“Në diktaturë, grada shkencore për punonjës me fillore”

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 2137
Zydi Dervishi - Neper degezime te kultures shqiptareNjë studim sociologjik mbi psikokulturën e shqiptarëve.

Propozimi i ministrive: Titujt të shtrihen edhe në sferën e punonjësve të prodhimit”

“Janë shoshitur mijëra e mijëra fakte, të dukshme dhe të padukshme, nga jeta e përditshme e shqiptarëve në rrjedhën e disa viteve, dhjetëvjeçarëve e shekujve, që dëshmojnë disa prirje kryesore vetëzhvilluese të kulturës shqiptare, si mungesa e ndjenjës së hierarkisë, mungesa e ndjenjës së realitetit, prirja konservative etj.”. Për vite me radhë, sociologu prof.dr.Zyhdi Dervishi ka qenë një vrojtues i kujdesshëm i gjithçkaje që ndodh përreth në shoqërinë shqiptare, por edhe një mbledhës i duruar i çdo detaji, që formon pemën e kulturës shqiptare. Në fakt, vepra e tij më e fundit studimore, “Trajtesë sociologjike e disa profileve të modelimit psikokulturor të shqiptarëve”, titullohet pikërisht “Nëpër degëzime të kulturës shqiptare”. Një vepër voluminoze që jo vetëm hedh dritë mbi disa procese që kanë ndodhur gjatë historisë në Shqipëri, por na ndihmon edhe të njohim vetveten. Një nga këto elemente është edhe ndjenja e hierarkisë dhe dëmtimi i saj gjatë viteve të diktaturës. Më qartë për këtë flasin dokumentet e kohës, që Dervishi na i sjell në librin e ri. Mënyrat se si merreshin gradat shkencore. Marrëzia për të pajisur me të tilla edhe punonjës me klasë fillore apo shtatëvjeçare dhe përfshirja e tyre në Akademinë e Shkencave.

Diskutime masive: punonjës me tituj e grada shkencore edhe pa arsimin e mesëm dhe punëtorë me status akademikuNë vitin 1968, sipas një udhëzimi të Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore të Shqipërisë, u organizua një diskutim i gjerë për format e organizimit të punës kërkimore-shkencore, eksperimentale dhe për gradat e titujt shkencorë. Përcollën me shkrim në zyrën përkatëse të Këshillit të Ministrave rezultatet e diskutimeve mendimet e propozimet e tyre Ministria e Industrisë, Ministria e Bujqësisë, Ministria e Tregtisë, Ministria e Transportit, Ministria e Arsimit, Ministria e Komunikacionit, etj. Në këto diskutime vihet re një kuptim fare i thjeshtëzuar për punën kërkimore-shkencore, për shkencën dhe shkencëtarët e vërtetë.
Në diskutime të tilla mbizotëron ideja se edhe njerëzit që dallohen për shkathtësi praktike në zgjidhjen e problemeve të thjeshta të organizimit e prodhimit në fushën e bujqësisë, të industrisë etj., të trajtohen si punonjës shkencorë, të cilët meritojnë edhe grada e tituj shkencorë sikurse pedagogët e shkollave të larta dhe punonjësit kërkimorë të instituteve shkencorë. Në shkresën përkatëse të Ministrisë së Bujqësisë për këtë çështje, pasi kritikohet praktika e dhënies së gradave dhe titujve shkencorë vetëm për specialistët me arsim të lartë që punojnë si pedagogë në shkollat e larta dhe studiues në institucionet kërkimore-shkencore, theksohet: “Me eksperimentimin shkencor masiv që ka shpërthyer në kooperativat bujqësore dhe në ndërmarrjet e bujqësisë kanë dalë ekperimentatorë të talentuar, eksperimentet e të cilëve jo vetëm kanë vlerë eksperimentale, por e kanë çuar dhe e çojnë përpara prodhimin. Këta eksperimentatorë nuk janë vetëm specialistë të lartë, por edhe të mesme, mjeshtër, brigadierë dhe shumica e tyre janë punonjës të thjeshtë. Prandaj dhënia e titujve shkencorë duhet të shtrihet edhe në sferën e punonjësve të prodhimit. Në radhë të parë njerëzve të prodhimit u duhet dhënë titulli “Bashkëpunëtor tekniko-shkencor”. Dhënia e këtij titulli të jetë në bazë të punës kërkimore që ai ka bërë, në bazë të referimeve që ai ka bërë për disa vjet në sesionet shkencore… eksperimentatorëve më të talentuar të prodhimit t’u jepen edhe titujt “Bashkëpunëtor shkencor i ri”, “Bashkëpunëtor shkencor i vjetër” e me radhë, pa bërë asnjë dallim nga dhënia e titujve të instituteve kërkimore ose të institucioneve të tjerë” (AQSH, F.890, v.1968)
Sipas këtij dokumenti, titulli “Bashkëpunëtor i vjetër shkencor”, që u akordohej punonjësve të instituteve kërkimore-shkencore dhe ishte i barasvlershëm me titullin “Docent” që u akordohej edhe punonjësve me arsim fillor ose shtatëvjeçar, të cilët në sajë të intuitës e të shkathtësive praktike kishin zgjidhur probleme të thjeshta të prodhimit dhe sidomos të organizimit të prodhimit, që kishin të bënin me veçori në zona të caktuara të vendit. Mendësi të tilla të zyrtarizuara në shumë dokumente të atyre viteve, në thelb shprehnin nënvleftësim, shpërfillje të hierarkisë në fushën e shkencës, sepse njerëzit e shquar për veprimtari praktike, që nuk kishin lidhje me kërkimin shkencor të mirëfilltë trajtoheshin si shkencëtarë.

* * *
Përgjatë viteve të të ashtuquajturit Revolucion i Madh Proletar Kinez dhe sidomos pas ndërprerjes (1978) së marrëdhënieve me Republikën Popullore të Kinës, në shoqërinë shqiptare artikulohej gjithnjë e më dendur termi “kinezëri”. Me këtë term karakterizoheshin me humor, me ironi e deri në sarkazëm modele sjelljeje, veprime e mendësi vulgare, të çuditshme, ekscentrike deri në absurd, që nuk kishin asgjë të përbashkët me traditat kulturore shqiptare dhe europiane. Në fushën e veprimtarisë kërkimore shkencore u shfaqën dukuri të kësaj natyre që tejkalonin çdo kinezëri, sidomos në vitet e ashpërsimit të luftës së klasave “kundër ideologjisë borgjeze e revizioniste”. Të tillë kanë qenë edhe vitet 1973-1981. Për të ilustruar këtë ide, mjafton t’i referohemi një raporti “Mbi punën e kryer nga grupi i posaçëm për luftën kundër burokratizimit” në sistemin e Akademisë së Shkencave, të hartuar në gjysmën e parë të vitit 1975. Pasi  flitet për pakësimin e numrit të punonjësve me 19,2% (nga 715 në 578), për shtimin e numrit dhe të peshës specifike të punonjësve shkencorë që do të qarkullonin, në këtë raport theksohet domosdoshmëria e përçimit të frymës revolucionare të klasës punëtore ndër punonjësit e Akademisë së Shkencave edhe përmes përfshirjes së punëtorëve në strukturat drejtuese të saj të të gjitha niveleve: “Grupi i punës mendon që në forumet drejtuese të Akademisë të ketë edhe punëtorë të ardhur direkt nga prodhimi. Kështu mendohet që në përbërjen e Asamblesë, përveç anëtarëve edhe anëtareve korrespondentë të Akademisë, të bëjnë pjesë me të drejtë të plotë vote edhe një numër i caktuar punëtorësh të prodhimit. Disa prej tyre mendohet të zgjidhen si anëtarë të Presidiumit. Në seksione të zgjerohet pjesëmarrja e punëtorëve dhe, si këta, ashtu edhe anëtarët e tjerë të jashtëm të kenë të drejtë të plotë vote. Në aparatin e Akademisë duhet të ketë punëtorë. Kryesia dhe organizatat bazë të Partisë kanë propozuar që drejtori i Drejtorisë Ekonomike, Kryetari i Degës së Kuadrit dhe ekonomisti për furnizim të zëvendësohen me punëtorë. Mendohet që në institutet shkencore të ketë punëtorë, sidomos në organizmat administrative” (AQSH, F. 1008, v. 1975, D. 55, f. 47-48).

* * *
Grupet e posaçme që hartonin raporte të tilla, përbëheshin nga punëtorë dhe anëtarë të Partisë së Punës që punonin drejtpërdrejt në prodhim, nga punonjës të aparateve të komiteteve të Partisë së Punës që mbulonin veprimtarinë kërkimore-shkencore, nga punonjës shkencorë etj. Këto kategori punonjësish dalloheshin për frymë vulgariteti dhe ekstremizëm të majtë në trajtimin edhe të çështjeve të shkencës. Veçanërisht në klimën e ashpërsimit të luftës së klasave rritej shumë fuqia imponuese, shkatërrimtare e grupeve të tilla mikse, të posaçme.
Hartuesit e raportit në shqyrtim nuk arritën të përfshijnë në përbërjen e Asamblesë së Akademisë së Shkencave edhe punëtorë të prodhimit (të cilët do të kishin të drejtë të diskutonin dhe të votonin për çështje mjaft delikate e të ndërlikuara të shkencës, sikurse 20 akademikët më të shquar shqiptarë të atyre viteve, si Eqrem Çabej, Aleks Buda, Petrit Radovicka etj.), pra përballë sfidave të rënda të kërkimit nuk arritën të imponojnë barazinë ndërmjet akademikëve të shquar dhe punëtorëve të prodhimit. Për situata të tilla, mendimtari cinik Friedrich Nietzsche ka shkruar “Rrjedhoja e tmerrshme e ‘barazisë’ është se çdo njeri në fund beson se ka të drejtë të merret me çfarëdolloj problemi. Atëherë ka humbur çdo lloj hierarkie”.
Ndonëse nuk arritën ta shpërbëjnë tërësisht hierarkinë në fushë të shkencave në shoqërinë shqiptare përgjatë periudhës së regjimit socialist totalitar, propozimet e grupit të posaçëm të punës, të sipëranalizuara, i përdhosën ndoshta më shumë se në çdo vend tjetër të botës mendësitë hierarkike në veprimtarinë kërkimore, mendësitë hierarkike në veprimtarinë kërkimore, aty ku janë më të nevojshme, më motivuese.
Zyhdi Dervish/Panorama

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 12/12/2013. Filed under Diktatura komuniste. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

2 Responses to “Në diktaturë, grada shkencore për punonjës me fillore”

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.