shkaktohen nga ky sistem janë të tmerrshme, por kjo nuk është edhe aq e rëndë po ta mendosh se nuk mund të kryhet një jetë normale nëse ky sistem nuk funksionon ashtu siç duhet. Qëllimi i këtij referimi është se si veprojnë ujërat tremo-minerale me efektet termike, kimike dhe mekanike, tek sëmundjet reumatike.
Ujërat termo-minerale ndikojnë në rivendosjen e funksioneve lëvizëse të çrregulluara, siç janë komplikimet në kyçe, komplikime të kontrakturave, ankilozave dhe atrofi muskulore. Ujërat e Banjave të Dibrës Capa kanë përmbajtje mjaft të lartë sulfurore, dhe kjo është mjaft e rëndësishme për kapsollën e kyçit (artikulare), absorbimi i sulfurit e bën atë më të bute për tu lakuar. Sulfuri nuk mund të merret me anë të tabletave ose injeksioneve, e vetmja mënyrë është që lëkura të thith atë.
Rekomandohen nga 10-15 ditë mjekim. Kuptohet se përveç ujërave termominerale, pushuesit trajtohen edhe me masazhe, terapi të ndryshme fizikale si dhe me fangoterapi e cila është unike në këtë qendër.

Sëmundjet e sistemit Gastoduedenal dhe Uro-Gjenital
Te përcaktosh se kur ka filluar përdorimi i faktorëve balnear për qëllime profilaktike e kurative është e vështirë. Hpokrati ishte i pari nga mjeket qe ka theksuar se shëndeti i njeriut është në varësi te mjedisit dhe veçorive klimatike.Mjekimit balnear e fizioterapeutik i duhet kushtuar jo me pak kujdes se sa metodave tjera te mjekimit medikamentos ose kirurgjikal. Ujërat termominerale natyrale te Banjave te Dibrës- Capa ne përbërjen e tyre kimike kane elemente,mikroelemente e gaze ne sasi te mjaftueshme për te ushtruar efekt mjekësor në organizmin e njeriut.Përveç përdorimit kurativ në formë të banjave të përgjithshme ujërat tanë përdoren edhe si ujëra për të pirje nëpërmjet gojës. Zakonisht ujërat e Banjave te Dibrës- Capa përdoren nga goja për mjekimin e sëmundjeve te aparatit tretës, urogjenital dhe endokrin.

Sëmundjet e aparatit tretës
Në aparatin tretës me sukses përdoren për mjekimin e gastriteve kronike të shoqëruara me djegie dhe gromësira në pezmatimin kronik te mëlçisë së zeze te vezikës biliare e të rrugëve biliare si dhe te konstipacionet duke fuqizuar peristaltikën e zorrëve.Ujërat tanë termomineral natyral kur merren nga goja nxisin funksionin e veshkave dhe qe ndikojnë ne nxjerrjen e ujit nga organizmi. Ato bashke me ujin nxjerrin lëndë të ndryshme te pa nevojshme. Ato ne mënyre mekanike nxjerrin produkte mikrobijale e toksike nge rrugët urinare, mënjanojnë mundësinë e zhvillimit te infeksioneve, perceptimin e kripërave dhe lendeve organike.Përdoren te të sëmurët me cistite, pielite, pielocistite dhe pielonefrite kronike pa sjellë dëmtimin funksional të veshkave. Në sëmundjet pezmatuese kronike te rrugëve urinare, përdorimi i ujërave termominerale te Banjave te Dibres- Capa mund te tresin e te nxjerrin mukusin qelbin dhe kripërat e grumbulluara ne rrugët urinare. Këtë e arin duke fuqizuar tkurrjen muskulore të ureterve si dhe zgjerimin e tyre duke lehtësuar kështu edhe lëvizjen e gurëve të vegjël dhe te rërës. Uji termomineral nuk i tret gurët, por me qe shton dierezën mund t’i shtyjë gurët mekanikisht, atëherë kur ato janë më të vegjël se diametri anatomik i ureterve dhe i uretrës.

Cilave sëmundje u bëjnë dëm llixhat
Ujërat termominerale natyral kunderindikohen te nefritet, nefrozat e pielonefrozat akute, në dekompozimet renale e kardiake, në hidronefrozat dhe në proceset specifike renale, kur janë formuar gurre që kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale. Kundërindikohen gjithashtu përdorimi i ujërave termominerale edhe te ulcerat gastrike, duodenale, te akutizuara me hemorragji, në komplikacionet pos operative etj.

Vetitë kuruese me anë të pirjes
Ujërat termominerale rekomandohen të pihen drejtpërsëdrejti në vendburimet, në pamundësi, të transportohen me shishe. Ujërat minerale në shishe nuk i ruajnë plotësisht cilësitë që kanë në vendburim. Ato pihen zakonisht duke filluar me një gotë ujë 2-3 herë në ditë 15-20 min. para buke.

Si ndikojnë në sëmundjet gjinekologjike dhe inflamatore
Mjaft mirë ujërat natyrale termominerale veprojnë në parandalimin dhe mjekimin e sëmundjeve gjinekologjike si në ato inflamatore ashtu edhe hormonale. Me sukses përdoren si terapi plotësuese te mjekimit kirurgjikal dhe hormonal te steriliteti i grave. Përdorimi i ujit mineral ne mënyre te favorshme influencon ne sekrecionin cervical si dhe ne peristaltikën e tubave. Për këtë qëllim janë veçanërisht të këshilluara ujërat sulfate te cilat ushtrojnë edhe një veprim ngacmuesesh ne funksionet endokrine. Kështu mundet te ndihmojnë edhe ne mjekimin hormonal. Nga ana teknike terapia termale gjinekologjike kryhet me anën e irigacionit vaginal,pa transkuruar dhe mundësinë mjekuese te banjës se përgjithshme,si dhe ujit mineral te mare nga goja. Gjithmonë këto te shoqëruara me terapitë e tjera fizikale si: fangoterapia, magnetoterapija, elektroterapia e te tjera, të cilat ne Banjat e Dibrës- Capa janë te nivelit te larte te aplikuara nga një personel me edukate te larte dhe me përvoje pune praktike shumëvjeçare. Është një terapi e njohur dhe në vendin tonë duke qenë se gjithnjë gratë që vuajnë nga sëmundje të ndryshme i janë drejtuar gati çdo vit llixhave, për të përmirësuar shëndetin e tyre.

Sëmundja e astmës
Ujërat radioaktive duhet të kenë përmbajtje të veçantë. Ujërat sulfurike japin rezultate pozitive dhe të gjatë për lëruar bronket.

Aciditeti i stomakut
Shumë të mira janë ujërat bikarbonat-alkaline-baltoze, që nuk kanë oksid karbonik. Kanë një veprim antiacid direkt dhe pengojnë sekrecionin gastrik. Uji duhet të serviret dhe në mëngjes, pa ngrënë. Doza e përditshme mund të shkojë nga 250-500 ml. Si pjesë e kurës i njëjti ujë mund të jepet dhe gjatë vakteve.

Arterioskleroza
Arterioskleroza pa futur këtu aparatin e zemrës dhe atë të veshkave mund të përmirësohet nga kurat me ujërat karbonikë. Qendrat më të mëdha termale të tilla gjenden në Francë dhe Gjermani. Kura kundër arteriosklerozës bëhen nëpërmjet balneoterapisë.

Artritet
Në fushën reumatike kurat termale janë shumë të rëndësishme. Ujërat sulfurike, jodike dhe bromo-jodike janë shumë të mira. Baltat, rërat e ndihmojnë shumë. Duhet të mos lihen pas dore shpellat që janë format terapike më antiket.

Qarkullimi i keq i gjakut
Është shumë e këshillueshme kura termale me ujë karbonike që ka një efekt të mirë të hapjes së enëve të gjakut duke përmirësuar kushtet e qarkullimit të gjakut tek këmbët. Kurat me pije, me ujë sulfurik kanë një veprim të favorshëm në ndryshimin e glucideve ndërsa uëjrat sulfate parashikojnë dëmet që mund të shkaktojnë ato tek arteriet.

Kolesteroli
Ujërat sulfatike-alkaline kanë treguar se ulin nivelin e kolesterolit në gjak:dhe këto merren si pije. Ato ndikojnë kryesisht në përdorimin e dhjamit në organe të ndryshme të trupit.

Koliti
Janë të shumta ujërat termale efikase në trajtimin e kolitit. Mund të shënojmë ujërat klorure-sodike që kanë një veprim tretjeje të shpejtë dhe që pastrojnë sistemin tretës dhe të jashtëqitjes. Tek koliti veprimi i këtyre ujërave është i shumëfishtë:korrektime metabolike, veprime zgjidhëse në tretje, rregullim i sistemit tretës dhe të zorrëve. Shumë interesant është veprimi i ujit bikarbonat dhe sulfat.

Dhëmbët e prishur
Janë shumë të mira ujërat fluorike për parandalimin e karies tek fëmijët deri në moshën 14 vjeç. Është kjo një profilaksi më fiziologjike se kokrrat e fluorit dhe më e lehtë për tu kontrolluar.

Diabeti
Kurat tradicionale nuk pretendojnë të zëvendësojnë kurat tradicionale, por një pjesë e rëndësishme e tyre: ujërat sulfure të përdorura për banjo janë të rëndësishme për të parandaluar shkatërrimin vaskular që shoqëron diabetin;ujërat bikarbonate të përdorura si pije ndihmon rezervën alkaline që në diabet është gjithnjë e ulët, ujërat sulfate provokojnë një ulje të glicemisë në diabet dhe një përdorim më të mirë të glukozës.

Ezaurimenti nervoz
Trajtimet hidroterapike-si banjo dhe dushi në zonën termale-veprojnë si tonikë në sistemin nervor. Ujërat më efikase janë sulfuret dhe arsenikalet.

Pagjumësia
Mund të jepen kura termale me qëllim ndihmimin e sistemit nervor. Janë shumë të dobishme ujërat radioaktive dhe karbonike, nëpërmjet banjove dhe dusheve të nxehta dhe baltërave radioaktive

Sëmundjet kronike
Nëpërmjet ujit termal sulfuror e baltës, kurohen me sukses dhjetëra sëmundje kronike si:
-Sëmundje osteo – artikulare (reumatizma, gonoartroza, spondiartroza, nervi shiatik); të veshit, të hundës e fytit, të aparatit genito-urinar, të sistemit nervor periferik, të lëkurës (ekzema, psoriasis, akne juvenilje), të aparatit të tretjes (gastritis, koliti).
-Banjat termale kanë efekt ndihmës në trajtimin e sterilitetit dhe në rikuperimin pas traumave e frakturave.
-Shërbimi jepet sipas kërkesës: ambulator si dhe me shtrim disa ditor. Çdo shërbim bëhet nën ndjekjen rigoroze të personelit shëndetësor të qendrës.
Ujerat përmbajnë dhjetë elemente kimike që i bëjnë llixhat mjaft kurative në shumë sëmundje si ato të reumatizmale, artrozat, sëmundjet e sistemit nervor periferik, ato gjinekologjike, të lëkurës, të enëve të gjakut dhe aparatit tretës.

Llixha mjekësore me 5 yje
Udhëtim në qendrat e reja të shëndetit, ku mbizotëron luksi. Në të bëjnë pjesë kurat termale, lifting, kirurgjia, fizioterapia, mjekësia perëndimore e kineze, si dhe dieta të ndryshme
Quhet Medical Spa. Është një sintezë me llixha tradicionale (“Salus per aquam”), si dhe me ujin sulfuror dhe të jodizuar, baltë, si dhe çdo gjë tjetër që ka vënë në dispozicion natyra. Janë disa nga pak elementët që vënë në dispozicion klinikat e luksit dhe trajtimet më moderne mjekësore dhe kirurgjikale. Një shkrirje e re mes klinikave mjekësore dhe kabineteve estetike, mjekësisë tradicionale dhe alternative, pishinave termale dhe sallave të operacionit. Vaska, dushe dhe pishina ku mund të kryhet kontrolli i përgjithshëm mjekësor, masazhe, terapi perëndimore, mjekësi termale tradicionale e mjekësi kineze, fizioterapi dhe joga, balta që shpeshherë përdoret si kurë natyrale së bashku me metodat më të fundit që përdoren kundra rrudhave e deri te lifting dhe liposucioni. Vende të reja dhe të kushtueshme janë krijuar për të rigjetur mirëqenien e humbur nga stresi i përditshëm, si dhe kura natyrale për t‘u përballur me patologji si për shembull artroza, pagjumësia, rrufa dhe faringjiti. Fenomeni është plotësisht i ri. Nuk është vetëm një dhomë luksi ku u nënshtrohemi ndërhyrjeve të ndryshme kirurgjikale. Ideja është tjetër: është ajo e shtëpive kurative superluksoze ku përballesh me probleme të vogla mjekësore dhe pas trajtimeve terapeutike të ndihesh shumë mirë fizikisht dhe shpirtërisht. Shërbime të tilla jemi mësuar që t‘i bëjmë në qendrat e mirëqenies. Tendenca më e fundit e përhapur në të gjithë Evropën është se hotelet e gjithë kategorive kanë hapur nga një kabinet të tyre kurativ. Tashmë të tilla hotelet nuk frekuentohen vetëm nga aristokratë të ndryshëm, por nga të gjithë njerëzit, nga të gjithë ata që kanë nevojë për relaks. Fjala llixhë mjekësore nxjerr në dritë konceptin klasik evropian të termalizmit, duke u kushtuar më shumë vëmendje kurave të vogla të cilat ndihmojnë në mirëmbajtjen e trupit. Popullsia ka ndryshuar. Ka ardhur koha e njerëzve të cilët shpenzojnë shumë për veten e tyre.
Llixha mjekësore përfshin bukurinë, mirëqenien dhe jetëgjatësinë dhe shpjegon se si mund të ndryshohet stili i jetës së gabuar që është edhe armiku i shëndetit. Në fakt termi llixhë mjekësore është një nevojë e klientëve të cilët po ndryshojnë zakonin e llixhave dhe janë në kërkim të vendeve ku kurohen patologji, si dhe ku tregohet kujdes maksimal për individin e shëndetshëm. Në qendër të këtij transformimi janë qendrat më shik të Iskias, Abano dhe Montegrotto: vendet ku natyra ka vënë në dispozicion burime të ndryshme si për shembull baltën kuruese që kurojnë sëmundjet reumatike, artrozën, pasojat e traumave, faringjitin, sinozitin, ndërhyrjet ortopedike, rrufën, bronkopneumonitë profesionale, ose të duhanpirësve. Pasuria kryesore e llixhave është uji i ngrohtë i kripur-bromo-i jodizuar me origjinë gjeotermike e pasur me gaz dhe pak radioaktivitet, si dhe me 20 lloje algash dhe mikroorganizmash: një përzierje që transformon baltën e këtyre zonave në ilaçe të vërteta. Basti i komplekseve të hoteleve me pesë yje është pikërisht ky: bashkimi i këtyre cilësive në ofertën që jepet për kurat kundër-moshë të tipit mjekësor dhe të fizioterapive të certifikuara.

Cilat janë karakteristikat e dizenjimit të një llixhe mjekësore të suksesshme?

Karakteristika kryesore është ndjesia, t‘i kushtosh rëndësi ndjesisë. Duhet të jetë një klinikë me pesë ndjesi. Për të pasur shumë sukses duhet të zvogëlosh atmosferën mjekësore, sepse shumë njerëz kanë frikë nga pamja e spitaleve apo ambulancave. Hyrja në një llixhë mjekësore duhet të ofrojë ndjesi të mrekullueshme dhe duhet të jetë si një udhëtim i largët dhe i këndshëm. Ky vend duhet të pajiset me të gjitha ornamentet e duhura si aroma të këndshme dhe çlodhëse, ngjyra relaksuese dhe piktura të veçanta.
TiranaObserver.com.al

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 10/07/2010. Filed under Mjeksia. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

One Response to Llixhat kura që natyra na ka dhuruar

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.