Fejesa me motrën e vogël të Zogut, Princeshën Maxhide, sekreti më i madh i Enver Hoxhës, dhe eliminimi i Mehmet Shehut

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 6526
Kur në 1974 Enver Hoxhës i erdhi në dorë poema e Dritëro Agollit, “Nënë Shqipëri”, para se ajo të botohej, ai për habinë e madhe të Nexhmije Hoxhës, bëri vetëm një vërejtje, në strofën e mëposhtme: “Në Pallat në Tiranë të motrat e Zogut qeshnin me djem/Dhe zbutnin turinjtë me krem parizian ‘Margerit’/ Niseshin në botë princesha Maxhide, princesha Myzejen,/malli i digjte të shihnin Paris, Vjenë, Uall-Strit”.

Enver Hoxha kishte prishur me laps të kuq emrin e Princeshës Maxhide dhe në vend të saj ishte shënuar emri i një motre tjetër të Zogut, Princeshës Sanije. Kështu, strofa e mësipërme u botua kështu:“Në Pallat në Tiranë të motrat e Zogut qeshnin me djem/Dhe zbutnin turinjtë me krem parizian ‘Margerit’/ Niseshin në botë princesha Sanie, princesha Myzejen,/malli i digjte të shihnin Paris, Vjenë, Uall-Strit”.

(Dritëro Agolli, “Nënë Shqipëri”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1975, f. 38) Sipas të gjitha të dhënave të disponueshme, Dritëro Agollit nuk iu dha asnjë shpjegim për ndryshimin dhe ai nuk u bë kureshtar që të pyeste. Ndoshta kjo është arsyeja që është ende gjallë edhe sot. Dritëro Agolli nuk ka folur kurrherë për këtë detaj, duke mos i kushtuar rëndësi, dhe mbase tashmë në pleqërinë e thellë e ka harruar krejt atë. Por, pa e kuptuar, Dritëro Agolli i ishte qasur sekretit më të madh të jetës së Enver Hoxhës, atij sekreti të cilin e dinin shumë pak njerëz, nga të cilët, në 1974, pothuajse asnjëri nuk ishte më gjallë. Së paku, në Shqipëri, asnjë nga të paktët që e kishin ditur, nuk ishte më gjallë. Enver Hoxha kishte qenë i fejuar me motrën e vogël të Zogut, Princeshën Maxhide dhe fejesa ishte parashikuar që të shpallej në pranverën e vitit 1939.Kur u martua Zogu në 1938, gjëja që bëri përshtypje të keqe në krejt shoqërinë shqiptare, pavarësisht nga përkatësitë religjioze, ishte fakti se Mbreti u martua para se të kishte martuar katër motrat e tij të mbetura ende beqare. Në familjet shqiptare, pavarësisht nëse ishin të krishtera apo muslimane, toske apo gege, malësore apo fushore, kishte një traditë të hekurt që nuk shkelej: Vëllai i cili kishte motra, të cilat e kishin arritur dhe po u kalonte mosha për martesë, nuk mund të martohej vetë para se t’ i martonte ato. Motrat u bënë pika e dobët e Zogut, ku e sulmonin hidhur kundërshtarët e tij, brenga e tij e madhe. Ai kishte gjashtë motra, të cilat kur ai u shpall mbret, u bënë zyrtarisht princesha dhe filluan të jenë pjesëmarrëse në ceremonitë zyrtare. Nga gjashtë motrat e Zogut, vetëm dy ishin martuar para se ai të bëhej mbret. E para u martua motra e dytë në radhë, Nafija, në kohën që Zogu ishte Ministër i Punëve të Brendshme, në 1922.

Nafija, për të cilën zyrtarisht thuhej se kishte lindur në 1900, por që pas të gjitha gjasave kishte lindur në 1896, u martua me Hysen bej Kryeziun, i njohur si Cena Begu (1895-1927). Kjo martesë ishte më tepër një aleancë politike që i duhej Zogut për të pasur një mbështetje në Prefekturën e Kosovës (ato treva që sot janë Kukës, Has, Tropojë). Kapërcimin e radhës së motrave në martesë, ashtu që nuk u martua motra e madhe para së dytës, shoqëria thellësisht tradicionale shqiptare e kohës, ia quajti një faj i madh Zogut, i cili ishte vëllai i vetëm në familje dhe si i tillë kishte detyrim që të respektonte traditën duke i martuar motrat, sipas radhës. Ky ishte një lëndim i madh për një familje si e Zogut, i cili kërkonte që të kishte mbështetjen e krerëve fisnorë, që i vinin re shumë këto gjëra. Motra e madhe, e cila zyrtarisht kishte lindur në 1894, në fakt, pas të gjitha gjasave duhet të ishte e vitit 1892. Ajo ishte 28-30 vjeç kur u martua motra pasardhëse. Prandaj, Zogu, me t’ u rikthyer në pushtet në 1925, si President i Republikës, shpejtoi që të martonte motrën e madhe, Adilen, po atë vit. Dhëndrri, Emin Bej Agolli- Doshishti (1890-1988), nga Dibra, nuk ishte ndonjë gjetje e lakmuar për motrën e zotit të Shqipërisë, por kjo ishte si të thuash një martesë emergjente.Gjatë njëmbëdhjetë viteve që Zogu do të ishte mbret (1928-1939), ai arriti që të martonte vetëm njërën nga katër motrat që i kishte të pamartuara. Kundërshtarët e tij e shigjetonin me fjalë sarkastike duke thënë se: “Tani që e shpalli veten mbret, nuk gjen dot as burra për motrat e tij, që i ka shpallur zyrtarisht princesha!” Në fakt, të gjitha përpjekjet e Zogut për t’ i martuar motrat e tij me aristokratë, qoftë edhe të varfëruar europianë, dështuan.

Nëna e Zogut, e quajtur Nana Mbretneshë, vdiq në 1934 me brengën e madhe se la pas katër vajza të pamartuara, dhe i la amanet të birit që t’ i martonte motrat. Kjo porosi e nënës në shtratin e vdekjes u përfol në Shqipëri dhe jashtë saj. Edhe në kushtet e regjimit despotik të Zogut, njerëzit gjenin mënyrën që të ironizonin kinse duke u shtirur se po tregonin devocion ndaj Nanës Mbretneshë. Ata thoshin fjalë të tilla si: “Ah sikur të kishte jetuar dhe pak dhe t’ i shikonte vajzat dhe djalin të martuar!” Nuk thoshin djalin dhe vajzat, çka nuk ishte thjesht një respektim i traditës por edhe një qortim dhe shpotitje e fshehtë për Zogun dhe familjen e tij.Prandaj, Zogu, për t’ u dhënë fund këtyre shpotitjeve të fshehta dhe për të treguar se filloi që ta zbatonte porosinë e nënës, një vit pas vdekjes së saj, në 1935, gjeti për motrën e tretë, Princeshën Sanije, një burrë që e mendonte se i përshtatej rangut mbretëror që supozohej të kishte tashmë familja Zogu. Dhëndrri ishte Dauatlu Najabatlu Shahzade Sulltan, Mehmet Abid Efendi (1905-1973), djali i tetë i Sulltan Abdyl Hamidit, nga gruaja e trembëdhjetë. I mbetur pa asnjë të ardhur rrugëve të Europës, djali i sulltanit pranoi ofertën për t’ u martuar me “princeshën” shqiptare, me kushtin që t’ i paguhej jetesa në Paris. Nusja, ishte katër vjet më e madhe se dhëndrri, ndonëse, paturpësisht, në certifikatën e martesës thuhej se ajo kishte lindur në 1910, kur dihej se në këtë kohë i ati i saj, Xhemali (i ati i Ahmet Zogut) tashmë kishte vdekur, i vrarë prej vitesh, që në 1904. Pas dasmës që u bë me bujë në Tiranë, në janar 1936, çifti shkoi të jetonte në Paris, ku Mehmet Abid u bë i ngarkuari me punë i Shqipërisë në Francë. Djali i Sulltanit do ta divorconte “nusen e dimrit”, siç e quajtën me ironi Sanijen në kohën e martesës, në vitin 1951, kur ish-Mbreti Zog i ndërpreu pagesën mujore që i jepte, pasiqë nuk e përballonte dot më.Por, për tre motrat e tjera që i kishin mbetur pa martuar, Zogu nuk arriti që të gjente dot asnjë dhëndërr të ngjashëm me djalin e sulltanit. Problemi i martesës së tre motrave u bë shumë serioz pas martesës së vetë Mbretit Zog në prill 1938.

Tashmë Zogu lëndohej shumë ngase fakti që kishte tre motra në moshë të madhe, të pamartuara, bënte që të vihej në dyshim dhe rangu i martesës së tij. Zogut i vinin komentet sarkastike të kundërshtarëve të tij që thoshin se: “Ai që nuk gjen dot burra për tre motrat e tij, kërkon të na bindë se ka gjetur një aristokrate hungareze për nuse!” Kur në Tiranë u ribotua shkrimi i një gazete hungareze që e quante Geraldinën, gruan e Zogut, si “Trëndafili i Bardhë i Budapestit”, u bënë komente dashakeqe duke i quajtur tre motrat e pamartuara të Zogut si Trëndafilat e Zinj të Tiranës. Në vitin 1938, kur u martua Zogu, tre motrat e pamartuara të Zogut e kishin arritur dhe po e kalonin moshën për martesë, të përcaktuar sipas limitit zakonor shqiptar.Princesha Myzejen ishte zyrtarisht 29 vjeç, kur në fakt ajo ishte 36 vjeç. Paturpësisht asaj i ishte shënuar si vit i lindjes ai 1909, pra së paku pesë vite pas vdekjes së të atit. Princesha Rukije ishte zyrtarisht 28 vjeç, kur në fakt ishte 35. Paturpësisht asaj i ishte shënuar si vit i lindjes, 1910, pra gjashtë vite pas vdekjes së të atit, kur në fakt ajo kishte lindur në 1903. Princesha Maxhide, më e vogla, zyrtarisht ishte 26 vjeç, kur në fakt ishte 34. Paturpësisht asaj i ishte shënuar si vit i lindjes, 1911, pra shtatë vite pas vdekjes së të atit. Në vjeshtën e vitit 1938, Zogu e kuptoi se martesa e motrave ishte bërë një domosdoshmëri. Për të gjetur dhëndurë të huaj, të njëfarë rangu aristokratik, as që bëhej më fjalë. Atëherë Zogu i thirri të tre motrat në një bisedë përfundimtare për çështjen e martesës së tyre. Me këtë rast plasi një sherr i madh se dy motrat më të rritura e akuzonin vëllain mbret se ai nuk donte që të paguante aq sa duhej që ato të bënin një martesë të denjë, çka i largonte kandidatët dinjitozë, dhe i kujtuan se kishin kaluar katër vite qëkurse kishte vdekur nëna dhe ai nuk e kishte mbajtur amanetin e saj.

Zogu, i lodhur, u dha në trajtë ultimatumi dy alternativa, ose t’ i sillnin brenda fundit të vitit 1938 emrat e atyre meshkujve shqiptarë, me të cilët donin që të martoheshin, ose pastaj do t’ i nënshtroheshin vullnetit të tij, për t’ u martuar me burrat që do të përzgjidhte ai, brenda vitit 1939.Vetëm më e vogla ndër motrat, dhe ajo më e bukura, Princesha Maxhide, i dha vëllait një emër, pak kohë më pas, emrin e Enver Hoxhës. Princesha Maxhide ishte Presidente e Asosacionit Shqiptar të Turizmit, dhe në këtë cilësi kishte pasur rastin që të kishte leterkëmbim me Enver Hoxhën, kur ky kishte qenë sekretar i konsullatës shqiptare në Belgjikë, në vitet 1935-1936. Asosacioni Shqiptar i Turizmit mbante korrespondencë me përfaqësitë diplomatike shqiptare në botë, të cilave u dërgonte atë literaturë të pakët që botonte për turizmin në Shqipëri. Enver Hoxha, si njeri që zotëronte artin e manipulimit të njerëzve, e shfrytëzoi rastin për ta bërë për vete Princeshën. Kështu, gjatë një ardhjeje në Shqipëri, në kohën që ishte diplomat në Belgjikë (për këtë ardhje flet edhe në kujtimet e veta, pa dhënë detaje). Enver Hoxha u paraqit në zyrat e Asosacionit Shqiptar të Turizmit, kinse donte që të bisedonte për promovimin e turizmit shqiptar në Belgjikë dhe Holandë, vende të cilat i mbulonte ai. Enver Hoxha 27-28 vjeçar, shtatlartë dhe i bukur, bëri gjithçka për ta joshur gruan e ndrojtur, e cila atëherë ishte 31-32 vjeç.Sipas të dhënave, që gjenden në ditarin e pabotuar të Princeshës, Enver Hoxha u soll si një “Kazanovë” i sofistikuar, duke e lajkatuar me shumë takt princeshën, në fillim për intelektin, dhe pastaj për pamjen. Ai në fillim i bëri komplimente për frëngjishten e saj pariziane. Princesha Maxhide, e cila mbahej shumë krenare për frëngjishten që fliste (ajo kishte studiuar në Liceun “Qiriazi” në Tiranë si dhe kishte marrë mësime në Zvicër dhe Francë) u kënaq nga komplimenti. Pastaj Enver Hoxha, nxorri një foto të saj, me uniformën e koloneles, nga ato që shiteshin në treg, dhe i kërkoi një autograf, duke i thënë se e donte për tryezën e zyrës së tij. Ai shtoi se natyrisht që fotoja e Naltmnadhnisë ishte në murin e zyrës së tij, por tryeza nuk ishte foto, një aluzion i hollë ky. Princesha, pasiqë e firmoi foton, i tha, ndoshta për t’ u treguar sjellshme, ndoshta duke flirtuar pak, se ajo kishte dashur që t’ i jepte vetë një foto të tillë. Gjithsesi, kjo ishte brenda limiteve të sjelljes korrekte, se në atë foto ajo ishte foto zyrtare dhe princeshat e kishin zakon që sipas shembullit të vëllait mbretit të shpërndanin me autograf fotot ku kishin dalë të veshura me uniformë ushtarake.

Përtej limiteve të sjelljes me një princeshë do të ishte ajo që tha Enver Hoxha pas kësaj, kur bëri sikur u pezmatua që ai nuk do të merrte foton dhuratë, dhe shtoi me një buzëqeshje magjepsëse se e linte këtë çështje në bujarinë e Lartësisë së Saj. Princesha e lajkatuar mori një foto tjetër ku kishte dalë në Paris dhe bëri një shënim gjysmëzyrtar për Enver Hoxhën, me autografin e saj. Kështu lindi një miqësi që vazhdoi edhe pas kthimit përfundimtar të Enver Hoxhës në Shqipëri, në verën e vitit 1936. Princeshës Maxhide, e cila e mbante veten si intelektualja mes motrave, i pëlqente që të mbante në entourage të saj të rinj intelektualë, që kishin studiuar jashtë, kështu që Enver Hoxha u bë pjesë e shpurës së Princeshës Maxhide. Disa herë ajo i siguroi punë me kohë të pjesshme si shoqërues i të huajve që vizitonin Shqipërinë. Në 1938, Princesha Maxhide e ftoi Enver Hoxhën në një ballo që do të mbante batalioni i saj i femrave shqiptare, një lloj organizate paramilitare femërore, ku ajo ishte kolonele. Një pjese e madhe e tyre qenë nxënëse të Institutit Femëror “Nana Mbretneshë”, ku ishte edhe 17 vjeçarja Nexhmije Xhuglini. Nexhmije Xhuglini, duke qenë kushërirë e burrit të Princeshës Adile, motrës së madhe të Maxhides, dibranit Emin Bej Agolli (Doshishti) kishte privilegjin që të ishte në rrethin e afërt të Princeshës Maxhide në batalionin femëror dhe në Asosacionin e Turizmit Shqiptar. Sipas dëshmitarëve atje u njohën për herë të parë Enver Hoxha dhe Nexhmije Xhuglini. Njohja e tyre nuk ndodhi në shtëpinë përdhese të Bije Vokshit, në 1942, siç gënjejnë të dy, por në ballot e oborrit mbretëror.

Enver Hoxha ia arriti që ta joshte Princeshën Maxhide, aq sa ajo të bëhej e dashura e tij dhe ta shikonte atë si njeriun me të cilin parapëlqente të martohej, kur i vëllai ia kërkoi këtë gjë në mënyrë ultimative. Në kohën që Enver Hoxha ishte mësues në Liceun e Korçës, mes tyre pati një letërkëmbim të dendur. Mbreti Zog ishte dakord që motra e tij të martohej me Enver Hoxhën dhe pas të gjitha gjasave fejesa do të shpallej në pranverën e vitit 1939, por u shty për shkak të problemeve të njohura që pati Zogu në atë periudhë.  Gjithsesi, në prill 1939, kur Italia invadoi Shqipërinë, dhe Zogu me familjen e tij iku në Greqi duke kaluar nga Korça, Princesha Maxhide i kërkoi të fejuarit të saj që të vinte me të në mërgim, për t’ u rikthyer pastaj në Shqipëri, çka sipas saj do të ndodhte shpejt. Sipas të dhënave, Enver Hoxha shkoi me konvojin mbretëror shqiptar deri në kufirin greko-turk, ku pastaj u arratis, duke u fshehur në Greqi, për t’ u kthyer pak ditë më pas në Shqipëri. Enver Hoxha ndërroi mendje kur pa se ata nuk po shkonin në Selanik ku do t’ i merrte një anije britanike që do t’ i çonte në Londër, siç ishte thënë kur u nisën, por po shkonin në Stamboll. Në këtë moment, Enver Hoxha, me nuhatjen e tij natyrale, falë së cilës do të mbijetonte më pas, e kuptoi se Zogun e kishin abandonuar fuqitë e mëdha, dhe se jetën në mërgim me princeshën e shfuqizuar nuk do t’ ia kishte lakmi kurrkush. Kështu që, pasi mori një sasi të mirë parash nga Princesha e tij, u kthye në Shqipëri. Enver Hoxha dhe Princesha Maxhide nuk u panë më kurrë, ose së paku nuk u takuan. Në 1946, kur Enver Hoxha shkoi në Paris si kryetar i qeverisë shqiptare, me shpresën për të marrë pjesë në Konferencën e Paqes, Princesha shkoi tek hoteli ku kishte qëndruar ai dhe i kërkoi takim, por nuk u pranua.

Sipas dëshmitarëve ajo vinte tek hoteli dhe priste që ta shikonte atë, madje një herë e thirri edhe në emër. Enver Hoxha shtangu, duke qenë se ia njohu zërin, ktheu kokën, dhe vazhdoi rrugën pa thënë asnjë fjalë. Kjo ishte me siguri hera e fundit që ata u panë. Enver Hoxha tashmë ishte i martuar që prej më shumë se një viti, me Nexhmije Xhuglinin, një ish pjestare e batalionit femëror ku Princesha Maxhide kishte qenë kolonele dikur. Këto janë ironitë e historisë. Vajza e re, e cila dikur, në ballot e oborrit mbretëror shikonte me zili çiftin Enver-Maxhide që vallzonte, duke ia lakmuar partnerin princeshës, si një princ të ëndrrave të saj, tashmë ishte bërë praktikisht mbretëresha e Shqipërisë, në krah të partnerit të princeshës që ishte bërë mbreti faktik i Shqipërisë, ndërsa princesha dhe mbreti ishin shndërruar në mërgimtarë të mjerë. Por Princesha Maxhide do të vazhdonte që ta torturonte Enver Hoxhën deri në vdekje, në mënyrën e saj. Që prej vitit 1939 e deri sa vdiq rreth gjysmë shekulli më pas, Enver Hoxha do të jetonte me frikën e zbulimit të letërkëmbimit të tij me motrën e Zogut, që do ta shkatërronte politikisht atë. Gjetja dhe zhdukja e letrave të shumta që ai i kishte dërguar Princeshës Maxhide u bë obsesioni i jetës së tij. Letrat sigurisht që i ruante princesha e cila jetonte në mërgim pranë të vëllait. Pas vdekjes së Stalinit, kur udhëheqësi i ri sovjetik Khruschev (Hrushov) e shtrëngoi Enver Hoxhën në 1954 që të lëshonte postin e kryeministrit dhe të mbante vetëm atë të shefit të partisë, Enver Hoxhën e kapi frika se mos KGB do të vinte në dijeni për romancën e tij me princeshën dhe do ta rrëmbente Maxhiden me gjithë letrat, dhe do ta çonte në Moskë, ku do të krijonte një dosje shkatërruese për të. Prandaj, në 1954, Sigurimi i Shtetit, policia sekrete e Enver Hoxhës dërgoi me mision pranë oborrit të Zogut në mërgim, një agjent sekret, të quajtur Isuf Mullai.

Tridhjetëvjeçari i lindur në Fushë-Bardhë të Gjirokastrës kishte detyrë që të asgjësonte në çdo mënyrë (parapëlqehej helmimi ose aksidenti automibilistik) Princeshën Maxhide, por pasiqë të kishte shtënë në dorë arkivin e saj personal, ndër dokumentet e tjera.Princesha shpëtoi nga një tentativë helmimi në 1959 dhe ish-Mbreti Zog i cili e kuptoi se dora e kujt ishte këtu, i dërgoi një letër ambasadës shqiptare në Paris, në të cilën letër thuhej se duhej që të hapej vetëm nga Enver Hoxha personalisht. Në letër Zogu e qortoi rëndë Enver Hoxhën dhe i ofroi që t’ ia shiste diktatorit komunist letrat që ky i fundit i kishte dërguar dikur së motrës së tij, për një shumë tepër të madhe parash. Enver Hoxha e pagoi shumën e kërkuar dhe i mori letrat, por ato nuk qenë të gjitha. Zogu ishte jo më pak dinak se Hoxha, ai kishte ruajtur diçka rezervë. Isuf Mullai u kthye në Shqipëri pa marrë vesh se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë, prandaj jetoi deri sa vdiq në 2011. Vdekja e Princeshës në 1970, në Francë, nëntë vite pas vdekjes së vëllait, nuk do të ishte fundi i shqetësimit të Enver Hoxhës se dy-tre vjet më pas atij i erdhën të dhëna se Princesha kishte mbajtur një ditar, i cili kishte rrezik që të botohej. Enver Hoxha u alarmua shumë dhe bëri gjithçka për ta shtënë në dorë ditarin, por jo me sukses të plotë dhe jo shpejt. Enver Hoxha u kujdes që emri i saj të mos përfolet, siç bëri në 1974. Në vitet e fundit të jetës së Enver Hoxhës, kur ky e humbte shpesh vetëkontrollin, ata që i rrinin përreth e dëgjonin të thoshte ndonjëherë: Dërgoni lule tek varri i Maxhidesë! Njerëzit e Enver Hoxhës mendonin se fjala ishte për ndonjë të afërme të tij nga Gjirokastra, të cilën ai kërkonte që ta respektonte. Kështu që kërkuan dhe gjetën një kushërirë të tij me emrin Maxhide, e cila kishte vdekur në vitet njëzet në Gjirokastër dhe i dërgonin lule tek varri. Por Maxhidja për të cilën e kishte fjalën Enver Hoxha e kishte varrin në Cannes të Francës. Princesha vdiq në tetor, në të njëjtin muaj që kishte lindur edhe Enver Hoxha. Data e lindjes dhe vdekjes së saj duket se simbolizojnë afrimin e pamundur të saj kah Enver Hoxha. Ajo lindi në 8 tetor dhe vdiq në 12 tetor, a thua se po i afrohej 16 tetorit, datëlindjes zyrtare të njeriut që dashuroi dhe me të cilin deshi që të martohet.Fantazma e Princeshës Maxhide do ta ndiqte pas Enver Hoxhën edhe në vitin 1981, njëmbëdhjetë vite pas vdekjes së motrës së vogël të Zogut.

Në vitin 1981 ndodhi ngjarja më enigmatike në historinë e diktaturës komuniste shqiptare. Kryeministri Mehmet Shehu, nr. 2 i regjimit, fejoi djalin e tij me vajzën e një familjeje me një të shkuar politike antikomuniste, që sipas etikës komuniste përbënte një herezi të rëndë. Në të gjitha analizat që i janë bërë kësaj ngjarjeje, ndër to edhe të miat, nuk ka një përgjigje të kënaqshme pyetja se si u bind Mehmet Shehu që të pranonte fejesën, kur e dinte se çka do të thoshte kjo sipas etikës së regjimit komunist. Por jo më pak enigmatik është fakti që Enver Hoxha e pranoi fillimisht fejesën, duke i shkuar madje Mehmet Shehut për urim në shtëpi. Vetëm tetë ditë më pas, Enver Hoxha i kërkoi Mehmet Shehut që ta prishte fejesën e djalit. Nuk duket e besueshme që Enver Hoxha, i cili kishte një interes të posaçëm për t’ u informuar se me kë shoqëroheshin djemtë e udhëheqësve, të mos ishte në dijeni prej muajsh për dashurinë e djalit të Shehut me Silva Turdiun, si dhe për biografinë e kësaj të fundit. Kështu që Enver Hoxhës do t’ i kishte konvenuar që t’ i kërkonte Mehmetit që ta prishte fejesën qëkurse u shpall, para se vetë Enver Hoxha të shkonte për urim.Enver Hoxha nuk veproi kështu se ai dinte diçka. Mes tij dhe Shehut po luhej një lojë jetike, ku Shehu kishte një as të fshehur në mëngë, çka ishte një pjesë e letërkëmbimit të Hoxhës me motrën e Zogut, që kishte rënë në dorë të Shehut. Sipas disa të dhënave, në dorën e Shehut kishte rënë edhe ditari i Princeshës Maxhide. Qëkurse Enver Hoxha filloi spastrimet për trashëgiminë e pushtetit në 1973, Shehu inteligjent duhet që ta ketë parandjerë se do t’ i vinte radha. Kështu që ai mori masa për vetëmbrojtje. Kryesorja ndër to ishte se shtiu në dorë atë pjesë të letërkëmbimit të Enver Hoxhës me Princeshën Maxhide, që nuk kishte rënë në duart e Enver Hoxhës. Natyrisht se Shehu u kujdes që epistolary i Hoxhës të ruhej jashtë shtetit dhe të aktivizohej vetëm nëse do t’ i ndodhte diçka atij.

Pas ngjarjeve në Kosovë, në 1981, Shehu e kuptoi se Hoxha do ta eliminonte, se Serbia po i kërkonte Tiranës një theror me të cilin shqiptarëve të Kosovës do t’ u thuhej se SHBA ku ata kishin filluar që të shpresonin, ishte kundër Shqipërisë, dheut amë, dhe se CIA kishte përdorur Mehmet Shehun për të shkatërruar Shqipërinë. Prandaj Shehu lëvizi i pari. Duke pasur sigurinë e zotërimit të dokumenteve sekrete, letërkëmbimit Enver-Maxhide, Shehu, shpalli fejesën e djalit. Shehu e shpalli fejesën e djalit, i bindur se Hoxha nuk do të kundërshtonte përballë rrezikut të shantazhimit me fejesën e tij mbretërore. Kur Enver Hoxha shkoi për urim në shtëpinë e Shehut në 3 shtator 1981, ai shkoi si një njeri i shantazhuar. Midis 3 dhe 11 shtatorit 1981 janë zhvilluar negociata mes Hoxhës dhe Shehut për dorëzimin e dosjes me letërkëmbimin. Shehu në njëfarë mënyre u bind dhe e dorëzoi dosjen sekrete. Pas kësaj, Enver Hoxha, në 11 shtator ndryshoi qëndrim dhe i kërkoi Shehut që ta prishte fejesën dhe të bënte autokritikë, çka në liturgjinë e dhunës komuniste do të thoshte që të fillonte kalvari i asgjësimit të Shehut. Asgjësimi i vicediktatorit të mbetur pa mburojën e tij sekrete tashmë ishte një lojë fëmijësh për Hoxhën. Ky ishte problemi i fundit që i solli atij fejesa e tij mbretërore e dikurshme.Enver Hoxha u kujdes që të zhdukte çdo provë të sekretit më të madh të jetës së tij. Derisa për homoseksualizmin apo më saktë për biseksualizmin e tij aq shumë të përfolur nuk kishte prova të drejtpërdrejta dokumentare, për fejesën e tij me motrën e Zogut kishte prova të pakundërshtueshme, letra të shkruara me dorën e tij, fotografi etj. Enver Hoxha, njeriu që shtirej si puritan ideologjik që ndëshkonte shokët e vet për shmangien më të vogël nga ortodoksia ideologjike, do të merrte fund nëse zbuloheshin këto prova. Ai natyrisht që u kujdes që t’ i zhdukte të gjitha provat që mundi të gjente dhe që mund të zbulonin të fshehtën e tij më të rrezikshme. Por nuk mundi t’ i gjente dhe t’ i zhdukte të gjitha. Hija e Princeshës Maxhide ka qenë gjithëherë mes tij dhe bashkëshortes, Nexhmijes. Enver Hoxha gjatë gjithë jetës u përpoq që të kuptonte nëse Nexhmija dinte diçka për fejesën e tij me Maxhide Zogun.

Ndonëse fejesa nuk ishte shpallur, Nexhmija mund të kishte mësuar diçka në rrethin e princeshës Adile, të cilin e frekuentonte për shkak të lidhjes familjare. Nëse Nexhmija do të kishte dhënë shenjën më të vogël se dinte diçka, Enver Hoxha me siguri që do ta kishte asgjësuar fizikisht dhe me këtë do të kishte imituar deri në fund Stalinin, të cilin e akuzonin se kishte vrarë me revolver gruan e tij. Enver Hoxha dhe Nexhmija natyrisht që patën konflikte gjatë jetës së tyre bashkëshortore, patën edhe momente xhelozie dhe akuza të ndërsjellta për tradhti, si dhe grindje verbale. Nëse Nexhmija do të kishte përmendur qoftë edhe një herë emrin e Princeshës Maxhide gjatë grindjeve të tyre, ajo nuk do të kishte mbijetuar dot. Kunati i Enver Hoxhës, Bahri Omari, kur e çuan për ta pushkatuar tha me pezm e ironi bashkë: “Luftova njëzet vjet kundër Ahmet Zogut, jetova në mërgim për shkak të tij dhe tani po më pushkaton kunati i tij!” Policët që po e shoqëronin menduan se ai kishte dalë mendsh nga frika e vdekjes. Komandanti i tyre, i cili njihte diçka historinë e Shqipërisë i tha që të mblidhte mendjen se njëri kunat i Zogut, Cena Begu kishte vite që kishte vdekur, tjetri gjendej në Francë dhe i treti kushedi se ku dreqin ishte, por nuk kishte të bënte me pushkatimin e tij. Por Bahri Omari e kishte mendjen në vend dhe deri në fund ishte me logjikë të kthjellët, ironik, epigramatik, gjirokastrit i zgjuar i formatit më të mirë intelektual. Domethënien e fjalëve të tij e mori me vete në varr. Ato ndoshta iu përcollën rivalit të Enver Hoxhës, Koçi Xoxes, por mendja e këtij të fundit nuk ishte aq e hollë dhe tekefundit ai nuk kishte të dhënat e nevojshme për të zbërthyer fjalët e Bahri Omarit, i cili dinte diçka nga gruaja e tij, motra e Enver Hoxhës, së cilës i vëllai i kishte zbuluar të fshehtën se së shpejti do të bëhej pjesë e familjes mbretërore. Enver Hoxha u bë pak më vonë diçka më tepër, u bë mbret absolut i Shqipërisë për 41 vjet. Familja mbretërore shqiptare, ajo Zogu, nuk foli kurrë për të fshehtën e madhe, fejesën Enver-Maxhide, as në kohën që Enver Hoxha ishte në pushtet, as pas rënies së komunizmit. Midis të dy palëve kishte një pakt të heshtur i cili respektohet ende edhe sot.
Kastriot Myftaraj/Gazeta Sot

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 04/11/2011. Filed under Diktatura komuniste. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.