Leje ndërtimi në zonë me radioaktivitet

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 5005
Rektori i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Dhori Kule, jep alarmin: Kjo është Fukushima e Tiranës
Një rrezik, i tipit Fukushima, i kanoset Tiranës, po kjo, jo për shkak të një centrali bërthamor, e aq më pak për shkak të ndërhyrjes së natyrës, siç ndodhi në Japoni. Krejt e kundërta, lejet e ndërtimit të dhëna nga kryebashkiaku Rama në zonën pranë Institutit të Fizikës Bërthamore vendosin në rrezik shëndetin e qytetarëve, teksa aty ka materiale me rrezik bërthamor.

Skandali është denoncuar dje nga rektori i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Dhori Kule, nën varësinë e të cilit është Instituti i Fizikës Bërthamore. Ai deklaroi në një konferencë për media se lejet e ndërtimit të dhëna për pallate në zonën pranë Institutit të Fizikës Bërthamore jo vetëm përbëjnë një rrezik për shëndetin e qytetarëve, por janë edhe në kundërshtim të hapur me legjislacionin në fuqi.

“Kjo zonë duhet të jetë 150 metra larg Institutit të Fizikës Bërthamore, sipas vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave, të miratuar kohë më parë. Oborri po ndërtohet dhe po jepet leje ndërtimi për pallate pranë shtëpive. Kjo zonë është e papranueshme”, – ka deklaruar në një konferencë për mediat të thirrur paraditen e djeshme në mjediset e rektoratit prof. dr. Kule.

Duke ritheksuar rrezikun që u kanoset qytetarëve në këtë zonë, rektori i universitetit më të madh në vend, njëherazi kryetar i Konferencës së Rektorëve, prof. Kule, nuk ngurroi ta krahasonte këtë situatë me problemin bërthamor në centralin e Fukushimës në Japoni, që ka mbërthyer mbarë botën kohët fundit. Sipas prof. Kules, kjo është Fukushima e Tiranës, pasi ka mbetje bërthamore jashtëzakonisht problematike.

“Ngjitur me murin e qendrës së fizikës bërthamore po ndërtohen dhe janë dhënë leje ndërtimi për të ndërtuar pallate, veç shumë shtëpive që janë aty afër. Është një zonë shumë e rrezikshme. Është qendra e fizikës bërthamore. Ka mbetje bërthamore jashtëzakonisht problematike. Kjo është Fukushima e Tiranës”, – tha gjatë konferencës prof. Kule.

Ndërkaq, në konferencën e djeshme për mediat, rektori Kule ndaloi edhe mbi një çështje tjetër të aktualitetit që ka të bëjë me institucionin që drejton. Duke folur për Kopshtin Botanik, për të cilin ka pasur akuza nga të dyja palët politike për shkatërrimin e tij, prof. Kule u zotua që do të kërkojë ristrukturimin e brendshëm të Kopshtit, pas kalimit të Unazës së Madhe të Tiranës.

“Në kalimin që do ketë Unaza e Madhe tek Kopshti Botanik do kërkojmë që në ristrukturimin e brendshëm bimësia të vendoset sërish ose hapësira të vendoset në një hapësirë tjetër”, – ka theksuar Kule. Në zonën e Kopshtit Botanik, Unaza e Madhe do të zërë një pjesë të vogël periferike, teksa nuk u gjend asnjë rrugëzgjidhje tjetër, pasi pjesa përreth ishte mbushur me pallate, të dhëna pas vitit 2003, kur z. Edi Rama u zgjodh kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Problemi i betonizimit të kryeqytetit ka sjellë shpesh herë pasoja të rënda në shëndetin e qytetarëve. Sipas studimeve mbi ndotjen, Tirana listohet në 3 kryeqytetet më të ndotura në Evropë, për sa i përket grimcave që dëmtojnë shëndetin, dhe ndër qytetet më pak të gjelbëruara. Shtimi i numrit të pallateve pa pasur parasysh kriteret urbanistike dhe shëndetësore, si rasti konkret pranë Institutit të Fizikës Bërthamore, përbën një problem edhe më të madh për banorët e kryeqytetit.

Ndërkaq, Bashkia e Tiranës nuk ka reaguar dje për akuzat e ardhura nga rektori i universitetit më të madh në vend, duke heshtur përballë skandalit shëndetësor që po i kanoset kryeqytetit.
Gazeta Standard

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 23/03/2011. Filed under Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

One Response to Leje ndërtimi në zonë me radioaktivitet

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.