Festivali i GJinokastres dhe shemtuesit e kostumit Kombetare Shqiptar

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 2342
Kalaja e GjinokastresPjesa e III.
Boll me përralla!

Edhe këte sahat që shihni naltë në Kala, e keni zhgulë në Kishat Katolike të Shkodres!

Ditë e natë u mendue vetem si me e shkatrrue, plaçkitë e me e qitë faret qytetin e Shkodres!

Po, edhe Rozafa… vazhdonte punen e Saj: “Me u mëkue disa Burrave me qumështin e vet, ata tipare të pavdekshme të Trojeve Ilire, që ruente thellë nder temelet e gurt’ e Saj historikë!

Kostumi kombtar i Shkodres, trashigohej dhe ruhej si rrelike nder shtëpijat tona!

Nëse nuk perdorej… Ai shihej në të gjitha dhomat e pritjes së shtëpijave të vjetra, kjoftë edhe nder fotografi që vareshin në krye të vendit. Stergjyshët tanë vazhdonin me na nderue edhe ne!

Arkat e vjetra të grave ishin të kudondodhuna me thesaret e Etnografisë sonë kombtare.

Kostumi kombtar shkodranë i grave shihej nder disa raste i veshun nga gjyshja ime Ninja e Pjeter Prennushit, Lezja, nana e Gasper Ugashit, Maria e Gjon Mark Shllakut Rusit, Zina e Kolë Dajës, Ninja e Kolë Gurashit, Shaqia e Shan Tarrnakut, Silja e Zef Krajës, Katrina e Gjelosh Shalës, Roza Krroqi e ndonjë grue që koha më ka shlye emnat e tyne. Ndersa, gratë kosovare që kanë jetue në Shkoder, binin në sy per veshjen e tyne kombtare dhe shumë të bukur tue fillue prej të shoqes Zef Batalakut, Luigj Shalës, Mati Thaçit, Pashko Berishës, Tade Shirokës etj…

Kostumi i grave shkodrane e tham pa pikë dyshimi se asht i papersëritshëm edhe nder vendet tjera të qytetnueme. Bukuria e tij tregonte kulturen shekullore që trashigohej nder breza…

Ishte i vetmi kostum kombtar i mbetun në një qytet Martirë, në Shkoder; mbasi nder qytetet tjera të Shqipnisë veshjet e tyne kombtare ishin “asimilue” nga turqit, sllavët dhe grekët… Prandej, dhe ai duhej perçudnue mbas viteve 1967, ashtusi, mendohej me e shpartallue edhe Shkodren!

Këte fakt e verteton “Festivali Folklorik i Gjirokastres”…

 

Fara e qytetnimit Europjan në Shkoder nuk shqimet kurrë!

Nga familja shumë e vjeter Kamsi njoha në vitin 1978, në moshen 84 vjeçare Burrin e dijtun e trim, mikun e Luigj Gurakuqit, Gjon Kamsin. Një ditë më dha një leter që i kishte shkrue Kryetarit të Institutit Folklorit në Tiranë, shokut Profesor Zihni Sako… Sigurisht, me shpresë se ajo leter, do të shkojë në zyret dhe tavolinat e të gjithë atyne “profesorëve” (ose edhe ma naltë), që mendonin dhe punonin pa pushue me turpnue veshjen e Grave Shkodrane.

I kerkova leje me e kopjue! Ai më dha atë të drejtë, tue shtue që “mbasi t’a lexoj, me i dhanë pershtypjen time per permbajtjen e saj!”

Unë do të botoj letren e plotë, pergjegjen e sh. Zihni Sako, dhe pershtypjen time t’ atëhershme:

 

“Shokut Profesor Zihni Sako, Drejtuer i Institutit të Folklorit Tiranë.

Shkoder, me 30 Tetuer 1978.

Në Festivalin folklorik të Gjinokastres i zhvilluem sivjet, më ka ra në sy paraqitja e grues shkodrane, e kerkueme, si thonë, në veshjen e saj, pa brenavekë fill në këmishë e tlina.

Nji paraqitje e tillë e kerkueme nuk dihet perse e me ç’ qellim folklorik ka pasë jo pa arsye, nji gjykim të randë nga ata qi kanë ndodhë ta shofin qysh në çfaqjen e parë, qi asht dhanë në nisjen e grupit folklorik të Shkodres per Gjinokaster.

E asht per atë arsye e të botës së pranishme, vendase e të huej në atë çfaqje festivali, qi po due të theksoj gabimin e randë të ndryshimit të veshjes së grues shkodrane, nga me brenavekë në atë me këmishë e tlina me bohçe perpara. Ndryshim qi nuk difton asgja të mirë folklorike e estetike.

Brenaveku nuk asht ashtu si mendohet nji veshje e thjeshtë me kinda por nji veshje mëndafshi të zi a vjollcë, me kambësa gajtani të kuq e qendisje mbi cohë të kuqe, lulesh me tehri të zezë, qi mërrijnë te pulpat e kambës dhe me të perparme, aty ku lidhet në bel me ushkur, nji ermaç të madh në trajtë zemre, edhe ky i qendisun po ashtu mbi cohë të kuqe me tehrina të zeza. Per rreth belit, mbi brenavekë, ka brezin e mëndafshit shumë ngjyrash.

Mandej, brenaveku nuk veshet  fill mbas tlinave të ndjeshuna trupit, por mbi të bardhë me kinda, per nji dukje  ma të hieshme të brenavekëve mbi trup.

Prandej, brenaveku në punimin e veshjen ndjekë nji kujdes të posaçem të terzis per kambëzat e ermaçin, dhe të grues.

Grueja shkodrane nisë veshjen fillim e mbarim kështu:

  1. Ma parë, njiheri me tlinat, nji fanelë të hollë me mangë, e bardhë ose e drandofilltë, të veshuna per mish: Fanela e gershetueme në qafë me nji kordelë, qi lidhet në gushë në trajtën e nji flutres.
  2. Të bardhat pambuku me kinda me këmishen harkat siper fanelës, me qafë e me grykë, e punueme me gjylpanë.
  3. Jeleku mëndafshi me lule, merthehet në bel me fodulla të qendisuna me ar e lagjyhera, me komçe të punueme nga argjentarët;
  4. Brenavekët me brez të mëndafshit si u tha ma naltë;

dh. Mbi krye me flokët të lidhuna bishtalec, ven sallmanin të qendisun me tertil e lagjyhera e           inxhi, i merthyem mbi krye me nji lidhcë të gjanë, të qendisun gjithashtu;

ë.   Sipri sallmanit degermia e qendisun me lule, fije mëndafshi të bardhe e diku nëpërte edhe fije ari, e cila, merthehet mbi krye rreth lidhcës së sallmanit dhe bije krahëve mbi xhybe.

e.   Xhybja – pa mangë, e punueme me cohë të kuqe dhe e qendisun me leheri të zezë, me lule e pikla të kuqe. Asht e punueme e artit të terziut edhe në premjen e saj, dhe sa e ndjeshun per shpinë aq e gjanë mbi brenavekë dhe, në hapjen e saj kah parzma asht e stolisun me sumulla vezake mëndafshi, të zeza me majuca të kuq o të mëndafshta t’ arta.

f.   Kambët me çorapë të shkurtë të pambukët a të leshtë, të bardhë simbas stinës, mbështetë mbi pashmangë me shtrijë të qendisunen e artë, si gjithashtu, siprina e gishtave qi maron në majuca o me stivaleti lustrafini të vizatuem e të merthyem anash me sumbulla xhixhë.

g.  Marama tisi të bardhë, e hollë dhe e gjatë deri në gju, aty kah fundi ka nji shirit të qendisun me fije mëndafshi ngjyrë të kuqe dhe në mes ari, dhe vihet kur grueja del me shetitë. Ajo mbëlon me nji shestini rreth fëtyrës, me krahët, krejtë të perparmen e trupit.

gj.  Japanxha në të kuq të kjartë cohe, pa mangë, mbëlon trupin deri në gjuj dhe ka nji jakë permbrapa që hidhet mbi krye dhe lidhet nen mjekerr me nji fije tertili të artë. E perparmja e hapun asht e qendisun në dy anët e kapakëve me lule të mëndafshta ngjyrë të verdhë, të kuqe e të qielltë, dhe ka në dy anët e supeve xhufka të mëdhaja me po ato ngjyra, të cilat derdhen mbi krahë.

l.   Parzma ka per stoli gushoren (gjerdan a kolanë) dhe varsen per dupa, sinxhirin e sahatit me kapakë ari, në veshë ka vathët e vjerruna, në gishta të dorës unazat me gurë dhe, në kyq të dorës bylyzykët. Gjithë stolia xhevahiresh të argjentarëve zanatçi shkodranë.”…
Vazhdon tek Pjesa e IV
Fritz Radovani/Proletari.Com
Melbourne, 2014.

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 29/08/2014. Filed under Kultura. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.