Disa ide, parime e vlera për ripërtëritjen e së djathtës shqiptare!

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 2489
Pas 21 vitesh tranzicion rraskapitës dhe protodemokraci langaraqe në Shqipëri, neve qytetarëve shqiptarë na bie mbi shpinë barra e rëndë për tu bërë edhe njëherë autorë, aktorë dhe faktorë të ndryshimit për të sjellë transformimet e domosdoshme që në këtë vendin tonë të mos lulëzojnë më lulet e dhunës dhe arbitraritetit. Pikëpamja mbi të cilën ne dëshirojmë të hedhim këto ide këtu në këto rradhë vjen sigurisht bazuar fortësisht në përvojën e drejtpërdrejtë dhe ndjeshmerinë e sinqertë tonën si aktivistë politikë në Partinë Demokratike për gati 20 vite, por edhe si besues e ndjekës të natyrshëm të doktrinës, parimeve dhe vlerave të qendrës së djathtë. Do të kujdesemi këtu që të tokmbledhim edhe përvojat tona si aktivistë civilë e patjetër edhe dijenitë tona të buruara prej shkollimit, leximeve dhe studimeve të përthelluara. Qëllimi është të hapim një debat publik mbi këto ide e vlera të paraqitura më poshtë për mënyrën sesi duhet të jetë, sesi duhet ndjerë, kuptuar dhe ndërtuar e djathta shqiptare e cila ka domosdoshmërisht lipsjen e madhe për tu ripërtërirë. Në një seri përsiatjesh që jemi duke përgatitur për ti bërë publike në vijimësi, do të parashtrojmë edhe qëndrime konkrete mbi gjendjen, strukturën dhe funksionimin e derisotëm të së djathtës në vendin tonë, por edhe mbi objektiva dhe  sidomos synime qëndrimore, strukturore dhe organizative për mënyrën sesi duhet ripërtërirë e djathta shqiptare. Por kësaj rradhe ngase në Shqipëri ka vobektësi debatesh ideore, vlerore dhe programore brenda së djathtës dhe sigurisht edhe mes partive politike të të gjithë spektrit të majtë e të djathtë, neve do të mjaftohemi vetëm me shpalosjen e ideve tona bruto në formën e një manifesti apo karte vlerash për një të djathtë ndryshe. Neve që kemi qenë kahhera të angazhuar si aktivistë të sinqertë të qendrës së djathtë shqiptare ndihemi natyrshëm si të lindur nga liria, në liri dhe për lirinë, dhe po krejt natyrshëm duam që Shqipëria të bëhet një vend më modern, më i lirë, më i drejtë, më i përparuar dhe autentikisht solidar. Ne, të rinj dhe të reja, burra dhe gra të Shqipërisë jemi krenarë që jemi qytetarë të këtij vendi që ndonëse mes shumë sakrificash e vuajtjesh historike ka ditur të gjejë forcat dhe energjinë pozitive për tu ringritur. Jemi krenarë që i përkasim një qytetërimi mijëravjeçar, një qytetërim i cili i ka dhënë njerëzimit kontribute e vlera të çmuara kulturore dhe historike. Ndaj edhe dëshirojmë e synojmë që Shqipëria të përparojë në vazhdën e traditës së saj, vendosmërisht europiane dhe perëndimore. Rrënjët vlerore të Europës dhe trashëgimia e saj e përbashkët kulturore klasike dhe humanistike, së bashku me pjesën më të mirë të iluminizmit e të prurjeve e ndërshkëmbimeve të mëdha kulturale për shkak të historisë sonë specifike, janë themelet e vizionit tonë për shoqërinë. Vlerat në të cilat ne gjejmë vetveten janë posaçërisht ato vlera të cilat bashkëndahen nga familja e madhe politike e Partisë Popullore Europiane: dinjiteti i personit, liria dhe përgjegjshmëria, barazia, drejtësia, ligjshmëria, solidariteti dhe subsidiariteti. Këto janë vlerat e përbashkëta të demokracive të mëdha perëndimore, të themeluara mbi pluralizmin demokratik, mbi shtetin e së drejtës, mbi jodiskriminimin, mbi tolerancën, mbi pronën private dhe mbi ekonominë sociale të tregut të lirë. Ne mendojmë se ka një dallim ndërmjet politikanëve që jetojnë për politikën dhe atyre që jetojnë prej politikës.

Në rastin e parë, politikanët bëjnë një ideal çështje të jetës së tyre dhe përpiqen që ta vënë në jetë. Ky tip politikani është hasur rrallë në histori. Por, tipi më i keq i politikanit është ai që jeton prej politikës. Ky është tipi më i keq i politikanit, sepse ai do ta shesë drejtësinë e pozicionit të tij për hir të pasurimit ekonomik të tij. Tashmë, çdo njeri, cdo qytetar shqiptar është i bindur se deri sot kemi parë vetëm tipin e dytë të politikanit. Por, a duhet të tërhiqemi para një situate të tillë? A duhet që ta braktisim lirinë e sapo fituar dhe të qahemi për drejtuesit? Sigurisht që jo. Prapa kemi një përvojë mjaft të hidhur. Edhe pse e tashmja është e hidhur dhe askush nuk guxon të premtojë, nuk duhet të ketë tërheqje prapa. E vetmja rrugë për të dalë nga ky impas historik është që të ecim përpara duke shpejtuar hapin për të kombinuar lirinë me drejtësinë. Në qoftë se shoqëria do të rrijë e mbërthyer vetëm në një vlerë, shpirtin e përfitimit, atëherë demokracia mbetet e kërcënuar. Ka periudha historike, si kjo që po jetojmë, kur normat, vlerat dhe bindjet e mëparshme janë tronditur thellë dhe kur shoqëria ende nuk e gjen dot orientimin etiko – moral, në një kohë kur kjo shoqëri po ndryshon me ritme të shpejta. Në periudha të tilla njerëzit ndodhen përballë dilemash të shumta. Ata nuk po e identifikojnë veten me institucionet e krijuara. Ata nuk kanë besim tek to. Kur shteti mund t’i shkelë angazhimet që merr, atëherë kujt mund t’i zihet besë? Në qoftë se ligjet kanë një frymë moderne dhe tërheqëse, por që nuk gjejnë zbatim, atëherë kujt mund t’i drejtohemi për të patur, në mos sigurinë e plotë, të paktën ndjenjën e sigurisë dhe të paqes sociale? Në një kohë kur korrupsioni, gënjeshtra, lakmia, egoizmi, mashtrimi, hipokrizia, cinizmi si dhe klima e ankthit dhe e pasigurisë u ka zënë frymën virtyteve morale, kërkohet një ringritje shpirtërore për të dalë nga kjo gjendje. Të tilla vese si dhe manipulimi me termat e militantizmit dhe të meritokracisë kanë krijuar një gjendje irritimi, lodhjeje dhe indiferentizmi të përgjithshëm. Askush nuk flet për vlerat morale.

Politika dhe etja për pushtet dhe përfitim ka pushtuar jetën politike dhe sociale, prandaj ne ndeshemi me dobësimin dhe çarjen e të drejtës dhe të moralit, me egërsinë dhe rritjen e injorancës. Në të tilla momente, rreziku më i madh është humbja e shpresës dhe braktisja e lirisë për shkak të varfërisë ekonomike. Ajo që ne kemi nevojë është që të ushqehemi me artin e lirisë dhe arti i lirisë dhe demokracisë është shumë i vështirë. Ai duhet mësuar. U takon më së pari gjeneratave të reja, na takon neve, së bashku edhe me aktorë të tjerë shoqërorë që t’ua mësojmë njerëzve këtë art me qëllim që ta përdorin demokracinë në funksion të dinjitetit të tyre. A nuk shihet kudo se atmosfera e korrupsionit po moleps çdo gjë, madje kërkon të ngjitet deri edhe në shkatërrimin e dinjitetit të njeriut? A nuk po shikojmë individë të caktuar, që manipulojnë shuma të mëdha në duar, duke kujtuar se janë në gjendje të bëjnë qiellin dhe tokën, kërkojnë të tallen me varfërinë e njerëzve dhe përpiqen që vesin ta shesin për virtyt? A nuk po shikojmë se nga të gjitha anët flitet për korrupsion dhe ai mbetet impersonal? Në një situatë të tillë mund të ndodhë që ajo ç’ka mbetet nga liria e porsafituar të bëhet e padurueshme dhe arbitrarizmi të na shpjerë drejt autoritarizmit. Prandaj edhe burrat e grate, djemtë dhe vajzat që ndihen si dalëzotsa të lindur nga liria, kanë një përgjegjësi të madhe për të ngjallur shpresën dhe për të shpëtuar lirinë. Ne mendojmë se politika duhet të jetë në shërbim të qytetarëve, e jo qytetarët në shërbim të politikës. Ne mendojmë e besojmë se politika duhet të jetë e themeluar dhe ngritur më shumë mbi vlerat sesa mbi interesat. Ne besojmë se personi – me vlerat e tij/saj, me moralin e tij/saj, dhe me arsyen dhe të drejtën e tij për të ekzistuar dhe përmirësuar- duhet të jetë fillimi dhe mbarimi, parimi dhe qëllimi i çdo komuniteti politik, e domosdoshmërisht i vetmi burim legjitimiteti për të. Ndaj edhe mos mundshin të ekzistojnë një drejtësi autentike dhe një solidaritet autentik, nëse liria e cilitdo personi të vetëm nuk arrin të njihet si kusht thelbësor nga Shteti. Koncepti ynë për personin përjashton e refuzon me bindje çdo formë të kolektivizmit po aq sa edhe individualizmin egoistik. Cdo person i përket një komuniteti dhe duhet tia nënshtrojë interesin personal përkatës, autoritetit legjitim të komunitetit përkatës, duke pranuar kufizimet që janë të nevojshme dhe domosdoshme për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve.

Pa ligj dhe rend nuk mund të ketë liri. Ne besojmë se liria e vërtetë nënkupton autonominë përbashkuar me përgjegjshmërinë, por kurrësesi pavarësinë e papërgjegjshme. Liria e vërtetë e bën çdo person të përgjegjshëm për aktet dhe veprimet invidividuale në mirëkuptim me ndërgjegjen e tij/saj, përballë komunitetit të cilit i përket dhe përballë brezave të ardhshëm. Ne mendojmë se brezat e ardhshëm duhet të vendosen në kushte për të jetuar në harmoni me ambjentin natyral. Cdo qenie njerëzore është e thirrur që të administrojë të mirat natyrore me mençuri dhe urtësi e jo mbi bazën e interesave të saj specifike.  Personat, familjet, grupet sociale, komunitetet, popujt, kombet dhe shtetet duhet kësisoj të japin llogari për aktet dhe veprimet e tyre përpara çdo qenieje të vetme njerëzore, të së sotmes dhe së nesërmes. Ne besojmë se shoqëria dhe Shteti duhet ti shërbejnë personit dhe të mirës së përbashkët. Personat dhe komunitetet duhet të kenë të drejtën për të realizuar gjithçka munden faleminderit nismës dhe aftësive të tyre. Atë që organizatat/organizimet e dimensioneve të vogla nuk janë në gjendje ta realizojnë, duhet tu besohet organizatave/organizimeve të nivelit më të lartë: Qeverive dhe Administratave apo Enteve Lokale, Rajonale, Shtetit, Organizatave Ndërkombëtare. Subsidiariteti –(ndihma dhe mbështetja e shtetit ndaj individit, shoqërisë civile, biznesit, më të dobtëve dhe shtresave në nevojë)-, duhet të jetë formula bazë e decentralizimit dhe integrimit europian. Cdo aktivitet social ka si natyrë të vetën dhe për qëllim subsidiaritetin. Ne besojmë se politika ka për detyrë të mbështesë jetën dhe aktivitetin e personave, familjeve, të komuniteteve të ndërmjetme, e kurrësesi ti shkatërrojë apo absorbojë ato. Ne besojmë se koha në të cilën jetojmë imponon një ndryshim kursi.

Nëse nuk ndryshojmë, madje nëse nuk ndryshojmë me shpejtësi, do të jetë në fakt realiteti ai që do të na ndryshojë për keq. Ne ndihemi pranë forcës më të madhe politike Europiane, Partia Popullore Europiane dhe me të bashkëndajmë një ide shpirtërore për Europën, idenë e etërve themelues, qe është në vetë origjinën e Europës. Kemi një rrugë të gjatë përpara nesh. Një rrugë të angazhimit civil, në të cilën të drejtat dhe detyrat bashkëpuqen si faqet e të njëjtës monedhë. Kërkojmë mbështetjen e të gjithë shqiptarëve, e të gjithë të rinjve e të rejave, burrave dhe grave, të cilët e duan lirinë dhe dëshirojnë të jenë të lirë. Kërkojmë bashkëveprimin, bashkëautorësimin dhe bashkëfaktorizimin e tyre për të mbrojtur dhe garantuar këto vlera dhe për të realizuar këto ide dhe vlera tonat që këtu po i bëjmë pronësi të qytetarëve shqiptarë. Ne duam një shoqëri që të kujdeset realisht për të varfërit dhe për më të dobëtit. Ne nuk duam një shoqëri të ndarë mes të pasurish dhe të varfërish, mes të fortësh dhe të dobëtish. Ne duam një shoqëri në të cilën të gjithë të kenë mundësi të gëzojnë një nivel jete të denjë dhe të përshtatshëm. Ne besojmë se personat kanë detyrën për të siguruar mirëqenie për veten e tyre sipas parimit moral të përgjegjshmërisë, por po sipas këtij parimi dhe mbi këtë bazë personat duhet të ndihmojnë dhe mbështesin tjetrin që është në vështirësi. Me këtë frymë ne besojmë se është detyrë themelore, si e shoqërisë ashtu edhe e Shtetit, për të ndihmuar ata të cilët nuk munden ta arrijnë këtë objektiv. Ne mendojmë veçanërisht se janë të nevojshme aksione të forta pozitive për të siguruar, rritjen aksesit të grave në arsim, punë dhe në postet më të larta të përgjegjësisë në botën publike dhe private. Një barazi më e madhe dhe më efektive mes burrit dhe gruas do ta bëjë vendin tonë jo vetëm më të drejtë, por edhe më të zhvilluar. Ne mendojmë se familja është bërthama themelore e shoqërisë sonë. Sot familjet dhe shoqëria janë gjithnjë e më të fragmentizuara. Ne mendojmë se është në fakt e domosdoshme njohja e qartë e rolit aktiv të familjes me ndërgjegjësimin e plotë se familja nuk mund të zëvendësohet nga figura të tjera sociale. Në një situatë të vështirë sikurse është kjo aktuale, familjet janë edhe një element i çmuar i stabilitetit social dhe ekonomik sepse i bëhen ndihmë strukturave publike duke kompensuar limitet e politikave sociale. Nuk mund të injorojmë sot faktin se shumë familje nuk ia dalin dot mbanë që të kenë “një jetë të qetë, të patrazuar dhe me dinjitet të plotë.”

Ndaj familja duhet mbrojtur edhe sepse është thelbësisht jetike për personat më të dobët, për të moshuarit, për të pamundurit fizikisht, për të rinjtë e papunë. E jo vetëm kaq. Ne besojmë se familja ka detyrën e pazëvendësueshme për të edukuar fëmijët dhe adoleshentët. Bazuar në këtë prespektivë ne mendojmë se mund të arrihen rezultate të mira duke ulur ngarkesën fiskale për familjet në raport me numrin e anëtarëve të familjes, duke filluar nga fëmijët. Ne e dime se vlerat humanistike kanë nevojë për të bashkëudhëtuar me vlerat dhe arritjet shkencore sidomos në fushën e mjekësisë. Ne besojmë se progresi shkencor i cili ka arritur maja të paimagjinueshme në botën e zhvilluar, porse edhe në vendin tonë i cili ekspozohet me kënaqësi ndaj këtij progresi, ka kontribuar në mënyrë të jashtëzakonshme në shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve. Ne e pohojmë këtë gjë me forcë. Ne mendojmë se liria dhe progresi i kërkimit bio-mjekësor mbrohen me kujdes, ndaj për këtë duhet të bashkëpuqen edhe me parimet e mbrojtjes dhe promovimit të dinjitetit njerëzor, me të drejtën për jetën, unicitetin e çdo jete njerëzore, barazinë e të gjitha qënieve njerëzore, kujdesin për shëndetin. Duke njohur parimin e dinjitetit të qenies njerëzore, sjell në fakt që shkenca duhet të jetë në shërbim të personit dhe përjashton mundësinë që personi të jetë në shërbim të shkencës. Ne mendojmë se politika ndërkombëtare duhet të bazohet në vlerat e lirisë dhe mbi raportin themelor mes paqes, lirisë dhe të drejtave. Kjo është filozofia që ne besojmë se duhet të bëhet pjesë e aspiratave dhe mundësive të të gjithë popujve. Në një rajon të trazuar si Ballkani Perëndimor, ku Shqipëria ia ka dalë mbanë të luajë më së miri rolin e një vendi kontribues në stabilitet dhe në një botë të sfiduar nga terrorizmi, ne vendosim ndërtimin e paqes dhe dialogut mes popujve si një frymë dhe detyrë bazale të politikës sonë ndërkombëtare. Bazuar në këtë frymë dhe detyrë ne vendosim aleancat dhe marrdhëniet tona misionet jashtë vendit që burojnë nga anëtarësia në NATO e Shqipërisë dhe më gjerësisht strategjinë e vendit tonë në skakierën Rajonale dhe pse jo Botërore. Në këtë kontekst mbeten themelore zgjedhjet europeiste dhe atlantike. Ne mendojmë se i duhet shtuar lirisë edhe një vlerë tjetër, ajo e plotësimit të sigurisë së identitetit tonë kombëtar përballë sfidave të integrimit dhe globalizmit. Pikërisht për këtë arsye duhet dhe mundemi e duhet të jemi të hapur ndaj të resë, por pa hequr dorë ndaj vetvetes sonë, e njëkohësisht duke përvijuar, promovuar dhe theksuar traditat tona, identitetin tonë, lirinë tonë. Sepse vetëm duke gjetur thellë në të shkuarën tonë, duke dritësuar, krijuar dhe ruajtur vlerat tona, përtej krizës së vlerave që po përjetojmë në ditët tona, ia dalim mbanë të ruajmë identitetin, sigurinë dhe të jetojmë në liri. Bazuar në këtë frymë ngrihet një strategji ku Shteti Shqiptar ka një rol themelor si shumator i vlerave tona të përbashkëta dhe si seli e fatit tonë të përbashkët.

Shteti shqiptar në këtë vizion ushtron një rol subsidiar dhe riekulibrator mes të shkuarës dhe të ardhmes, mes të brendshmes dhe të jashtmes. Kjo është zemra e ideve, parimeve dhe vlerave tona të paraqitura këtu. Kjo është qendra e vizionit tonë si në krahun politik ashtu edhe në krahun ekonnomik, si në Shqiperi ashtu edhe në Europë, dmth, mbrojtja e parimeve morale dhe vlerave qytetare, fetare, besimore, mbrojtja e familjes dhe e rrënjëve tona, angazhimi për të respektuar qytetërimin tonë dhe orientimin europeist dhe atlantik të vendit tonë, mbrojtjen e sipërmarrjeve dhe bizneseve shqiptare dhe të punës sonë si komb. Ne e dimë se vlerat tona janë të rrënjësuara nga traditat më të mira politike të vendit dhe shoqërisë sonë duke mbartur frymën e të gjithë atyre që aq shumë e deshën Shqipërinë dhe shqiptarinë ndër shekuj, e deri në ditët tona, ku vlerë e patjetërsueshme, motivim dhe frymë mbeten për ne edhe Lëvizjet Studentore të Dhjetorit 1990 dhe Dhjetorit 1998 dhe idealet e qëllimet e këtyre dy lëvizjeve, sikurse edhe të gjitha lëvizjet dhe kontributet pozitive politike dhe civile shqiptare në vitet që kanë ardhur më pas, ku lajtmotiv kanë qenë kërkesat për Liri, Demokraci, dhe Europë. Tek këto ide, parime e vlera, shpresojmë e dëshirojmë të gjejnë veten, në fakt, laikët dhe besimtarët, muslimanë, bektashinj, katolikë, ortodoksë, dhe ungjillorë. Tek këto ide, parime e vlera, shpresojmë e dëshirojmë të gjejnë veten punëtorë, sipërmarrës, biznesmenë, bujq dhe fermerë, intelektualë, akademikë, të rinj dhe të reja. Jemi krenarë për këtë karakterin dhe natyrën tonë popullore, sepse na konfirmon vizionin tonë që është ai bashkimit të shoqërisë shqiptare, e për ta udhëhequr atë drejt një të ardhmeje më të mirë. Ne besojmë se pronësimi i qytetarëve shqiptarë me këto ide, parime dhe vlera do të ketë si qëllim të përftuar, promovimin e tolerancës, dialogut dhe bashkëpunimit midis aktorëve politikë por dhe të aktorëve të tjerë në fusha të ndryshme të shoqërisë si Biznesi, Shoqëria Civile, Media, rrethet akademike të cilat ndikojnë në zhvillimin e jetës normale në vend. Ne gjykojmë se disa nga pengesat kryesore në ngadalësimin e zhvillimit politik, ekonomik dhe social në vend janë mungesa e besimit dhe e bashkëpunimit reciprok. Në Shqipëri politika e derisotme ka gjeneruar shumë konflikt dhe polarizim për shkak se ajo nuk vjen si politikë e lindur prej vlerave dhe parimeve por motivohet nga interesat meskine, individuale dhe të ditës.

Ne nuk dëshirojmë që këto ide të mbeten te izoluara thjesht në një grup njerëzish por te përçohen dhe tek aktorët me influencë në shoqërinë tonë dhe në institucionet e shtetit shqiptar. Ne besojmë se drejtues që kanë mirëbesim tek njëri-tjetri pavarësisht diferencave politike mund të arrijnë të transformojnë shoqërinë. Vizioni i ynë është të krijojmë një lëvizje gjeneruese të ripërtëritjes morale në Shqipëri nëpërmjet një veprimtarie të qartë dhe konkrete politike. Ne besojmë se mund ta ndryshojmë shoqërinë me anë të ideve dhe veprimeve tona duke drejtuar nëpërmjet shembullit dhe integritetit tonë personal. Qëllimi ynë është përmirësimi i klimës politike duke synuar për të ndikuar për të ndryshuar frymën, ligjërimin dhe ambientin politik ku veprohet dhe merren vendimet. Është zgjedhja jonë e përbashkët dhe e secilit prej nesh individualisht që të mos jemi vetëm ambiciozë për karrierë personale por të përfaqësojmë politika ambicioze që sjellin ndryshim dhe rritje në shoqëri. Ky është një poçes që kërkon kohën e vetë dhe që ndikimin e vetë e kryen individ pas individi, ditë pas ditë dhe rrethanë pas rrethane. E rëndësishme është se ne synojmë që më së pari të krijojmë një komunitet moral para se të kemi një komunitet politik, biznesi apo kulturor. Ne nuk kërkojmë vetëm metodat dhe strategji të mira, por mbi të gjitha ne kërkojmë dhe inkurajojmë njerëz më të mirë, liderë më të mirë. Integriteti personal i një drejtuesi është thelbësor për mirë-funksionimin dhe mbarë-vajtjen e proçesit që sjell ndryshim brenda ambientit politik dhe social. Ne mendojmë se së bashku do të bëjmë përpjekje të mëdha për të iniciuar një stad të ri të marrëdhënieve ndërpolitike dhe sociale shqiptare i cili kryesisht lidhet me vendosjen e një kualiteti që i nevojitet politikës dhe shoqërisë sonë, klimën e bashkëpunimit dhe vazhdimësinë në qeverisje, forcimin e institucioneve dhe rritjen e nivelit të përfaqësimit, demokracisë, lirive dhe etikës. Ne besojmë se njeriu duhet të synojë të bëhet ai lloj personi prej të cilit veprat e ligjit rrjedhin natyralisht. Me pak fjalë, çelësi i jetës së mirë dhe shoqërisë së mirë nuk janë vetëm aksionet, veprat tona apo sjellja jonë. Ato na çojnë veçse në Korrektësi Politike.

Çelësi i jetës së mirë dhe shoqërisë së mirë është karakteri i individit. Kështu pra gjithësecili që e njeh vendin kritik të karakterit në momente kaq të mëdha të historisë, flet për karakterin jo si për një klishe fetare apo për një temë luksoze, që është i parëndësishëm në këto kohët tona të ngutjes, ambicjes , egos dhe imazhit pakufi. Karakteri është një sfidë e pamatë personalisht dhe kulturalisht. Ne qëndrojmë dhe besojmë se vendi ynë ende prodhon shpresë. Ne kemi ekzaminuar dhe është mirë të vazhdojmë ti ekzaminojmë mundësitë tona ngase jemi besimplotë që jemi shumë, ndaj edhe duhet ti ushtrojmë të gjitha të drejtat, kapacitetin, energjitë, dijet, eksperiencën, dëshirat, vullnetin për të qenë shërbëtorë dhe autorë të së mirës ndërkohë që së bashku të gjithë si shoqëri punojmë për ditën kur Shqipëria do të bëhet Europë. Ne jemi plot shpresë dhe besim se ne jemi shumë, e në çdo zemër të qytetarëve shqiptarë gjen vend e fjetur apo e ndrojtur, “shpresa dhe ngasja për të mirën”. Ne jemi përnjimend shumica e heshtur. Ne jemi forca e vërtetë lëvizëse në shoqërinë shqiptare, ndonëse ka vite e mbase dekada që e keqja në pakicë ushtron kontroll mbi pushtetet e këtij vendi. Për të shkuar më thellë në shpresën tone, ne mendojmë dhe besojmë se edhe brenda vetë vendimmarrësve të derisotëm shqiptarë, udhëheqësve, deputetëve, drejtuesve qendrorë apo lokalë, qoftë si qenie njerëzore, qoftë si grup social, është dhe mund të marrë forcë e kurajo, kahja e së mirës. Ka dhe mund të zbulojmë apo ngremë drejtues që i kanë karakterin, integritetin dhe parimet si element themelor të formimit të tyre si bartës dhe ushtrues të detyrave publike, dhe pushtetit në shërbim të vendit, ligjit dhe qytetarit.

Ne u propozojmë shqiptarëve një shoqëri të bërë në liri, me zhvillim ekonomik dhe solidaritet. U propozojmë shqiptarëve një shoqëri të bazuar në vlerat liberale, europiane e perëndimore, bazuar mbi familjen natyrale të themeluar nga martesa e krijuar nga bashkimi i një burri me një grua, nga e cila mund të lindin, rriten dhe edukohen fëmijët. Propozojmë një Shqipëri të respektuar, plot dinjitet dhe të fortë në Rajon, Europë dhe pse jo edhe në Botë. Propozojmë një Atdhe me të cilin të gjithë shqiptarët të identifikohen dhe ta duan, sepse është shtëpia e përbashkët e të gjithë neve pa asnjë përjashtim. Përndryshe nga realiteti i derisotëm, kur ballafaqohemi me një Shqipëri të pasigurisë, ndarjeve, urrejtjes sociale, varfërisë, ne dëshirojmë dhe propozojmë një Shqipëri të dashurisë ku të gjithë e shohim njëri-tjetrin në sy plot dinjitet dhe respekt. Edhe pse jemi të ndërgjegjshëm për vështirësitë e pafundme me të cilat do të përballemi, ne jemi dhe do të jemi të preokupuar për mirëqenien, dinjitetin e të gjithë shqiptarëve pa dallime mes të majtës dhe të djathtës. Qeveria, është dhe duhet të jetë e të gjithë shqiptarëve, për shqiptarët dhe duhet të ketë kryefjalë të aksionit dhe misionit të saj Mirëqenien dhe Dinjitetin e tyre. Ky është moraliteti i vërtetë i politikës. Ne duam një Shqipëri të njerëzve të lirë dhe të përgjegjshëm në gjendje për të marrë në duar të ardhmen e tyre. Ne duam një Shqipëri të njerëzve të lirë dhe të përgjegjshëm që të jenë në gjendje të zgjedhin një punë të mirë, që të rrisin fëmijët sipas vlerave dhe ideve të tyre më të mira. Ne duam një shoqëri në të cilën të gjithë të rinjtë, pa dallime të tipit social, të shkojnë në shkolla dhe universitete prej nga ku të marrin dije të thella e serioze, si edhe diploma të vlefshme dhe kualitative. Duam një shoqëri në të cilën të rinjtë të kenë një punë e cila tu krijojë atyre mundësinë të jenë të lirë për të ndërtuar një familje të tyren. Duam një shoqëri në të cilën askush të mos mbetet mbrapa. Sepse çdo person ka një vlerë të paçmueshme dhe sepse mirëqenia e çdo qytetari nënkupton mirëqenien e të gjithë qytetarëve, mirëqenien e të gjithë shoqërisë. Ne duam një ekonomi të fortë dhe vitale, të bazuar mbi sipërmarrje moderne dhe efiçente, mbi kreativitetin dhe inovacionin, ndershmërinë dhe ligjshmërinë. Sepse pa rritjen ekonomike nuk mund të zgjidhen problemet sociale, e kësisoj nuk mund tu garantohen të gjithë qytetarëve shërbimet për të cilat kanë të drejtë.
Arian Galdini/FB
Tiranë më, 2 nëntor 2011

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 03/11/2011. Filed under Politika. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.