Katrori i pamundshëm

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 1672
Megjithatë, mund të jetë e vërtetë që bisedimet e filluara me Serbinë janë dialog teknik. Pra, nuk janë dialog politik por veçse teknik. Kjo nuk do të thotë që temat për të cilat po bisedohet në Bruksel janë çështje teknike. Biseda për ato tema është teknike dhe jo temat si të tilla. Karakteri i dialogut për temat është teknik dhe jo natyra e temave të dialogut.

Politika bëhet prej tjetërkujt, tjetërkund, për të tjera interesa dhe ky dialog tani s’është gjë tjetër përpos teknik. Premisat, shtigjet dhe përfundimet e dialogut i vendos tjetërkush, ndërkaq palët bisedojnë teknikisht dhe jo politikisht. Politikisht janë përcaktuar për bisedime dhe tani bisedojnë teknikisht. Dialogu teknik nuk i bën temat e dialogut çështje teknike, por i shndërron dialoguesit në zyrtarë teknikë. Ata që dialoguesve u ndodhen sipër, anash e ndërmjet, janë pjesa politike, kurse vetë dialogu është teknik ashtu sikurse dialoguesit.

Tekniciteti i dialogut tregon që rezultatet e tij janë të përcaktuara. Sigurisht që ato do të jenë një sërë kompromisesh midis pozicionesh të ndryshme në temat e ndryshme të diskutimit. Kryenegociatorja kosovare tha që do të nevojiten “zgjidhje kreative” për problemet që do të ngrihen. Duke e ditur që fjala kompromis tingëllon kriminale për shqiptarët pasi që bëhet fjalë për Kosovën e tyre, ajo këtë po e zëvendëson me shprehjen “zgjidhje kreative” si eufemizëm për koncesionet e shumta që na presin.

Në fakt, “zgjidhjet kreative” nuk do t’i shohim aq në relacionin Prishtinë-Beograd sa në relacionin Prishtinë-qytetarët e Kosovës. Jemi ne qytetarët e Kosovës ata kundrejt të cilëve kryenegociatorja duhet të jetë kreative duke i zbukuruar, pra duke i grimosur, kompromiset (idealisht derisa ato të mos shihen fare). Populli i Kosovës dhe jo Serbia do të jetë spektatori i kreativitetit nga Brukseli. Mbase nuk ka mundur të jetë ndryshe: këto bisedime me Serbinë bazohen në Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të 9 shtatorit 2010, e cila e rikuptimësoi mendimin këshillues të GJND-së në drejtim të këtyre bisedimeve.

Bisedimet më të reja, siç dihet, po zhvillohen në trekëndëshin Prishtinë-Beograd-Bruksel. Tema konsiston në çështjet e brendshme të Kosovës, por shqiptarët e Kosovës janë të përjashtuar. Së pari, nuk pati referendum gjithëpopullor dhe as debate publike. Së dyti, bisedimet nisën duke u përjashtuar Kuvendi i Kosovës, si organi më i lartë. Inkuadrimi i qytetarëve në këtë proces sigurisht që do ta përjashtonte Beogradin.

Vetëm atëherë kur shqiptarët e Kosovës do të pyeteshin për këto bisedime do të dilte në pah kundërthënia e pakapërcyeshme. Pa qytetarët e Kosovës në proces do të mund të vërehen dallimet midis zyrtarëve nga Prishtina, Beogradi e Brukseli, por nuk do të mund të shihet antagonizmi midis aspiratave të Serbisë dhe të drejtave të Kosovës. Me qytetarët e Kosovës, shumica dërrmuese e të cilëve janë shqiptarë, trekëndëshi i lartpërmendur do të zëvendësohej me këtë tjetrin: Prishtinë-Bruksel-qytetarët e Kosovës. Se Prishtina e Beogradi mund të bëhen bashkë po shihet në Bruksel.

Se qytetarët e Kosovës s’mund të bëhen bashkë me Serbinë këtë po ashtu e shohim – kësaj radhe jo në Bruksel, por në cilindo qytet a fshat të Kosovës, me cilindo shqiptar që të rastis të bisedosh. Katrori Prishtinë-Beograd-Bruksel-shqiptarët është i pamundshëm. Ose do ta kemi trekëndëshin Prishtinë-Beograd-Bruksel, ose do ta kemi trekëndëshin Prishtinë-Bruksel-shqiptarët. Trekëndëshi i parë është trekëmbësh i varjes – ai na e bosnjëzon shtetin përmes koncesioneve të reja ndaj Serbisë përherë të pangopur.

Trekëndëshi i dytë është trekëndësh i shpëtimit – ai mundëson që Kosova dhe shqiptarët të bëhen njëmend të pavarur dhe të përpiqen që ta shfrytëzojnë Brukselin për demokratizim e zhvillim të brendshëm.

Njerëzit në Kosovë e duan trekëndëshin e dytë dhe e dinë që katrori është i pamundshëm. Kryenegociatores Tahiri nuk do t’i mjaftojë as kreativiteti i Malevichit me katrorin e tij të bardhë në sipërfaqe të bardhë.
Albin Kurti/Lëvizja Vetëvendosje
Prishtinë, 23 mars 2011

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 25/03/2011. Filed under Analizë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.