Plani mbrojtës i diktatorëve

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 2425
Roje pretoriane, vende të fshehta për vete dhe familjarët, si dhe dhunë për të pabindurit. Ja si qëndrojnë në pushtet diktatorët.
Një diktator nuk mund të kuptohet pa dhomën e tij të torturave. Janë ambiente ku ai ka kryer krime të mëdha, ndaj atyre që i kanë kërcënuar pushtetin, për t’i bërë shembull dhe për t’u treguar se janë ata dhe vetëm ata që kanë forcën dhe të drejtën e rregullave të lojës dhe kushdo tjetër që mendon ndryshe, është i destinuar të copëtohet në një makineri makabre torture të pamëshirshme. Kur një diktator bie nga pushteti, dhoma e torturave është ndër të parat që del në dritë. Bëhet fjalë për dhoma me kabllo elektrike dhe me copëza gjaku të mpiksura, që dëshmojnë për krime makabre dhe vuajtje të mëdha njerëzore. Për dhomën e torturave të Sadamit madje ka edhe fotografi. Torturuesit e tij ishin njerëz shumë të kujdesshëm për sa i takon mbajtjes së shënimeve dhe të protokolleve të posaçme. Ata kanë bërë shumë foto gjatë veprimtarisë së tyre bashkë me shënimet përkatëse. Për sa i përket dhomave të torturave në Tunizi dhe në Egjipt, ato nuk janë hapur ende. Diktatorët kanë rënë dhe kanë ikur, por kjo nuk ka ndodhur me rojet e tyre pretoriane, të cilat janë ende në pushtet. Ushtria, policia sekrete, legjionet e spiunëve dhe informatorëve, hetuesit dhe torturuesit janë ende aty. Kjo kategori “rojesh” diktatoriale e përballur me furinë e paparashikueshme të njerëzve që iu kundërvu, vendosi që për të shpëtuar veten, të sakrifikonte liderin e madh. Deri më tani premtimet e tyre për më shumë liri janë thjesht hipotetike. E ndërsa administrata e Obamës nxitoi që të mbështeste demokratët e rinj të Lindjes së Mesme, ekziston një pengesë e tmerrshme: historia e gjatë e sekreteve të Amerikës me diktatorët në të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme. Në fund të fundit, të gjitha forcat policore dhe ushtarake që u përballën në Kajro me masat protestuese mbanin mjete ushtarake dhe gaz lotsjellës të prodhuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por këto të fundit nuk janë fajtorët e vetëm. Britania, Franca, Italia, Rusia dhe Kina kanë mbështetur kush më shumë e kush më pak diktatorët e rrëzuar dhe të kontestuar. Por ndërsa diktatorët e kësaj zone të botës nisën që të bien njëri pas tjetrit, për të kuptuar mekanizmin e funksionimit të një diktature, mjafton që t’i hedhësh një sy Iranit dhe asaj që konsiderohet si “mekanika e dhunës”. Këtë mekanizëm e shpjegon shumë mirë në librin e tij “Republika e Frikës”, një nga intelektualët më të famshëm të Irakut, Kanan Makyia. Sipas tij, frika dhe terrori ka mbajtur për një kohë të gjatë në këtë rajon dhe vende të tjera të botës mbretër, emirë, mullahë, presidentë me mandate të përjetshme. Dhe frika është i vetmi mjet që mund t’i mbajë ende në pushtet, të paktën edhe për pak kohë.

Të gjitha vendet arabe, pa përjashtim qeverisen nga një familje, qëllimi kryesor i së cilës është krijimi i të gjitha kushteve, me të gjitha mjetet, për të qëndruar në pushtet. Në këtë tërësi vendesh bën përjashtim, në mënyrë shumë kurioze vetëm Libani, një vend ultrasektar. Vendet e tjera nuk kanë pasur në gjithë historinë e tyre asnjë lider, që të jetë dorëhequr apo të ketë përfunduar mandatin qeverisës dhe të lërë lënë pushtetin në mënyrë të vullnetshme dhe paqësore.

Në vitet ‘50 dhe ‘60 të shekullit të kaluar, mënyra më e zakonshme e ardhjes në pushtet të klikave të ndryshme në këto vende, ishte grushti i shtetit. Duke filluar nga marsi i vitit 1949 e deri në dhjetor të vitit 1980, në këto zona të botës janë tentuar 55 grushte shteti dhe thuajse gjysma e tyre kanë dalë me sukses. Tiranët e rinj u munduan që të mësonin nga tiranët paraardhës dhe nga gabimet e tyre, për të mos i përsëritur kur të vinte koha e tyre. Një nga mënyrat, sipas tyre, për të siguruar një pushtet të gjatë, është izolimi i njerëzve, i popujve dhe jo vetëm nga bota e jashtme, por edhe nga njëri-tjetri. Sadami, madje shkoi deri aty sa të quante të jashtëligjshme çdo lloj fotokopjeje apo makine shkrimi duke qenë se ato mund të përdoreshin për të shumëfishuar literaturë të ndaluar apo trakte kundër pushtetit të tij. Por kyçi i vërtetë i mbijetesës së regjimeve ishte i ashtuquajturi “prova e grushtit të shtetit”. Një studim i vitit 1999, i bërë nga një organizatë që merret me çështjet e sundimit të diktatorëve, nxori një listë në të cilën kategorizoheshin çështjet bazë që i bënin diktatorët “të suksesshëm”. Lista fillonte me konsolidimin e lidhjeve të brendshme të sundimtarëve, pra lidhjeve të ngushta, edhe martesore mes tyre, si dhe lidhjen e kësaj kaste me të gjithë faktorët e pushtetshëm, brenda dhe jashtë vendit si mafien, financierët e kështu me radhë, në mënyrë që të gjithë të mbështesnin njëri-tjetrin me anë të të gjitha mjeteve dhe mënyrave. Së dyti, këshillohej krijimi i një ushtrie paralele dhe e devotshme, në mbrojtje të regjimit që nuk do të tradhtonte padronët e saj, as në momentin më të vështirë kur vetë ushtria mund t’i dilte regjimit kundër. Kështu, për shembull, në Iran u krijua Trupa e Gardës Revolucionare, e cila hyn në veprim nëse ushtria nuk funksionon. Së treti mbajtja dhe forcimi i policisë së fshehtë, sigurimit dhe shërbimeve të spiunazhit, të cilët kalonin kohën më të madhe duke spiunuar dhe duke përgjuar njerëzit dhe çdo lloj pushtetari. Ndërkohë marrëdhënie të mira duheshin mbajtur edhe me ushtrinë e rregullt. Një nga teknikat e mbajtjes së ushtrisë të zënë me dhunë dhe të kënaqur nga ana profesionale ishte “përforcimi i ekspertëve” ose dërgimi i tyre nëpër kurse jashtë vendit, në akademitë ushtarake të vendeve të tjera, për t’u kualifikuar dhe për t’u përsosur në përgatitjen ushtarake. Por kjo kishte edhe rreziqet e veta, sepse nuk mund ta dish kur se çfarë idesh mund të vijnë në mendjen e një ushtaraku të një vendi diktatorial kur ndodhet në një tjetër mjedis, më demokratik dhe më të hapur. Për këtë arsye, ushtarakët egjiptianë kur kryenin manovrat me amerikanët, e kishin të ndaluar që përveç anës ushtarake, të kryenin veprimtari të tjera me kolegët e tyre ndër të cilat quheshin të paligjshme edhe bisedimet e lira.

Një ide tjetër e suksesshme e diktatorëve është mbështetja e ushtrisë, motivimi i saj dhe mbi të gjitha, krijimi i një situate kënaqësie dhe mirëqenie në radhët e saj në mënyrë që kjo shtresë të mos kishte ankesa dhe pretekste për kryengritje. Gjithashtu ushtarakëve u krijohen edhe kushte të veçanta dhe mundësi për të bërë para dhe për të pasur një standard jetese më të lartë se ai i shtresave të tjera. Në Egjipt, ushtarakët kanë përfituar nga marrëveshjet e shitblerjeve të pasurive të patundshme dhe sipas dokumenteve të “Wikileaks”, ushtarakët e lartë, por edhe ata të mesëm, kanë pasur në pronësinë e tyre ndërtesa, apartamente dhe prona të shumta, që i kanë shndërruar në besnikë të regjimit, pasi të mbroje regjimin, do të thoshte që të mbroje pronën tënde. E megjithatë edhe oficerët më të kamur dhe të mbështetur mund të bëhen shumë lakmitarë dhe xhelozë për kolegët e tyre dhe kjo mund të krijojë konflikte me pasoja të paparashikueshme. Kështu sipas të njëjtave dokumente flitet për rivalitetin që ekzistonte në kastën e lartë të ushtarakëve egjiptianë që, edhe pse ishin të kamur, ishin të pangopur dhe lakmitarë ndaj pasurive të njëri–tjetrit.

Kur këtë muaj, ushtria mori pushtetin nga duart e Mubarakut, të parët anëtarë të kabinetit që u dëbuan prej tij nga ushtarakët ishin biznesmenët e pasur që kishin edhe poste ministrash dhe madje, një pjesë e tyre janë vënë përballë drejtësisë me akuza të ndryshme. Por kjo mbështetje që diktatorët u japin mbështetësve të regjimit të tyre nuk është e lehtë. Për sa i përket vendeve të Gjirit, mund të thuhet se duke qenë se janë të pasura me naftë dhe pasuri të tjera, kanë para dhe mund të financojnë mbështetjen e tyre, por vende të tjera jo kaq të pasura, herët ose vonë përballen me vështirësi të mëdha financiare. Kështu kryesisht vendet që nuk kanë mbështetje financiare nga pasuritë e nëntokës dhe kanë diktatorë që duan të ruajnë me çdo kusht pushtetin e tyre, zakonisht gjejnë mbështetje tek të huajt. Kur Britania e Madhe e reduktoi praninë e saj në Lindjen e Mesme në vitet ‘70 dhe ‘80 të shekullit të kaluar, ky boshllëk u mbush nga Amerika. Themeluesi i Arabisë Saudite, Abdel Aziz ibn Saud, e mbajti spiunin britanik Xhon Filbi, babain e agjentit të famshëm Kim Filbi, si këshilltarin e tij personal në vitet ‘20 dhe ‘30. Por pas Luftës së Dytë Botërore, sauditët zgjodhën amerikanët për mbështetës të tyre, duke besuar se ata ishin më të fuqishëm dhe punuan ngushtësisht me shumë shefa të CIA-s në Riad përfshi edhe Xhon Brennan, i cili aktualisht është zyrtari kryesor për antiterrorizmin në administratën e Obamës.

Për aktivistët e demokracisë në këtë rajon, përfshirja e CIA-s është një çështje e rrezikshme për t’u përfolur, por gjurmët e saj gjenden kudo. Duke filluar me administratën e Klintonit e në vijim Uashingtoni, ka bashkëpunuar me Egjiptin, Jordaninë dhe qeveri të tjera mike, për të kapur të dyshuarit për terrorizëm në vendet e tjera si Shqipëri, Itali e gjetkë, duke i kthyer ata në atdhe për t’u përballur me hetime, tortura dhe në disa raste edhe ekzekutime. Ky program u shkonte shumë për shtat regjimeve të këtyre vendeve, të cilat u shndërruan në bashkëpunëtore të asaj që administrata e Bushit e quante “lufta kundër terrorizmit”.
Bota Sot

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 25/02/2011. Filed under Analizë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

One Response to Plani mbrojtës i diktatorëve

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.