Dhunimi i patriotit Sotir Kolea pas vdekjes

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 4306
Post mortum/ 65 vjet nga vdekja e patriotit dhe pasuruesit të Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar
Beratasi patriot, publicist, filolog etj., Sotir Kolea, të cilin shumë studiues e konsiderojnë si “Rilindasi i fundit shqiptar”, mbylli sytë 65 vjet më parë, në 3 korrik 1945 në Elbasan në moshën 73-vjeçare, pas një jete plot përkushtim për çështjen shqiptare nga rinia e vet e derisa mbylli sytë.

Kolea u largua nga puna si drejtor i Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar prej ministrit të Arsimit në janar 1937, sepse nuk heshti për asnjë lloj skandali, që shoqëronte një administratë injorante të kohës, aq sa u bë i bezdisur për titullarët. Nuk i dhanë as pension njeriut që mundi në 9 vjet të ngrinte në baza shkencore bibliotekën, të hapte dyert për lexuesit, t’u fuste dashurinë për librin dhe muzeun, që i pasuroi me fonde të shquara mjaft domethënëse për kulturën, gjuhën dhe historinë kombëtare.

Burokracitë dhe paaftësia e dikastereve të kohës nuk e shkëputën nga këmbëngulja për të arritur tek fondet për pasurimin e Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar. Këmbëngulja e pashoq e Koleas bëri që aty të hyjnë fondet e pasura të patriotëve të mëdhenj si Jani Vruho, Filip Shiroka etj. Tipik është rasti për mbledhjen e fondit të veçantë për Jani Vruhon ku punoi 3 vjet për të mbledhur dokumentacionin nga Kajroja, por dhe Gjeçovin, Skënderbeun etj.

Nën drejtimin e Koleas, Biblioteka Kombëtare u bë vendi i dashur për intelektualët dhe rininë. “Në vitin 1931 në bibliotekë u kënduan 5805 vivëlla dhe hynë 11.280 vozitës gjithsej. Në vitin 1928 u kënduan 459 vivëlla dhe vozitën 1785 vetë. Në vitin 1929 u kënduan 1915 vivëlla dhe hynë 5240 vetë. Në vitin 1930 u kënduan 3021 vivëlla. Në vitin 1931 miq e dashamirës patën mirësinë të falin 2309 copë vivëlla, revista, gazeta etj. Sende të ndryshme që patën mirësijën të falin zotërinj zemërbardhë ndë Muze qenë 1851 copë”, – raportonte në janar 1932 vetë Kolea në Ministrinë e Arsimit.

Në 15 maj 1929 në kërkim të librave të shtypur në shqip në kohë të vjetra, merr përgjigje nga British Museum në Londër, ku mes të tjerave, shkruante se “nuk na ndodhen libra të don Gjon Buzukut, Luk Matrëngës dhe Pjetër Budit (Speculum confessionis)… por na ndodhen vivëllat si më poshtë: Don Pjetër Budi – Dotrina e krishterë e vitit 1664 N1 3505, d 46; Frano Bardhi – Fjaluri latinisht-shqip, 1635 Ni. 628, d.28; Pjetër Bogdani – Cuneus proferatrium” 1685 me Ni 3185, gh.19; “l’infallibile verita” 1691, Ni 4051, d.5; … kemi në gjuhë shqipe këto vepra: P. Francisco Maria de Lecce – Osservazioni grammatically nella lingua Albanese”, 1716; Johann Thunmanus një botim të 1774, Paisios greqisht 1778, Zef Guagliata “Dottrina e krishten” e vitit 1873, nga Daniel Voskopoja “Fjalues mbë 4 gjuhë: greqisht, vllahisht, bullgarisht dhe shqip” viti 1902…”

Në 1930 mundi të merrte si dhuratë për muzeun Flamurin e Kongresit të Lushnjës të vitit 1920 bashkë me 18 copë monedha të vjetra të argjendta nga Veli Vasjani, drejtor i Strehës Vorfnore në Tiranë. Vetëm brenda vitit të parë të punës, grumbulloi 1500 copë libra, “shumica që nuk ndodheshin në bibliotekë, as në tregtim dhe vetëm me të gjetur, mund të bliheshin”, për të cilat lavdërohet nga Komisija e Bibliotekës.

Në 18 vjeshtë e dytë 1929 Kolea njofton se “professor Gustav Wingand i dhuroi Bibliotekës 100 vivëllla në një arkë”, ndërsa pasurohet me dhurata të tjera si harta gjeografie “Coste delll’Epiro – pjesa e nartës dhe Prevezës”, “Parte dell Albania turca con Montenegro, venezia 1789”, “Dalmazia”, “Corso delli fiumi Drino e Bojana”, “La Scanderbeide, poema heroico (sgnora margherita Sarrocchi), Roma 1623; “Pouqueville – Histoire de la Regereration de la grece” Bruselle, 1843; “Të falura meshe”, vepërë shqip e Gjon Buzukut, me fotografim të ksomëlësë që ndodhet në Vatikan, e shtypurë mbë 1555.” Pasuron bibliotekën më tej me blerjen prej 80 fr ari në Shkodër të librit “Storia di George Castrioto ditto Scander-begh”, me autor Giammara Biemmi, botuar në Brescia 1742.

Sotir Kolea zgjodhi Elbasanin si qytetin ku do të mund të përpunonte, studionte dhe botonte të gjitha studimet e bëra përgjatë jetës nëpër botë vetëm për Shqipërinë, së cilës i kushtoi gjithçka, jetën dhe gjithë pasurinë.

Elbasanasit u mësuan me Kolean, që rrallë shëtiste kodrave të Shën Thanasit, por më shumë e panë të gozhduar në tryezë të punës nga mëngjesi deri vonë natën, me ndonjë ndërprerje të vogël aq sa për ndonjë bisedë të shkurtër me miq e të njohur, si Lef Nosi, Simon Shuteriqi, Aleksandër Xhuvani, që jetonte në Tiranë, por gjente kohën për mikun e vjetër e plot të tjerë. Bënte një jetë të mbyllur, me pak lëvizje, pasi dhe shëndeti iu dëmtua dhe iu shfaqën sëmundje. Por pendën nuk e lëshoi nga dora gjer pak ditë para vdekjes për t’u shuar në krahët e gjuhëtarit të njohur, mik i tij, Mahir Domi, i cili shkroi dhe nekrologjinë për të.

Kalvari i “vjedhjes” së Sotir Koleas

“U varros në varrezat e Elbasanit i nderuar nga shumë dashamirës, miq e të rinj elbasanllinj. Por familjarët e afërt pas varrimit të Koleas u përballën në banesën e tij me qera në Lagjen Kala me një derë të dyllosur dhe një dry bashkë me një punonjës të gjykatësë së Paqit të Elbasanit, i cili nuk i lejoi të hynin brenda, me arsyetimin se “këtu ka dokumente me rëndësi kombëtare”.

Ikën për t’u rikthyer në 29 tetor 1945, ku një komision me ftuesin e gjykatës së Elbasanit, Sulejman Bedini, në prani të nipit Anastas Haxhistasa, farmacist nga Berati dhe një prej mbesave, avokate Erifili Bezhani, u hap dhoma e dyllosur për të bërë inventarin e gjerave ku të gjithë librat i kaluan Bibliotekës në Elbasan “për ruajtje”. Për çudi, të afërmit nuk gjetën thuajse asgjë, as nga objektet personale dhe materiale të Sotir Koleas, deri as makinën e tij të dashur të shkrimit, ku kishte shtypur me mijëra fletë, pjesë të shumë punimeve dhe studimeve nga fusha nga më ndryshmet.

As nipi dhe as mbesa e Koleas nuk mundën të merrnin vesh nga të pranishmit aty në banesën e mbyllur prej 4 muajsh të Koleas, se ç’u bënë materialet shkresore, dokumentet, dorëshkrimet, letërkëmbimet e patriotit përgjatë 57 viteve, mes të cilave, më së shumti, me patriotë shqiptarë, politikanë të vendeve më të fuqishme të Evropës, deri edhe në Departamentin e Shtetit në SHBA përgjatë viteve 1909-1943, dorëshkrime të shumta me studime për leksikografinë, folklorin, për të cilin kishte mbledhur në 50 vjet 12.000 proverba, për botanikën, studime për Kanunin e Lekë Dukagjinit, për Çamërinë etj., disa fjalorë dygjuhësh të ndryshme, por dhe shumë objekte personale me vlerë që kishte Sotir Kolea. Askush nga të afërmit e Koleas nuk arriti kurrë të merrte përgjigje për zhdukjen e tyre të mistershme nga shtëpia ku jetoi rreth 15 vjet Sotir Kolea në Lagjen Kala në Elbasan, që nga janari 1937, kur ministri i Arsimit, Shatku, e nxori (më dëboi”, shkruan për këtë veprim vetë Kolea), nga puna si drejtor i Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar. Përse u dyllos shtëpia ku burri i mençur jetoi vitet e fundit të jetës? Kjo enigmë dhe mister shoqëroi për dhjetëra vite biseda të shumta mes familjarëve të Koleas.

Së fundi, si stërmbesë e Sotir Koleas, duke studiuar e punuar për një monografi për të me fondin “Sotir Kolea”, nga më të mëdhenjtë që ka sot Arkivi i Shtetit, mbeta e befasuar kur lexova dhe mësova ndërhyrjet dhe dhunimet, me të cilat shteti komunist përdhosi pas vdekjes veprën e Koleas. Është e frikshme mënyra se sa dhunshëm dhe fshehtas shteti, që u ngrit me luftë në emër të lirisë, mundi të hynte në skutat më të fshehta të gjithçkaje në pronësi të patriotit Kolea, shkresave, studimeve, vëzhgimeve, deri tek një testament politik, shkruar prej tij në 17 mars, 1935 në Tiranë dhe dorëzuar më pas tek një noter në Elbasan të mbyllur në një zarf të madh të dyllosur me katër vula me dyllë të kuq me mbishkrimin: “Të hapet pas 50 vitesh”. Testamenti politik i Koleas nuk është gjetur ende. Por për të gjithçka bëhet e njohur nga letërkëmbimi ose më mirë, shkresë-këmbimet që gjenden në Arkivin e Shtetit, që mbajnë vitin 1948, pra 3 vjet pas vdekjes së Koleas. Janë fillimisht mes Institutit të Studimeve në Tiranë dhe Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit e më pas, vetë Kryeministrisë.

Në Arkiv gjendet shkresa e parë në datën 4.2.1948 e Institutit të Studimeve në Tiranë, drejtuar Komitetit Ekzekutiv në Elbasan, ku kërkohet “tërheqja e 4 arkave me veprat dhe dorëshkrimet e të ndjerit Sotir Kolea që ndodhen pranë Bankës së Shtetit në Elbasan”. Kundërpërgjigjën e bashkëshoqëron një shkresë e Kryeministrisë e dërguar nga Tirana në datën 27.2.1948 për Komitetin Ekzekutiv të Elbasanit. “… Me shkresën nr. 939, datë 5.4.1947 ish-komiteti i Prefekturës së atij qyteti, kishte njoftuar se në zyrën e Përmbarimit të gjykatës së Prefekturës aty, gjendet një letër e mbyllur e të ndjerit Sotir Kolea, e dorëzuar me proces-verbal, në të cilën thuhet që “letra të hapet pas 50 vjetësh”. Njoftoni se ç’është bërë me atë letër”, – nis e kërkon shpjegime Kryeministria.

Një dosje e plotë me 34 fletë fsheh gjithë korrespondencën e zhvilluar mes këtyre dy institucioneve. Bashkë me 4 arkat me dorëshkrimet dhe shkresat e Koleas, kërkohet në mënyrën më të ulët që të gjendet noteri në Elbasan, tek i cili është dorëzuar ky zarf. Kërkohet informacion për qëndrimin e tij politik gjatë luftës dhe pas, në kohën e shtetëzimeve që po bën pushteti popullor. Kërkohet që ky person të kontaktohet, të bindet edhe me forcë që të dorëzojë zarfin e mbyllur me katër vula të dyllosur me dyllë të kuq. Kërkohet që të hapet në mënyrë të padukshme dhe të lexohet testamenti politik që kishte lënë patrioti Sotir Kolea. Gjithë kjo, që i ngjan një historie “shtrigash”, mbyllet më një shkresë të datës 4 korrik 1948, ku njoftohet se “janë dorëzuar arkat me 14 fletë të daktilografuara, proces-verbali i librave, shkresave”, të cilat më pas janë transportuar në Tiranë, pranë Institutit të Studimeve. Por askush nuk është në gjendje të tregojë sot se ku “humbën” objektet personale të Koleas. Mes tyre kishte objekte të vjetra dhe me shumë vlerë, pasi Kolea ishte njohës mjaft i mirë i objekteve me vlera arkeologjike, historike, artistike, aq më shumë, që duke udhëtuar e jetuar nga një cep, në tjetrin nëpër botë, që nga Ballkani, Greqia, Egjipti, India, Madagaskari, Zvicra, Italia etj.

Mjaftojnë letërkëmbimet familjare për të kuptuar pasionet e tij për çdo gjë të rrallë, nga objekte me vlerë, deri edhe tek lulet kudo në botë, që i mblidhte, i thante dhe i koleksiononte me shumë kujdes, për të kuptuar makthin e Koleas në çdo zhvendosje, që lidhej me transportimin e bauleve të tij të mëdha, plot e përplot. Në Arkiv kam mundur të gjej vetëm një letër procesverbal të firmosur dhe vulosur nga drejtori i bibliotekës në Elbasan, N. Baholli, në datë 6 dhjetor 1945, ku shkruhet: “Mora në dorëzim prej Mahir Domit dhe Nazmi Fagut në dorëzim të gjithë librat e shënueme në këto 4 lista për me i ruajtur në Bibliotekë. Shtoj se librat e sipërpërmendur janë të të ndjerit Sotir Kolea”. Ky procesverbal mban një listë me 265 tituj, pjesa më e madhe libra të autorëve të huaj për Shqipërinë në gjuhë të huaja, italisht, frëngjisht, greqisht, latinisht, shqip etj.  Vdekja e Sotir Koleas nuk mbeti në heshtje nga miq, me të cilët ai punoi për një kohë shumë të gjatë. Mbetet mjaft domethënëse një letër proteste për mospërfilljen e vdekjes së Sotir Koleas, drejtuar gazetës “Bashkimi”, në 9. VII. 1945 nga Aleksandër Xhuvani. Mes të tjerave, Xhuvani shkruan “… E vërteta âsht se S. Kolea jo vetëm nuk u-çmue si duhej gjatë jetës së tij plot me aktivitet e patriotizëm, por as nuk i u-banë nderimet e duhuna në vorrimin e tij. Tue lanë më nj’anë të shkuemen e tij patriotike dhe gjithë punë e studim për gjuhën shqipe, Sotir Kolea ka qenë, si dihet, për nji kohë të gjatë Drejtor i Bibliotekës Kombëtare, të cilën e rregulloi si âsht mâ mirë, kujdesej për tê me të madhe dhe e ruente si servèr i vërtetë, që të mos prisheshin e të mos humbisnin librat e saj. Me gjithë këtê, në kohë të Ministris s’Arsimit Faik Shatkos u-qit jashtë nga Biblioteka, pse kishte individualitet në detyrën e tij të ndërgjegjshëme e nuk bante dallkaukllëk, pa i u-shfaqë asnji falnderim për punën me zemër që bante për Bibliotekën. Me qenë se nuk e kishte mbushë kohën e duhun për pension, i dhanë mbasandaj nji rrogë të vogël jetike, 275 fr. në muej, me të cilën me zi e qiste jetesën… Por populli i Elbasanit, në mes të cilit jetoi kaqë vjet dhe ja çmoi virtytet e tij të nalta, e nderoi sa s’bâhet në banesën e tij të fundit. Jeta e Kolesë âsht nji varg i papremë aktiviteti në fushë t’atdhetarisë e të lavrimit të gjuhës. Të pakë janë ata që e dijnë jetën e këtij njeriu me karakter dhe individualitet, të këtij patrioti të kulluem e lavrimtari të madh të gjuhës, sikurse duket nga Fjalori i nga morija e madhe e dorëshkrimevet që ka lanë; janë të pakë ata që e kanë njoftë e çmue, se i ndyeri rronte i vetmuem, larg çdo reklame e dallkaukllëku…”

Jeta dhe vepra e Sotir Koleas

Sotir Kolea lindi në lagjen Goricë në Berat, në 4 shtator 1872, në një familje të arsimuar intelektuale dhe tregtare si fëmija i parë i avokatit Kristo Kolea, që kishte punuar për një kohë të gjatë si këshilltar ligjor për Ballkanin i monopolit francez të duhaneve në Perandorinë Otomane “La Regie Des Tabac”. U lind për të qenë trashëgimtar i pasurive të njërës prej familjeve fisnike më të vjetra e të shkolluara të Beratit, por jeta në moshë shumë të re i ndryshoi fatin. Pas mësimeve të para, 9-vjeçar u vendos në Manastir tek xhaxhai, Ilia Kolea, që punonte me tregti duhani dhe pasi mbaroi gjimnazin grek, u emërua nëpunës në degën e duhanit në Ohër. Prej aty u transferua në Greqi, në Dhrahma e Kavalla, ku punoi e jetoi në vitet 1899-1902.

Më tej udhëtoi në Egjipt, ku, duke punuar disa vjet me tregtinë e duhaneve, iu përkushtua plotësisht jetës së stuhishme politike në mbrojtje të çështjeve për pavarësinë dhe mbrojtjen territoriale të Shqipërisë. Vetëm 19 vjeç ai fliste 7 gjuhë të huaja: greqisht, turqisht, latinisht, frëngjisht, bullgarisht, italisht, rumanisht, spanjisht, të cilave më vonë, do t’u shtoheshin gjuhët angleze, arabike dhe malgashe, plot 10 gjuhë. Pa mbushur 20 vjeç, u bashkua me lëvizjen e patriotëve shqiptarë për pavarësi. Në vitin 1911 zgjidhet sekretar i shoqatës “Bashkimi” në Egjipt dhe për 15 vjet nga fundshekulli XIX dhe 10-vjeçari i parë i shekullit XX, dallon për kontribut aktiv për arritjen e pavarësisë së Shqipërisë, organizon dhe drejton shoqata atdhetare në emigracion, polemizon me politikanë evropianë për çështjet kombëtare etj.

Në vitet 1912-1920 lë mënjanë punët e veta private dhe angazhohet në shërbim të kombit. Kolea përfshihet në projektet diplomatike dhe publicistikës pas pavarësisë në ndihmë të shërbimeve diplomatike, përfaqëson kombin në dyert e kancelarive të Evropës. Në 1913 është ndër organizatorët e kongresit të Triestes. Në protestën drejtuar Presidentit të SHBA-së, datë 13 maj 1913, Kolea shkruan: “Të sakrifikosh Vlorën, do të thotë të bësh iluzore pavarësinë e Shqipërisë dhe të vësh në rrezik ekzistencën e popullit shumë të vjetër shqiptar”. Në vitin 1914, pas takimeve në Brindisi dhe Leçe (Itali) me rrethet e patriotëve shqiptarë, Kolea vendoset në Lozanë (Zvicër) ku në 1915 drejton në gjuhën frënge gazetën “L’Albanie”, e njohur për meritat e veçanta, pasi njohu lexuesin e huaj me problemet e kombit shqiptar.

Si publicist e gazetar mbrojti integritetin territorial të vendit dhe luftoi për forcimin e ndjenjës kombëtare edhe në gazetat “Besa”, “Dielli”, “Leka”, “Shekulli i ri” etj. Janë shumë artikuj të Koleas ku del hapur në mbrojtje të interesave të Shqipërisë kundër copëtimit. Në 29 qershor 1919 Kolea i drejtohet me një promemorie poetit italian D’Anuncio, ku i bën thirrje ndërgjegjes së poetit dhe artistit që të pengojë etjen pushtuese të Italisë: “Si mundet që një poet i etur për të vërtetën dhe të drejtën nuk e ka ngritur ende zërin e vet të fuqishëm për të protestuar kundër atentatit që burra shteti të verbuar nga synime të ulëta, të mendojnë kundër pavarësisë dhe tërësisë së një vendi të vogël e në gjendje të vështirë…?”

Në 26 mars 1920, Kolea akuzon në një artikull Kryeministrin e Italisë, Nitti, për manipulimin e shtypit italian rreth të vërtetës së sjelljes së Italisë ndaj Shqipërisë “…Po djegia e Hormovës, Cervenit apo Podgoranit si dhe gjithë ato trimëri dhe barbarizma të karabinierëve tuaj, për të cilat gazetat tuaja nuk thonë asnjë fjalë, mos vallë edhe ato hyjnë në kategorinë e “cose non vere”?… Komploti i heshtjes nuk mund të ndryshojë asgjë këtu. Ndërgjegjja universale e ka formuar tashmë mendimin e vet dhe nuk i lejohet askujt, aq më pak shqiptarëve, që të kenë dyshime se si qeveria italiane e kupton të vërtetën dhe drejtësinë”.

Zgjidhet anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Parisit dhe në Këshillin Administrativ franko-shqiptar në Paris. Në 1920 qeveria e përkohshme e Vlorës zgjodhi mes anëtarëve të delegacionit shqiptar në Konferencën e Londrës edhe Sotir Kolean si aktivist i shquar patriot i kolonisë shqiptare të Egjiptit. Por ai nuk vajti për shkak të mosbesueshmërisë personale për disa nga pjesëmarrësit në delegacion dhe kërkoi që delegacionin ta kryesonte princi Fuad i Egjiptit, princ me origjinë shqiptare.

Në bindjet e veta, Kolea i qëndroi besnik idesë se “interesat në lojë janë kolosale” dhe se përçapjet e qeverisë së Vlorës nuk do të mund të kenë sukses për sa kohë që në krye të delegacionit shqiptar nuk do të ketë një personalitet me influencë diplomatike, siç mund të ishte mbreti me gjak shqiptar i Egjiptit. Në periudhën e trazuar politike pas shpalljes së pavarësisë, Kolea kishte bërë të vetin mendimin se “asnjë i huaj nuk mund të bëjë për Shqipërinë atë që mund të bëjnë ata qe kane origjinë shqiptare”.

Pas vitit 1920, duke kuptuar mosmarrëveshjet e mëdha të forcave të ndryshme politike shqiptare mes tyre, etjen për pushtet të gjithsecilit, i lodhur dhe i zhgënjyer, Sotir Kolea i kushtohet jetës private. Në një letër drejtuar mikut të tij, Mit’hat Frashërit në 25 mars 1920, Kolea shkruan: “Kam frikë se do na mbetet zakon në këtë të lumtur Shqipëri se gjithë qeveritë që shkuan gjer më sot, hëngrën, pinë, lanë duart e dolën”. Në këtë periudhë largohet në Madagaskar e më pas në Marsejë (Francë) ku merret me tregti. Në 20 dhjetor 1927 me një letër, Mit’hat Frashëri i njofton i pari vendimin e Këshillit të Ministrave që emëronte Sotir Kolean drejtor të Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar. “Jeni emnue drejtuer i Bibliotekës kombëtare. Nisuni. Ministri i Arsimit, Xhafer Ypi”, – shkruhet në telegramin dërguar nga qeveria shqiptare Sotir Koleas në janar 1928.

Në vitet 1928-1945 kontribuon në zhvillimin e vlerave kulturore kombëtare dhe vetjake. Është meritë e tij ngritja e Muzeut Kombëtar, vënia në baza shkencore dhe pasurimit të fondit të librave dhe dokumenteve me vlera të veçanta kombëtare të Bibliotekës Kombëtare si drejtor. Nga 4.000 që ishte numri i librave në Bibliotekën Kombëtare në janar 1928, kur mori detyrën dhe deri në 1937, kur Mbreti Zog e nxori në pension, Kolea shtoi fondin e librit me 14.000 tituj të rinj, botoi periodikë të shumtë vjetorë për veprimtarinë e bibliotekës me përshkrimet përkatëse bibliografike të shumë veprave me interes për studime. Kolea ka merita të veçanta për mbledhjen e dokumenteve të rëndësishme me vlera historike, ndër të cilat, prezantimi i parë për dorëshkrimin e Kostë Beratit, historisë së origjinës së flamurit kombëtar të ngritur në Vlorë në 28 nëntor 1912, zbuloi dhe mblodhi dokumente për Skënderbeun, të dhëna bibliografike për Shtjefën Gjeçovin, Vruhon, Vreton, Nolin, Shirokën etj., fondet që janë sot pasuri kombëtare falë punës së tij. Kolea bëri mjaft kërkime në biblioteka të huaja për dokumente me vlera historike dhe kulturore për Shqipërinë.

Nën kujdesin e tij, Muzeu Kombëtar u bë qendra ku nisën të grumbulloheshin objekte të vjetra historike dhe ai vetë, një ndër luftëtarët më të vendosur për mbrojtjen e tyre nga arkeologët e huaj, që morën jo pak vlera dhe zbulime arkeologjike në Butrint, Apoloni, Lezhë, Shkodër e gjetkë. Në 1937, Sotir Kolea u nxor në pension dhe koha për të mori kuptimin e punës për organizimin, përpunimin, botimin e të gjitha kërkimeve dhe studimeve të nisura që në rini ndaj vendoset në Elbasan, qytet ku jetonin një grup studiuesish të njohur të gjuhës, si Xhuvani, Shuteriqi, Nosi, Floqi etj. Në 1943, zgjidhet anëtar i Institutit Mbretëror të Studimeve Shqiptare, krahas emrave të njohur në botën intelektuale si Nikolla Lako, Hasan Dosti, Viçenco Prendushi, Odhise Paskali, Kristo Kono etj.

Puna më e madhe, më e plotë studimore, mbetet hartimi i 5 fjalorëve, ku më kryesori, ai i gjuhës shqipe, ende i pabotuar, për të cilin punoi që nga viti 1905 e deri në fund të jetës, duke përdorur metodën e krahasimit për çdo fjalë të shqipes me fjalorët më të mëdhenj të botuar në gjuhët greke e frënge. Gjatë 30 viteve punoi për hartimin e fjalorit shqip-frëngjisht, një për orientalizmat, që janë jo të pakta në gjuhën shqipe. Nga 1909 në Aleksandri dhe deri në 1915 në Lozanë, Kolea hartoi fjalorin shqip-greqisht, me 68.963 fjalë, që gjendet si dorëshkrim, një tjetër për shqip-turqisht etj. Studiues me disiplinë të fortë pune, ka lënë fjalorin e botanikës, veç dorëshkrimeve me studime për etnografinë, zbulimin e Butrintit, toponomastikën e Shqipërisë etj. Kontributi i Koleas ka peshën e vet të madhe në zhvillimin e disiplinave shkencore shqiptare, si leksikografi, folkloristikë, shkenca të natyrës etj. Të gjitha në dorëshkrime të shumta, që ndodhen sot në Arkivin e Shtetit në fondin “Kolea”, një nga më të mëdhenjtë, që është përdorur, pse jo, edhe vjedhur, nga shumë studiues. Në vitin 2002, në 90-vjetorin e pavarësisë, Presidenti Alfred Moisiu dekoroi Sotir Kolean me Urdhrin “Naim Frashëri i Artë”. Shpresojmë që së shpejti lexuesit do të mund të marrin të plotë botimin e ri “Proverbat”, që do të financohet nga stërnipërit dhe stërmbesat e patriotit Kolea, sikurse një monografi dhe të gjitha studimet që ai i la dorëshkrime. Është më e pakta që mund të bëhet për të, kur shteti nuk kujtohet më.
Nini Mano/Gazeta Standart

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 06/07/2010. Filed under Patriotët. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.