Kisha e Marmiroit e lënë në mëshirën e fatit

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 3396
Kisha e Marmiroit, të vetmit pelegrinë – barinjtë! Në fund të gadishullit të Karaburunit, aty ku ai bashkohet me luginën e Dukatit, ndodhet një objekt kulti i harruar prej kohësh.
Çdo mëngjes kur dielli ndriçon kreshtën e Shashicës e çdo mbrëmje, kur ai zbret pas në Adriatik, ajo qëndron gjithmonë aty, duke mbretëruar e vetme në heshtjen e saj, që prishet herë pas here nga erërat e vakëta të Adriatikut, Jonit apo Lungarës. Ndërkohë, gjithçka është mbuluar tashmë nga tisi i mjegullës që harresa e kohës e solli edhe këtu. Ndoshta zoti e di ç’ka ndodhur në të vërtetë.

Në fund të gadishullit të Karaburunit aty ku ai bashkohet me luginën e Dukatit ndodhet një objekt kulti i harruar prej kohësh. Ndërtuar mbi majën e një kodrine kisha e Marmiroit duket si një “Kryqëzor” i vogël dhe i gatshëm për të dalë në det. E vetmuar dhe e braktisur, ajo dëshmon traditën e dikurshme kristiane të këtij rajoni. Tashmë kisha nuk pret më vizitorë, besimtarë apo turistë. Të vetmit “pelegrinë” të saj janë veçse barinjtë vendas dhe ndonjë studiues i kujtuar rishtas, qëllimi i të cilit është përfshirja e këtij objekti në ndonjë studim ose guidë.

2.

Kisha është e tipit kryq i lirë me kupolë. Pjesë të saj janë edhe narteksi dhe naosi me tambur cilindrik. Ndoshta kjo kapelë ka shërbyer si model për ndërtimin e kishës së manastirit të Shën Mërisë së Zvërnecit. Megjithatë, ajo përbëhet nga tre hyrje, të cilat i korrespondojnë drejtimeve të veriut, jugut dhe perëndimit. Në anën lindore si në çdo kishë ndodhet absida, e cila ndriçohet nga një dritare e vogël.

Mendohet se ky objekt i përkiste dikur një manastiri të vogël. Kjo tezë mbështetet në gjurmimet dhe studimet shumëvjeçare të Institutit të Monumenteve të Kulturës në Tiranë. Sipas studiuesit Pirro Thomo, karakteristikë e kishave në formë kryqi me kupolë është se ato ndeshen vetëm në manastire. Ndërsa, nga mbikëqyrja e vendit vihet re se muret e narteksit dhe disa të tjera rreth kishës janë në gjendje të rrënuar. Nga to ruhen deri më sot mbeturinat e një oxhaku, një dritareje dhe disa kamare, të cilat menjëherë të krijojnë idenë se ato i përkisnin dikur veçse konakëve të një manastiri. Kisha është e ndërtuar me gurë të papunuar të marrë nga shtrati i përroit aty pranë. Për portat dhe fasadat janë përdorur gurë të punuar, të cilët janë marrë nga rrënojat e Orikut antik, i cili ndodhet vetëm një kilometër në jug të saj.

Midis gurëve janë vendosur me llaç edhe copëra tullash dhe tjegullash, duke e përzier teknikën e ndërtimit. Nuk ka dyshim që kisha është ndërtuar gjatë periudhës bizantine, diku rreth shekullit XII. Në vitin 1971, kur Instituti i Monumenteve të Kulturës e mori nën kujdesin e tij këtë objekt, ai ndodhej në gjendje pothuajse të rrënuar. Nën drejtimin e prof. dr. Aleksandër Meksit, kisha u rindërtua përsëri në formën dhe trajtat fillestare të saj.

3.

E gjithë treva Erikua ose siç është quajtur dikur trekëndëshi Dukat, Tragjas, Radhimë, është një prej rajoneve që mbart në vetvete shumë vlera të karakterit kulturor, historik, etnografik, ekologjik etj. Ndërkohë që në veri të kishës ndodhet baza ushtarake detare e Pashalimanit, laguna me të njëjtin emër dhe rrënojat e Orikut. Oriku antik jetoi nga shekulli VI-të p. K. deri në shekullin II. Ai ishte një qytet që lindi si rrjedhojë e procesit të kolonizimit të madh grek, pasi u themelua në shekullin VI p. K, nga kolonë të ardhur nga Eubea. Me një shtrirje mbi kodrën e vogël të Paleokastrës, ai kishte një pamje të gjerë mbi gjirin e Vlorës. Qyteti arriti një sipërfaqe prej 5 ha, nga e cila arkeologët kanë nxjerrë në dritë disa mure rrethuese, bankinën e një porti, disa ndërtesa një teatër të vogël etj. Burimet kryesore të të ardhurave vinin nga guroret e shumta të Karaburunit, që kontrolloheshin nga polisi i Orikut. Rëndësia e tyre solli rivalitet me polisin e Apolonisë.

Në shekullin II p. K, ndodhi edhe ndeshja finale, ku apoloniatët thyen qytetin amant të Thronit dhe vunë në kontroll Orikun. Për rëndësinë e tij strategjike, ky qytet do të jetë dëshmitar i shumë operacioneve ushtarake, të zhvilluara nga epirotët, maqedonasit dhe romakët. Përmendet si “teatër’’ i luftimeve midis romakëve gjatë luftërave civile, si qyteti i parë që u pushtua nga Cezari. Në shekujt III-IV tërmetet që goditën Adriatikun Lindor, shkatërruan edhe qytetin e Orikut, i cili u rimëkëmb përsëri gjatë Antikitetit të Vonë.

Gjatë Mesjetës ai do të quhet me emrin Jeriko dhe funksionoi si qytet i vogël, i pajisur dhe me një port. Në shekullin XV kur u pushtua nga turqit ai u quajt “Pashaliman” dhe u shndërrua në bazën kryesore të marinës turke në perëndim të perandorisë. Ndërkohë, që disa kilometra më sipër ndodhet Dukati i Ri, i lindur si rezultat i zbritjeve të banorëve nga Dukati i Vjetër. Ky i fundit ndodhet në fund të luginës, aty ku bashkohen malet e Çikës dhe Lungarës. Pikërisht këtu buron një përrua i rrëmbyer, i cili quhet nga vendasit lumi i Dukatit.

Pikërisht në këtë fshat kanë mbetur disa gjurmë krishtërimi, siç është një lagje e tij dhe disa toponime. Të tilla janë Qafa e Kishës, Qafa e Shën Gjergjit, Trapi i Shën Ndreut, Shën Dëllija etj. Këta emra i përkasin disa prej kishave që kishte ky fshat në qendër dhe përreth tij. Këto objekte nuk ekzistojnë më, ndoshta ato janë braktisur ashtu si dhe kisha e Marmiroit, në kohën kur treva në fjalë u islamizua në shumicën e saj, diku gjatë shekujve të fundit të pushtimit turk. Në perëndim vendbanimi më i afërt është Orikumi, një qytet i ri, i cili lindi në vitet 1950, si rezultat i zhvillimeve të Luftës së Ftohtë. Ndërsa më tej ndodhet Tragjasi, i vendosur në shpatin perëndimor të Lungarës.

4.

Ashtu si i gjithë bregdeti i Shqipërisë, edhe bregdeti i Vlorës ka qenë i pasur në të kaluarën me objekte të tilla kulti. Këtë gjë e favorizonin edhe mundësitë që ofronte natyra, me vendet e veçuara, të mbrojtura dhe të përshtatshme për këtë lloj besimi. Këto fakte përforcohen edhe nga dëshmi nga më interesantet:

Kështu, admirali turk i shekullit XVI, Pir Reizi, në veprën e tij “Kitabi Bahriye”, thotë se në ishullin e Sazanit ndodheshin dy kisha rrënojë. Ndërsa Eqrem Bej Vlora dëshmon se në shekullin XVII në Sazan ndodhej një fshat i quajtur Shën Koll. Po kështu edhe Sami Frashëri në veprën e tij “Dheshkronja” thotë se në Sazan ndodheshin tri manastire. Gjithashtu në veriperëndim të Vlorës ndodhet sot manastiri i famshëm i Zvërnecit, që i përket shekullit XII. Ndërsa në Dhërmi disa kilometra në jug të Llogorasë ndodhen disa manastire të tjera, ashtu si dhe disa pjesë të Karaburunit ku mund të kenë jetuar murgj të veçuar. Ata mbajnë emra të tillë si: Kepi i Shën Vasilit, Maja e Shën Ilisë etj.

Është e çuditshme se kjo kishë sot nuk e ruan emrin e saj të dikurshëm. Sipas traditës kristiane, çdo objekt kulti ka emrin e tij, i cili është marrë nga panteoni i emrave të apostujve, Maries, shenjtorëve dhe martirëve kristianë. Këtë gjë e konstatoi studiuesi austriak Karl Paç, i cili e vizitoi kishën në vitin 1902. Profesori vjenez vuri re se ajo nuk ishte në gjendje të mirë dhe se kleri e kishte braktisur prej kohësh. Por më e çuditshme ishte fakti se vendasit e quanin kisha e Marmiroit, ndoshta “kisha e bardhë” që në latinisht (marmoreus) do të thotë i mermertë, d.m.th. i bardhë si mermeri, për shkak të ngjyrës së gurëve me të cilët është ndërtuar ajo. Rrethanat e origjinës së këtij emri janë të paqarta. Megjithatë, duhet të themi se përreth këtij objekti ndeshim midis toponimeve të ndryshme edhe nga ato të grupit latin, si: Dukat (latinisht duco-ngre-çoj, d.m.th. i ngritur, vend i lartë); si dhe Orikum, Ravenë (pllaja e Ravenës në Karaburun), Raguzë etj.

Ndërkohë, e dhëna më e vjetër që dëshmon ekzistencën e kishës së Marmiroit është diploma e perandorit bizantin Androniku II Paleolog, e cila i dhurohet peshkopatës së Kaninës në vitin 1307. Në këtë diplomë përmendet edhe toponimi Marmiro, pranë të cilit ndodhen edhe disa kripore.

5.

Po t’u “hedhësh një sy” manastireve ortodokse në Shqipërinë jugperëndimore, vë re se pjesa mbizotëruese e tyre mban emrin e Marias, nënës së Jezusit. Këtë gjë e shohim tek manastiret e Ardenicës në Lushnjë, Apolonisë në Fier, manastirin rrënojë të Ballshit, manastirin e Zvërnecit, atë të Dhërmiut etj. Edhe kisha më e madhe në kalanë e Kaninës mbante po këtë emër. Të ndodhur në këto kushte mund të hedhim hipotezën se edhe kisha e këtij manastiri ka mbajtur emrin e Maries, ashtu si shumica e simotrave të saj, përgjatë bregdetit nga Shkumbini në Himarë. Ndërkohë që në traditën kristiane, Maria është mbrojtësja e bujqësisë, e cila ushtrohej pikërisht në këtë fushë ngjitur me të cilën u ndërtua dikur edhe ky manastir. E vetmuar dhe e rrethuar nga të gjitha anët nga uji, kisha qëndron në heshtjen e saj shekullore, si dëshmitare e ngjarjeve të shkuara. Burimi i ujit aty pranë e ka qarkuar tashmë atë, duke harlisur një bimësi të dendur që të pengon për ta vizituar. Vetëm në stinën e nxehtë, kur niveli i ujit bie, mund të hysh në kishë. Burimi ujëftohtë, pasi formon një përrua, derdhet disa metra poshtë në lagunën e Dukatit. Ndoshta jo pa qëllim, Jireçek theksoi se emri i saj i vërtetë është kisha e “Burimit jetëdhënës”.

Ciceronë shtesë

Në qendrat e rëndësishme turistike, që janë trashëgimi kulturore, do të shtohet numri i ciceronëve. Për ta dhënë këtë lajm, dje, në Ministrinë e Kulturës është bërë një mbledhje e të gjitha strukturave të linjave në rrethe për trashëgiminë kulturore dhe turizmin. Drejtoria e Buxhetit në MTKRS ka planifikuar pagesën e ciceronëve shtesë për qytetin e Durrësit, Shkodrës, Beratit, Apolonisë, Krujës dhe Gjirokastrës. Mbledhjen e ka drejtuar ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferaj, i cili është shprehur se nuk do të lejojë asnjë neglizhim nga ana profesionale si dhe kërkoi orare të zgjatura për këtë periudhë ku ka fluks turistësh. Ndër të tjera ministri Xhaferaj tha se neglizhimi i punës do të ketë pasoja deri në largimin nga puna të punonjësve që nuk angazhohen siç u kërkohet, shërbimi ndaj turistëve dhe pastërtia në monumentet e kulturës janë angazhimet primare që ka secila drejtori. Me parashikimin e buxhetit për ciceronët shtesë pranë monumenteve kulturore shtohet dhe interesi ndaj turistëve për të mësuar sa më shumë për trashëgiminë kulturore që ofron Shqipëria. Të preferuarit për punësim si ciceronë do të jenë ata që kanë punuar edhe më parë në këto monumente po me këtë detyrë.
Ilirian Gjika/Gazeta Standart

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 06/07/2010. Filed under Kultura. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

One Response to Kisha e Marmiroit e lënë në mëshirën e fatit

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.