Stop “racizmit” ndaj problemeve shëndetësore

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 5338
Në më shumë se dy gazeta të Tiranës të datës 2 prill – të ishin të 1-shit nuk do të merreshin edhe aq seriozisht – është botuar një artikull i zhanrit epistolar politik, të cilit botuesit i kanë vënë titullin “Limpreht e dinte që Berisha kurohej me antidepresiv”, me një autor të quajtur Geri Kokalari. Duhet të këtë peshë të madhe një artikull i këtij zhanri përderisa autori, përveç Departamentit të SHBA, ua ka dërguar edhe mediave të shkruara të Shqipërisë.

Duke qenë se prej më shumë se 20 vjetësh jetoj dhe punoj jashtë Shqipërisë, lexuesit do të ma falin që njohuritë e mia kufizohen në faktin që autori Geri është një person i gjallë, i cili citon një person të vdekur, të quajtur Limpreht: “Nuk është sekret për Departamentin Amerikan të Shtetit se Berisha është një individ i paqëndrueshëm. Ambasadori Limpreht më rrëfeu një informacion të kësaj lënde gjatë një takimi që unë pata me të në Nju Jork për të diskutuar mashtrimin e New World Telecom. Në fakt, unë u habita kur Limpreht mësoi se Berisha mjekohet me ilaçe antidepresive…”.

I vdekuri i quajtur Limpreht nuk mund ta na e mohojë dot tashmë, sikurse as të na e pohojë, informacionin që na e transmeton në emër të tij i gjalli Geri. Për ta pranuar si të vërtetë duhet të kesh një konsideratë dhe një besim të patundur te integriteti i këtij të fundit dhe te paanësia e tij; përsa i përket paanësisë ndaj personit për të cilin shkruan, fatkeqësisht, vetë shkrimi i tij dëshmon të kundërtën. Mbetet t’i drejtohesh ndonjë mediumi po aq të pagabueshëm, që do të na vinte në kontakt me të cituarin: nga bota tjetër, nëse ka një të tillë, Limprehti nuk besoj se do të gënjente dot.
Megjithëkëtë, për mua që shkruaj këto rreshta nuk ka rëndësi as Kokalari, as Limprehti, madje as Berisha, por tema e depresionit dhe papërgjegjshmëria malinje në lidhje me trajtimin e këtij.
Dhjetë vjet më parë, në kushtet e një depresioni të fuqishëm, m’u propozua në Francë një kontratë pune për të cilën duhet të isha tej mase efikase dhe e përgjegjshme. Korrektesa ndaj punëdhënësit më shtyu t’i drejtohesha psikoterapeutes sime për ta pyetur nëse isha në aftësinë time të plotë për t’ia dalë mbanë asaj pune. Ajo qeshi e habitur që ia bëja këtë pyetje mbas gjithë atyre studimeve që kisha bërë nën këshillimin e saj për ta njohur depresionin. “Mund të drejtosh një avion, një bankë, madje një shtet, kjo varet nga aftësitë e tua, bëhem unë garante që asgjë në kapacitetin tënd nuk është dëmtuar nga depresioni, përkundrazi”, m’u përgjigj ajo.

E këshilluar, “e psikanalizuar”, nëse e doni kështu, në klinikën më në zë të Parisit, pata ndier një dhembje të madhe për bashkatdhetarët e mi që mund të ishin të afektuar nga ky “kancer i shpirtit” pa asnjë njohuri, asnjë mbështetje, pa literaturë ose formim kulturor që do t’i ndihmonte të kuptonin ç’u ndodhte. Për më tepër: që do ta vuanin me turp afektimin e tyre nga depresioni dhe do të mundoheshin ta fshihnin më keq se sëmundjet veneriane. Sepse në Shqipërinë tonë, të ishe me depresion do të thoshte të ishe, pikërisht, i papërgjegjshëm, i çmendur, budalla, i dalë jashtë korsie.
I kam kërkuar atëherë psikoterapeutes sime të më ndihmonte të zgjidhja e të shpërndaja në vendin tim informacionin e nevojshëm për të mundur të ndihmoja sadopak pikërisht të afektuarit nga depresioni. Nuk e bëra. Ndaj dhe me këtë shkrim do të doja ta “lëvizja” sadopak debatin në lidhje me këtë temë sot, ndonëse të tjerë më kompetentë mund ta bëjnë sensibilizimin e nevojshëm edhe më mirë se unë.  Ne nuk e dimë, pra, nëse Berisha, vetë mjek për nga profesioni, është kuruar apo jo ndonjëherë me barna antidepresivë. Por, njeriu që zotëron një minimum kulture në lidhje me dukurinë e depresionit, nuk ka se si ta konsiderojë personin e afektuar prej tij si të paqëndrueshëm, të papërgjegjshëm për këtë arsye. Është dredhi dashakeqi, në mos po lapsus injoranti. Depresioni nuk ka asnjë lidhje me paqëndrueshmërinë dhe papërgjegjshmërinë. Trajtojini, ju lutem, si të pavarura këto nocione. Nëse merreni me paqëndrueshmërinë e Berishës (paqëndrueshmëri se ndaj çfarë, duhet të jenë sekrete që i zotëron Departamenti i SHBA), jepni ç’të doni si argument, por jo barnat antidepresivë. Ata nuk kanë asnjë lidhje. Sepse mjekë të shquar mund t’ju thonë, sipas statistikave, se depresioni prek shumë më shpesh njerëz me një koeficient intelektual mbi normalen. Aristoteli ka pas themeluar një traditë të tërë kurative në të cilën e konsideron melankolinë, bazën e depresioneve, si “sëmundje të gjeniut”. “Depresioni nuk të bën më inteligjent dhe as më krijues, por njerëzit shumë inteligjentë vuajnë më tepër nga problemet ekzistenciale, – ka konstatuar psikiatri në zë zviceran Philippe Huguelet, – dhe ata kanë shpesh një ndërgjegje, një qartësi më të madhe, që mund të jetë burim vuajtjeje mjaft i madh për ata vetë”.

Përkundër dredhisë prej dashakeqi, ose lapsusit prej injoranti të autorit me emrin Geri, mund të citohen qindra emra të afektuarish nga depresioni, pa të cilët njerëzimi nuk do të ishte ky që është në ato çka konsiderohen si vlerat e tij: Molière, Voltaire, Chopin, Berlioz, Rahmaninov, Balzac, Tolstoi, Nietzche, Gerard de Nerval, Hemingway, Montaigne, Dikens, Eugene O’Neill, Emilie Dickinson, Marlon Brando, Marylin Monroe, Ray Charls, Virginia Woolf, Edgar Allan Poe, Van Gogh, Agatha Christie etj., etj.
Ah, harrova: mungojnë burrat e shtetit? Ja ku vijnë:  David, Elia, Job, Napoleon Bonaparte, Martin Luther King, Abraham Linkoln, Churchill, Nixon, Roosvelti deri te zonja si Barbara Bush, princesha Diana etj., etj.

Që të mos e zgjas, po e mbyll duke cituar psikanalistin e shquar Erich Fromm, tanimë të përkthyer të botuar shumë edhe në Shqipëri: “Nuk duhet të harrojmë se vuajtja mbetet e vetmja ndjenjë që kanë njerëzit realisht të përbashkët dhe, ndoshta, përgjithësisht, të gjithë njerëzit që janë të aftë të ndiejnë. Për këtë arsye, ai që vuan dhe që e njeh shpërndarjen universale të vuajtjes mund ta gjejë ngushëllimin në solidaritetin njerëzor”. Nuk di sa lexohen në SHBA autorë si Fromm-i e të tjerë, sepse Amerika, si atdhe i antiracizmit, është njëherësh edhe strehë racistësh të kamufluar; si vend i qytetërimit, është edhe strehë të paqytetëruarish të maskuar; si vend i dijes dhe i shkencës, është edhe strehë injorantësh të mediatizuar: Zyra e “letrave nga populli” në Departamentin e Shtetit, me siguri që di t’i bëjë dallimet më mirë se unë.
Sesilia Plasari/Panorama

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 05/04/2011. Filed under Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

One Response to Stop “racizmit” ndaj problemeve shëndetësore

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.