Mehmet Shehu, raporte sovjetikëve kundër Enver Hoxhës

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 3394
Vitet e para të vendosjes së regjimit komunist, që korrespondojnë me vitet e miqësisë me Bashkimin Sovjetik, nuk ishin edhe aq të thjeshta. Krahas vështirësive që paraqiste rimëkëmbja e një vendi të prapambetur e të dalë nga lufta, zienin edhe luftërat e brendshme për pushtet. Një sy i vëmendshëm në këtë situatë ishte përfaqësia diplomatike sovjetike, e cila i përcillte gjithçka qendrës. Një seri dokumentesh të këtij lloji, shumica zbardhje bisedash të regjistruara, i vijnë lexuesit shqiptar falë një pune voluminoze të historianëve Hamit Kaba dhe Ethem Çeku, të cilët pas hulumtimeve në arkivat ruse kanë botuar disa syresh në librin “Shqipëria dhe Kosova në arkivat ruse”, botim i QSA-së. Janë raportime gjithfarëshe, ku në qendër janë krerët e pushtetit dhe Partisë së Punës së Shqipërisë, Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Koçi Xoxe.

Mes tyre kemi veçuar zbardhjen e një takimi mes Mehmet Shehut dhe përfaqësuesit sovjetik në Tiranë, D.S. Çuhavin për çështjen e Tuk Jakovës. Shehu shfaqet i pakënaqur për qëndrimin e “butë” të Hoxhës kundrejt Jakovës, i cili jo shumë kohë më vonë do të shpallej tradhtar i atdheut e do të dënohej me 20 vjet burg. Dënim, të cilin nuk e kreu deri në fund, pasi vdiq në kushte misterioze. Gjithashtu, Shehu shprehte pakënaqësinë se Enver Hoxha merrej pak me punët e partisë e më shumë se ç’duhej me të qeverisë. Kjo letër është shoqëruar edhe me një shënim të autorëve të librit, ku na sqarohet qëndrimi i Enver Hoxhës, “dobësia” që kishte për Tuk Jakovën dhe ndikimi që pati Shehu në ngjarjet e mëvonshme. Një tjetër raportim lidhet me gjendjen e brendshme të Partisë Komuniste Shqiptare. Mes këtij raportimi të gjatë kemi shkëputur atë ku flitet për Sigurimin e Shtetit, bazuar mbi aktivat e partisë në disa rrethe të Shqipërisë.                     a.mile

Nga ditari i të dërguarit të BRSS në Shqipëri, D.S. Çuhavin. Regjistrim i bisedës me anëtarin e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, Mehmet Shehu, lidhur me “gabimet” e Tuk Jakovës
Tiranë, më 1 shkurt 1951
Sekret

Sipas kërkesës së tij, prita në një takim pune me Mehmet Shehun. Ai erdhi të diskutonte me mua përshtypjet mbi konkluzionet e diskutimit dyditor në Byronë Politike. Ai deklaroi se, përderisa unë njihja përmbajtjen e fjalimeve të veçanta në Byronë Politike, nuk e konsideronte të nevojshme që të diskutohej kjo çështje. Ai donte të theksonte se nuk i kishin lënë përshtypje të mirë konkluzionet e diskutimeve që u bënë në Byronë Politike. Para së gjithash, kjo përshtypje jo e mirë kishte të bënte me qëndrimin që mbajti Enver Hoxha lidhur me gabimet e Tuk Jakovës. Sipas Mehmet Shehut, Enver Hoxha gabohet kur mendon se Tuk Jakova ka bërë gabime pa ndërgjegje, gabime për të cilat u fol në Byronë Politike. Mehmet Shehu mendon se në çështjen e Njazi Islamit, Tuk Jakova ndodhet në opozitë me vendimet e Plenumit V të Komitetit Qendror të Partisë. Enver Hoxha nuk do, sipas pohimeve të Mehmet Shehut, të kuptojë se Tuk Jakova në procesin e punës jo vetëm shfaq oportunizëm, por se ai në përgjithësi për nga cilësitë nuk duhet të mbajë postin që ka sot. Gabimet e Tuk Jakovës, për të cilat u fol në Byronë Politike, tha Mehmet Shehu, nuk janë të reja për partinë. Gabime analogjike Tuk Jakovës i janë vënë në dukje edhe në Plenumin XI të Komitetit Qendror (shtator 1948). Ndërkaq, që nga ajo kohë kanë kaluar mbi dy vjet, por nuk është vënë re ndonjë reflektim në qëndrimet e Tuk Jakovës. Mehmet Shehu mendon se, nëse Tuk Jakova do të qëndrojë edhe më pas, në drejtimin e punës së Aparatit të KQ, puna e partisë nuk ka për të ecur, dhe se për realizimin e planit 5-vjeçar as që mund të bëhet fjalë. Sipas Mehmet Shehut, Enver Hoxha personalisht nuk merret sa duhet me punët e partisë, dhe se në këtë drejtim, ai mbivlerëson Tuk Jakovën.

Kurse, për sa u përket punëve në qeveri. Enver Hoxha u kushton vëmendje maksimale dhe madje, ka frikë se mos bëhet ndonjë gjë pa dijeninë e tij. Sipas Mehmet Shehut, edhe ajo kritikë e kufizuar që Enver Hoxha bëri në adresë të Tuk Jakovës, lindi vetëm nga fakti që ai (Enver Hoxha), si Sekretar i Përgjithshëm, nuk mund të rrinte pa kritikuar Tuk Jakovën. Lidhur me një qëndrim të tillë pajtues ndaj Tuk Jakovës, Mehmet Shehu deklaroi se në të ardhmen ai nuk ka ndër mend të shprehet as në Byronë Politike e as në Plenum për të kritikuar gabimet e anëtarëve të tjerë të Byrosë. Ai tha se deri tani në Byronë Politike kritika nuk është në modë, dhe kur në 31 janar në fund të seancës së Byrosë, Liri Belishova deklaroi se pas fjalës së Enver Hoxhës iu krijua përshtypja se ai i kushtonte më shumë vëmendje punës në Këshillin e Ministrave, Enver Hoxha e ndërpreu atë brutalisht, duke u shprehur se e dinte vetë punën e tij.

Pasi falënderova Mehmet Shehun për këtë informacion, i thashë se mendimi i tij për të hequr dorë nga kritika e gabimeve të anëtarëve të tjerë të Byrosë Politike, vështirë se mund të quhet një veprim i drejtë. Në qoftë se ai mendon, se ka të drejtë në kritikën që bën, atëherë, – vazhdova unë, – duhet të këmbëngulë deri në fund, dhe kur në Byronë Politike nuk janë dakord, ai ka mundësi që mendimet e tij t’i shprehë në Plenumin e Komitetit Qendror. Lidhur me këtë, unë përqendrova vëmendjen e Mehmet Shehut në artikullin redaksional, të botuar në gazetën “Për paqe të qëndrueshme, për demokracinë popullore” të datës 5 janar 1951, artikull që siç më duket mua, lidhur me diskutimet që janë bërë në Byronë Politike dy vitet e fundit, ka rëndësi veçanërisht të madhe. Këtë artikull, u shpreha unë, nuk do ishte keq ta lexonin të gjithë anëtarët e Byrosë Politike.
Me kaq, biseda jonë përfundoi.
I dërguari i BRSS në RP të Shqipërisë
D.S. Çuhavin

Pse Enver Hoxha “mbronte” Tuk Jakovën

Duke kritikuar Tuk Jakovën për “shpirtbutësi” që çon në oportunizëm, në neglizhencë në punë (“Tuk Jakova nuk bëri detyrën e tij si funksionar përgjegjës i aparatit të KQ), Enver Hoxha nënvizoi gjithashtu se përgjegjësia për të metat nuk mund t’i ngarkohet vetëm Tuk Jakovës, sepse “ai është bolshevik i mirë”. Ndërkaq, më 2 shkurt të vitit 1951, në bisedën me D.S. Çuhavin, Enver Hoxha deklaroi se fjala e tij në Byronë Politike mbi gabimet e Tuk Jakovës “ka qenë më shumë e një karakteri sentimental e psikologjik, sesa politik”. Ai e deklaroi të nevojshme të nënvizonte para diplomatit sovjetik “delikatesën” e këtij problemi, sikundër edhe faktin që “ai personalisht e konsideron Tuk Jakovën si më parë, një shok të mirë e besnik të partisë”. “Delikatesa” e problemit, sipas fjalëve të Hoxhës, ishte e lidhur para së gjithash me faktin që Tuk Jakova ishte produkt i ambientit punëtor. Ai ka qenë punëtor. Përveç kësaj, në qeveri ai përfaqëson veriun katolik, emri i tij ka qenë popullor midis katolikëve shqiptarë. E. Hoxha vuri në dukje se në rast të largimit të Jakovës nga puna në Komitetin Qendror, postin e tij duhet ta zinte “vetëm një inteligjent”. Dokumentet dëshmojnë se qëndrimi i Enver Hoxhës ndaj Tuk Jakovës është përcaktuar më qartë gjatë punës mbi raportin në Plenumin e KQ të PPSH-së, që do të mbahej më datë 12 shkurt 1951. Gjatë kësaj kohe, ai ka biseduar disa herë me Mehmet Shehun, të njohur si tepër kritik ndaj Tuk Jakovës. Më 7 shkurt të vitit 1951, pas takimit me Mehmet Shehun, D. Çuhavin shënoi në ditarin e tij: “Sipas fjalëve të Mehmet Shehut, si rezultat i këtyre bisedave, atij iu krijua bindje e fortë, se Enver Hoxha arriti në konkluzionin mbi domosdoshmërinë e largimit të Tuk Jakovës nga detyra e Sekretarit të KQ të partisë. Tashmë, tha Mehmet Shehu, Enver Hoxha, duke punuar për raportin e tij në plenumin e radhës të KQ, u gjend në një situatë të vështirë.

Ai ende nuk di si ta parashtrojë në plenum çështjen mbi Tuk Jakovën. Për këtë presupozohet që Enver Hoxha personalisht i është shprehur Mehmet Shehut. Sipas fjalëve të këtij të fundit, Enver Hoxha e kishte kuptuar se të lije një funksionar të tillë të plogët, siç është Tuk Jakova, nuk ia vlen. Para partisë qëndrojnë probleme shumë të rëndësishme të ndërtimit ekonomik shtetëror. Me njerëz të tillë si Tuk Jakova, partia e ka të vështirë të zgjidhë këto probleme. Siç tha Mehmet Shehu, sikur ai i kishte thënë Enver Hoxhës se është plotësisht dakord me mendimin e tij mbi domosdoshmërinë e zëvendësimit të Tuk Jakovës, duke e lënë atë ndërkaq vetëm zëvendëskryetar të Këshillit të Ministrave, Mehmet Shehu tha më tej se Enver Hoxha përmendi emrat e kandidatëve të mundshëm për të emëruar në postin që mbante Tuk Jakova.
Letër politike e D.S. Çuhavin drejtuar V.M. Molotovit, mbi gjendjen e Partisë Komuniste Shqiptare.
Tiranë më 17 tetor 1948.
Sekret

***
Mbi punën e organeve të Sigurimit të Shtetit

Puna e organeve të Sigurimit të Shtetit iu nënshtrua një kritike dërrmuese në të gjithë aktivat e partisë pa përjashtim. Në aktivat e organizatave partiake të Partisë Komuniste Shqiptare, në atë të Tiranës, Shkodrës, Korçës, Vlorës, në aktivin e garnizonit të Tiranës etj., sqarohet sa më poshtë:
Ish-sekretari i KQ dhe ministër i Punëve të Brendshme, Koçi Xoxe, kishte rrënjosur në ndërgjegjen e funksionarëve të sistemit të Sigurimit të Shtetit, se ata janë repart pararojë i partisë, që qëndrojnë mbi partinë, dhe prandaj ata duhet të kontrollojnë të gjitha punët e partisë. Për kontrollin e punës së organizatave të partisë dhe për çështjen e ndjekjes së komunistëve, Koçi Xoxe botoi shumë qarkore e udhëzime. Shefi i Seksionit të Sigurimit të Shtetit të Shkodrës, Halil Zeneli, në aktiv deklaroi hapur se 60% e kohës në punën e tyre ia kishin kushtuar kontrollit të partisë dhe pjesën tjetër merreshin me reaksionin. Praktikisht, kontrolli i partisë nga ana e organeve të Sigurimit të Shtetit u shpreh në forma të tilla, si: censurimi i korrespondencës së organeve të partisë; kësaj censure i ishte nënshtruar edhe korrespondenca e Sekretarit të Përgjithshëm të PKSH-së, Enver Hoxha; në Plenumin e Komitetit Qendror u vendos që dy letra, të cilat i drejtoheshin Enver Hoxhës nga Italia, nga kriminelë ushtarakë shqiptarë, të ndaloheshin nga ana e organeve të Sigurimit të Shtetit, dhe për ekzistencën e tyre Enver Hoxha nuk mori njoftim.

Pas Plenumit VIII të shkurtit të KQ të PKSH-së, Koçi Xoxe udhëzoi aparatin e tij që të forcohej vëzhgimi ndaj deklarimeve dhe thënieve të komunistëve e të korrespondencës së tyre. Një udhëzim të tillë ai dha dhe pas daljes së vendimit të Byrosë Informative “mbi gjendjen në Partinë Komuniste të Jugosllavisë” dhe pas shpalljes së vendimit të KQ të PKSH-së “mbi qëndrimin e saj lidhur me këtë çështje”. Asnjë vendim serioz i komiteteve të partisë të rajoneve nuk merrej pa miratimin paraprak të drejtuesve të organeve lokale të Sigurimit të Shtetit. Përpara se të pranohej në parti një anëtar i ri, komitetet e partisë ishin të detyruara të verifikonin kandidaturën sipas linjës së organeve të Sigurimit të Shtetit, të paraqitnin materialet e nevojshme për kandidaturën dhe pas kësaj të merrnin miratimin përfundimtar. Në shumë vende, përpara se të zgjidhej problemi mbi kalimin nga kandidat në anëtar partie, kandidati duhej të paraqitej në sektorin lokal të Sigurimit të Shtetit, ku ai instruktohej se si të sillej kundrejt organeve të partisë, dhe po këtu e detyronin të ndiqte komunistët e tjerë, duke e paralajmëruar se për këtë gjë nuk duhej të njoftonte organizatën e partisë ku do të anëtarësohej dhe organet drejtuese të saj.  Midis komunistëve rekrutohej një agjenturë masive për ndjekjen e tyre dhe të organeve të partisë. Në aktivin e partisë të garnizonit të Tiranës, sipas pohimeve të Enver Hoxhës, vlen të theksohet episodi i mëposhtëm. Kur Koçi Xoxe, duke iu përgjigjur pyetjes që i kishin bërë, deklaroi se komunistët nuk rekrutoheshin për ndjekje të njëri-tjetrit, u ngrit bashkëshortja e shefit të agjitpropit të KQ të PPSH-së, Manush Myftiut, dhe deklaroi direkt se Koçi Xoxe gënjen, sepse edhe ajo personalisht është rekrutuar për ndjekjen e atyre apo këtyre komunistëve. Menjëherë pas saj u ngrit nga vendi një anëtar tjetër partie dhe prerazi tha: “Kurse unë jam rekrutuar me qëllim që të ndiqja ty”. Pas kësaj u ngrit një anëtar i tretë partie dhe tha se ishte rekrutuar për të ndjekur, në radhë të parë këtë komunist.

Nga Përmeti, Berati dhe Vlora u sollën fakte kur shefat e seksioneve lokale të organeve të Sigurimit të Shtetit i ndaluan organizatat e partisë të bënin luftë kundër zërave provokativë armiqësorë të përhapur midis popullsisë, duke deklaruar se kjo nuk është çështje e organizatave të partisë, por detyrë funksionale e organeve të Sigurimit të Shtetit. Në disa rajone të vendit, arkivat e partisë të komiteteve të saj ruheshin nga shefat e sektorëve lokalë të Sigurimit të Shtetit. Pa koordinim me shefat lokalë të Sigurimit të Shtetit, organizatat e partisë nuk kishin të drejtë të zgjidhnin problemin mbi lëvizjen apo emërimin e ri të funksionarëve drejtues në rajone, madje organet e Sigurimit të Shtetit në këto raste nuk u jepnin komiteteve të partisë kurrfarë sqarimesh lidhur me shkaqet, se përse ato vinin “veton” gjatë lëvizjes e emërimit të këtij apo atij anëtari partie, si dhe gjatë pranimit të anëtarëve të rinj të partisë, duke thënë se këtë e dinin vetëm ata.Një regjim i tillë u vendos edhe në ushtri. Emërimi në postet komanduese, ngritja në gradë etj., të gjitha këto veprime duhet të koordinoheshin me organet e Sigurimit të Shtetit. Komisarët, si dhe sekretarët e organizatave të partisë në ushtri ishin të detyruar që t’u paraqisnin organeve të Sigurimit të Shtetit autobiografitë dhe karakteristikat për të gjithë anëtarët e partisë të njësisë të caktuar ose formacionit ushtarak, kurse komandantët e njësive ushtarake duhet të kalonin pranë organeve të sigurimit dhe planet operative. Sipas deklarimit të diskutuesve në aktiva, praktikat e lartpërmendura çuan në humbjen e çdo besimi te njerëzit. Nga aktivat në Berat, në Përmet dhe në rajone të tjera jugore të vendit u sollën disa shembuj, se si funksionarët e organeve të Sigurimit të Shtetit dhe agjentura e tyre kishin ndaluar mbledhjet në qendrat e populluara. Madje, në ushtri takimet miqësore të disa oficerëve janë shpërndarë pa asnjë arsye bindëse. Agjentura e organeve të Sigurimit të Shtetit në periferi sillet në mënyrë të shfrenuar dhe amorale.

Në aktiva u sollën shembuj kur agjentë të organeve të Sigurimit të Shtetit, të cilët ishin rekrutuar nga masa e ish-fashistëve dhe elementëve kriminalë, e publikonin lidhjen e tyre me organet, silleshin me arrogancë, gjë e cila shkaktoi një zemërim të drejtë të banorëve vendës, është krejtësisht e qartë se në këto kushte aparati i organeve të Sigurimit të Shtetit e ndiente veten të pavarur nga partia, filloi të shfaqte shenja korrupsioni dhe për këtë në aktivat e partisë nuk munguan të përmendeshin shumë shembuj konkretë. Karakteristike për metodat e punës së organeve të Sigurimit të Shtetit është arbitrariteti dhe dhuna ndaj komunistëve e popullatës. Një numër oratorësh që diskutuan në shumë aktiva pohuan ekzistencën e torturave shtazarake, vrasjeve nëpër burgje dhe për masakrat ndaj qytetarëve të pafajshëm. Ish-shefi i Sigurimit të Shtetit të qytetit të Vlorës, Sotir Filto (tani komandant i regjimentit kufitar në këtë qytet), ka pohuar se Koçi  Xoxe personalisht ka dhënë urdhra për ekzekutimet në burgje. Mbi metodat provokative të punës së organeve të Sigurimit të Shtetit është folur edhe në aktivat e tjerë të partisë. Pasi krijoi një rrjet të gjerë agjenturor fund e krye spiunazhi dhe përgjimi në radhët e Partisë, Koçi Xoxe ishte i bindur se tani i gjithë populli ishte në duart e tij. Kjo shpjegon dhe vetëbesimin e tij në veprimet në favor të klikës trockiste Tito- Rankoviç në fund të vitit 1947 dhe në fillim të vitit 1948. Vendimi për largimin e Koçi Xoxes nga ministër i Punëve të Brendshme çoi në atë që kundër tij dhe sistemit policor të krijuar prej tij në parti, të ngrihet e gjithë masa e partisë.
Panorama

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 21/09/2011. Filed under Diktatura komuniste. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

3 Responses to Mehmet Shehu, raporte sovjetikëve kundër Enver Hoxhës

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.